Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 86

Jezui ringjalli Lazarin

Jezui ringjalli Lazarin

Jezui kishte tre miq shumë të ngushtë që jetonin në Betani. Ata ishin Lazari dhe dy motrat e tij, Maria e Marta. Një ditë, ndërsa Jezui ishte në anën tjetër të lumit Jordan, Maria dhe Marta i dërguan një mesazh urgjent: «Lazari është shumë sëmurë. Të lutemi, hajde sa më shpejt!» Jezui nuk u nis menjëherë, por priti edhe dy ditë. Ndërkohë Lazari vdiq. Pastaj Jezui u tha dishepujve: «Hajde shkojmë në Betani. Lazari është duke fjetur dhe po shkoj ta zgjoj nga gjumi.» Apostujt i thanë: «Nëse Lazari po fle, gjumi do ta ndihmojë të bëhet më mirë.» Ja përse Jezui u foli troç: «Lazari ka vdekur.»

Kur Jezui mbërriti në Betani, Lazari kishte katër ditë i varrosur. Kishin vajtur shumë e shumë njerëz për të ngushëlluar Martën dhe Marinë. Kur Marta dëgjoi se Jezui kish ardhur, nxitoi për ta takuar. Ajo tha: «Zotëri, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste.» Jezui i tha: «Vëllai yt do të jetojë përsëri. A e beson këtë Martë?» Ajo iu përgjigj: «Kam besim se do të ringjallet.» Jezui shtoi: «Unë jam ringjallja dhe jeta.»

Marta shkoi te Maria dhe i tha: «Jezui është këtu.» Maria vrapoi për te Jezui dhe turma e ndoqi. Ajo u gjunjëzua te këmbët e tij dhe s’pushonte dot së qari. Ajo i tha: «Zotëri, po të ishe këtu, vëllai ynë do të ishte ende gjallë.» Jezui e pa sa shumë po vuante e filloi të qante edhe ai. Kur njerëzit panë lotët e Jezuit, thanë: «Sa e paska dashur Lazarin!» Por disa pyesnin veten: «Pse nuk e shpëtoi mikun e tij?» Çfarë do të bënte Jezui më tej?

Jezui shkoi te varri ku një gur i madh bllokonte hyrjen. Ai urdhëroi: «Rrokulliseni gurin.» Marta tha: «Por kanë kaluar katër ditë! Trupi duhet të mbajë erë.» Sidoqoftë, ata e rrokullisën gurin dhe Jezui u lut: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjon. E di se më dëgjon gjithmonë, por flas që këta njerëz ta dinë se ti më dërgove.» Pastaj ai thërriti me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!» Diçka e mrekullueshme ndodhi: Lazari doli nga varri, i mbështjellë me fasha liri. Jezui tha: «Zgjidheni dhe lëreni të ikë.»

Shumë veta që e panë këtë, besuan te Jezui. Por disa shkuan e ua thanë farisenjve. Që atëherë, farisenjtë donin të vrisnin edhe Lazarin, edhe Jezuin. Një nga 12 apostujt, Judë Iskarioti, shkoi fshehurazi te farisenjtë dhe i pyeti: «Sa do të më paguani nëse ju ndihmoj të gjeni Jezuin?» Ata ranë dakord t’i jepnin 30 monedha argjendi dhe Juda filloi të kërkonte ndonjë mundësi që ta dorëzonte Jezuin te farisenjtë.

«Perëndia i vërtetë është për ne Perëndia i veprave të shpëtimit; Jehovait, Zotërisë Sovran, i përkasin rrugët për t’i shpëtuar vdekjes.»​—Psalmi 68:20