Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 103

«Ardhtë mbretëria jote»

«Ardhtë mbretëria jote»

Jehovai premtoi: «Nuk do të ketë më të qara, dhembje, sëmundje dhe vdekje. Unë do të fshij çdo lot nga sytë e tyre. Të gjitha të këqijat e së kaluarës do të harrohen.»

Jehovai e vuri Adamin dhe Evën në kopshtin e Edenit që të jetonin në paqe dhe lumturi. Ata duhej të adhuronin Atin e tyre qiellor dhe ta mbushnin tokën me fëmijë. Adami dhe Eva nuk iu bindën Jehovait, por qëllimi i tij nuk ndryshoi kurrë. Në këtë libër kemi parë se gjithçka që premton Perëndia realizohet. Mbretëria e Tij do të sjellë bekime të mrekullueshme në tokë, sipas premtimit që i bëri Abrahamit.

Së shpejti Satanai, demonët dhe gjithë njerëzit e këqij nuk do të jenë më. Çdo njeri mbi tokë do të adhurojë Jehovain. Nuk do të sëmuremi apo të vdesim. Përkundrazi do të zgjohemi çdo ditë plot me energji dhe të lumtur që jetojmë. Toka do të bëhet parajsë. Të gjithë do të kenë ushqime të shëndetshme dhe do të ndihen të sigurt në shtëpi. Njerëzit do të jenë mirëdashës, jo mizorë apo të dhunshëm. Kafshët e egra nuk do të kenë frikë nga ne, e as ne prej tyre.

Do të jetë shumë emocionuese kur Jehovai do të fillojë të ringjallë të vdekurit. Do të mirëpresim njerëz të së kaluarës, si: Abeli, Noeja, Abrahami, Sara, Moisiu, Rutha, Estera dhe Davidi. Ata do të punojnë bashkë me ne që ta bëjmë planetin Tokë parajsë. Gjithmonë do të ketë shumë punë interesante për të bërë.

Jehovai dëshiron që të jesh atje. Do ta njohësh Atë në mënyra që as të shkon mendja. Le t’i afrohemi gjithnjë e më shumë Jehovait çdo ditë, tani dhe përgjithmonë!

«Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka.»​—Zbulesa 4:11