Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 24

Cila është e vërteta për engjëjt?

Cila është e vërteta për engjëjt?

Jehovai do që ta njohim familjen e tij qiellore, ku bëjnë pjesë edhe engjëjt. Ata quhen ‘bij të Perëndisë’. (Jobi 38:7) Çfarë tregon Bibla për engjëjt? Çfarë ndikimi kanë te njerëzit? A janë të gjithë pjesë e familjes së Perëndisë?

1. Kush janë engjëjt?

Jehovai i krijoi engjëjt para se të bënte tokën. Edhe ata janë të padukshëm si Perëndia dhe jetojnë në qiell. (Hebrenjve 1:14) Ka me miliona e miliona engjëj, dhe secili prej tyre ka personalitet unik. (Zbulesa 5:11) Ata ‘zbatojnë fjalën e Jehovait dhe i binden zërit të tij’. (Psalmi 103:20) Në kohët e lashta, Jehovai i dërgonte ndonjëherë për të përcjellë mesazhe, ose për të ndihmuar a për të shpëtuar popullin e tij. Sot, engjëjt i drejtojnë të krishterët te njerëzit që duan të mësojnë për Perëndinë.

2. Kush është Satanai dhe cilët janë demonët?

Disa engjëj nuk i qëndruan besnikë Jehovait. Engjëlli i parë që u rebelua, «quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) Satanai donte të sundonte mbi të tjerët, ndaj i shtyu njerëzit e parë, e më vonë edhe engjëj të tjerë, që të rebeloheshin. Këta engjëj rebelë quhen demonë. Jehovai i ka dëbuar nga qielli në tokë, dhe së shpejti do të shkatërrohen.—Lexo Zbulesën 12:9, 12.

3. Si përpiqen të na mashtrojnë Satanai dhe demonët?

Satanai dhe demonët mashtrojnë shumë njerëz nëpërmjet demonizmit, ose spiritizmit, që përfshin komunikimin me demonët në mënyrë direkte ose të tërthortë. Disa, pa e kuptuar se po lidhen me demonët, konsultohen me astrologë, parashikues fati, njerëz me aftësi paranormale ose mjekë që bëjnë magji. Të tjerë shohin horoskopin ose kërkojnë trajtime mjekësore që përfshijnë magjinë. Përveç kësaj, ngaqë janë mashtruar, disa besojnë se flasin vërtet me të vdekurit, por Jehovai na paralajmëron: «Mos iu drejtoni mediumeve dhe mos u konsultoni me ndonjë parashikues fati.» (Levitiku 19:31) Me këtë paralajmërim, ai do që të na mbrojë nga Satanai dhe demonët. Ata janë armiq të Perëndisë, që duan të na bëjnë keq.

SHQYRTO MË TEJ

Mëso si mund të na ndihmojnë engjëjt, cilat janë rreziqet e spiritizmit dhe si mund të mbrohemi nga Satanai dhe demonët.

4. Engjëjt i ndihmojnë njerëzit të mësojnë për Jehovain

Engjëjt e Perëndisë nuk u predikojnë njerëzve drejtpërdrejt. Megjithatë, mund t’i drejtojnë shërbëtorët e Perëndisë te personat që duan të mësojnë për të. Lexoni Zbulesën 14:6, 7 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Pse kemi nevojë për ndihmën e engjëjve kur predikojmë?

  • A merr zemër kur mendon se engjëjt mund të të drejtojnë te njerëzit që kanë nevojë për mesazhin e Biblës? Pse?

5. Qëndroji larg spiritizmit

Satanai dhe demonët janë armiq të Jehovait, ndaj janë edhe armiqtë tanë. Lexoni Lukën 9:38-42 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Si i trajtojnë demonët njerëzit?

Ne nuk duam t’i lejojmë demonët të ndikojnë në jetën tonë. Lexoni Ligjin e Përtërirë 18:10-12 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Cilat janë disa mënyra si demonët përpiqen të ndikojnë te ne dhe të komunikojnë me ne? Cilat praktika janë të përhapura në vendin ku jeton?

  • A të duket e arsyeshme që Jehovai i dënon praktikat spiritiste? Pse?

Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjet vijuese.

  • A mendon se ishte e dëmshme hajmalia që Paleza i kishte vënë vajzës? Pse?

  • Çfarë duhet të bënte Paleza që të mbrohej nga demonët?

Të krishterët e vërtetë u janë kundërvënë gjithnjë demonëve. Lexoni Veprat 19:19 dhe 1 Korintasve 10:21 e më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Pse është e rëndësishme të shkatërrojmë çdo gjë që lidhet me spiritizmin?

6. Fitoje luftën kundër Satanait dhe demonëve

Demonët udhëhiqen nga Satanai, ndërsa engjëjt besnikë drejtohen nga kryeengjëlli Mikael, siç njihet ndryshe Jezui. Sa i fuqishëm është Mikaeli? Lexoni Zbulesën 12:7-9 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Kush është më i fuqishëm: Mikaeli me engjëjt e tij apo Satanai me demonët e tij?

  • A mendon se ka arsye që dishepujt e Jezuit të kenë frikë nga Satanai dhe demonët?

Ti mund ta fitosh luftën kundër Satanait dhe demonëve. Lexoni Jakovin 4:7 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Ç’duhet të bësh që të mbrohesh nga Satanai dhe demonët?

DISA THONË: «S’ka asgjë të keqe të luash lojëra ose të shohësh filma që kanë lidhje me spiritizmin. Janë thjesht për të kaluar kohën.»

  • Pse është e rrezikshme kjo pikëpamje?

PËRMBLEDHJE

Engjëjt besnikë na ndihmojnë. Satanai dhe demonët janë armiq të Jehovait, ndaj e përdorin spiritizmin për t’i mashtruar njerëzit.

Si do të përgjigjeshe?

  • Si i ndihmojnë engjëjt e Jehovait njerëzit të mësojnë për të?

  • Kush janë Satanai dhe demonët?

  • Pse dëshiron t’i qëndrosh larg spiritizmit?

Provo këtë

EKSPLORO

Shiko prova që tregojnë se Jezui është kryeengjëlli Mikael.

«Kush është kryeengjëlli Mikael?» (Artikull në jw.org)

Shqyrto prova që tregojnë se Djalli nuk është e keqja brenda nesh, por është një person real.

«A ekziston vërtet Djalli?» (Artikull në jw.org)

Shiko se si një grua u çlirua nga ndikimi i demonëve.

«Ajo gjeti një qëllim në jetë» (Kulla e Rojës, 1 nëntor 1993)