Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 42

Çfarë këshillash jep Bibla për beqarët dhe të martuarit?

Çfarë këshillash jep Bibla për beqarët dhe të martuarit?

Në disa kultura, njerëzit mendojnë se vetëm po u martove, mund të jesh i lumtur. Ama, jo të gjithë të martuarit janë të lumtur dhe jo të gjithë beqarët ndihen të palumtur. E vërteta është se Bibla i quan dhurata si beqarinë, edhe martesën.

1. Cilat janë disa nga të mirat që sjell beqaria?

Bibla thotë: «Kush martohet, bën mirë, por kush nuk martohet, bën edhe më mirë.» (Lexo 1 Korintasve 7:32, 33, 38.) Në ç’kuptim dikush «bën edhe më mirë» nëse nuk martohet? Të krishterët beqarë zakonisht kanë më shumë liri, ngaqë nuk u duhet të kujdesen për bashkëshortin. Disa kanë gjetur mënyra interesante për të zgjeruar shërbimin, si për shembull janë transferuar në një vend tjetër për të predikuar lajmin e mirë. Ç’është më e rëndësishmja, beqarët kanë më shumë kohë në dispozicion për të forcuar miqësinë me Jehovain.

2. Ç’dobi sjell një martesë e celebruar?

Edhe martesa, ashtu si beqaria, ka të mirat e veta. Bibla thotë se «dy janë më mirë se një». (Eklisiastiu 4:9) Kjo është e vërtetë, sidomos për të krishterët që zbatojnë parimet e Biblës në martesë. Çiftet që bëjnë celebrimin, betohen se do ta duan, do ta respektojnë dhe do ta çmojnë gjithmonë njëri-tjetrin. Si rrjedhojë, shpesh ndihen më të sigurt se çiftet që thjesht bashkëjetojnë. Martesa ofron një themel të sigurt për rritjen e fëmijëve.

3. Ç’pikëpamje ka Jehovai për martesën?

Kur Jehovai lidhi në martesë çiftin e parë, tha: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet.» (Zanafilla 2:24) Jehovai dëshiron që burri dhe gruaja ta duan njëri-tjetrin e të mos ndahen për sa kohë të jenë gjallë. Ai e lejon divorcin vetëm kur njëri prej tyre kryen tradhti bashkëshortore. Në një rast të tillë, Jehovai i jep bashkëshortit të pafajshëm të drejtën të vendosë nëse do të divorcohet apo jo. a (Mateu 19:9) Jehovai nuk e lejon poligaminë mes adhuruesve të tij.—1 Timoteut 3:2.

SHQYRTO MË TEJ

Mëso si të jesh i lumtur dhe të kënaqësh Jehovain, qofsh beqar apo i martuar.

4. Përdore sa më mirë dhuratën e beqarisë

Jezui e shihte beqarinë si dhuratë. (Mateu 19:11, 12) Lexoni Mateun 4:23 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Si e përdori Jezui dhuratën e beqarisë për t’i shërbyer Atit dhe për të ndihmuar të tjerët?

Të krishterët mund të provojnë shumë gëzim nëse e përdorin beqarinë si Jezui. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.

  • Cilat janë disa mënyra të shkëlqyera si mund ta përdorin beqarinë të krishterët?

A e di se . . .

Bibla nuk e përcakton se në ç’moshë mund të martohet dikush. Gjithsesi, na nxit të presim derisa të kalojë ‘lulja e rinisë’, pra koha kur impulset e forta seksuale mund t’ia shtrembërojnë gjykimin një të riu.—1 Korintasve 7:36.

5. Zgjidhe me mençuri bashkëshortin

Zgjedhja e bashkëshortit është një nga vendimet më të rëndësishme që do të marrësh ndonjëherë. Lexoni Mateun 19:4-6, 9 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Pse dikush që adhuron Jehovain, nuk duhet të marrë një vendim të nxituar në lidhje me martesën?

