Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 3

«Fillova të shihja vegime nga Perëndia»

«Fillova të shihja vegime nga Perëndia»

EZEKIELI 1:1

NË KËTË KAPITULL: Përmbledhje e vegimit për karrocën qiellore

1-3. (a) Përshkruaj çfarë sheh dhe dëgjon Ezekieli. (Shih figurën hapëse.) (b) Falë cilës forcë e sheh vegimin Ezekieli dhe si ndikon vegimi tek ai?

EZEKIELI e ka fiksuar shikimin larg, përtej rrafshinës së gjerë me rërë, dhe befas shqyen sytë nga habia. Thua të jetë e vërtetë ajo që sheh? Tej, në horizont po fillon një stuhi, dhe jo stuhi dosido. Ndërsa një erë e furishme nga veriu ia çon sa andej-këndej flokët dhe rrobat, i zënë sytë një re që sa vjen e bëhet më gjigante. Reja ndriçon nga zjarri flakërues që ndodhet brenda saj, dhe, shkëlqimi që ka, i kujton Ezekielit një metal të çmuar të shkrirë. * Teksa reja i afrohet me shpejtësi, ai dëgjon një zhurmë gjithnjë e më të fortë, si gjëmimi i një ushtrie të madhe në marshim.—Ezek. 1:4, 24.

2 Ezekieli është rreth 30 vjeç kur merr këtë vegim, që s’është veçse fillimi i një sërë përjetimesh të paharrueshme. Ai ndien se mbi të po vepron «fuqia e Jehovait», pra forca e parezistueshme e frymës së shenjtë. Falë kësaj fryme, Ezekieli do të shohë e do të dëgjojë gjëra të mrekullueshme, ku e ku më spektakolare se filmat e sotëm me efekte speciale. Pasi sheh vegimin, ai përkulet me fytyrë përtokë, krejtësisht pa fjalë.—Ezek. 1:3, 28.

3 Ama, qëllimi i Jehovait nuk është thjesht të mahnitë këtë burrë. Vegimi i parë—sikurse edhe vegimet e tjera të librit profetik emocionues të Ezekielit—është shumë domethënës, si për Ezekielin, edhe për çdo shërbëtor besnik të Jehovait sot. Prandaj, le të shqyrtojmë më nga afër çfarë sheh dhe dëgjon ai.

Sfondi historik

4, 5. Cili është sfondi historik kur Ezekieli sheh vegimin?

4 Lexo Ezekielin 1:1-3. Fillimisht, le të sjellim ndër mend sfondin historik. Është viti 613 p.e.s. Siç mësuam në kapitullin e mëparshëm, Ezekieli ndodhet në qytetin e Babilonisë dhe jeton mes të mërguarve të tjerë pranë lumit Kebar. Me sa duket, Kebari ishte një kanal artificial i lundrueshëm që buronte nga lumi Eufrat dhe derdhej po te ky lumë.

Ezekieli jetonte mes të mërguarve të tjerë pranë lumit Kebar (Shih paragrafin 4)

5 Jerusalemi, vendlindja e të mërguarve, gjendet rreth 800 km larg. * Tempulli ku babai i Ezekielit shërbeu si prift, është ndotur dhe është mbushur me idhujtari. Ndërsa froni ku Davidi dhe Solomoni një herë e një kohë mbretëruan plot lavdi, është mbuluar me turp. Mbreti i pabesë, Jehojakini, ndodhet mes të mërguarve në Babiloni. Dhe, në vend të tij, po mbretëron Zedekia i lig, që s’është veçse një kukull në duart e Babilonisë.—2 Mbret. 24:8-12, 17, 19.

6, 7. Pse Ezekieli mund të jetë ndier sikur jetonte në një periudhë të errët?

6 Për Ezekielin besnik, kjo duhet të jetë periudha më e errët e jetës. Disa nga të mërguarit, mbase pyesin veten: «Mos vallë na ka braktisur Jehovai një herë e përgjithmonë? A do të arrijë Babilonia, kjo fuqi e ligë që adhuron një mori perëndish të rreme, të shfarosë adhurimin e pastër të Jehovait dhe të zhdukë qeverisjen e tij nga toka?»

7 Me këtë informacion në mendje, pse të mos e fillosh studimin e këtij kapitulli duke lexuar përshkrimin e gjallë të vegimit të parë të Ezekielit? (Ezek. 1:4-28) Ndërsa lexon, përpiqu ta vësh veten në vendin e tij, të shohësh e të dëgjosh gjërat që pa dhe dëgjoi ai.

