Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 14

«Ky është ligji i tempullit»

«Ky është ligji i tempullit»

EZEKIELI 43:12

NË KËTË KAPITULL: Vegimi për tempullin—mësime praktike për ditët e Ezekielit dhe për ne sot

1, 2. (a) Çfarë mësuam për vegimin e Ezekielit në kapitullin e kaluar? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë kapitull?

NË KAPITULLIN e kaluar mësuam se Ezekieli nuk pa në vegim tempullin e madh të Jehovait për të cilin foli apostulli Pavël shekuj më vonë. Gjithashtu kuptuam se vegimi kishte si qëllim t’i mësonte popullit të Perëndisë sa rëndësi kanë standardet hyjnore për adhurimin e pastër. Vetëm duke respektuar këto standarde mund të gëzonin sërish një marrëdhënie të mirë me Jehovain. Ja pse Jehovai theksoi sa rëndësi kanë standardet e tij, duke i përsëritur dy herë në të njëjtin varg këto fjalë: «Ky është ligji i tempullit.»—Lexo Ezekielin 43:12.

2 Në këtë kapitull do të shqyrtojmë dy pyetje të tjera. E para: ç’mësime rreth standardeve të Jehovait për adhurimin e pastër mund të kenë nxjerrë judenjtë në ditët e Ezekielit nga vegimi për tempullin? Përgjigjja e kësaj pyetjeje do të na ndihmojë të gjejmë edhe përgjigjen e pyetjes së dytë: ç’kuptim ka ky vegim për ne që jetojmë në këto ditë të fundit plot ankth?

Mësime në kohët e lashta

3. Pse populli u ndie i turpëruar kur Ezekieli i tregoi për vendndodhjen e tempullit mbi një mal të lartë?

3 Për t’iu përgjigjur pyetjes së parë, le të përqendrohemi te disa aspekte interesante të vegimit për tempullin. Mali i lartë. Ka shumë mundësi që vendndodhja e tempullit që pa Ezekieli, t’u ketë sjellë në mendje judenjve profecinë besimforcuese të Isaisë për rivendosjen. (Isa. 2:2) Çfarë mësimi nxorën kur panë shtëpinë e Jehovait mbi një mal aq të lartë? Që adhurimi i pastër duhej lartësuar e duhej vendosur më lart se çdo gjë tjetër. S’diskutohet që adhurimi i pastër është më lart se gjithçka, pasi e ka themeluar Ai që «qëndron më lart se tërë perënditë e tjera». (Psal. 97:9) Ama, populli nuk e kishte bërë pjesën e tij, sepse për shekuj me radhë e kishin braktisur dhe ndotur vazhdimisht. Kur judenjtë e sinqertë panë shtëpinë e shenjtë të Perëndisë të lartësuar në pozitën e rëndësishme e të lavdishme që i takonte, me siguri janë ndier të turpëruar.

4, 5. Ç’mësim mund të ketë nxjerrë populli nga portat madhështore të tempullit?

4 Portat madhështore. Në fillim të vegimit, Ezekieli pa udhërrëfyesin engjëllor tek maste portat. Ato ishin rreth 30 metra të larta. (Ezek. 40:14) Brenda këtyre hyrjeve kishte dhoma rojash. Ç’mund të kenë mësuar nga kjo ata që përfytyronin tempullin? Jehovai i tha Ezekielit: «Kushtoji shumë vëmendje hyrjes së tempullit.» Pse? Sepse populli kishte sjellë në tempullin e shenjtë të Perëndisë njerëz «të parrethprerë në zemër e në trup». Cili ishte rezultati? Jehovai shpjegoi: «Ata e përdhosin tempullin tim.»—Ezek. 44:5, 7.

