Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 35

Si të marrim vendime të mençura?

Si të marrim vendime të mençura?

Duam, s’duam, të gjithëve na duhet të marrim vendime. Disa prej tyre ndikojnë goxha në jetën tonë dhe te miqësia me Jehovain. Për shembull: ku do të jetojmë, ç’lloj pune do të bëjmë dhe nëse do të martohemi apo jo. Kur marrim vendime të mençura, mund të jemi të lumtur e t’i kënaqim zemrën Jehovait.

1. Si mund të të ndihmojë Bibla të marrësh vendime të mençura?

Para se të marrësh një vendim, lutju Jehovait për ndihmë dhe kërko në Bibël ç’mendon ai për çështjen. (Lexo Proverbat 2:3-6.) Për disa situata, Jehovai ka dhënë urdhra të qartë, ndaj në këto raste, vendimi më i mirë është t’u bindesh urdhrave të tij.

Po kur në Bibël nuk ka një urdhër të qartë që të tregon çfarë duhet të bësh? Prapëseprapë, Jehovai do të të drejtojë «nëpër rrugën nga duhet të shkosh». (Isaia 48:17) Në ç’mënyrë? Me anë të parimeve që gjejmë në Bibël. Këto janë të vërteta bazë që na zbulojnë mendimet dhe ndjenjat e Perëndisë. Shpesh mund të mësojmë si ndihet Jehovai për diçka kur lexojmë një ngjarje në Bibël. Kur dallojmë si ndihet Jehovai, mund të marrim vendime që i kënaqin shpirtin.

2. Ç’pyetje duhet të bësh para se të marrësh një vendim?

Bibla thotë: «Mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.» (Proverbat 14:15) Kjo do të thotë se para se të marrësh një vendim, duhet të lësh kohë të mendosh çfarë alternativash ke. Ndërsa shqyrton secilën prej tyre, pyet veten: «Cilat parime nga Bibla zbatohen në këtë rast? Cila alternativë do të më sjellë paqe shpirtërore? Si do të ndikojë te të tjerët vendimi im? Dhe ç’është më e rëndësishmja, a do t’ia gëzojë zemrën Jehovait?»—Ligji i përtërirë 32:29.

Jehovai ka të drejtën të na thotë çfarë është e mirë dhe e keqe. Ndërsa i njohim gjithnjë e më mirë ligjet e parimet e tij dhe jemi të vendosur t’i zbatojmë, avash-avash stërvitim ndërgjegjen. Ajo është zëri i brendshëm që na tregon ç’është e drejtë dhe e gabuar. (Romakëve 2:14, 15) Një ndërgjegje e stërvitur na ndihmon të marrim vendime të mençura.

SHQYRTO MË TEJ

Shiko më nga afër rolin e rëndësishëm që luajnë parimet e Biblës dhe ndërgjegjja, kur marrim vendime.

3. Lejoje Biblën të të drejtojë hapat

Si mund të na drejtojnë parimet e Biblës kur marrim vendime? Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjet që vijojnë.

  • Çfarë është vullneti i lirë?

  • Pse Jehovai na ka krijuar me vullnet të lirë?

  • Çfarë ndihme na ka siguruar që ta përdorim sa më mirë vullnetin e lirë?

Lexoni Efesianëve 5:15, 16 për të parë një parim nga Bibla. Pastaj diskutoni si ‘ta shfrytëzojmë sa më mirë kohën’ . . .

  • për të lexuar rregullisht Biblën.

  • për t’u bërë një bashkëshort a bashkëshorte, prind ose fëmijë më i mirë.

  • për të ndjekur mbledhjet e kongregacionit.

4. Stërvite ndërgjegjen që të marrësh vendime të mençura

Është kollaj të marrësh vendimin e duhur kur ka një urdhër të qartë nga Shkrimet. Po nëse nuk ka? Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.

