Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KUTIA 16A

A përfaqëson Jerusalemi krishterimin e rremë?

A përfaqëson Jerusalemi krishterimin e rremë?

Në të kaluarën, në botimet tona thuhej se Jerusalemi apostat shërbente si model profetik i krishterimit të rremë. Pa dyshim, gjendja në të cilën ndodhej Jerusalemi jobesnik, përfshirë idhujtarinë dhe shthurjen e përhapur gjerësisht, na sjell ndër mend atë që po ndodh në krishterimin e rremë. Sidoqoftë, vitet e fundit botimet tona, përfshirë edhe ky libër, nuk i shpjegojnë më profecitë e Biblës sipas metodës model profetik-plotësim, përveçse kur ka bazë të vlefshme nga Shkrimet. Atëherë, a ekziston një bazë e vlefshme për të thënë se Jerusalemi përfaqëson krishterimin e rremë? Jo.

Shqyrto sa vijon: Dikur Jerusalemi ishte qendra e adhurimit të pastër, por më vonë banorët e tij u bënë apostatë. Krejt ndryshe, krishterimi i rremë nuk e ka praktikuar kurrë adhurimin e pastër. Përkundrazi, që kur ka ardhur në ekzistencë, në shekullin e katërt të e.s, ka mësuar gjithnjë doktrina të rreme.

Veç kësaj, pasi Jerusalemi u shkatërrua nga babilonasit, rifitoi miratimin e Jehovait dhe shërbeu sërish si qendra e adhurimit të pastër. Kurse krishterimi i rremë nuk e ka pasur asnjëherë miratimin e Perëndisë dhe, pasi të shkatërrohet në shtrëngimin e madh, s’ka për të ekzistuar më kurrë.

Prandaj, çfarë përfundimi mund të nxjerrim? Kur shqyrtojmë profecitë e Biblës që u përmbushën te Jerusalemi jobesnik mund të gjejmë aspekte të përbashkëta me krishterimin e rremë. Por, me sa duket s’ka asnjë bazë nga Shkrimet që të themi se Jerusalemi përfaqëson krishterimin e rremë.