Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 15

Kush është Jezui?

Kush është Jezui?

Jezui është një nga njerëzit më të famshëm në histori. Megjithatë, shumë i dinë vetëm emrin dhe ka lloj-lloj mendimesh se kush është vërtet ai. Çfarë thotë Bibla për Jezuin?

1. Kush është Jezui?

Jezui është një krijesë e fuqishme qiellore. Ai është krijesa e parë e Perëndisë Jehova. Ja pse quhet «i parëlinduri i gjithë krijimit». (Kolosianëve 1:15) Bibla e quan Jezuin edhe ‘Biri i vetëmlindur’, sepse vetëm ai u krijua drejtpërdrejt nga Jehovai. (Gjoni 3:16) Jezui punoi ngushtësisht me Atin e tij dhe e ndihmoi të krijonte çdo gjë tjetër. (Lexo Proverbat 8:30.) Ai vazhdon të ketë një miqësi të ngushtë me Jehovain. Gjithashtu shërben me besnikëri si «Fjala», pra si zëdhënësi i Perëndisë, që transmeton mesazhet dhe udhëzimet e Tij.—Gjoni 1:14.

2. Pse erdhi në tokë Jezui?

Rreth 2.000 vjet më parë Jehovai bëri një mrekulli. Me anë të frymës së shenjtë, ai e transferoi jetën e Jezuit nga qielli në barkun e një vajze të virgjër me emrin Mari, dhe pastaj Jezui lindi si njeri. (Lexo Lukën 1:34, 35.) Ai erdhi në tokë që të ishte Mesia i premtuar, ose Krishti, dhe të shpëtonte njerëzimin. a Jezui përmbushi të gjitha profecitë që ishin parathënë për Mesinë. Kjo i ndihmoi njerëzit të kuptonin se ishte «Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë».Mateu 16:16.

3. Ku është Jezui tani?

Pasi përfundoi jetën në tokë, Jezui u ringjall si krijesë qiellore dhe pak më vonë u rikthye në qiell. Atje «Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë». (Filipianëve 2:9) Tani Jezui ka një pozitë me shumë autoritet dhe është i dyti pas Jehovait.

SHQYRTO MË TEJ

Le të zbulojmë më tej kush është vërtet Jezui dhe pse është kaq e rëndësishme të mësojmë për të.

4. Jezui nuk është Perëndia i Plotfuqishëm

Bibla mëson se, megjithëse Jezui është një krijesë e fuqishme qiellore, ai i bindet Perëndisë dhe Atit të tij, Jehovait. Pse e themi këtë? Shihni VIDEON dhe vini re si tregon Bibla se pozita e Jezuit ndryshon nga ajo e Perëndisë së Plotfuqishëm.

Shkrimet e mëposhtme na ndihmojnë të kuptojmë lidhjen që ekziston ndërmjet Jehovait dhe Jezuit. Lexoni shkrimet dhe diskutoni për pyetjet që vijojnë.

Lexoni Lukën 1:30-32.

  • Si e përshkroi engjëlli lidhjen ndërmjet Jezuit dhe Perëndisë Jehova, «Më të Lartit»?

Lexoni Mateun 3:16, 17.

  • Çfarë fjalësh u dëgjuan nga qielli kur u pagëzua Jezui?

  • Kush mendon se i tha këto fjalë?

Lexoni Gjonin 14:28.

  • Kush është më i madh në moshë dhe me më shumë autoritet, një baba apo djali i tij?

  • Jezui e quajti Jehovain Atin e tij. Çfarë mëson nga kjo?

Lexoni Gjonin 12:49.

  • A mendonte Jezui se ai dhe Ati ishin i njëjti person? Po ti si mendon?

5. Çfarë provash kemi se Jezui ishte Mesia?

Bibla përmban mjaft profeci që do t’i ndihmonin njerëzit të dallonin kush ishte Mesia, pra i zgjedhuri i Perëndisë për të shpëtuar njerëzimin. Shihni VIDEON ku tregohen disa profeci që përmbushi Jezui kur ishte në tokë.

Lexoni këto profeci të Biblës dhe më pas diskutoni për pyetjet që vijojnë.

Lexoni Mikenë 5:2 për të mësuar ku duhej të lindte Mesia. b

  • A u përmbush kjo profeci me lindjen e Jezuit?—Mateu 2:1.

Lexoni Psalmin 34:20 dhe Zakarinë 12:10, ku ishin parathënë disa hollësi për vdekjen e Mesisë.

  • A u përmbushën këto profeci?—Gjoni 19:33-37.

  • Si mendon, a ishte në dorën e Jezuit përmbushja e këtyre profecive?

  • Sipas teje, çfarë provon kjo për Jezuin?

6. Nxjerrim dobi kur mësojmë për Jezuin

Bibla thekson se është shumë e rëndësishme të mësojmë për Jezuin dhe për rolin e tij. Lexoni Gjonin 14:6 dhe 17:3 e më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Pse është jetësore të mësojmë për Jezuin?

Jezui hapi udhën që të bëhemi miq me Perëndinë. Ai mësoi të vërtetën për Jehovain dhe me anë të tij mund të fitojmë jetën e përhershme

DISA THONË: «Dëshmitarët e Jehovait thonë se Jezui është Biri i Perëndisë. Por është e pamundur që Perëndia të ketë fëmijë.»

  • Çfarë do të thoshe në një rast të tillë?

PËRMBLEDHJE

Jezui është një krijesë e fuqishme qiellore. Ai është Biri i Perëndisë dhe Mesia i premtuar.

Si do të përgjigjeshe?

  • Pse Jezui quhet «i parëlinduri i gjithë krijimit»?

  • Çfarë bënte Jezui para se të vinte në tokë?

  • Nga e dimë se Jezui është Mesia?

Provo këtë

EKSPLORO

Ku e ka fjalën Bibla kur thotë se Perëndia është Ati i Jezuit?

«Pse Jezui quhet Biri i Perëndisë?» (Artikull në jw.org)

Shqyrto pse Triniteti nuk është mësim që vjen nga Bibla.

«A është Jezui Perëndia?» (Kulla e Rojës, 1 prill 2009)

Lexo si ndryshoi jeta e një gruaje, pasi shqyrtoi çfarë thotë Bibla për Jezuin.

«Një judeje shpjegon pse e rishqyrtoi besimin e saj» (Zgjohuni!, maj 2013)

a Te mësimet 26 e 27 do të shohim pse njerëzimi kishte nevojë për shpëtim dhe si na shpëton Jezui.

b Shihni pikën 2 të Shtojcës, ku tregohet një profeci që parathoshte me saktësi kohën kur do të shfaqej Mesia.