Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 07

Çfarë dimë për Jehovain?

Çfarë dimë për Jehovain?

Si e imagjinon Perëndinë Jehova? Si dikë tejet të lartë që është e pamundur t’i afrohesh? Apo thjesht si një fuqi të mbinatyrshme, pa ndjenja? Si është vërtet Jehovai? Nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës, Jehovai na zbulon çfarë cilësish ka dhe sa shumë na do.

1. Pse është e pamundur ta shohim Perëndinë?

«Perëndia është Frymë.» (Gjoni 4:24) Jehovai nuk ka një trup si i yni. Duke qenë se është Frymë dhe jeton në qiell, nuk mund ta shohim.

2. Cilat janë disa cilësi të Jehovait?

Edhe pse i padukshëm, Jehovai ka cilësi që të bëjnë për vete. Bibla thotë: «Jehovai e do drejtësinë dhe besnikët e vet nuk do t’i braktisë.» (Psalmi 37:28) Ai është edhe «shumë i dhembshur e i mëshirshëm», sidomos me njerëzit që vuajnë. (Jakovi 5:11) «Jehovai u rri pranë zemërthyerve dhe i shpëton ata që e kanë shpirtin të dërrmuar.» (Psalmi 34:18) Për më tepër, a e di që Jehovai ndikohet nga sjellja jonë? Dikush që zgjedh të bëjë gjëra të këqija, e zhgënjen dhe ia copëton zemrën. (Psalmi 78:40, 41) Ndërsa kush vepron me drejtësi, e bën të lumtur.—Lexo Proverbat 27:11.

3. Si tregon Jehovai se na do?

Cilësia më e shkëlqyer e Jehovait është dashuria. Në fakt, «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Jehovai tregon sa shumë na do, jo vetëm nëpërmjet Biblës, por edhe me anë të krijimit. (Lexo Veprat 14:17.) Për shembull, mendo pak për mënyrën si jemi krijuar. Ai na ka dhënë aftësinë të shohim ngjyra të bukura, të dëgjojmë muzikë të këndshme dhe të shijojmë lloj-lloj ushqimesh të mira. Jehovai dëshiron që ta gëzojmë jetën.

SHQYRTO MË TEJ

Le të shohim çfarë përdor Jehovai për të bërë gjëra të jashtëzakonshme. Më pas do të zbulosh si i shfaq Jehovai cilësitë e tij të mrekullueshme.

4. Fryma e shenjtë—Forca vepruese e Perëndisë

Jehovai e përdor frymën e tij të shenjtë, ashtu si ne përdorim duart për të punuar. Bibla tregon se fryma e shenjtë nuk është person, por forca që përdor Perëndia për t’i bërë gjërat. Lexoni Lukën 11:13 dhe Veprat 2:17 e më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Perëndia ‘do të derdhë’ frymën e shenjtë mbi ata që ia kërkojnë. Prandaj, çfarë mendon se është fryma e shenjtë: person apo forca vepruese e Perëndisë? Pse mendon kështu?

Jehovai e përdor frymën e shenjtë për të bërë gjëra të jashtëzakonshme. Lexoni Psalmin 33:6 dhe 2 Pjetrit 1:20, 21 e më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Çfarë ka bërë Jehovai me anë të frymës së tij të shenjtë?

5. Cilësitë e Jehovait na bëjnë për vete

Moisiu ishte një shërbëtor besnik i Perëndisë, por donte ta njihte më mirë Krijuesin. Ja pse i tha: «Më ndihmo të njoh udhët e tua, që të të njoh më mirë.» (Eksodi 33:13) Jehovai iu përgjigj duke i zbuluar disa aspekte të personalitetit të tij. Lexoni Eksodin 34:4-6 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Cilat aspekte të personalitetit të tij i zbuloi Jehovai Moisiut?

  • Cilat cilësi të Jehovait të bëjnë më shumë për vete?

6. Jehovai merakoset për njerëzit

Hebrenjtë, populli i zgjedhur i Perëndisë në lashtësi, ishin skllevër në Egjipt. Si ndihej Jehovai kur shihte vuajtjet e tyre? Dëgjoni regjistrimin AUDIO ndërsa e ndiqni me Biblën tuaj, ose lexoni Eksodin 3:1-10. Më pas diskutoni për pyetjet që vijojnë.

  • Sipas kësaj ngjarjeje, si ndihet Jehovai kur njerëzit vuajnë?—Shih vargjet 7 dhe 8.

  • A mendon se Jehovai ka vërtet dëshirë dhe mundësi t’i ndihmojë njerëzit? Pse?

7. Krijimi zbulon cilësitë e Jehovait

Jehovai na i tregon cilësitë e tij nëpërmjet gjërave që ka krijuar. Shihni VIDEON. Më pas lexoni Romakëve 1:20 dhe diskutoni për pyetjen që vijon.

  • Cilat cilësi të Jehovait dallon te gjërat që ka krijuar?

DISA THONË: «Zoti është një forcë e mbinatyrshme që gjendet kudo.»

  • Po ti si mendon?

  • Pse mendon kështu?

PËRMBLEDHJE

Jehovai është Frymë dhe nuk mund ta shohim. Ai ka shumë cilësi tërheqëse, ndër të cilat spikat dashuria.

Si do të përgjigjeshe?

  • Pse është e pamundur ta shohim Jehovain?

  • Çfarë është fryma e shenjtë?

  • Cilat janë disa nga cilësitë e Jehovait?

Provo këtë

EKSPLORO

Njihe më mirë Jehovain duke mësuar për katër cilësitë e tij kryesore.

«Ç’lloj personi është Perëndia?» (Kulla e Rojës nr. 1 2019)

Shqyrto prova që tregojnë se Jehovai nuk ndodhet kudo.

«A është Zoti kudo ose i kudondodhur?» (Artikull në jw.org)

Shiko pse Bibla i referohet frymës së shenjtë si duart e Perëndisë.

«Çfarë është fryma e shenjtë?» (Artikull në jw.org)

Një burrë i verbër e kishte të vështirë të besonte se Perëndia e donte. Zbulo se çfarë ia ndryshoi mendjen.

«Tani e ndiej se mund t’i ndihmoj të tjerët» (Kulla e Rojës, 1 tetor 2015)