Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KUTIA 15A

Dy motra prostituta

Dy motra prostituta

kapitullin 23 të Ezekielit gjejmë dënimin therës drejtuar popullit të Perëndisë për jobesnikërinë e tyre. Ky kapitull ka mjaft pika të përbashkëta me kapitullin 16. Të dy e krahasojnë jobesnikërinë e popullit të Perëndisë me prostitucionin. Jerusalemi përshkruhet si motra e vogël, ndërsa Samaria si motra e madhe. Të dy kapitujt tregojnë se si motra e vogël ndoqi gjurmët e motrës së madhe, duke u kthyer në prostitutë, por më pas u bë më e ligë dhe më imorale. Në kapitullin 23, Jehovai u vë emra dy motrave: Ohola, motra e madhe, përfaqëson Samarinë, që ishte kryeqyteti i mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit; ndërsa Oholiba, motra e vogël, përfaqëson Jerusalemin, kryeqytetin e Judës. *Ezek. 23:1-4.

Dy kapitujt kanë edhe pika të tjera të përbashkëta. Më domethënëset janë këto: në fillim të dyja prostitutat ishin si gra për Jehovain, por më pas e tradhtuan; gjithashtu, të dy përmbajnë një premtim shpresëdhënës. Ndonëse te kapitulli 23 shpresa e rivendosjes nuk është aq e qartë sa te kapitulli 16, në të dy kapitujt Jehovai premton: «Do t’i jap fund sjelljes sate të ndyrë dhe prostitucionit tënd.»—Ezek. 16:16, 20, 21, 37, 38, 41, 42; 23:4, 11, 22, 23, 27, 37.

A përfaqësojnë krishterimin e rremë?

Në të kaluarën, në botimet tona kemi thënë se dy motrat, Ohola dhe Oholiba, janë një model profetik i krishterimit të rremë dhe në veçanti i dy degëve kryesore, fesë katolike dhe protestante. Megjithatë, pas shumë lutjesh dhe kërkimesh të kujdesshme kanë lindur disa pyetje me vend. A ka qenë ndonjëherë krishterimi i rremë gruaja e Jehovait në ndonjë mënyrë? A ka bërë Jehovai ndonjëherë besëlidhje me të? Është e qartë se jo. Krishterimi i rremë as nuk ekzistonte kur Jezui ndërmjetësoi për «besëlidhjen e re» me Izraelin e Perëndisë. Dhe as ka qenë ndonjëherë pjesë e kombit të përbërë nga të krishterët e mirosur. (Jer. 31:31; Luka 22:20) Krishterimi i rremë nisi të ekzistonte mjaft kohë pas vdekjes së apostujve, specifikisht në shekullin e katërt të e.s. Ajo ishte një organizatë e korruptuar e përbërë nga të krishterë të rremë, të cilët Jezui i përshkroi si ‘egjra’ në profecinë për grurin dhe egjrat.—Mat. 13:24-30.

Ja dhe një ndryshim tjetër kyç mes dy motrave dhe krishterimit të rremë: Jehovai i premtoi Jerusalemit dhe Samarisë jobesnike se do t’i falte e do t’i rivendoste. (Ezek. 16:41, 42, 53-55) A përmban Bibla një shpresë të ngjashme për krishterimin e rremë? Aspak! Ashtu si për pjesën tjetër të Babilonisë së Madhe, për të nuk ka kurrfarë shprese.

Prandaj, Ohola dhe Oholiba nuk shërbejnë si modele profetike të krishterimit të rremë. Megjithatë, ekzistenca e tyre hedh dritë mbi diçka edhe më të rëndësishme: zbulon çfarë ndien Jehovai për ata që keqparaqesin emrin e tij të shenjtë dhe standardet e adhurimit të pastër. Dhe krishterimi i rremë është veçanërisht fajtor, ngaqë kishat e shumta pretendojnë se përfaqësojnë Perëndinë e Biblës. Për më tepër, pohojnë se kanë udhëheqës Jezu Krishtin, Birin e shtrenjtë të Jehovait. Por veprat i tradhtojnë, sepse e paraqesin Jezuin si pjesë të një trinie dhe shkelin urdhrin e qartë ‘për të mos qenë pjesë e kësaj bote’. (Gjoni 15:19) Përfshirjet e vazhdueshme të krishterimit të rremë në idhujtari dhe në intriga politike, kanë vërtetuar se është pjesë e «prostitutës së madhe». (Zbul. 17:1) Pra, pa pikë dyshimi, atë e pret i njëjti fund si ai i perandorisë botërore të fesë së rreme!

^ par. 3 Emrat kanë domethënie. Ohola do të thotë «tenda e saj [e adhurimit]»—me sa duket i referohet asaj që bëri Izraeli kur ngriti qendrat e veta të adhurimit, në vend se ta adhuronte Jehovain në tempullin e Jerusalemit. Kurse Oholiba, ka kuptimin «tenda ime [e adhurimit] është tek ajo». Kjo sepse në Jerusalem ndodhej tempulli i Jehovait.