Bibla të ndihmon të kuptosh se kush mund të jetë një bashkëshort i mirë. Gjëja kryesore është ta dojë Jehovain me gjithë shpirt. b Lexoni 1 Korintasve 7:39 dhe 2 Korintasve 6:14. Më pas diskutoni për këto pyetje:

  • Pse duhet të martohemi vetëm me dikë që adhuron Jehovain?

  • Sipas teje, si do të ndihej Jehovai po të martohemi me dikë që nuk e do atë?

Nëse nën të njëjtën zgjedhë vihen dy kafshë që janë shumë ndryshe, patjetër që do të vuajnë. Po ashtu, nëse një i krishterë martohet me dikë që nuk e do Jehovain, do të hasë shumë probleme

6. Të kemi pikëpamjen e Jehovait për martesën

Në Izraelin e lashtë, disa burra i divorconin gratë për arsye egoiste. Lexoni Malakinë 2:13, 14, 16 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Pse Jehovai e urren divorcin e padrejtë?

Tradhtia dhe divorci u shkaktojnë plagë bashkëshortit të pafajshëm dhe fëmijëve

Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.

  • Nëse je martuar me dikë që nuk beson te Jehovai, çfarë mund të bësh që martesa të jetë e lumtur?

7. Zbato normat e Jehovait për martesën

Dikush mund ta ketë shumë të vështirë të zbatojë normat e Jehovait për martesën, por Jehovai do t’i bekojë përpjekjet e tij. c Shihni VIDEON.

Lexoni Hebrenjve 13:4 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:

  • A mendon se normat e Jehovait për martesën janë të arsyeshme? Pse?

Siç e kërkon ligji në shumicën e vendeve, Jehovai do që të krishterët ta regjistrojnë martesën ose divorcin. Lexoni Titit 3:1 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Nëse je i martuar, a je i sigurt se martesa jote njihet nga shteti?

DIKUSH MUND TË PYESË: «Pse të martohesh? A nuk është më mirë të bashkëjetosh?»

  • Si do të përgjigjeshe?

PËRMBLEDHJE

Si beqaria, edhe martesa janë dhurata nga Jehovai. Të dyja mund të bëhen burim gëzimi, nëse jetojmë në përputhje me vullnetin e Jehovait.

Si do të përgjigjeshe?

  • Si mund ta përdorë mirë dhuratën e beqarisë dikush?

  • Pse Bibla na nxit të martohemi vetëm me dikë që adhuron Jehovain?

  • Cila është e vetmja bazë në Shkrime për divorc?

Provo këtë

EKSPLORO

Çfarë do të thotë të martohesh «vetëm në Zotërinë»?

«Pyetje nga lexuesit» (Kulla e Rojës, 1 korrik 2004)

Shiko dy video të shkurtra që do të të ndihmojnë të marrësh vendime të mençura para se të lidhesh dhe të martohesh me dikë.

Të përgatitemi për martesën (11:53)

Mëso pse një vëlla mendon se bekimet që ka falë Jehovait, vlejnë shumë më tepër se gjithçka që ka lënë pas.

Shpresoja që ajo të mësonte të vërtetën (1:56)

Çfarë duhet të mbajë parasysh dikush që mendon të divorcohet ose të ndahet?

«Ndero ‘atë që Perëndia e ka bashkuar’» (Kulla e Rojës, dhjetor 2018)

a Lexo pikën 4 të Shtojcës që flet për ndarjen kur nuk ka tradhti bashkëshortore.

b Në disa kultura, janë prindërit që vendosin se me kë do të martohen fëmijët. Në këto raste, prindërit e dashur duhet të shohin nëse dhëndri ose nusja e ardhshme e do vërtet Jehovain, dhe jo të shohin parátë a pozitën që ka.

c Nëse po bashkëjeton me dikë, vendimi për t’u ndarë apo për t’u martuar me të, të përket ty.