  • Çfarë bëri motra për të stërvitur ndërgjegjen dhe për të marrë një vendim që do ta kënaqte Jehovain?

Pse nuk duhet t’u kërkojmë të tjerëve të marrin vendime që na takojnë neve? Lexoni Hebrenjve 5:14 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Edhe pse mund të duket më kollaj t’u kërkojmë të tjerëve të marrin vendime për ne, çfarë duhet të mësojmë të dallojmë vetë?

  • Çfarë ndihme ke në dispozicion që të stërvitësh ndërgjegjen dhe të marrësh vendime të mençura?

Ndërgjegjja është si një hartë që na ndihmon të ndjekim rrugën e duhur në jetë

5. Ki respekt për ndërgjegjen e të tjerëve

Ngaqë jemi të ndryshëm, marrim vendime të ndryshme. Si mund të tregojmë se e respektojmë ndërgjegjen e të tjerëve? Le të shqyrtojmë dy situata:

Situata 1: Një motër që ka qejf të lyhet, transferohet në një kongregacion, ku shumë motra e shohin me sy të shtrembër këtë gjë.

Lexoni Romakëve 15:1 dhe 1 Korintasve 10:23, 24 e më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Çfarë mund të vendosë kjo motër, duke pasur parasysh këto vargje? Po ti, ç’do të bëje nëse do të ishte me dikë që e vret ndërgjegjja për gjëra që ti s’i ke problem?

Situata 2: Një vëlla e di se Bibla nuk e dënon pirjen me masë të alkoolit, por zgjedh që të mos pijë fare. Ai është i ftuar në një festë, ku sheh vëllezër të tjerë që pinë alkool.

Lexoni Eklisiastiun 7:16 dhe Romakëve 14:1, 10 e më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Çfarë mund të vendosë ky vëlla, duke pasur parasysh këto vargje? Po ti, ç’do të bëje nëse do të shihje dikë tjetër teksa bën diçka që ty s’ta lejon ndërgjegjja?

 Cilët hapa të ndihmojnë të marrësh vendime të mençura?

1. Kërkoji Jehovait ndihmë që të marrësh vendimin e duhur.—Jakovi 1:5.

2. Bëj kërkime në Bibël dhe në botime të bazuara në të, për të gjetur parimet që të duhen. Mund të kërkosh edhe mendimin e të krishterëve me përvojë.

3. Mendo për ndikimin që do të ketë vendimi yt te ndërgjegjja jote dhe e të tjerëve.

DISA THONË: «Ç’më duhet mua çfarë mendojnë të tjerët?! Secili ka të drejtë të bëjë çfarë do vetë.»

  • Pse duhet të marrim parasysh ndjenjat e Perëndisë dhe të të tjerëve?

PËRMBLEDHJE

Marrim vendime të mençura kur marrim parasysh çfarë mendon Jehovai dhe ç’ndikim do të kenë këto vendime te të tjerët.

Si do të përgjigjeshe?

  • Si të marrësh vendime që i kënaqin zemrën Jehovait?

  • Si ta stërvitësh ndërgjegjen?

  • Si të tregosh respekt për ndërgjegjen e të tjerëve?

Provo këtë

EKSPLORO

Si të marrësh vendime që ta forcojnë miqësinë me Perëndinë?

«Të marrim vendime që nderojnë Perëndinë» (Kulla e Rojës, 15 prill 2011)

Mëso më shumë se në ç’mënyrë na këshillon Jehovai.

Jehovai drejton popullin e tij (9:50)

Shih çfarë e ndihmoi një burrë të merrte një vendim të vështirë.

Jehovai garanton çdo gjë të mirë (5:46)

Mëso më shumë si të marrësh vendime që i gëzojnë zemrën Jehovait, edhe kur nuk ka një drejtim specifik.

«A ke nevojë gjithnjë për një ligj nga Bibla?» (Kulla e Rojës, 1 dhjetor 2003)