Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 8

«Do të caktoj një bari të vetëm»

«Do të caktoj një bari të vetëm»

EZEKIELI 34:23

NË KËTË KAPITULL: Katër profeci mesianike dhe përmbushja e tyre te Krishti

1-3. Për çfarë i dhemb zemra Ezekielit dhe për çfarë e frymëzon Perëndia?

EZEKIELI ka gjashtë vjet në mërgim. * Profetit i dhemb zemra kur mendon si është katandisur qeverisja e Judës, vendlindjes së dashur që ndodhet qindra kilometra larg. Deri tani, atje janë ndërruar disa mbretër.

2 Ezekieli lindi gjatë mbretërimit të Josisë besnik. Kushedi sa duhet të jetë kënaqur kur mori vesh që Josia kishte drejtuar një fushatë për të shembur shëmbëlltyrat e skalitura dhe për të rivendosur adhurimin e pastër në Judë. (2 Kron. 34:1-8) Mjerisht, reforma e Josisë nuk kishte pasur efekt afatgjatë, sepse shumica e mbretërve që e pasuan, praktikuan idhujtarinë. S’është çudi që nën mbretërimin e tyre, kombi u largua shumë nga Jehovai dhe u zhyt thellë e më thellë në llumin e degjenerimit moral. Mos vallë s’ka më shpresë? Përkundrazi!

3 Jehovai frymëzon profetin e tij besnik të dokumentojë një profeci për Mesinë, Mbretin dhe Bariun e ardhshëm, i cili do të rivendosë një herë e mirë adhurimin e pastër dhe do të kujdeset me butësi për delet e Jehovait. Në fakt, kjo është e para nga profecitë mesianike që hodhi me shkrim Ezekieli. Bëjmë mirë t’i shqyrtojmë me vëmendje, pasi përmbushja e tyre ndikon tek e ardhmja jonë e përhershme. Tani do të shqyrtojmë katër profeci mesianike që gjenden në librin e Ezekielit.

‘Një bisk i njomë’ bëhet «një cedër madhështor»

4. Çfarë profecie shpalli Ezekieli dhe si duhej ta niste profecinë?

4 Rreth vitit 612 p.e.s., «fjala e Jehovait» iu drejtua Ezekielit, i cili shpalli një profeci që përshkruan mbretërimin e Mesisë dhe tregon sa jetike është të besojmë te Mbretëria e tij. Jehovai i kërkoi Ezekielit ta niste profecinë duke u treguar bashkëkombësve të mërguar një gjëegjëzë profetike. Gjëegjëza ilustronte jobesnikërinë e mbretërve të Judës dhe theksonte sa i nevojshëm ishte Mbreti i drejtë mesianik.—Ezek. 17:1, 2.

5. Për çfarë flet gjëegjëza?

5 Lexo Ezekielin 17:3-10. Gjëegjëza flet për ‘një shqiponjë të madhe’ që këput biskun në majën e një cedri dhe e çon «në një nga qytetet e [tregtarëve]». Pastaj shqiponja merr «pak nga fara e vendit» dhe e mbjell në tokë pjellore, «pranë ujërave të bollshme». Fara rritet dhe bëhet «hardhi . . . e harlisur». Më pas, shfaqet «një shqiponjë tjetër e madhe». Hardhia shtrin «gjithë etje» rrënjët drejt kësaj shqiponje, që ta mbjellë në një vend tjetër të ujitur mirë. Por Jehovai i dënon veprimet e hardhisë, duke thënë se do t’ia shkulin rrënjët dhe se «do të thahet».

Shqiponja e parë e madhe përfaqësonte Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë (Shih paragrafin 6)

6. Shpjego domethënien e gjëegjëzës.

6 Ç’domethënie kishte gjëegjëza? (Lexo Ezekielin 17:11-15.) Në vitin 617 p.e.s., mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori (‘shqiponja e parë e madhe’), rrethoi Jerusalemin. Ai hoqi nga froni mbretin e Judës, Jehojakinin («biskun në majë»), dhe e çoi në Babiloni (‘një nga qytetet e tregtarëve’). Pas kësaj, Nabukodonosori vendosi në fron Zedekinë (një pasardhës mbretëror nga «fara e vendit») dhe e detyroi të betohej në emër të Jehovait se do t’i nënshtrohej. (2 Kron. 36:13) Megjithatë, Zedekia e përbuzi betimin, u rebelua kundër Babilonisë dhe i kërkoi ndihmë ushtarake faraonit të Egjiptit (‘shqiponja e dytë e madhe’), por pa sukses. Jehovai e dënoi sjelljen jobesnike të Zedekisë, i cili e shkeli betimin. (Ezek. 17:16-21) Në fund, ky mbret u hoq nga froni dhe vdiq në burg në Babiloni.—Jer. 52:6-11.