Lumi Eufrat në afërsi të Karkemishit (Shih paragrafët 5-7)

Një karrocë e pashoqe

8. Çfarë sheh në vegim Ezekieli dhe çfarë përfaqëson ajo që sheh?

8 Çfarë sheh në vegim Ezekieli? Diçka që ngjan si një karrocë mbresëlënëse me përmasa gjigante. Ajo ka katër rrota të stërmëdha, përkrah të cilave qëndrojnë katër krijesa qiellore të pazakonta, që më vonë identifikohen si kerubinë. (Ezek. 10:1) Sipër kerubinëve shtrihet një platformë, ose një sipërfaqe, tejet e madhe që ngjan si akull. Mbi të qëndron froni i lavdishëm i Perëndisë, ku është ulur vetë Jehovai. Çfarë përfaqëson karroca? Me të drejtë mund të përfaqësojë vetëm një gjë: pjesën qiellore të organizatës universale e të lavdishme të Jehovait. Pse arrijmë në këtë përfundim? Le të shqyrtojmë tri arsye.

9. Në ç’kuptim marrëdhënia mes Jehovait dhe krijesave qiellore përkon me përshkrimin e karrocës?

9 Marrëdhënia mes Jehovait dhe krijesave qiellore. Vër re se në këtë vegim froni i Jehovait qëndron sipër kerubinëve. Edhe vargje të tjera të Biblës bëjnë një përshkrim të ngjashëm, sikur Jehovai rri ulur në fron mbi kerubinët ose mes tyre. (Lexo 2 Mbretërve 19:15; Eks. 25:22; Psal. 80:1) Patjetër që ai nuk qëndron vërtet mbi kerubinët, sepse s’ka nevojë të transportohet nga këto krijesa qiellore të fuqishme, dhe as i nevojitet një karrocë e mirëfilltë. Ama, kerubinët mbështetin sovranitetin e tij, dhe Jehovai mund t’i dërgojë anekënd universit që të kryejnë vullnetin e tij. Kerubinët, sikurse të gjithë engjëjt e shenjtë të Perëndisë, zbatojnë vendimet e Jehovait si shërbëtorë ose përfaqësues të tij. (Psal. 104:4) Pra, Jehovai, duke qenë Sovrani i të gjitha krijesave qiellore, i drejton si të ishin një karrocë e vetme gjigante.

10. Pse arrijmë në përfundimin se karroca qiellore nuk përfaqëson vetëm katër kerubinët?

10 Karroca nuk përfaqëson vetëm kerubinët. Ezekieli pa katër kerubinë. Bibla e përdor shpesh numrin katër si simbol të simetrisë a të plotësisë, pra të gjithëpërfshirjes. Prandaj, prania e katër kerubinëve tregon se karroca përfaqëson të gjithë engjëjt besnikë të Perëndisë. Veç kësaj, rrotat dhe kerubinët janë plot e përplot me sy, gjë që nënkupton një shkallë shumë të lartë vigjilence që s’mund të shfaqet vetëm nga katër krijesa. Nga përshkrimi i Ezekielit, kuptojmë se karroca është kaq e madhe sa edhe kerubinët mbresëlënës duken të vegjël para saj. (Ezek. 1:18, 22; 10:12) Po njësoj, edhe pjesa qiellore e organizatës së Jehovait është marramendëse dhe përfshin shumë më tepër se katër kerubinë.

Ezekieli mbetet gojëhapur nga vegimi për karrocën qiellore të Jehovait (Shih paragrafët 8-10)

11. Cilin vegim të ngjashëm pa Danieli dhe në ç’përfundim na çon kjo?

11 Danieli pa një vegim të ngjashëm. Edhe profeti Daniel, që jetoi për shumë vite si i mërguar në Babiloni, pa një vegim për qiejt. Vlen të përmendet se edhe në vegimin e tij froni i Jehovait kishte rrota. Vegimi përqendrohej te moria e bijve engjëllorë të Jehovait. Në fakt, Danieli pa «një mijë mijëra . . . dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë» engjëj që rrinin para Jehovait. Ata formonin një Trup Gjykues qiellor dhe, me sa duket, secili kishte vendin e vet. (Dan. 7:9, 10, 13-18) A nuk është e logjikshme të nxjerrim përfundimin se edhe vegimi i Ezekielit përfaqëson të njëjtin grup krijesash të lavdishme qiellore?

