Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 88

Arrestimi i Jezuit

Arrestimi i Jezuit

Jezui dhe apostujt po kalonin nëpër luginën e Kidronit për të shkuar në Malin e Ullinjve. Kishte kaluar mesnata dhe hëna ishte e plotë. Kur arritën në kopshtin e Getsemanisë, Jezui u tha: «Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë.» Pastaj Jezui shkoi pak më tutje dhe ra në gjunjë. Shumë i tronditur, iu lut Jehovait: «Le të bëhet vullneti yt.» Pas kësaj, Jehovai dërgoi një engjëll për ta inkurajuar Jezuin. Kur Jezui u kthye tek apostujt, tre prej tyre i gjeti në gjumë. Jezui u tha: «Zgjohuni! Nuk është koha për të fjetur. Ka ardhur ora që të më dorëzojnë në duart e armiqve.»

Pas pak mbërriti Juda që ishte në krye të një turme të armatosur me shpata e kërbaçë. Ai e dinte ku ta gjente Jezuin, sepse kishin shkuar shpesh në këtë kopsht. Juda u kishte thënë ushtarëve se do t’ua tregonte ai kush ishte Jezui. Juda shkoi drejt Jezuit e i tha: «Tungjatjeta Mësues» dhe më pas e puthi. Jezui ia ktheu: «Judë, me një puthje po më tradhton?»

Jezui bëri një hap përpara dhe pyeti turmën: «Kë po kërkoni?» Ata iu përgjigjën: «Jezuin, nazareasin.» Ai u tha: «Unë jam» e ata u sprapsën dhe ranë përtokë. Jezui i pyeti prapë: «Kë po kërkoni?» Ata iu përgjigjën përsëri: «Jezuin, nazareasin.» Jezui ua ktheu: «Ju thashë se jam unë. Lërini të ikin këta.»

Kur Pjetri kuptoi ç’po ndodhte, nxori një shpatë dhe i preu veshin Malkut, një shërbëtori të kryepriftit. Por Jezui i preku veshin dhe ia shëroi. Mandej ai i tha Pjetrit: «Lëre mënjanë shpatën. Nëse lufton me shpatë, nga shpata do të vdesësh.» Ushtarët e kapën Jezuin dhe i lidhën duart, ndërsa apostujt ia mbathën. Më pas turma e çoi Jezuin te Hanai, kreu i priftërinjve. Hanai e mori në pyetje Jezuin dhe pastaj e dërgoi në shtëpinë e kryepriftit Kajafa. Por çfarë u ndodhi apostujve?

«Në botë keni shtrëngim, por merrni zemër! Unë e munda botën.»​—Gjoni 16:33