Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 98

Krishterimi u përhap në shumë kombe

Krishterimi u përhap në shumë kombe

Apostujt iu bindën urdhrit të Jezuit për ta përhapur lajmin e mirë në mbarë tokën. Në vitin 47 të e.s. vëllezërit në Antioki dërguan Pavlin dhe Barnabën në një udhëtim predikimi. Dy predikuesit e zellshëm udhëtuan në gjithë Azinë e Vogël, nëpër vende të tilla, si Derbë, Listër dhe Ikoni.

Pavli dhe Barnaba u predikonin të gjithëve, të pasurve e të varfërve, të rinjve e të moshuarve. Shumë njerëz e pranuan të vërtetën për Krishtin. Kur Pavli dhe Barnaba i predikuan Sergj Palit, prokonsullit të Qipros, një magjistar u përpoq t’i ndalonte. Pavli i tha magjistarit: «Jehovai do të të dënojë.» Menjëherë magjistari u verbua. Kur pa çfarë ndodhi, prokonsulli Sergj Pal u bë besimtar.

Pavli dhe Barnaba predikonin kudo, nga shtëpia në shtëpi, në tregje, në rrugë dhe në sinagoga. Kur shëruan një burrë të çalë në Listër, ata që e panë mrekullinë menduan se ishin perëndi dhe u përpoqën t’i adhuronin, por Pavli dhe Barnaba i ndaluan duke u thënë: «Adhuroni vetëm Perëndinë! Ne jemi thjesht njerëz.» Pastaj disa judenj erdhën dhe e kthyen turmën kundër Pavlit. Turma e qëlloi me gurë, e nxori zvarrë jashtë qytetit dhe e la aty ngaqë kujtoi se kishte vdekur, por Pavli ishte akoma gjallë. Menjëherë erdhën vëllezërit për ta ndihmuar dhe e çuan përsëri në qytet. Më vonë, Pavli u rikthye në Antioki.

Në vitin 49 të e.s., Pavli nisi një udhëtim tjetër. Pasi vizitoi edhe një herë vëllezërit në Azinë e Vogël, ai e çoi lajmin e mirë edhe më tutje, në Evropë. Ai shkoi në Filipi, Selanik, Athinë dhe në vende të tjera. Sila, Luka dhe një djalë i ri që quhej Timote e shoqëruan Pavlin në udhëtimin e tij. Ata bashkëpunuan që të formonin kongregacione dhe t’i ndihmonin të bëheshin të forta. Pavli qëndroi në Korint një vit e gjysmë që të forconte vëllezërit. Ai predikoi, mësoi të tjerët dhe u shkroi letra shumë kongregacioneve. Gjithashtu punonte si bërës tendash. Me kalimin e kohës, Pavli u kthye në Antioki duke kaluar nga Efesi.

Më vonë, në vitin 52 të e.s., Pavli nisi udhëtimin e tretë nga Azia e Vogël. Pavli kaloi disa vjet në Efes duke mësuar, shëruar dhe duke ndihmuar kongregacionet. Gjithashtu çdo ditë, bënte fjalime publike në sallën e një shkolle. Shumë njerëz ia vunë veshin dhe kthyen rrugë. Pastaj ai shkoi në veri deri në Filipi e më pas zbriti në Korint. Në fund, pasi predikoi lajmin e mirë në shumë vende, Pavli u kthye në Jerusalem.

«Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»​—Mateu 28:19