5 Ata që ishin «të parrethprerë . . . në trup», nuk i ishin bindur një urdhri të qartë të Perëndisë që ekzistonte qysh nga koha e Abrahamit. (Zan. 17:9, 10; Lev. 12:1-3) Mirëpo, ‘të parrethprerët në zemër’ kishin një problem më të madh. Me kokëfortësi rebeloheshin dhe nuk i bindeshin drejtimit të Jehovait. Ata nuk duhej të hynin në tempullin e shenjtë të Jehovait. Jehovai e urren hipokrizinë, por populli kishte lejuar që hipokrizia të hidhte rrënjë kudo në shtëpinë e tij. Portat dhe dhomat e rojave në tempullin që pa Ezekieli, përcillnin një mësim të qartë: boll me këto shkelje! Kush dëshironte të hynte në shtëpinë e Perëndisë, duhej të respektonte standardet e Tij të larta. Vetëm atëherë do ta pranonte Jehovai adhurimin e popullit të tij.

6, 7. (a) Cilin mesazh i dha Jehovai popullit me anë të murit rrethues të tempullit? (b) Si kishte vepruar populli me shtëpinë e Jehovait? (Shih shënimin.)

6 Muri rrethues. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i tempullit që pa Ezekieli në vegim, ishte muri që rrethonte gjithë zonën e tempullit. Ai tha se në çdo anë ky mur ishte 500 kallama i gjatë, pra, gati 1,6 kilometra. (Ezek. 42:15-20) E megjithatë, ndërtesat e tempullit bashkë me oborret formonin një katror me brinjë rreth 260 metra. Domethënë, hapësira mes kompleksit të tempullit dhe murit rrethues ishte shumë e gjerë. * Pse?

7 Jehovai tha: «Tani, t’i largojnë nga unë tradhtitë dhe kufomat e mbretërve të tyre! Atëherë, unë do të banoj mes tyre përgjithmonë.» (Ezek. 43:9) Ka shumë mundësi që shprehja «kufomat e mbretërve» t’i referohet idhujtarisë. (Ezek. 43:7, shën.) Ndaj, nëpërmjet hapësirës mes tempullit dhe murit rrethues, ishte sikur Jehovai t’i thoshte popullit: «Mbajini larg këto fëlliqësira. Mos lejoni as të më afrohen.» Nëse do ta mbanin të pastër adhurimin, Jehovai do t’i bekonte me praninë e tij.

8, 9. Ç’mësim mund të ketë nxjerrë populli nga këshillat e forta që u dha Jehovai burrave me përgjegjësi?

8 Këshilla të forta për burrat që kishin përgjegjësi. Jehovai u dha këshilla të forta, por të dashura edhe burrave që kishin përgjegjësi me peshë mes popullit të vet. I qortoi ashpër levitët që u larguan prej tij kur populli ra në idhujtari. Kurse bijtë e Sadokut i lavdëroi «që i përmbushën përgjegjësitë në shenjtëroren [e tij]». Jehovai e trajtoi me drejtësi e mëshirë secilin grup sipas veprave të veta. (Ezek. 44:10, 12-16) Po njësoj, edhe prijësit e Izraelit morën këshilla të forta.—Ezek. 45:9.

9 Kështu, Jehovai e tregoi qartë se burrat që ishin caktuar të mbikëqyrnin dhe që kishin autoritet mes popullit, duhej t’i jepnin llogari për mënyrën si i përmbushnin përgjegjësitë. Ata nuk ishin të përjashtuar nga këshillat dhe nga disiplina. Përkundrazi, duhej të ishin të parët që respektonin standardet e Jehovait, duke pranuar menjëherë çdo këshillë nga ai.

10, 11. Çfarë tregon se disa prej atyre që u kthyen nga mërgimi, i zbatuan mësimet që përmbante vegimi i Ezekielit?

10 A i zbatuan mësimet që përmbante vegimi i Ezekielit ata që u kthyen nga mërgimi? Vështirë ta dimë me saktësi çfarë kanë menduar gratë e burrat besnikë në atë kohë për këtë vegim mbresëlënës. Sidoqoftë, Fjala e Perëndisë na jep mjaft informacione që tregojnë si vepruan ata që u kthyen nga mërgimi dhe sa rëndësi pati për ta adhurimi i pastër i Jehovait. A i zbatuan parimet që përcillte vegimi i Ezekielit? Deri diku po, sidomos në krahasim me paraardhësit e tyre rebelë para se të mërgonin në Babiloni.

11 Burra besnikë, si profetët Hage dhe Zakaria, prifti e kopisti Ezdra dhe guvernatori Nehemia u përpoqën fort t’i mësonin popullit parime si ato që përmbante vegimi i Ezekielit. (Ezd. 5:1, 2) Ata i treguan se adhurimi i pastër duhej lartësuar dhe se duhej të ishte më i rëndësishëm se gjërat materiale dhe interesat personale. (Hag. 1:3, 4) Këta burra bënë çmos që të respektoheshin standardet për adhurimin e pastër. Për shembull, Ezdra dhe Nehemia e këshilluan prerazi popullin që të ndahej nga gratë e huaja, sepse po e largonin nga Jehovai. (Lexo Ezdrën 10:10, 11; Neh. 13:23-27, 30) Ç’të themi për idhujtarinë? Duket se pas mërgimit, më në fund kombi e urreu këtë mëkat që i kishte zënë në grackë sa e sa herë gjatë historisë. Po për priftërinjtë, prijësit ose princat? Siç tregon edhe vegimi i Ezekielit, këta ishin ndër njerëzit që Jehovai i këshilloi dhe i ndreqi. (Neh. 13:22, 28) Shumë i pranuan me përulësi këshillat.—Ezd. 10:7-9, 12-14; Neh. 9:1-3, 38.

Nehemia e mësoi popullin për adhurimin e pastër teksa punonte përkrah tyre (Shih paragrafin 11)

12. Në cilat mënyra i bekoi Jehovai ata që u kthyen nga mërgimi?

12 Si rezultat, Jehovai e bekoi popullin e tij. Deri në njëfarë mase, izraelitët gëzonin marrëdhënie të mirë me Jehovain, shëndet dhe harmoni që nuk i kishin pasur prej kohësh. (Ezd. 6:19-22; Neh. 8:9-12; 12:27-30, 43) Kjo ndodhi sepse më në fund ata filluan të respektonin standardet e drejta të Jehovait për adhurimin e pastër. Shumë njerëz të sinqertë u prekën nga mësimet që përmbante vegimi. Pra, për ta përmbledhur, mund të themi se vegimi i Ezekielit për tempullin u solli dobi të mërguarve në dy mënyra të rëndësishme. (1) U tregoi praktikisht si t’i mbështetnin standardet e Jehovait për adhurimin e pastër. (2) U garantoi se adhurimi i pastër do të rivendosej dhe parathoshte si do t’i bekonte Jehovai për sa kohë të përkrahnin adhurimin e pastër. Mirëpo lind pyetja: a ka ky vegim një përmbushje edhe për ne sot?

Mësime për ne sot

13, 14. (a) Si e dimë që vegimi i Ezekielit për tempullin ka një përmbushje edhe për ne sot? (b) Në cilat mënyra na sjell dobi vegimi i Ezekielit? (Shih edhe kutinë 13A «Tempuj të ndryshëm, mësime të ndryshme».)

