Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

Të dashur bashkëbesimtarë:

Si adhurues të Jehovait e duam Fjalën e tij, Biblën. Jemi të bindur se ajo ka histori të saktë, udhëheqje të besueshme për jetën dhe prova që na ngrohin zemrën se Jehovai e do familjen njerëzore. (Psalmi 119:105; Luka 1:3; 1 Gjonit 4:19) Dëshirojmë me gjithë shpirt t’i ndihmojmë të tjerët të mësojnë të vërtetat e çmuara që janë në Fjalën e Perëndisë. Për të arritur këtë synim, jemi të lumtur të botojmë librin «Të mësojmë nga historitë e Biblës». Na lejoni t’ju flasim pak për të.

Ky libër kryesisht është përgatitur duke pasur në mendje fëmijët. Megjithatë, mund të përdoret edhe për të ndihmuar të rriturit që duan të mësojnë më shumë për Biblën. E përderisa Bibla është një libër për këdo, pa dyshim të gjithë do të nxjerrim dobi duke rishikuar mësimet e saj, të cilat mund të na bëjnë vërtet të lumtur.

Me anë të ngjarjeve nga Bibla, ky libër tregon historinë e familjes njerëzore që nga krijimi e tutje. Është bërë çmos që tregimet nga Bibla të prezantohen në mënyrë të qartë e të thjeshtë dhe, për sa është e mundur, sipas radhës që kanë ndodhur.

Megjithatë ky libër nuk përmban thjesht tregime biblike. Si teksti, edhe figurat janë përgatitur në një mënyrë që t’i bëjnë të gjalla tregimet biblike dhe që të transmetojnë ndjenjat e personazheve.

Ky botim na ndihmon të shohim se Bibla është një libër që flet për njerëz realë, për disa që iu bindën Jehovait dhe për disa që nuk iu bindën. Na nxit të nxjerrim mësime nga shembulli i tyre. (Romakëve 15:4; 1 Korintasve 10:6) Libri ndahet në 14 pjesë. Në fillim të çdo pjese jepet një përmbledhje e mësimeve që mund të nxjerrim.

Nëse je prind, mund të lexoni një mësim me fëmijën dhe të flitni për figurat. Pastaj mund të lexoni vargjet nga Bibla ku është bazuar mësimi. Ndihmoje fëmijën të bëjë lidhjen e asaj që lexon në Bibël me mësimin e librit. Një gjë e ngjashme mund të jetë e dobishme kur ndihmohet një i rritur që të ketë një ide të përgjithshme për mesazhin e Biblës.

Shpresojmë që ky botim të ndihmojë të gjithë ata me zemër të drejtë​—të rinj e të moshuar—​të mësojnë nga Fjala e Perëndisë dhe t’i zbatojnë mësimet e saj në jetë. Si rezultat edhe ata mund të adhurojnë Jehovain si anëtarë të familjes së tij të dashur.

Vëllezërit tuaj,

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait