Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 16

«Vëru një shenjë në ballë»

«Vëru një shenjë në ballë»

EZEKIELI 9:4

NË KËTË KAPITULL: Në ç’kuptim morën një shenjë në ballë izraelitët besnikë në kohën e Ezekielit dhe ç’domethënie ka vegimi për ne sot

1-3. (a) Pse është i shokuar Ezekieli dhe çfarë merr vesh në lidhje me shkatërrimin e Jerusalemit? (b) Çfarë pyetjesh do të shqyrtojmë?

EZEKIELI është i shokuar! Sapo ka parë në vegim gjërat e neveritshme që po bëjnë judenjtë apostatë në tempull, në Jerusalem. * Ata rebelë kanë ndotur vendin që shërbente si qendra e adhurimit të pastër në Izrael. Por s’mbaron me kaq. Çdo cep i Judës është plot e përplot me dhunë dhe s’ka shpresë të ndreqet. I fyer rëndë nga veprimet e popullit të tij të zgjedhur, Jehovai i thotë Ezekielit: «Unë do të tregoj tërbimin tim kundër tyre.»—Ezek. 8:17, 18.

2 Ezekielit i dhemb në shpirt që Jerusalemi dhe tempulli dikur i shenjtë, janë kthyer në shënjestrën e zemërimit të Jehovait dhe do të shkatërrohen. Ja pse vret mendjen: «Ç’do të bëhet me njerëzit besnikë që jetojnë në qytet? A do t’u kursehet jeta? Nëse po, si?» Ezekielit nuk i duhet të presë gjatë për përgjigjet. Menjëherë sa mëson për gjykimin e ashpër të Jerusalemit, ai dëgjon dikë që thërret me zë të lartë ekzekutuesit e gjykimit hyjnor. (Ezek. 9:1) Ndërsa vegimi vazhdon, kushedi sa i lehtësuar ndihet profeti kur merr vesh se të drejtët nuk do të shkatërrohen bashkë me të ligjtë. Po, besnikët do të mbijetojnë!

3 Ndërsa i afrohemi fundit të këtij sistemi të lig, edhe ne mund të pyesim veten se kush do t’i mbijetojë shkatërrimit të madh që po vjen. Prandaj, le të shqyrtojmë tri pyetje: (1) Çfarë ndodhi më pas në vegimin e Ezekielit? (2) Si u përmbush vegimi në atë kohë? (3) Ç’domethënie ka ky vegim profetik për ditët tona?

«Të vijnë ata që do të ndëshkojnë»

4. Përshkruaj çfarë pa e dëgjoi më pas Ezekieli në vegim.

4 Çfarë pa e dëgjoi më pas Ezekieli në vegim? (Lexo Ezekielin 9:1-11.) Ai pa shtatë burra që vinin ‘nga krahu i portës së sipërme, që ishte me drejtim nga veriu’, mbase pranë vendit ku qëndronte simboli i xhelozisë ose ku gratë qanin për perëndinë Tamuz. (Ezek. 8:3, 14) Burrat hynë në oborrin e brendshëm të tempullit dhe qëndruan pranë altarit prej bakri ku ofroheshin flijime. Por nuk ishin aty për të paraqitur flijime. Jehovai nuk i pranonte më flijimet që ofroheshin në atë tempull. Gjashtë nga burrat ishin «secili me topuz në dorë», kurse i shtati dukej goxha ndryshe. Ai kishte veshur rroba linoje dhe, në vend të armës, kishte një «kallamar sekretari», ose siç thotë shënimi ‘një bri të vogël që skribët e përdornin si enë boje’.

5, 6. Ç’mund të themi për ata që morën shenjën? (Shih figurën hapëse.)

5 Çfarë duhej të bënte burri me kallamar sekretari? Jehovai i dha këtë caktim me peshë: «Kalo mes qytetit, mes Jerusalemit, dhe vëru një shenjë në ballë njerëzve që psherëtijnë e rënkojnë për tërë gjërat e neveritshme që bëhen në qytet.» Mbase në atë çast, Ezekielit i erdhën ndër mend izraelitët besnikë në Egjipt. Ata duhej të spërkatnin me gjak të dyja anët e kornizës së derës dhe pjesën e sipërme të saj si shenjë që të parëlindurit të mos vdisnin. (Eks. 12:7, 22, 23) A do të kishte një qëllim të ngjashëm shenja që do të vendoste burri me kallamar në vegimin e Ezekielit? Pra, a do t’i mbijetonin shkatërrimit të Jerusalemit ata që merrnin shenjën?