13 Pse mund të jemi të bindur se vegimi i Ezekielit vlen edhe për ne sot? Sill ndër mend ngjashmëritë mes vegimit të Ezekielit për shtëpinë e shenjtë të Perëndisë «në një mal shumë të lartë» dhe profecisë së Isaisë që «mali i shtëpisë së Jehovait» ‘do të lartësohej patundshmërisht mbi majat e maleve’. Isaia na tregon qartë se profecia e tij do të përmbushej «në ditët e fundit», ose «në pjesën e fundit të ditëve». (Ezek. 40:2; Isa. 2:2-4; shën.; shih edhe Mikenë 4:1-4.) Këto profeci po përmbushen në ditët e fundit, sidomos që nga viti 1919 kur adhurimi i pastër nisi të rivendosej e të lartësohej, si të thuash, mbi një mal të lartë. *

14 S’ka dyshim se vegimi i Ezekielit vlen për adhurimin e pastër sot. Njësoj si për të mërguarit judenj në të kaluarën, vegimi na sjell dobi edhe neve në dy mënyra. (1) Na tregon praktikisht si t’i përkrahim standardet e Jehovait për adhurimin e pastër. (2) Garanton rivendosjen e adhurimit të pastër dhe bekimet e Jehovait.

Standarde për adhurimin e pastër sot

15. Ç’duhet të kemi parasysh teksa shqyrtojmë tempullin që pa në vegim Ezekieli?

15 Tani le të përqendrohemi te disa aspekte të veçanta të vegimit të Ezekielit. Imagjino sikur po shoqëron Ezekielin në vegim teksa viziton këtë tempull mbresëlënës. Mos harro se nuk po shohim tempullin e madh të Jehovait. Thjesht po nxjerrim mësime që vlejnë për adhurimin tonë sot. Cilat janë disa prej tyre?

16. Ç’mësojmë nga gjithë ato matje në vegimin e Ezekielit? (Shih figurën hapëse.)

16 Pse gjithë ato matje? Ezekieli sheh engjëllin që duket si bakër i lustruar teksa mat me imtësi tempullin, përfshirë muret, portat, dhomat e rojave, oborret dhe altarin. Tërë këto hollësi mund të na bëjnë disi konfuzë. (Ezek. 40:1–42:20; 43:13, 14) Sidoqoftë mendo për gjithë mësimet jetësore që mund të nxjerrim prej tyre. Përmes matjeve, Jehovai thekson sa të rëndësishme janë standardet e tij. Ato i vendos vetë ai, jo njerëzit e thjeshtë. Kush mendon se nuk ka rëndësi si e adhurojmë Perëndinë, e ka shumë gabim. Veç kësaj, duke matur tempullin me aq detaje, Jehovai na siguron se rivendosja e adhurimit të pastër është absolutisht e garantuar. Plotësimi pikë për pikë i premtimit të Perëndisë është po aq i sigurt sa ato matje të sakta. Kështu, Ezekieli konfirmon se rivendosja e adhurimit të pastër në ditët e fundit është më se e sigurt.

Ç’mësime nxjerr nga matjet e sakta të tempullit? (Shih paragrafin 16)

17. Çfarë na sjell ndër mend hapësira e madhe mes tempullit dhe murit të tij rrethues?

17 Muri rrethues. Siç e thamë, Ezekieli pa në vegim një mur që rrethonte tërë zonën e tempullit. Ky aspekt ishte një përkujtues i fuqishëm se populli i Perëndisë duhej të mbante shumë larg adhurimit të pastër çdo fëlliqësi fetare e të mos e ndotte kurrë shtëpinë e Perëndisë. (Lexo Ezekielin 43:7-9.) Ç’këshillë e vlefshme edhe për ne sot! Më 1919, pasi populli i Perëndisë u çlirua nga Babilonia e Madhe që e kishte mbajtur në robëri për shekuj me radhë, Krishti emëroi skllavin besnik dhe të mençur. Sidomos që nga ky vit, populli i Perëndisë ka bërë çmos të flakë tej çdo doktrinë e praktikë të fesë së rreme të përzier me idhujtari e paganizëm. Bëjmë kujdes të mbajmë shumë larg adhurimit të pastër çdo gjë që mund ta ndotë. Përveç kësaj, nuk merremi me çështje pune ose biznesi në Sallën e Mbretërisë dhe nuk i përfshijmë këto gjëra në adhurimin tonë.—Mar. 11:15, 16.