12. Si na mbron studimi i fragmenteve të tilla si vegimi për karrocën qiellore?

12 Jehovai e di mirë se po t’i mbajmë sytë te realitetet qiellore, të cilat Pavli i quajti ‘gjërat që nuk shihen’, do të jemi të mbrojtur. Pse? Sepse jemi krijesa prej mishi e gjaku dhe kemi prirjen të përqendrohemi së tepërmi te «gjërat që shihen», pra te problemet e jetës së përditshme që janë thjesht të përkohshme. (Lexo 2 Korintasve 4:18.) Shpesh Satanai e shfrytëzon këtë prirje dhe na nxit që të drejtohemi nga dëshirat tona. Ndaj, që t’i rezistojmë këtij presioni, Jehovai ka siguruar me dashuri fragmente si ky vegim, që shërbejnë si përkujtues drithërues të madhështisë së jashtëzakonshme të familjes së tij qiellore.

«Nisuni, o rrota!»

13, 14. (a) Si i përshkroi Ezekieli rrotat? (b) Pse është me vend që froni i Jehovait të ketë rrota?

13 Në fillim, Ezekieli e përqendron vëmendjen te katër kerubinët, dhe në kapitullin 4 të këtij botimi do të shqyrtojmë se ç’na mësojnë për Jehovain këto krijesa dhe pamja e tyre mbresëlënëse. Megjithatë, përkrah kerubinëve, Ezekieli sheh edhe katër rrota, që me sa duket ishin vendosur në katër pika dhe formonin një katror gjigant. (Lexo Ezekielin 1:16-18.) Ato duken si prej krizoliti, një gur i çmuar që mund të jetë transparent ose i tejdukshëm, me ngjyrë të verdhë a të verdhë në jeshile. Ky material i bukur rrëzëllen.

14 Në vegimin e Ezekielit vihet shumë theksi te rrotat e karrocës. Tekefundit një fron me rrota është një kombinim i pazakontë, apo jo? Zakonisht një fron e përfytyrojmë të fiksuar në një vend dhe me të drejtë, meqë monarkët njerëzorë mund ta ushtrojnë ndikimin e tyre vetëm brenda kufijve të caktuar. Por, sovraniteti i Jehovait është krejt ndryshe nga çdo qeverisje njerëzore. Siç do të mësojë shpejt Ezekieli, autoriteti i Jehovait si Sovran nuk njeh kufij. (Neh. 9:6) Në kuptimin e plotë të fjalës, ky Sovran mund ta ushtrojë autoritetin e tij kudo!

15. Çfarë vuri re Ezekieli për sa i përket strukturës dhe përmasave të rrotave?

15 Ezekieli mahnitet nga përmasat e rrotave. Ai shkruan: «Lartësia e rrotave të linte gojëhapur.» Mbase e imagjinojmë Ezekielin teksa ngre kokën lart për të parë rrotat kolosale që shkëlqejnë dhe duket sikur prekin qiellin. Pastaj shton një detaj që të grish kureshtjen: «Pjesa e jashtme e të katër rrotave ishte plot sy rreth e qark.» Megjithatë, ndoshta aspekti më i mahnitshëm i rrotave është struktura unike. Ezekieli shpjegon: «Për nga struktura, dukeshin si një rrotë e futur në mes të një rrote tjetër.» Çfarë kuptimi kanë këto fjalë?

16, 17. (a) Në ç’kuptim karroca kishte rrota brenda rrotave? (b) Çfarë tregojnë rrotat për aftësinë manovruese të karrocës së Jehovait?

16 Me sa duket, secila nga rrotat në të vërtetë përbëhet nga dy rrota të vendosura kryq në të njëjtin bosht, duke formuar kënde të drejta. Kjo shpjegon pse rrotat lëvizin siç i përshkruan Ezekieli: «Tek lëviznin, mund të shkonin në cilindo nga të katër drejtimet pa pasur nevojë të ktheheshin.» Çfarë kuptojmë për karrocën qiellore nga rrotat që pa Ezekieli?

