Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 87

Darka e fundit e Jezuit

Darka e fundit e Jezuit

Judenjtë festonin çdo vit Pashkën më 14 nisan. Kjo bëhej që të kujtonin si i kishte çliruar Jehovai nga skllavëria në Egjipt dhe si i kishte çuar në Tokën e Premtuar. Në vitin 33 të e.s., Jezui dhe apostujt festuan Pashkën në një dhomë të sipërme në Jerusalem. Nga fundi i darkës, Jezui tha: «Njëri nga ju do të më tradhtojë.» Apostujt u tronditën dhe e pyetën: «Kush është ai?» Jezui iu përgjigj: «Është ai që do t’i jap këtë kafshatë.» Pastaj i dha copën e bukës Judë Iskariotit. Menjëherë Juda u ngrit dhe doli nga dhoma.

Pastaj Jezui bëri një lutje, e theu bukën në disa copa dhe ua kaloi apostujve që mbetën. Ai u tha: «Hajeni këtë bukë. Kjo përfaqëson trupin tim, të cilin do ta jap për ju.» Më pas u lut për verën dhe ua dha apostujve. Ai tha: «Pini këtë verë. Përfaqëson gjakun tim që do ta jap për faljen e mëkateve. Ju premtoj se do të jeni mbretër me mua në qiell. Bëjeni këtë çdo vit, për të më kujtuar.» Dishepujt e Jezuit mblidhen ende në këtë mbrëmje, çdo vit. Kjo mbledhje quhet Darka e Zotërisë.

Pas darkës, apostujt debatuan kush ishte më i rëndësishmi. Por Jezui u tha: «Ai që është më i madhi ndër ju, është ai që e sheh veten si më i vogli, si më i parëndësishmi.

Ju jeni miqtë e mi. Ju them çdo gjë që Ati dëshiron t’ju them. Së shpejti do të shkoj tek Ati im që është në qiell. Ju do të qëndroni këtu dhe njerëzit do ta dinë se jeni dishepujt e mi nga dashuria që keni për njëri-tjetrin. Duhet ta doni njëri-tjetrin ashtu siç ju kam dashur unë.»

Në fund Jezui u lut e i kërkoi Jehovait të mbronte gjithë dishepujt. I kërkoi Jehovait që t’i ndihmonte të punonin së bashku në paqe. Ai u lut që emri i Jehovait të shenjtërohej. Më pas Jezui dhe apostuj i kënduan këngë lavdie Jehovait dhe dolën përjashta. Po afrohej koha kur Jezui do të arrestohej.

«Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë mbretërinë.»​—Luka 12:32