18, 19. (a) Çfarë mësojmë nga portat e larta të tempullit? (b) Si duhet të reagojmë ndaj atyre që përpiqen t’i ulin standardet e larta të Jehovait? Jepni një shembull.

18 Portat madhështore. Çfarë mësimesh nxjerrim kur mendojmë për portat e larta që pa Ezekieli? Pa dyshim që ky aspekt i tempullit u mësoi të mërguarve judenj se Jehovai ka standarde morale tejet të larta. A vlen kjo edhe për kohët tona? Ne e adhurojmë Jehovain në tempullin e tij të madh. Ndaj, sot është më e rëndësishme se kurrë të kemi një sjellje të denjë, pa asnjë grimcë hipokrizie. (Rom. 12:9; 1 Pjet. 1:14, 15) Gjatë ditëve të fundit Jehovai e ka ndihmuar progresivisht popullin e vet t’u përmbahet me kujdes standardeve të tij për moralin. * Për shembull, mëkatarët e papenduar përjashtohen nga kongregacioni. (1 Kor. 5:11-13) Për më tepër, dhomat e rojave brenda hyrjeve të tempullit na kujtojnë se sot askush nuk mund të hyjë në tempullin e madh nëse nuk ka miratimin e Jehovait. Për shembull, dikush që bën jetë të dyfishtë mund të hyjë në Sallën e Mbretërisë, por nuk mund të ketë miratimin e Tij pa rregulluar marrëdhënien me të. (Jak. 4:8) Ç’mbrojtje e mrekullueshme për adhurimin e pastër në këto kohë plot me njerëz të degjeneruar dhe imoralë!

19 Bibla parathoshte se, para se të vinte fundi, bota do të katandisej si mos më keq: «Njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke mashtruar të tjerët e duke u mashtruar edhe vetë.» (2 Tim. 3:13) Gjithnjë e më shumë veta bien pre e mashtrimit dhe besojnë se standardet e larta të Jehovait janë tepër strikte, jashtë mode a të gabuara. A do të mashtrohesh edhe ti? Për shembull, nëse dikush përpiqet të të mbushë mendjen se standardet e Perëndisë për homoseksualizmin janë të gabuara, a do të biesh dakord me të? Apo do të kesh pikëpamjen e Perëndisë Jehova, i cili thotë qartë se ata që kryejnë akte të tilla, ‘bëjnë gjëra të ndyra’? Ai na paralajmëron të mos e miratojmë këtë sjellje. (Rom. 1:24-27, 32) Kur përballemi me çështje të tilla, bëjmë mirë të përfytyrojmë portat e larta të tempullit që pa Ezekieli dhe të kujtojmë se Jehovai nuk i ul standardet e tij të drejta, pavarësisht çfarë bën kjo botë e ligë. A kemi të njëjtën pikëpamje si Ati ynë qiellor dhe a e mbrojmë atë që është e drejtë?