6 Përgjigjja bëhet e qartë kur mendojmë se cilët do të shënoheshin: njerëzit që ‘psherëtinin e rënkonin’ për gjërat e neveritshme që ‘bëheshin në qytet’. Atëherë, ç’mund të themi për ata që morën shenjën? Kuptojmë se ishin thellësisht të hidhëruar, jo vetëm për shkak të idhujtarisë që praktikohej në tempull, por edhe për shkak të gjithë dhunës, imoralitetit dhe korrupsionit që kishte marrë dhenë në Jerusalem. (Ezek. 22:9-12) Për më tepër, ka mundësi që njerëzit me zemër të drejtë nuk e fshihnin si ndiheshin. Ata tregonin me fjalë e veprime neverinë që u ngjallnin gjërat që po ndodhnin dhe përkushtimin e tyre ndaj adhurimit të pastër. I nxitur nga mëshira, Jehovai do t’i shpëtonte besnikët e tij.

7, 8. Si do ta përmbushnin caktimin burrat me topuz në dorë dhe si përfundon vegimi?

7 Si do ta përmbushnin caktimin gjashtë burrat me topuz në dorë? Ezekieli dëgjoi udhëzimet që u dha Jehovai: ata duhej të ndiqnin burrin me kallamar dhe të vrisnin këdo, përveç atyre që kishin shenjën në ballë. Jehovai i urdhëroi ‘të fillonin nga shenjtërorja e tij’. (Ezek. 9:6) Ekzekutuesit duhej ta nisnin punën në zemër të Jerusalemit, pra në tempullin që Jehovai nuk e konsideronte më të shenjtë. Të parët do të vriteshin «pleqtë që ishin para shtëpisë»—70 pleqtë e Izraelit që ndodheshin në tempull dhe i paraqitnin temjan aromatik perëndive të rreme.—Ezek. 8:11, 12; 9:6.

8 Si përfundon vegimi? Ezekieli dëgjoi që burri me kallamar i tha Jehovait: «Bëra pikërisht siç më urdhërove.» (Ezek. 9:11) Por, çfarë ndodhi me banorët e Jerusalemit? A pati njerëz besnikë që i mbijetuan shkatërrimit?

Si u përmbush vegimi në ditët e Ezekielit?

9, 10. Cilët ishin disa besnikë që i mbijetuan shkatërrimit të Jerusalemit dhe në ç’përfundim arrijmë?

9 Lexo 2 Kronikave 36:17-20. Profecia e Ezekielit u përmbush në vitin 607 p.e.s., kur ushtria babilonase shkatërroi Jerusalemin bashkë me tempullin. Babilonasit shërbyen si ‘një kupë në duart e Jehovait’, përmes së cilës Ai derdhi zemërimin mbi Jerusalemin jobesnik dhe e ndëshkoi. (Jer. 51:7) A vdiqën të gjithë pa përjashtim? Jo. Në vegimin e Ezekielit parathuhej se do të kishte të mbijetuar.—Zan. 18:22-33; 2 Pjet. 2:9.

10 Disa besnikë i mbijetuan shkatërrimit. Këtu përfshiheshin rekabitët, etiopasi Ebed-Melek, profeti Jeremia dhe sekretari i tij, Baruku. (Jer. 35:1-19; 39:15-18; 45:1-5) Nga vegimi i Ezekielit, arrijmë në përfundimin se ata ‘duhet të kenë psherëtirë e rënkuar për tërë gjërat e neveritshme’ që bëheshin në Jerusalem. (Ezek. 9:4) Pra, që përpara shkatërrimit, pa dyshim kishin treguar se e urrenin me gjithë shpirt ligësinë dhe se ishin plotësisht të përkushtuar ndaj adhurimit të pastër. Ja pse u konsideruan të denjë të ishin në radhët e të mbijetuarve.