7. Ç’mësojmë nga kjo gjëegjëzë profetike?

7 Ç’mësojmë nga kjo gjëegjëzë profetike? Së pari, mësojmë se si adhurues të vërtetë duhet të mbajmë fjalën. Jezui tha: ‘Kur thua «po», të jetë «po», dhe «jo», të jetë «jo».’ (Mat. 5:37) Nëse na duhet të betohemi se do të themi të vërtetën—për shembull, kur dëshmojmë në gjyq—e konsiderojmë këtë betim çështje shumë serioze. Së dyti, duhet të bëjmë kujdes të mos u besojmë njerëzve të gabuar. Bibla na paralajmëron: «Mos kini besim te princat, as te ndonjë bir njeriu që nuk sjell dot shpëtim.»—Psal. 146:3.

8-10. Si e përshkroi Jehovai Mbretin e ardhshëm Mesianik dhe si u përmbush profecia? (Shih edhe kutinë «Një profeci mesianike—Cedri madhështor.»)

8 Megjithatë ekziston dikush që e meriton plotësisht besimin tonë. Pasi dha gjëegjëzën profetike për biskun që u mboll në një vend tjetër, Jehovai përdori të njëjtën gjuhë të figurshme për të përshkruar Mbretin e ardhshëm mesianik.

9 Profecia. (Lexo Ezekielin 17:22-24.) Kësaj here nuk do të veprojnë shqiponjat e mëdha, por vetë Jehovai. Ai do të këpusë një bisk të njomë ‘nga maja e cedrit të lartë dhe do ta mbjellë në një mal të lartë e madhështor’. Bisku do të lulëzojë, do të bëhet «një cedër madhështor» dhe do të sigurojë strehë për «lloj-lloj zogjsh». Pas kësaj, «të gjitha pemët e fushës» kanë për të marrë vesh se cedri madhështor ka lulëzuar falë Jehovait.

10 Përmbushja. Jehovai ‘e këputi’ ose e hoqi Birin e tij, Jezu Krishtin, nga linja mbretërore e Davidit (‘cedri i lartë’) dhe e mbolli në Sionin qiellor (‘një mal i lartë e madhështor’). (Psal. 2:6; Jer. 23:5; Zbul. 14:1) Kështu, edhe pse armiqtë e konsideronin Jezuin si «më të përvuajturin [ose më të parëndësishmin] e njerëzve», Jehovai e lartësoi duke i dhënë «fronin e Davidit, të atit». (Dan. 4:17; Luka 1:32, 33) Si një cedër madhështor, Mbreti mesianik, Jezu Krishti, do të qeverisë nga qielli mbi mbarë tokën dhe do t’u sjellë bekime të gjithë nënshtetasve. Nën mbretërimin e tij, njerëzit e bindur ‘do të jetojnë të sigurt, pa frikë në zemër se mos u ndodh ndonjë e keqe’. (Prov. 1:33) As që diskutohet se Jezui është Mbreti që meriton besimin tonë!

11. Çfarë mësojmë nga profecia për ‘biskun e njomë’ që bëhet «një cedër madhështor»?

11 Mësime për ne. Profecia emocionuese për biskun e njomë që bëhet një cedër madhështor, na ndihmon t’i përgjigjemi pyetjes tejet të rëndësishme se kujt duhet t’i besojmë. Ç’marrëzi do të ishte t’u besonim qeverive njerëzore dhe fuqive të tyre ushtarake! Është e mençur t’i besojmë pa rezerva Mbretit mesianik, Jezu Krishtit, që të gëzojmë siguri të vërtetë. Qeveria qiellore nën drejtimin e tij të aftë është shpresa e vetme për njerëzimin.—Zbul. 11:15.