17 Rrota me lartësi kaq të jashtëzakonshme mund të përshkojnë distanca të mëdha me një rrotullim të vetëm. Në fakt, vegimi lë të kuptohet se karroca lëviz me shpejtësinë e dritës. (Ezek. 1:14) Veç kësaj, meqë këto rrota të pazakonta lëvizin në të katër drejtimet, kjo tregon një aftësi të jashtëzakonshme manovruese që do ta kishte zili çdo inxhinier. Karroca mund të ndryshojë drejtim pa pasur nevojë të ngadalësojë a madje të kthehet. Megjithatë, ajo nuk lëviz kuturu. Sytë që mbulojnë pjesën e jashtme të rrotave përcjellin në mënyrë të gjallë idenë se karroca është në dijeni të gjithçkaje që ndodh përreth, në çdo drejtim.

Rrotat kishin përmasa mbresëlënëse dhe lëviznin me shpejtësi të jashtëzakonshme (Shih paragrafin 17)

18. Çfarë mësojmë nga përmasat e jashtëzakonshme të rrotave dhe nga sytë e panumërt?

18 Atëherë, çfarë donte t’i mësonte Jehovai Ezekielit dhe të gjithë besnikëve për pjesën qiellore të organizatës së Tij? Mendo pak për gjërat që kemi shqyrtuar deri tani. Pjesa qiellore e organizatës është madhështore dhe mbresëlënëse, siç kuptohet nga materiali rrëzëllues i rrotave dhe nga përmasat e tyre. Ajo është në dijeni të gjithçkaje, siç e tregojnë sytë e panumërt të rrotave. Në të vërtetë, syve të Jehovait nuk u shpëton asgjë. (Prov. 15:3; Jer. 23:24) Për më tepër, Ai ka miliona e miliona shërbëtorë engjëllorë që mund t’i dërgojë në çdo cep të universit. Ata mund të vëzhgojnë me vëmendje gjithçka dhe t’i raportojnë Sovranit të tyre.—Lexo Hebrenjve 1:13, 14.

Mënyra si ishin projektuar rrotat tregonte aftësi të përsosur manovruese (Shih paragrafët 17, 19)

19. Çfarë na mësojnë për Jehovain dhe për pjesën qiellore të organizatës së tij, shpejtësia dhe aftësia manovruese e karrocës qiellore?

19 Gjithashtu, vëmë re se karroca është tejet e shpejtë dhe e manovrueshme. Çfarë kontrasti i thellë ekziston mes pjesës qiellore të organizatës së Jehovait dhe qeverive, institucioneve e organizatave njerëzore! Ato veprojnë në tym dhe janë të paafta për t’u përshtatur me ndryshimet, derisa shkojnë drejt dështimit dhe rrënimit. Ndërsa karroca e Jehovait pasqyron në mënyrë të përsosur Perëndinë e arsyeshëm dhe elastik që e drejton. Vetë emri Jehova tregon se ai mund të bëhet gjithçka që është e nevojshme për të përmbushur qëllimin e tij. (Eks. 3:13, 14) Për shembull, Jehovai mund të bëhet në çast një Luftëtar i fuqishëm që lufton për popullin e vet, ama mund të kthehet sa hap e mbyll sytë në një Falës të mëshirshëm që përkujdeset për mëkatarët e penduar dhe i ndihmon të rimëkëmben.—Psal. 30:5; Isa. 66:13.

20. Pse duhet të na ngjallë nderim të thellë karroca e Jehovait?

20 Ky vegim i Ezekielit mund të na nxitë të pyesim veten: «A më ngjall vërtet nderim të thellë karroca e Jehovait?» S’duhet të harrojmë se karroca është reale dhe po lëviz. Kurrë të mos mendojmë se Jehovai, Biri i tij dhe engjëjt nuk i shohin problemet që na shkurajojnë. As nuk duhet të merakosemi se mos Perëndia ynë nuk do t’i plotësojë në kohë nevojat tona a se mos organizata e Tij nuk do t’i përballojë sfidat që lindin në këtë botë të paqëndrueshme. Bëjmë mirë të mbajmë ndër mend që organizata e Jehovait është aktive dhe gjithmonë në lëvizje. Në fakt, Ezekieli dëgjoi një zë nga qielli, që tha: «Nisuni, o rrota!» Me sa duket, ky ishte një urdhër që rrotat të lëviznin. (Ezek. 10:13) A nuk na mahnit mënyra si e drejton Jehovai organizatën? Gjithsesi, nderimi më i thellë i takon vetë Jehovait.

Ai që e drejton karrocën

21, 22. Shpjego çfarë e mban të bashkuar karrocën.