Ofrojmë «një flijim lëvdimi» kur marrim pjesë në adhurimin e pastër

20. Nga cilët përkujtues të vegimit të Ezekielit merr zemër ‘shumica e madhe’?

20 Oborret. Kur pa oborrin e madh të jashtëm të tempullit, me siguri Ezekieli është emocionuar: kushedi sa shumë njerëz të lumtur mund të mblidheshin atje për të adhuruar Jehovain! Sot, të krishterët adhurojnë në tempullin e madh. ‘Shumica e madhe’ që mblidhet në oborrin e jashtëm të tempullit të madh të Jehovait, merr zemër nga përkujtuesit në vegimin e Ezekielit. (Zbul. 7:9, 10, 14, 15) Ezekieli pa që në oborr ishin radhitur shumë dhoma ngrënieje ku adhuruesit mund të hanin një pjesë të flijimeve në bashkësi që ofronin vetë. (Ezek. 40:17) Në njëfarë kuptimi hanin një vakt me Perëndinë Jehova. Kjo ishte shenjë paqeje dhe miqësie me të. Ne nuk ofrojmë flijime si judenjtë nën Ligjin e Moisiut, por ofrojmë «një flijim lëvdimi» kur marrim pjesë në adhurimin e pastër. Ndër të tjera, këtë e bëjmë kur komentojmë në mbledhje dhe kur predikojmë. (Hebr. 13:15) Gjithashtu marrim ushqim besimforcues që na siguron Jehovai. S’ka dyshim se ndihemi si bijtë e Korahut që i kënduan Jehovait: «Një ditë në oborret e tua është më mirë se një mijë gjetiu.»—Psal. 84:10.

21. Ç’mund të mësojnë të mirosurit nga priftërinjtë në vegimin e Ezekielit?

21 Priftërinjtë. Ezekieli pa se portat që përdornin priftërinjtë dhe levitët për të hyrë në oborrin e brendshëm, ishin njëlloj si ato që përdornin fiset që s’kishin lidhje me priftërinë për të hyrë në oborrin e jashtëm. Kjo ishte një mënyrë e qartë për t’u kujtuar priftërinjve se edhe ata duhej të respektonin standardet e Jehovait për adhurimin e pastër. Po sot? Në popullin Perëndisë, detyra e priftit nuk trashëgohet, gjithsesi të mirosurve u drejtohen këto fjalë: «Ju jeni ‘popull i zgjedhur, priftëri mbretërore.’» (1 Pjet. 2:9) Priftërinjtë në Izraelin e lashtë adhuronin në një oborr ku të tjerët nuk hynin dot. Sot të mirosurit nuk janë të ndarë në kuptimin fizik nga bashkadhuruesit e tjerë, sidoqoftë gëzojnë një marrëdhënie të veçantë me Jehovain si bijtë e tij të birësuar. (Gal. 4:4-6) Por edhe ata mund të nxjerrin dobi nga përkujtuesit në vegimin e Ezekielit. Për shembull, të mirosurit e kanë të qartë se, kur ishte e nevojshme, edhe priftërinjtë merrnin këshillë dhe disiplinë. Të gjithë të krishterët bëjnë mirë të kujtojnë se janë pjesë e ‘një kopeje të vetme’ që shërben nën «një bari të vetëm».—Lexo Gjonin 10:16.

22, 23. (a) Çfarë mund të mësojnë pleqtë sot nga prijësi në vegimin e Ezekielit? (b) Çfarë mund të ndodhë në të ardhmen?

22 Prijësi. Në vegimin e Ezekielit, prijësi kishte një rol të rëndësishëm. Nuk vinte nga një fis priftëror dhe në tempull duhej t’i nënshtrohej drejtimit të priftërinjve. Ama duket qartë se ai vepronte si mbikëqyrës mes popullit dhe i ndihmonte duke siguruar një pjesë të flijimeve. (Ezek. 44:2, 3; 45:16, 17; 46:2) Pra, prijësi është një shembull për burrat e krishterë sot që kanë njëfarë përgjegjësie në kongregacion. Në fund të fundit, pleqtë e kongregacionit, përfshirë mbikëqyrësit udhëtues, duhet të jenë të nënshtruar ndaj skllavit besnik. (Hebr. 13:17) Pleqtë përpiqen fort të ndihmojnë shërbëtorët e Perëndisë të ofrojnë flijime lëvdimi në mbledhjet e krishtere dhe në shërbim. (Efes. 4:11, 12) Gjithashtu duhet të mbajnë parasysh se Jehovai qortoi edhe prijësit e Izraelit që abuzonin me pushtetin. (Ezek. 45:9) Kështu, pleqtë e dinë se kanë nevojë për këshilla dhe ndreqje. Ata çmojnë çdo mundësi për t’u rafinuar nga Jehovai që të bëhen barinj e mbikëqyrës më të mirë.—Lexo 1 Pjetrit 5:1-3.