«Ai që ka të drejtën ligjore»

12. Si e tregoi qartë Jehovai se nuk e kishte harruar besëlidhjen me Davidin?

12 Nga shpjegimi i Jehovait për gjëegjëzën profetike të dy shqiponjave, Ezekieli kuptoi se Zedekia, mbret jobesnik i linjës së Davidit, do të hiqej nga froni dhe do të dërgohej rob në Babiloni. Atëherë, ç’do të ndodhte me besëlidhjen që kishte bërë Perëndia me Davidin? Ndoshta profeti vriste mendjen nëse do të përmbushej premtimi që një mbret nga linja e Davidit do të qeveriste përjetë. (2 Sam. 7:12, 16) Nëse ishte kështu, Ezekielit nuk iu desh të priste gjatë për përgjigjen. ‘Fjala e Jehovait iu drejtua’ Ezekielit rreth vitit 611 p.e.s., në vitin e shtatë të mërgimit, ndërkohë që Zedekia mbretëronte ende në Judë. (Ezek. 20:2) Jehovai e frymëzoi të shpallte një profeci tjetër mesianike, e cila tregonte qartë se nuk e kishte harruar besëlidhjen me Davidin. Madje, profecia thoshte se Mbreti i ardhshëm mesianik do të kishte të drejtën ligjore për të qeverisur si trashëgimtar i Davidit.

13, 14. Për çfarë flet profecia e dokumentuar tek Ezekieli 21:25-27 dhe si u përmbush ajo?

13 Profecia. (Lexo Ezekielin 21:25-27.) Nëpërmjet Ezekielit, Jehovai i foli shumë hapur ‘prijësit të lig të Izraelit’, të cilit i kishte ardhur dita e ndëshkimit. Jehovai i tha atij sundimtari të lig se do t’ia merrnin «çallmën» dhe «kurorën» (simbole të pushtetit mbretëror). Pas kësaj, fuqitë sunduese që ishin «poshtë» do të lartësoheshin, dhe ato që ishin «lart» do të uleshin poshtë. Fuqitë e lartësuara do të qeverisnin derisa ‘të vinte ai që kishte të drejtën ligjore’, të cilit Jehovai do t’i jepte Mbretërinë.

14 Përmbushja. Në vitin 607 p.e.s., mbretëria ‘e lartë’ e Judës, me qendër në Jerusalem, u ul poshtë, kur babilonasit shkatërruan qytetin e Jerusalemit, rrëzuan nga froni mbretin Zedekia dhe e zunë rob. Pas kësaj, meqë në Jerusalem nuk qeveriste më një mbret nga linja e Davidit, kombet që ishin ‘poshtë’ u lartësuan. Ato u lejuan të qeverisin tokën, por vetëm për një periudhë të kufizuar. «Kohët e caktuara të kombeve», pra kohët e jojudenjve, përfunduan në vitin 1914, kur Jehovai i dha mbretërinë Jezu Krishtit. (Luka 21:24) Si pasardhës i mbretit David, Jezui kishte «të drejtën ligjore» për të marrë Mbretërinë mesianike. * (Zan. 49:10) Pra, te Jezui, Jehovai përmbushi premtimin solemn se do t’i jepte Davidit një trashëgimtar që do të mbretëronte përgjithmonë.—Luka 1:32, 33.

Jezui ka të drejtën ligjore të jetë Mbret i Mbretërisë së Perëndisë (Shih paragrafin 15)

15. Pse mund të kemi besim absolut te Mbreti Jezu Krisht?

15 Mësime për ne. Mund të kemi besim absolut te Mbreti Jezu Krisht. Pse? Sepse ndryshe nga sundimtarët botërorë që zgjidhen nga njerëzit ose që e marrin me forcë pushtetin, Jezui u zgjodh nga Jehovai dhe «iu dha . . . një mbretëri», për të cilën ka të drejtën ligjore. (Dan. 7:13, 14) S’ka diskutim që ky Mbret i caktuar nga vetë Jehovai, meriton besimin tonë absolut!

‘Shërbëtori im Davidi do të jetë bariu i tyre’

16. Si ndihet Jehovai për delet e veta, dhe si e trajtonin kopenë «barinjtë e Izraelit» në ditët e Ezekielit?

16 Jehovai, Bariu më i Madh, merakoset thellësisht për mirëqenien e deleve të veta, pra të adhuruesve të tij në tokë. (Psal. 100:3) Kur ua beson kujdesin për delet nënbarinjve njerëzorë, të cilët kanë pozita me përgjegjësi, Ai vëzhgon me kujdes si i trajtojnë delet. Ndaj, vetëm mendoni si duhet të jetë ndjerë Jehovai për «barinjtë e Izraelit» në ditët e Ezekielit. Ata udhëheqës të pacipë sundonin në mënyrë ‘të ashpër e tiranike’. Si pasojë, kopeja vuante dhe mjaft prej tyre e braktisën adhurimin e pastër.—Ezek. 34:1-6.

17. Si i çliroi Jehovai delet e tij?

17 Çfarë do të bënte Jehovai? Ja ç’u tha sundimtarëve mizorë të Izraelit: ‘Do t’ju kërkoj llogari.’ Më tej premtoi: «Unë do t’i çliroj delet e mia.» (Ezek. 34:10) Dhe Jehovai e mban gjithmonë fjalën. (Jos. 21:45) Në vitin 607 p.e.s., Ai i çliroi delet duke u hequr pushtetin barinjve egoistë me anë të pushtuesve babilonas. Shtatëdhjetë vjet më vonë, Jehovai i çliroi nga Babilonia adhuruesit e tij ngjashëm deleve dhe i riktheu në vendin e tyre që të rivendosnin adhurimin e pastër. Gjithsesi, delet e tij mbetën të pambrojtura, pasi vazhduan të ishin nën sundimin e kombeve të huaja. Në fakt, «kohët e caktuara të kombeve» zgjatën shumë shekuj.—Luka 21:24.

18, 19. Cilën profeci shpalli Ezekieli në vitin 606 p.e.s.? (Shih figurën hapëse.)

18 Në vitin 606 p.e.s., rreth një vit pas shkatërrimit të Jerusalemit dhe dekada para se izraelitët të çliroheshin nga robëria babilonase, Jehovai e frymëzoi Ezekielin të shpallte një profeci tjetër. Ajo tregon sa shumë merakoset Bariu më i Madh për mirëqenien e përhershme të deleve dhe përshkruan si do t’i kullotë Mbreti mesianik delet e Jehovait.

19 Profecia. (Lexo Ezekielin 34:22-24.) Perëndia ‘do të caktojë një bari të vetëm’, të cilin e quan «shërbëtori im David». Shprehja ‘një bari i vetëm’ bashkë me njëjësin e fjalës ‘shërbëtor’, nënkuptojnë se Mbreti do të jetë trashëgimtari i vetëm që do të ulet përgjithmonë në fronin e Davidit. Ky Bari, që do të jetë edhe Mbret, do t’i ushqejë delet e Perëndisë dhe do të bëhet «prijësi i tyre». Jehovai do të bëjë «një besëlidhje paqeje» me delet e veta, dhe «bekimet do të derdhen si shirat e bollshme» mbi ta. Delet e Jehovait do të gëzojnë siguri, mirëqenie e begati të jashtëzakonshme. Atëherë do të mbretërojë paqja jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes njerëzve e kafshëve.—Ezek. 34:25-28.

20, 21. (a) Si u përmbush profecia për atë që quhet ‘shërbëtori im David’? (b) Si do të përmbushen në të ardhmen fjalët e Ezekielit për ‘besëlidhjen e paqes’?

20 Përmbushja. Duke e quajtur Mbretin ‘shërbëtori im David’, Perëndia iu referua në mënyrë profetike Jezuit, pasardhësit të Davidit që ka të drejtën ligjore për të mbretëruar. (Psal. 89:35, 36) Kur ishte në tokë, Jezui tregoi me prova se është «bariu i shkëlqyer», duke dhënë jetën «për delet». (Gjoni 10:14, 15) Tani shërben si Bari në qiell. (Hebr. 13:20) Në vitin 1914, Jezui u bë Mbret, dhe Perëndia i besoi përgjegjësinë për të kullotur e për të ushqyer delet e Tij në tokë. Pak vite më vonë, më 1919, Mbreti i sapohipur në fron emëroi ‘skllavin besnik dhe të mençur’ që të ushqente «shërbëtorët e shtëpisë»—adhuruesit besnikë të Perëndisë me shpresë qiellore ose tokësore. (Mat. 24:45-47) Nën udhëheqjen e Krishtit, skllavi besnik ka siguruar ushqim besimforcues të bollshëm për delet e Perëndisë. Ky ushqim ka ndihmuar që paqja dhe siguria të lulëzojnë në parajsën e figurshme, e cila po zgjerohet dita-ditës.

21 Si do të përmbushen në të ardhmen fjalët e Ezekielit për ‘besëlidhjen e paqes’ dhe për bekimet që do të derdhen si shirat e bollshme? Në botën e re, adhuruesit e Jehovait në tokë do të gëzojnë plotësisht bekimet që do të sjellë ‘besëlidhja e paqes’. E gjithë toka do të bëhet parajsë e mirëfilltë, dhe njerëzit besnikë nuk do kërcënohen kurrë më nga luftërat, krimet, mungesa e ushqimit, sëmundjet dhe nga kafshët e egra. (Isa. 11:6-9; 35:5, 6; 65:21-23) A nuk të gufon zemra nga gëzimi kur mendon për shpresën e jetës së përhershme në tokën parajsore? Në atë kohë, delet e Perëndisë «do të jetojnë të sigurta, dhe askush nuk do t’i trembë».—Ezek. 34:28.

Jezui, Bariu ynë qiellor, sheh me kujdes si trajtohen delet e Perëndisë (Shih paragrafin 22)

22. Si ndihet Jezui për delet e Jehovait dhe si mund të pasqyrojnë të njëjtin merak pleqtë që shërbejnë si nënbarinj?

22 Mësime për ne. Jezui merakoset thellë për mirëqenien e deleve, tamam si i Ati. Ky Bari, që është edhe Mbret, sigurohet që delet të ushqehen mirë dhe të gëzojnë paqe e siguri në parajsën e figurshme. Ndihemi plotësisht të sigurt nën kujdesin e një Mbreti të tillë. Burrat që shërbejnë si nënbarinj duhet të pasqyrojnë merakun e Jezuit për delet. Pleqtë e kongregacionit duhet ta kullotin kopenë «vullnetarisht» e «me zell» dhe të bëhen shembuj të denjë për t’u imituar. (1 Pjet. 5:2, 3) Asnjë plaku s’do t’i shkonte kurrë ndër mend të keqtrajtonte një nga delet e Jehovait! Të mos harrojmë çfarë u tha Jehovai barinjve të ashpër në kohën e Ezekielit: ‘Do t’ju kërkoj llogari.’ (Ezek. 34:10) Bariu më i Madh dhe Biri i tij rrinë syhapur për të parë si trajtohen delet.

«Davidi, shërbëtori im, do të jetë prijësi i tyre përgjithmonë»

23. Cilin premtim bëri Jehovai për popullin e tij dhe si u plotësua ai?

23 Jehovai ka dëshirë që adhuruesit e tij t’i shërbejnë në unitet. Në një profeci për rivendosjen e unitetit, Perëndia premtoi se do ta mblidhte popullin e tij—përfaqësues të mbretërisë dyfisëshe të Judës dhe të mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit—dhe do ta ribashkonte si «një komb të vetëm», sikur të ishin dy ‘shkopinj’ që ‘bëheshin një i vetëm’ në dorën e tij. (Ezek. 37:15-23) Përmbushja e parë e profecisë ndodhi në vitin 537 p.e.s., kur Perëndia e ribashkoi kombin e Izraelit në Tokën e Premtuar. * Por, ky unitet s’ishte veçse hije e një uniteti shumë më të plotë e më jetëgjatë që do të vinte. Pasi premtoi se do ta bashkonte Izraelin, Jehovai i dha Ezekielit një profeci që tregonte se si, nën qeverisjen e Mbretit të ardhshëm, adhuruesit e vërtetë në mbarë tokën do të gëzonin unitet të përhershëm.

24. Me cilat fjalë i referohet Jehovai Mbretit Mesianik dhe si do të jetë qeverisja e këtij mbreti?

24 Profecia. (Lexo Ezekielin 37:24-28.) Jehovai i referohet sërish Mbretit mesianik me fjalët ‘shërbëtori im David’, ‘një bari i vetëm’ dhe ‘prijës’. Ama, kësaj radhe e quan edhe ‘mbret’. (Ezek. 37:22) Si do të jetë qeverisja e këtij Mbreti? Ai do të qeverisë përgjithmonë. Përdorimi i fjalëve «përgjithmonë» dhe «e përjetshme» nënkupton se qeverisja e Mbretit do të sjellë bekime të pafundme. * Qeverisja e tij do të karakterizohet nga uniteti. Nën qeverisjen e ‘një mbreti të vetëm’, nënshtetasit besnikë do të zbatojnë të njëjtat ‘vendime gjyqësore’ dhe ‘do të banojnë në vend’ së bashku. Falë kësaj qeverisjeje, nënshtetasit e mbretit do të gëzojnë miqësi më të ngushtë me Perëndinë Jehova. Jehovai do të bëjë një «besëlidhje paqeje» me ta. Ai do të jetë Perëndia i tyre, ndërsa ata do të jenë populli i Tij. Veç kësaj, shenjtërorja e tij do të jetë «mes tyre përgjithmonë».

