Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një kongres historik në vitin 1919 ishte dëshmi e fortë se populli i Perëndisë, më në fund, u çlirua nga Babilonia e Madhe

KUTIA 9B

Pse viti 1919?

Pse viti 1919?

Pse themi se populli i Perëndisë u çlirua nga robëria e Babilonisë së Madhe në vitin 1919? Profecitë e Biblës dhe faktet historike na ndihmojnë të arrijmë në këtë përfundim.

Profecitë e Biblës dhe historia nuk lënë fije dyshimi se Jezui nisi të mbretëronte në qiell në vitin 1914, duke shënuar kështu fillimin e ditëve të fundit të sistemit të Satanait. Çfarë bëri Jezui sapo filloi të mbretëronte? A i çliroi menjëherë shërbëtorët e tij në tokë nga robëria e Babilonisë së Madhe? A e emëroi ‘skllavin besnik dhe të mençur’ në vitin 1914 dhe filloi veprën e madhe të korrjes?—Mat. 24:45.

Është e qartë se jo. Mos harro se apostulli Pjetër u frymëzua të shkruante se gjykimi ‘do të fillonte me shtëpinë e Perëndisë’. (1 Pjet. 4:17) Po njësoj, Malakia profetizoi për kohën kur Jehovai do të vinte në tempullin e Tij bashkë me ‘lajmëtarin e besëlidhjes’, Birin e Tij. (Mal. 3:1-5) Ajo do të ishte një kohë rafinimi dhe prove. A përputhet historia me këto profeci?

Pa diskutim! Periudha nga viti 1914 deri në fillim të 1919-s ishte një kohë e vështirë prove dhe rafinimi për Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Më 1914, shumë pjesëtarë të popullit të Perëndisë në tokë u zhgënjyen, ngaqë fundi i sistemit nuk erdhi siç prisnin ata. Ky zhgënjim u shtua në vitin 1916, kur vdiq Çarls Rasëlli, që e kishte drejtuar në mënyrë aktive popullin e Perëndisë. Disa që ishin tepër të lidhur me të e kundërshtuan fort Xhozef Radhërfordin, pasuesin e vëllait Rasëll. Këto përçarje u shtuan dhe për pak sa nuk e ndanë organizatën në vitin 1917. Më pas, në 1918-n, pa dyshim për shkak të klerit, vëlla Radhërfordi dhe shtatë nga bashkëpunëtorët e tij dolën në gjyq, u dënuan padrejtësisht dhe i futën në burg. Selia botërore në Bruklin u mbyll. Ishte më se e qartë se populli i Perëndisë nuk ishte çliruar ende nga Babilonia e Madhe.

Por, çfarë ndodhi në vitin 1919? Gjërat ndryshuan sa hap e mbyll sytë! Në fillim të vitit, Radhërfordi dhe bashkëpunëtorët e tij u liruan nga burgu dhe menjëherë iu përveshën punës. Shumë shpejt u planifikua një kongres historik dhe filloi puna për botimin e një reviste të re, Epoka e artë (tani Zgjohuni!). Revista u bë enkas për t’u përdorur në fushata predikimi. Gjithashtu, në çdo kongregacion u caktua një mbikëqyrës që të organizonte e t’i jepte hov veprës së predikimit. Po atë vit, u botua Buletini (tani Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje) që ndihmonte për organizimin e veprës së predikimit.

Çfarë tregonte e gjithë kjo? Dukej qartë se Krishti e kishte çliruar popullin e tij nga robëria e Babilonisë së Madhe. Ai kishte emëruar skllavin besnik dhe të mençur, dhe puna e korrjes kishte filluar. Që nga 1919-a, ky vit i shënuar, vepra ka përparuar si kurrë më parë.