11. Cilët përfaqësonin gjashtë burrat me topuz në dorë dhe burri me kallamar sekretari?

11 A ishte e mirëfilltë shenja që morën në ballë besnikët? Në Bibël s’ka asnjë të dhënë që Ezekieli apo ndonjë profet tjetër të ketë përshkuar Jerusalemin për t’u vendosur besnikëve një shenjë të mirëfilltë. Është e qartë se vegimi profetik i Ezekielit zbulon çka po ndodhte në qiej, pra diçka të padukshme për sytë fizikë. Burri me kallamar sekretari dhe gjashtë burrat me topuz në dorë përfaqësonin krijesat engjëllore besnike, që janë gjithmonë gati të kryejnë vullnetin e Jehovait. (Psal. 103:20, 21) Pa dyshim, Jehovai përdori engjëjt për të ndëshkuar Jerusalemin jobesnik. Ata u siguruan që besnikëve t’u kursehej jeta, dhe kjo ishte sikur t’u vendosnin një shenjë në ballë.

Ç’domethënie ka vegimi i Ezekielit për ditët tona?

12, 13. (a) Pse Jehovai derdhi zemërimin e tij mbi Jerusalemin dhe pse mund të presim diçka të ngjashme mbi botën e sotme? (b) A shërben Jerusalemi jobesnik si model profetik i krishterimit të rremë? Shpjego. (Shih kutinë «A përfaqëson Jerusalemi krishterimin e rremë?»)

12 Së shpejti, Perëndia do të sjellë një gjykim që s’është parë e dëgjuar kurrë, «një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, e as do të ketë përsëri.» (Mat. 24:21) Megjithatë, ndërsa afrohet kjo ngjarje vendimtare, lindin disa pyetje të rëndësishme: a do të ketë të mbijetuar nga ky shkatërrim? A do të marrin në ndonjë mënyrë shenjën për mbijetesë adhuruesit besnikë të Jehovait? Me fjalë të tjera, a do të ketë një përmbushje në ditët tona vegimi i Ezekielit për burrin me kallamar sekretari? Përgjigjja e të treja pyetjeve është po. Pse e themi këtë? Për ta zbuluar, le t’i rikthehemi vegimit të Ezekielit.

13 A të kujtohet pse Jehovai derdhi zemërimin e tij mbi Jerusalemin e lashtë? T’i hedhim prapë një sy Ezekielit 9:8, 9. (Lexoje.) Kur Ezekieli shprehu merakun se mos shfaroseshin ‘të gjithë ata që kishin mbetur në Izrael’, Jehovai i dha katër arsye pse do të sillte gjykimin. Së pari, «faji» i kombit ishte «jashtë mase i madh». * Së dyti, Juda ishte mbushur «plot gjakderdhje». Së treti, Jerusalemi, kryeqyteti i mbretërisë së Judës ishte «krejt i korruptuar». Dhe së katërti, njerëzit e justifikonin sjelljen e ligë duke i mbushur mendjen vetes se Jehovai ‘nuk i shihte’ mëkatet e tyre. A nuk ngjan ky përshkrim me botën perverse, të dhunshme, të korruptuar dhe pa besim në të cilën jetojmë sot? Dhe meqë Jehovai «nuk ndryshon», ajo që shkaktoi zemërimin e tij të drejtë në kohën e Ezekielit, me siguri do t’i shkaktojë të njëjtin reagim sot. (Jak. 1:17; Mal. 3:6) Ja pse mund të themi se, gjashtë burrat me topuz në dorë dhe burri me kallamar sekretari duhet të përmbushin një caktim edhe në ditët tona.

Gjashtë burrat me topuz në dorë së shpejti do të përmbushin një caktim (Shih paragrafët 12, 13)

14, 15. Cilët shembuj tregojnë se Jehovai i paralajmëron njerëzit para se të sjellë një shkatërrim?

14 Atëherë, si po përmbushet sot vegimi profetik i Ezekielit? Mënyra si u përmbush ky vegim në të shkuarën, na tregon se ç’mund të presim tani dhe në të ardhmen. Prandaj, le të shqyrtojmë si janë përmbushur dhe si do të përmbushen disa aspekte të profecisë së Ezekielit.