21 Më pas, Ezekieli e përqendron vëmendjen sipër rrotave, ku sheh «diçka që ngjante me një platformë të kristaltë që rrëzëllente si akull». (Ezek. 1:22) Shumë lart kokave të kerubinëve, shtrihet kjo platformë e tejdukshme me shkëlqim të jashtëzakonshëm. Ndoshta në këtë moment, një lexuesi të apasionuar pas mekanikës i lindin shumë pyetje për karrocën. Për shembull, mbase mendon: «Si qëndron platforma pa u mbështetur te rrotat? Si funksionojnë rrotat kur nuk kanë boshte që i lidhin?» Mos harro se karroca është simbolike dhe përfaqëson realitete qiellore, prandaj nuk varet nga ligjet e fizikës. Gjithashtu, vër re këto fjalë kryesore: «Po ajo frymë që vepronte te krijesat e gjalla, ishte edhe te rrotat.» (Ezek. 1:20, 21) Cila frymë vepronte te kerubinët dhe te rrotat?

22 Pa dyshim ishte fryma e shenjtë e Jehovait, forca më e fuqishme në univers. Kjo forcë aktive e mban të bashkuar karrocën, e fuqizon dhe drejton lëvizjet e saj të sinkronizuara në mënyrë të përsosur. Tani, le të ndjekim Ezekielin ndërsa e përqendron vëmendjen tek Ai që e drejton karrocën.

Ezekieli duhej të gjente fjalët për të përcjellë pamje gati të papërshkrueshme

23. Cilat shprehje përdor Ezekieli ndërsa përpiqet të përshkruajë Jehovain dhe pse?

23 Lexo Ezekielin 1:26-28. Gjatë gjithë vegimit, Ezekieli përdor shpesh shprehje të tilla, si: «ngjante si», «dukej si» dhe «diçka si». Por, në këto vargje i përdor edhe më tepër. Me sa duket po përpiqet të gjejë fjalët për të përcjellë pamje gati të papërshkrueshme. Ai pa «diçka që ngjante si fron e që dukej si gur safiri». E imagjinon dot një fron të gdhendur në një gur gjigant safiri me ngjyrë blu të thellë? Dhe në të rrinte ulur Dikush «që kishte pamje njeriu».

24, 25. (a) Çfarë na kujton ylberi që rrethonte fronin e Jehovait? (b) Si kanë reaguar disa burra me besim pasi kanë parë vegime të tilla?

24 Ishte e vështirë të dalloje qartë pamjen madhështore të Jehovait, pasi Ai rrezatonte flakë të lavdishme nga mesi e poshtë dhe nga mesi e lart. Mund ta përfytyrojmë fare mirë profetin tek përpiqet të mbrojë sytë ndërkohë që sheh këtë imazh të lavdishëm. Në fund, Ezekieli shton një detaj mbresëlënës: «Atë e rrethonte një shkëlqim si ai i ylberit kur del në re në një ditë shiu.» A je mrekulluar ndonjëherë kur ke parë një ylber? Ç’përkujtues i gjallë i lavdisë së Krijuesit tonë! Ky hark shumëngjyrësh dhe i paqtë mund të na sjellë ndër mend edhe besëlidhjen e paqes që bëri Jehovai pas Përmbytjes. (Zan. 9:11-16) Ndonëse i Plotfuqishëm, Jehovai është Perëndi i paqes. (Hebr. 13:20) Në zemrën e tij mbretëron paqja, dhe Ai ia dhuron cilitdo që i shërben me besnikëri.

Ylberi i lavdishëm që rrethon fronin e Jehovait na kujton se i shërbejmë Perëndisë së paqes (Shih paragrafin 24)

25 Si reagon Ezekieli kur sheh atë që ngjan si lavdia e Perëndisë Jehova? Ai shkruan: «Kur e pashë këtë, u përkula me fytyrë përtokë.» Po, Ezekieli bie përtokë plot me nderim të thellë dhe me frikë perëndie. Edhe profetë të tjerë reaguan në mënyrë të ngjashme kur morën vegime nga Jehovai. Kur përjeton diçka të tillë, me siguri provon ndjenja të thella përulësie dhe madje mezi e mbledh veten. (Isa. 6:1-5; Dan. 10:8, 9; Zbul. 1:12-17) Gjithsesi, me kohë, këta burra morën zemër nga çfarë u zbuloi Jehovai. Kështu ndodhi edhe me Ezekielin. Po te ne, si duhet të ndikojnë fragmente të tilla nga Shkrimet?

