Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 92

Jezui iu shfaq peshkatarëve

Jezui iu shfaq peshkatarëve

Pak kohë pasi Jezui iu shfaq apostujve, Pjetri doli të peshkonte në detin e Galilesë. Thomai, Jakovi, Gjoni dhe disa dishepuj të tjerë shkuan me të. Peshkuan gjithë natën, por nuk kapën asgjë.

Herët në mëngjes, panë një burrë që qëndronte në breg. Ai u thirri që andej: «A zutë gjë?» Ata ia kthyen: «Jo.» Burri u tha: «Hidheni rrjetën në të djathtë të varkës.» Kur e hodhën rrjetën, zunë aq shumë peshq, saqë nuk mund ta tërhiqnin në varkë. Në çast, Gjoni e kuptoi se burri ishte Jezui dhe tha: «Është Zotëria!» Sakaq, Pjetri u hodh në ujë dhe notoi për në breg. Dishepujt e tjerë e ndoqën me varkë.

Kur arritën në breg, panë bukë e peshq që po piqeshin në zjarr. Jezui u tha të sillnin edhe disa nga peshqit që zunë. Pastaj u tha: «Ejani të hani mëngjesin.»

Pasi hëngrën mëngjesin, Jezui e pyeti Pjetrin: «A më do mua më shumë se peshkimin? Pjetri iu përgjigj: «Po Zotëri, ti e di se unë të dua.» Jezui i tha: «Ushqeji qengjat e mi.» Jezui e pyeti përsëri: «A më do mua Pjetër?» Pjetri iu përgjigj: «Po Zotëri, ti e di që të dua.» Jezui i tha: «Kulloti delet e mia të vogla.» Jezui e pyeti prapë për herë të tretë. Pjetri u ndie shumë i trishtuar dhe i tha: «Zotëri, ti di gjithçka. Ti e di që të dua.» Jezui ia ktheu: «Ushqeji delet e mia të vogla.» Pastaj shtoi: «Vazhdo të më ndjekësh.»

«[Jezui] u tha atyre: ‘Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.’ Ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.»​—Mateu 4:19, 20