15 Jehovai i paralajmëron njerëzit para se të sjellë një shkatërrim. Siç e pamë në kapitullin 11 të këtij libri, Jehovai e caktoi Ezekielin «si rojë për shtëpinë e Izraelit». (Ezek. 3:17-19) Duke nisur nga viti 613 p.e.s., Ezekieli i paralajmëroi hapur izraelitët për shkatërrimin që po afrohej. Edhe profetë të tjerë, përfshirë Isainë dhe Jereminë, paralajmëruan për gjëmën që do të binte mbi Jerusalemin. (Isa. 39:6, 7; Jer. 25:8, 9, 11) Sot, nëpërmjet Jezuit, Jehovai po përdor një grup të vogël të mirosurish jo vetëm për t’u dhënë ushqim besimforcues adhuruesve të vërtetë, pra shërbëtorëve të shtëpisë, por edhe për të paralajmëruar për shtrëngimin e madh që po afron.—Mat. 24:45.

16. A e vendos populli i Jehovait shenjën në ballin e atyre që do të mbijetojnë? Shpjego.

16 Shenjën në ballin e atyre që do të mbijetojnë, nuk e vendos populli i Jehovait. Sill ndër mend se Ezekielit nuk iu kërkua të përshkonte Jerusalemin për t’u vendosur një shenjë besnikëve që do të mbijetonin. Po njësoj, sot populli i Jehovait nuk është caktuar t’u vendosë një shenjë atyre që do të shpëtojnë. Përkundrazi, detyra jonë si shërbëtorë të shtëpisë është të predikojmë. Tregojmë se e marrim seriozisht këtë caktim duke predikuar me zell lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë e duke paralajmëruar me urgjencë se kjo botë e ligë i ka ditët e numëruara. (Mat. 24:14; 28:18-20) Kështu bëjmë pjesën tonë për t’i ndihmuar njerëzit me zemër të sinqertë të përqafojnë adhurimin e pastër.—1 Tim. 4:16.

17. Çfarë duhet të bëjnë që tani njerëzit, që në të ardhmen të marrin shenjën për mbijetesë?

17 Për t’i mbijetuar shkatërrimit që po afrohet, njerëzit duhet të tregojnë që tani se kanë besim. Siç e pamë më sipër, të mbijetuarit nga shkatërrimi i Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., treguan që më përpara se e urrenin me gjithë shpirt ligësinë dhe se ishin plotësisht të përkushtuar ndaj adhurimit të pastër. Njësoj është edhe sot. Përpara se të vijë shkatërrimi, ata që do të mbijetojnë duhet ‘të psherëtijnë e të rënkojnë’, pra të jenë thellësisht të hidhëruar në zemër, për shkak të ligësisë ku është zhytur kjo botë. Dhe në vend që ta fshehin si ndihen, duhet ta bëjnë të dukshëm përkushtimin ndaj adhurimit të pastër, me fjalë e me vepra. Si mund ta bëjnë këtë? Duhet të pranojnë lajmin e mirë që po predikohet sot, të fillojnë të veshin personalitetin e Krishtit, të pagëzohen në simbol të kushtimit të tyre ndaj Jehovait dhe të mbështetin besnikërisht vëllezërit e Krishtit. (Ezek. 9:4; Mat. 25:34-40; Efes. 4:22-24; 1 Pjet. 3:21) Vetëm ata që po veprojnë kështu dhe që hyjnë në shtrëngimin e madh si adhurues besnikë, do të marrin shenjën për mbijetesë.

18. (a) Si dhe kur do t’i shënojë Jezu Krishti besnikët? (b) A është e nevojshme që të mirosurit besnikë të marrin shenjën? Shpjego.