25. Si është përmbushur profecia për Mbretin Mesianik?

25 Përmbushja. Në vitin 1919, të mirosurit besnikë u bashkuan nën «një bari të vetëm», Mbretin mesianik, Jezu Krishtin. Më vonë, të mirosurve iu bashkua edhe ‘një shumicë e madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’. (Zbul. 7:9) Të dyja grupet u bënë «një kope e vetme» nën «një bari të vetëm». (Gjoni 10:16) Pavarësisht nëse kanë shpresë qiellore apo tokësore, ata u binden vendimeve gjyqësore të Jehovait. Si rezultat, banojnë në një parajsë të figurshme, duke formuar një vëllazëri mbarëbotërore të bashkuar. Jehovai i ka bekuar me paqe, dhe shenjtërorja e tij, që përfaqëson adhurimin e pastër, është mes tyre. Jehovai është Perëndia i tyre, dhe ata e kanë për nder ta adhurojnë tani e në përjetësi!

26. Si mund t’i kontribuosh unitetit të parajsës së figurshme?

26 Mësime për ne. Ç’privilegj të jemi pjesë e një vëllazërie mbarëbotërore që i bën Jehovait adhurim të pastër në unitet! Ama, ky privilegj sjell edhe përgjegjësi—duhet të kontribuojmë për ta ruajtur unitetin. Ja pse të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë që të kemi unitet në bindje dhe në veprime. (1 Kor. 1:10) Për këtë arsye, marrim të njëjtin ushqim besimforcues, veprojmë sipas të njëjtave standarde nga Shkrimet dhe angazhohemi në të njëjtën vepër jetike të predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve. Megjithatë, sekreti i vërtetë i unitetit tonë është dashuria. Ajo përfshin të tregojmë empati, dhembshuri dhe të falim. Kur bëjmë çmos të kultivojmë dhe të shfaqim këtë lloj dashurie, forcojmë unitetin. Bibla thotë se ‘dashuria është një lidhje e përsosur bashkimi’.—Kolos. 3:12-14; 1 Kor. 13:4-7.

Jehovai e bekon familjen mbarëbotërore të adhuruesve të tij (Shih paragrafin 26)

27. (a) Si ndihesh kur mendon për profecitë mesianike të librit të Ezekielit? (b) Çfarë do të shohim në kapitujt vijues?

27 Sa shumë i çmojmë profecitë mesianike të librit të Ezekielit! Kur lexojmë dhe meditojmë për to, mësojmë se Mbreti ynë i dashur, Jezu Krishti, meriton besimin tonë absolut, ka të drejtën ligjore për të qeverisur, na kullot me butësi dhe do të na sigurojë unitet të përhershëm.Çfarë nderi i madh të jemi nënshtetas të Mbretit mesianik! Të mos harrojmë se këto profeci mesianike janë pjesë e temës së përgjithshme të librit të Ezekielit: rivendosja e adhurimit të pastër. Nëpërmjet Jezuit, Jehovai po mbledh popullin e tij dhe po rivendos adhurimin e pastër mes tyre. (Ezek. 20:41) Në kapitujt vijues do të shohim si zhvillohet tema emocionuese e rivendosjes te libri i Ezekielit.

^ par. 1 Mërgimi filloi në vitin 617 p.e.s., kur u dërgua rob në Babiloni grupi i parë i judenjve. Prandaj, viti i gjashtë i mërgimit nisi më 612 p.e.s.

^ par. 14 Ungjijtë e frymëzuar tregojnë qartë se Jezui është pasardhës i Davidit.—Mat. 1:1-16; Luka 3:23-31.

^ par. 23 Profecia e Ezekielit për dy shkopinjtë dhe përmbushja e saj do të shqyrtohet në kapitullin 12 të këtij botimi.

^ par. 24 Për termin hebraik të përkthyer «përgjithmonë» dhe «e përjetshme», një vepër referimi vëren: «Ky term, përveçse përcjell idenë e kohëzgjatjes, mbart edhe idenë e diçkaje të qëndrueshme, të pacenueshme, të pakthyeshme dhe të pandryshueshme.»