23 Jehovai do të sigurojë mbikëqyrës të aftë e të dashur edhe në Parajsën që do të vijë në tokë. Në fakt, pleqtë po marrin stërvitje që tani për të qenë barinj të aftë e të dobishëm në Parajsë. (Psal. 45:16) A nuk kënaqemi kur mendojmë sa bekim i madh do të jenë ata në botën e re? Kuptueshmëria jonë për vegimin e Ezekielit, si edhe për profecitë e tjera të rivendosjes, mund të qartësohet në kohën e duhur sipas Jehovait. Mbase disa aspekte do të kenë një zbatim e përmbushje që sot as e imagjinojmë dot. Koha do ta tregojë.

Çfarë na mësojnë për adhurimin portat e larta dhe oborret? (Shih paragrafët 18-21)

Jehovai bekon adhurimin e pastër

24, 25. Si i përshkruan vegimi i Ezekielit bekimet që do t’i sillte Jehovai popullit të tij për sa kohë të përkrahnin adhurimin e pastër?

24 Tani të sjellim ndër mend një ngjarje emocionuese që ndodh në vegimin e Ezekielit. Jehovai hyn në tempull dhe i premton popullit të vet se do të qëndrojë atje për sa kohë t’i mbështetin me besnikëri standardet e tij për adhurimin e pastër. (Ezek. 43:4-9) Si do të ndikonte prania e Jehovait te populli dhe te vendi i tyre?

25 Vegimi përshkruan bekimet e Perëndisë duke përdorur dy pamje profetike që na japin zemër: (1) Një lumë që buron nga shenjtërorja e tempullit dhe sjell jetë e begati në vend; dhe (2) vendi i ndarë në mënyrë të rregullt e me kufij të qartë, në mes të të cilit ishte zona e tempullit. Jetojmë në një kohë kur Jehovai ka hyrë, ka rafinuar dhe ka miratuar një sistem adhurimi shumë më të shenjtë; tempullin e tij të madh. (Mal. 3:1-4) Ç’kuptim kanë për ne këto dy pamje profetike? Për këtë do të flasim në kapitujt 19 deri 21.

^ par. 6 Jehovai po vinte në kontrast mënyrën si kishte vepruar populli me tempullin e tij me mënyrën si duhej të vepronin. Ai tha: «Nuk do ta përdhosin më duke e vënë pragun e tyre përbri pragut tim dhe shtalkën e tyre afër shtalkës sime, me vetëm një mur mes meje dhe tyre. Ata e përdhosën emrin tim të shenjtë me gjërat e neveritshme që bënë.» (Ezek. 43:8) Në Jerusalemin e lashtë, vetëm një mur e ndante tempullin e Jehovait nga shtëpitë e njerëzve përreth. Ndërsa largoheshin gjithnjë e më shumë nga standardet e tij të drejta, njerëzit bënin fëlliqësira dhe kryenin idhujtari ngjitur me shtëpinë e Jehovait. Kjo ishte e patolerueshme!

^ par. 13 Vegimi i Ezekielit për tempullin lidhet edhe me profecitë e tjera për rivendosjen që po përmbushen në ditët e fundit. Për shembull, vër re ngjashmëritë mes Ezekielit 43:1-9 dhe Malakisë 3:1-5; Ezekielit 47:1-12 dhe Joelit 3:18.

^ par. 18 Tempulli i madh i Jehovait erdhi në ekzistencë në vitin 29 të e.s. kur Jezui u pagëzua dhe nisi caktimin si Kryeprift. Megjithatë, pas vdekjes së apostujve, adhurimi i pastër në tokë u la pas dore për shekuj të tërë. Ama që nga viti 1919, adhurimi i vërtetë po lartësohet gjithnjë e më shumë.