26. Si mori zemër Ezekieli nga vegimi që pa?

26 Nëse Ezekielin e brente ndonjë merak a pasiguri për situatën e popullit të Perëndisë në Babiloni, ky vegim duhet ta ketë forcuar goxha. Ishte e qartë se nuk kishte pikë rëndësie nëse populli besnik i Perëndisë ndodhej në Jerusalem, në Babiloni apo diku tjetër. Kurrë nuk do të ishin aq larg sa Jehovai dhe organizata e tij qiellore të mos i ndihmonin dot! Cila fuqi satanike mund t’i bënte ballë Perëndisë që drejton një karrocë qiellore kaq të lavdishme?! (Lexo Psalmin 118:6.) Veç kësaj, Ezekieli pa që karroca qiellore nuk ishte larg njerëzve, sepse rrotat preknin tokën. (Ezek. 1:19) Pra, Jehovai i kishte sytë te populli i tij besnik që ishte në mërgim. Atyre nuk do t’u mungonte kurrë kujdesi i dashur i Atit!

Karroca dhe ti

27. Ç’domethënie ka për ne vegimi i Ezekielit?

27 A ka ndonjë domethënie për ne vegimi i Ezekielit? Pa diskutim! Të mos harrojmë se Satanai po organizon sulme gjithnjë e më të ashpra kundër adhurimit të pastër të Jehovait. Sa do t’i bëhej qejfi po të na mbushte mendjen se jemi vetëm, të izoluar dhe se është e pamundur që Ati ynë qiellor dhe organizata e tij të na ndihmojnë! Kurrë mos i lejo gënjeshtra të tilla të zënë rrënjë në mendje dhe në zemër! (Psal. 139:7-12) Ashtu si Ezekieli, edhe ne kemi çdo arsye të provojmë nderim të thellë. Mbase nuk biem me fytyrë përtokë si ai. Por, a nuk mrekullohemi nga fuqia, shpejtësia, aftësia për të manovruar e për t’u përshtatur dhe nga lavdia e pakufishme e pjesës qiellore të organizatës universale të Jehovait?

28, 29. Nga duket se karroca e Jehovait ka qenë në lëvizje gjatë shekullit të kaluar?

28 Mos harro se organizata e Jehovait ka edhe një pjesë tokësore. Është e vërtetë se kjo përbëhet nga njerëz të papërsosur, megjithatë mendo pak çfarë ka arritur të bëjë Jehovai në tokë. Në mbarë botën, Jehovai ka nxitur njerëz të thjeshtë të bëjnë gjëra që s’do t’i arrinin kurrë me forcat e veta. (Gjoni 14:12) Mjafton një shfletim i shpejtë i librit Mbretëria e Perëndisë qeveris! për të kujtuar shtrirjen e jashtëzakonshme të veprës së predikimit përgjatë shekullit të kaluar. Ky libër na sjell ndër mend edhe arritje të tjera të organizatës së Jehovait, si: arsimimi i të krishterëve të vërtetë, fitoret ligjore e madje përdorimi i teknologjisë më të fundit për të kryer vullnetin e Perëndisë.

29 Kur shqyrtojmë gjithë sa është bërë për rivendosjen e adhurimit të pastër gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi të korruptuar, bëhet e qartë si kristal se karroca e Jehovait ka qenë gjithmonë në lëvizje. Çfarë privilegji i pashoq të jemi pjesë e kësaj organizate dhe t’i shërbejmë një Sovrani si Jehovai!—Psal. 84:10.

Pjesa tokësore e organizatës së Jehovait është gjithnjë në lëvizje (Shih paragrafët 28, 29)

30. Çfarë do të shohim në kapitullin tjetër?

30 Megjithatë, kemi ende për të mësuar nga vegimi i Ezekielit. Në kapitullin tjetër do të shohim më nga afër katër «krijesat e gjalla» mbresëlënëse, pra kerubinët. Ç’mund të na mësojnë për Sovranin tonë të lavdishëm, Perëndinë Jehova?

^ par. 1 Ezekieli specifikoi se ishte elektrum, një përzierje e argjendit me arin.

^ par. 5 Kjo ishte distanca në vijë ajrore, por ka mundësi që të mërguarit të kenë përshkuar gati dyfishin e kësaj distance.