Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 97

Korneli mori frymën e shenjtë

Korneli mori frymën e shenjtë

Në Cezare ishte një centurion ose oficer i rëndësishëm romak që quhej Kornel. Ndonëse nuk ishte jude, respektohej nga judenjtë. Ai me bujari i ndihmonte të varfrit dhe nevojtarët. Korneli besonte te Jehovai dhe i lutej vazhdimisht. Një ditë Kornelit iu shfaq një engjëll që i tha: «Perëndia i ka dëgjuar lutjet e tua. Dërgo njerëz në qytetin e Jopës, ku po rri Pjetri, dhe kërkoji që të vijë te ti.» Përnjëherë, Korneli dërgoi tre burra në Jopë, rreth 50 km në jug.

Ndërkohë, në Jopë, Pjetri pati një vegim. Ai pa kafshë të cilat judenjtë e kishin të ndaluar t’i hanin dhe dëgjoi një zë që i thoshte të hante. Pjetri nuk pranoi dhe u përgjigj: «Po unë s’kam ngrënë kurrë një kafshë të papastër në jetën time.» Atëherë zëri i tha: «Mos i quaj këto kafshë të papastra. Perëndia i ka bërë të pastra.» Gjithashtu Pjetrit iu tha: «Te dera ke tre burra. Shko me ta.» Pjetri shkoi te dera dhe i pyeti burrat pse kishin ardhur. Ata iu përgjigjën: «Na ka dërguar Korneli, një centurion romak. Duhet të vish në shtëpinë e tij, në Cezare.» Pjetri i ftoi burrat ta kalonin natën si mysafirët e tij. Ditën tjetër, shkoi me ta në Cezare së bashku me disa vëllezër nga Jopa.

Kur më në fund Korneli pa Pjetrin, u përkul në gjunjë. Por Pjetri i tha: «Ngrihu në këmbë! Edhe unë njeri si ti jam. Perëndia më tha të vija në shtëpinë tënde edhe pse judenjtë nuk hyjnë në shtëpitë e jojudenjve. Tani të lutem, më thuaj, pse më thirre?»

Korneli i tha Pjetrit: «Katër ditë më parë po i lutesha Perëndisë dhe një engjëll më tha të të thërrisja. Të lutem, na mëso fjalët e Jehovait!» Pjetri tha: «Kam mësuar se Perëndia nuk është i anshëm. Ai pranon këdo që dëshiron ta adhurojë.» Pjetri u mësoi atyre shumë gjëra për Jezuin. Pastaj fryma e shenjtë zbriti mbi Kornelin e mbi të gjithë ata që ishin me të, dhe të gjithë u pagëzuan.

«Në çdo komb njeriu që i frikësohet [Perëndisë] dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»​—Veprat 10:35