Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 96

Jezui zgjodhi Saulin

Jezui zgjodhi Saulin

Sauli ishte një qytetar romak i lindur në Tars. Ishte farise dhe ekspert i ligjit judaik, i cili i urrente të krishterët. Ai nxirrte zvarrë gra e burra të krishterë nga shtëpitë e tyre dhe i fuste në burg. Madje ndenji duarkryq teksa një turmë e zemëruar vrau me gurë dishepullin Stefan.

Por Sauli nuk ishte i kënaqur vetëm me arrestimin e të krishterëve në Jerusalem. Ai i kërkoi kryepriftit ta dërgonte në qytetin e Damaskut që të përndiqte të krishterët atje. Teksa Sauli i afrohej qytetit, papritur një dritë e fortë vetëtiu përreth tij dhe ai ra përtokë. Dëgjoi një zë t’i thoshte: «Saul, pse po më përndjek?» Sauli iu përgjigj: «Kush je ti?» Përgjigjja ishte: «Jam Jezui. Shko në Damask dhe do të marrësh vesh ç’duhet të bësh.» Sakaq Sauli u verbua dhe të tjerë e morën për dore deri në qytet.

Në Damask ishte një i krishterë besnik që quhej Anania. Jezui i tha në një vegim: «Shko në shtëpinë e Judës, në rrugën që quhet E Drejtë dhe kërko Saulin.» Anania u përgjigj: «Zotëri, unë di gjithçka për atë njeri. Ai po rras dishepujt e tu në burg.» Por Jezui i tha: «Shko tek ai. E kam zgjedhur Saulin që t’u predikojë lajmin e mirë shumë kombeve.»

Kështu Anania e takoi Saulin dhe i tha: «Saul, vëlla, Jezui më ka dërguar të të hap sytë.» Përnjëherë, Saulit i erdhi shikimi. Ai mësoi për Jezuin dhe u bë dishepull i tij. Tani që u pagëzua si i krishterë, Sauli filloi të predikonte nëpër sinagoga bashkë me të krishterët e tjerë. E imagjinon dot tronditjen e judenjve kur panë Saulin që mësonte të tjerët për Jezuin? Ata thoshin: «A s’është ky ai që përndiqte dishepujt e Jezuit?»

Për tre vjet, Sauli u predikoi banorëve të Damaskut. Judenjtë e urrenin dhe kurdisën plane ta vrisnin. Por vëllezërit dëgjuan për komplotin dhe e ndihmuan Saulin t’ia mbathte. E futën në një kosh dhe e zbritën nga një e çarë e murit të qytetit.

Kur Sauli shkoi në Jerusalem, u përpoq të bashkohej me vëllezërit atje, por ata kishin frikë nga ai. Pastaj një dishepull i dashur, që quhej Barnaba, e çoi Saulin tek apostujt dhe i bindi se Sauli kishte ndryshuar vërtet. Sauli filloi të predikonte me zell lajmin e mirë bashkë me kongregacionin e Jerusalemit. Më vonë u bë i njohur si Pavli.

«Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët. E ndër këta unë jam i pari.»​—1 Timoteut 1:15