Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 29

Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

A të ka vdekur ndonjë njeri i dashur? I pikëlluar, mund të kesh pyetur veten: «Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin? A ka ndonjë shpresë se do t’i përqafoj përsëri personat e dashur që kam humbur?» Në këtë mësim dhe në mësimin vijues do të shohim përgjigjet ngushëlluese që jep Bibla.

1. Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

Jezui e krahasoi vdekjen me një gjumë të thellë. Dikush që është në gjumë të thellë, nuk është i vetëdijshëm se çfarë ndodh rreth tij. Në ç’kuptim vdekja ngjan me gjumin? Kur dikush vdes, nuk ndjen më asnjë dhembje. Ai nuk e ndjen më mungesën e familjes dhe të miqve, pavarësisht sa shumë i ka dashur. Bibla thotë se «të vdekurit s’dinë asgjë».—Lexo Eklisiastiun 9:5.

2. Pse është mirë ta dimë të vërtetën për vdekjen?

Shumë njerëz tmerrohen nga vdekja, madje edhe nga ata që kanë vdekur. Por ajo që thotë Bibla, mund të na qetësojë. Jezui tha: «E vërteta do t’ju bëjë të lirë.» (Gjoni 8:32) Ndryshe nga ajo që thonë shumë fe, sipas Biblës njeriu nuk ka një shpirt të pavdekshëm që mbijeton pas vdekjes. Prandaj, të vdekurit nuk vuajnë. Jo vetëm kaq, por ngaqë s’bëjnë dot asgjë, nuk mund të na bëjnë as keq. Prandaj nuk ka nevojë t’i qetësojmë ose t’i adhurojmë, e madje as të lutemi për ta.

Disa pohojnë se mund të komunikojnë me të vdekurit. Por kjo është e pamundur, sepse kuptuam që «s’dinë asgjë». Ata që mendojnë se mund të flasin me të dashurit e tyre që s’jetojnë më, ka shumë mundësi të jenë duke komunikuar me demonë që hiqen si njerëz që kanë vdekur. Prandaj, kur dimë të vërtetën për vdekjen, jemi të mbrojtur nga demonët. Jehovai na paralajmëron që të mos përpiqemi të flasim me të vdekurit, sepse e di që komunikimi me demonët është i rrezikshëm.—Lexo Ligjin e Përtërirë 18:10-12.

SHQYRTO MË TEJ

Mëso më shumë se çfarë thotë Bibla për vdekjen dhe forco besimin te një Perëndi i dashur që nuk i mundon ata që kanë vdekur.

3. Mëso të vërtetën për gjendjen e të vdekurve

Anembanë botës, njerëzit besojnë lloj-lloj gjërash për atë që ndodh pas vdekjes. Sigurisht, jo të gjitha këto mund të jenë të vërteta.

  • Çfarë besojnë zakonisht njerëzit në zonën tënde për gjendjen e të vdekurve?

Për të mësuar se çfarë thotë Bibla, shihni VIDEON.

Lexoni Eklisiastiun 3:20 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Sipas këtij vargu, çfarë ndodh me dikë kur vdes?

  • A thotë vargu se ai ka ndonjë shpirt që mbijeton pas vdekjes?

Bibla tregon për vdekjen e Lazarit, një miku të ngushtë të Jezuit. Ndërsa lexoni Gjonin 11:11-14, vëreni se çfarë tha Jezui për gjendjen e Lazarit. Më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Me çfarë e krahasoi Jezui vdekjen?

  • Çfarë kuptojmë nga ky krahasim për gjendjen e të vdekurve?

  • A të duket e arsyeshme mënyra si e përshkruan Bibla vdekjen?

4. Kur dimë të vërtetën për vdekjen, nxjerrim dobi

E vërteta për vdekjen na heq frikën nga të vdekurit. Lexoni Eklisiastiun 9:10 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • A mund të na bëjnë keq të vdekurit?

Kur dimë të vërtetën që thotë Bibla, nuk mashtrohemi nga gënjeshtrat se të vdekurit duhen qetësuar ose adhuruar. Lexoni Isainë 8:19 dhe Zbulesën 4:11 e më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Si mendon se ndihet Jehovai kur dikush adhuron ose kërkon ndihmën e një të vdekuri?

Kur dimë të vërtetën për vdekjen, çlirohemi nga zakone që nuk i pëlqejnë Jehovait

5. Kur dimë të vërtetën për vdekjen, gjejmë ngushëllim

Shumë njerëz besojnë se pas vdekjes do të ndëshkohen për gabimet që kanë bërë. Por sa ngushëllohemi kur dimë se pasi vdes, askush nuk vuan, madje edhe nëse ka bërë gjëra shumë të këqija. Lexoni Romakëve 6:7 dhe më pas diskutoni për pyetjen vijuese.

  • Bibla thotë se kur një person vdes, Perëndia nuk e quan më fajtor për mëkatet që ka bërë. Atëherë, a të duket e arsyeshme të besojmë se dikush që ka vdekur, po vuan për shkak të gabimeve që ka bërë kur ishte gjallë?

Sa më shumë e njohim Jehovain, aq më shumë bindemi se ai nuk do t’i torturonte kurrë të vdekurit. Lexoni Ligjin e Përtërirë 32:4 dhe 1 Gjonit 4:8 e më pas diskutoni për këto pyetje:

  • A mendon se një Perëndi që ka cilësi të tilla, do të ishte dakord që të vdekurit të torturoheshin?

  • A të duket ngushëlluese e vërteta për vdekjen? Pse?

DISA THONË: «Kam shumë frikë nga të vdekurit.»

  • Cilat vargje nga Bibla do t’u tregoje për t’i qetësuar?

PËRMBLEDHJE

Kur një njeri vdes, jeta e tij mbaron. Të vdekurit as nuk vuajnë, as nuk u bëjnë dot keq të gjallëve.

Si do të përgjigjeshe?

  • Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin?

  • Si nxjerrim dobi kur dimë të vërtetën për vdekjen?

  • Si gjejmë ngushëllim kur dimë të vërtetën për vdekjen?

Provo këtë

EKSPLORO

Shiko çfarë kuptimi ka fjala «shpirt» në Bibël.

«Çfarë është shpirti?» (Artikull në jw.org)

Zbulo nëse është e vërtetë që Perëndia i torturon të ligjtë në ferr.

A ekziston ferri? (3:07)

Shiko sa ngushëllim gjeti një burrë kur mësoi të vërtetën se çfarë ndodh pas vdekjes.

«Më lanë pa fjalë përgjigjet e qarta e logjike të Biblës» (Kulla e Rojës, 1 shkurt 2015)