18 Shënimin e besnikëve do ta bëjë Jezui. Në kohën e Ezekielit, engjëjt ishin të përfshirë në vendosjen e shenjës në ballin e besnikëve që mbijetuan. Në kohën tonë, burri me kallamar sekretari përfaqëson Jezuin kur «të vijë në lavdinë e tij» si Gjykatës i të gjitha kombeve. (Mat. 25:31-33) Jezui do të vijë gjatë shtrëngimit të madh, pas shkatërrimit të fesë së rreme. * Në atë kohë vendimtare, pak para se të fillojë Armagedoni, Jezui do të gjykojë njerëzit si dele ose si cjep. Pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’ do të gjykohen, ose do të shënohen, si dele, tregues ky se «do të marrin jetën e përhershme». (Zbul. 7:9-14; Mat. 25:34-40, 46) Ç’të themi për të mirosurit besnikë? Nuk është e nevojshme që ata të shënohen për t’i mbijetuar Armagedonit. Përkundrazi do të marrin vulosjen përfundimtare, pra miratimin përfundimtar, para se të vdesin ose para se të nisë shtrëngimi i madh. Kështu, para se të nisë lufta e Armagedonit, të mirosurit që janë ende në tokë do të kenë marrë shpërblimin e tyre qiellor.—Zbul. 7:1-3.

19. Cilët do të luftojnë përkrah Jezuit për të ekzekutuar gjykimin mbi këtë sistem? (Shih kutinë «Psherëtijnë e rënkojnë, vënia e shenjës dhe goditja—Kur dhe si?»)

19 Mbreti qiellor, Jezu Krishti, bashkë me ushtritë qiellore do të ekzekutojnë gjykimin mbi këtë sistem. Në vegimin e Ezekielit, burrat me topuz në dorë pritën derisa burri me rroba linoje t’u vendoste shenjën njerëzve besnikë, dhe pastaj nisën shkatërrimin. (Ezek. 9:4-7) Po njësoj, shkatërrimi i ardhshëm do të nisë pasi Jezui të gjykojë kombet dhe t’u vërë shenjën njerëzve ngjashëm deleve që do të mbijetojnë. Pastaj, gjatë luftës së Armagedonit, Jezui do t’u prijë forcave qiellore, ku do të përfshihen engjëjt dhe 144.000 bashkëqeveritarët e tij, për të ekzekutuar gjykimin mbi këtë botë të ligë. Ata do ta shkatërrojnë plotësisht, duke i çliruar kështu adhuruesit e vërtetë, të cilët do të bekohen me një botë të re e të drejtë.—Zbul. 16:14-16; 19:11-21.

20. Cilat mësime zemërdhënëse nxjerrim nga vegimi për burrin me kallamar sekretari?

20 Sa shumë i çmojmë mësimet zemërdhënëse që nxjerrim nga vegimi i Ezekielit për burrin me kallamar sekretari! Mund të jemi plotësisht të sigurt se Jehovai s’ka për ta shkatërruar kurrë të drejtin bashkë me të ligun. (Psal. 97:10) Gjithashtu, e kemi të qartë se ç’duhet të bëjmë që të marrim shenjën për të mbijetuar. Si adhurues të Jehovait, jemi të vendosur të bëjmë çmos për të shpallur lajmin e mirë dhe për të paralajmëruar njerëzit që psherëtijnë e rënkojnë për shkak të ligësisë së botës së Satanait. Në këtë mënyrë, mund të kemi privilegjin t’i ndihmojmë ata që janë «të prirur për jetën e përhershme» të na bashkohen në adhurimin e pastër. Kështu do të marrin shenjën e mbijetesës e do të hyjnë në botën e re e të drejtë të Perëndisë.—Vep. 13:48.

^ par. 1 Vegimi i Ezekielit për gjërat e neveritshme që bëheshin në tempull, trajtohet në kapitullin 5 të këtij botimi.

^ par. 13 Sipas një vepre referimi, emri hebraik i përkthyer «faj», mund të përcjellë idenë e «degjenerimit». Një vepër tjetër vëren se bëhet fjalë për «një term tërësisht fetar, që është përdorur thuajse gjithmonë për t’iu referuar një faji moral ose një mëkati në sytë e Perëndisë».

^ par. 18 Me sa duket, shkatërrimi i Babilonisë së Madhe nuk do të nënkuptojë vdekjen e gjithë anëtarëve të fesë së rreme. Në atë kohë, edhe disa klerikë mund ta braktisin fenë e rreme dhe të pohojnë se s’kanë qenë kurrë pjesë e saj.—Zak. 13:3-6.