Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 57

Po nëse bën një mëkat të rëndë?

Po nëse bën një mëkat të rëndë?

Edhe pse e do Jehovain me gjithë shpirt dhe përpiqesh fort të mos e lëndosh, me raste do të bësh gabime. Ama disa gabime janë më të rënda se të tjerat. (1 Korintasve 6:9, 10) Nëse bën një mëkat të rëndë, mos harro se Jehovai të do. Ai është gati të të falë dhe të të ndihmojë.

1. Ç’duhet të bëjmë që Jehovai të na falë?

Dikush që e do Jehovain ndihet përtokë kur e di se ka kryer një mëkat të rëndë. Por e ngushëllon premtimi që Jehovai i ka bërë popullit të tij: «Edhe pse mëkatet tuaja janë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.» (Isaia 1:18) Nëse pendohemi vërtet, Jehovai do të na falë plotësisht. Si e tregojmë se jemi penduar? Të shtyrë nga keqardhja e thellë, nuk vazhdojmë më në rrugën e shtrembër dhe i lutemi Jehovait që të na falë. Më pas, punojmë fort për të ndryshuar mënyrën e gabuar të të menduarit ose për të hequr veset që na kanë çuar drejt mëkatit. Gjithashtu përpiqemi të jetojmë sipas standardeve të pastra të Jehovait.—Lexo Isainë 55:6, 7.

2. Si na ndihmon Jehovai me anë të pleqve kur kemi bërë ndonjë mëkat?

Nëse bëjmë një mëkat të rëndë, Jehovai na thotë ‘të thërrasim pleqtë e kongregacionit’. (Lexo Jakovin 5:14, 15.) Këta vëllezër të emëruar e duan Jehovain dhe delet e tij. Ata janë të kualifikuar që të na ndihmojnë të rivendosim miqësinë me Jehovain.—Galatasve 6:1.

Si na ndihmojnë pleqtë kur kemi bërë ndonjë mëkat të rëndë? Duke përdorur shkrimet, dy ose tre pleq do të na tregojnë pse ajo që kemi bërë është e gabuar. Gjithashtu do të na japin sugjerime e këshilla praktike për të na ndihmuar që të mos e përsëritim mëkatin. Për njëfarë kohe, ata mund të na vendosin disa kufizime në aktivitetet e kongregacionit, derisa miqësia jonë me Jehovain të jetë përsëri e fortë. Kur dikush që ka kryer një mëkat të rëndë, nuk pendohet, pleqtë e përjashtojnë që të mos ndikojë për keq te kongregacioni.

SHQYRTO MË TEJ

Mëso më shumë dhe thello mirënjohjen për ndihmën që na jep Jehovai kur kemi bërë një mëkat të rëndë.

3. Kur e rrëfejmë mëkatin, rivendosim miqësinë me Jehovain

Çdo mëkat që bëjmë, ndikon te Jehovai. Ja pse duhet t’ia rrëfejmë atij. Lexoni Psalmin 32:1-5 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Pse është më mirë t’ia rrëfejmë mëkatet Jehovait në vend se të përpiqemi t’i fshehim?

Pasi t’ia kemi rrëfyer mëkatet Jehovait, diçka tjetër që do të na ndihmojë shumë, është të kërkojmë ndihmën e pleqve. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.

  • Siç tregohet në video, si e ndihmuan pleqtë Kenonin të rikthehej te Jehovai?

Duhet të flasim hapur e të tregohemi të sinqertë me pleqtë; ata duan të na ndihmojnë. Lexoni Jakovin 5:16 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Pse pleqtë e kanë më të lehtë të na ndihmojnë kur tregohemi të sinqertë me ta?

Rrëfe mëkatin, tregohu i sinqertë me pleqtë dhe prano ndihmën e dashur të Jehovait

4. Pse përjashtimi është një masë e dashur?

Nëse dikush ka bërë një mëkat të rëndë dhe nuk pranon të ndjekë standardet e Jehovait, ai nuk mund të jetë më pjesë e kongregacionit. Prandaj përjashtohet, dhe ne nuk shoqërohemi e as nuk flasim më me të. Lexoni 1 Korintasve 5:6, 11 dhe 2 Gjonit 9-11 e më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Ashtu si majaja e bën brumin të vijë, si do të ndikonte te kongregacioni shoqërimi me një mëkatar të papenduar?

Shumë veta që janë përjashtuar, më vonë janë rikthyer në kongregacion. Pse? Ngaqë disiplina, edhe pse mund të ketë qenë e dhimbshme, i ka sjellë në vete. (Psalmi 141:5) Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.

  • Në këtë video, si e ndihmoi përjashtimi Sonjën?

Në ç’kuptim masa e përjashtimit . . .

  • nderon emrin e Jehovait?

  • tregon që Jehovai është i arsyeshëm dhe i dashur?

5. Jehovai na fal kur pendohemi

Jezui përdori një ilustrim për të na treguar si ndihet Jehovai kur dikush pendohet. Lexoni Lukën 15:1-7 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Çfarë mëson për Jehovain nga ky ilustrim?

Lexoni Ezekielin 33:11 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:

  • Cilin hap të rëndësishëm përfshin pendimi?

Ashtu si një bari, Jehovai ka merak të thellë për delet e tij

DISA THONË: «Kam frikë se po t’u them pleqve ç’kam bërë, do të më përjashtojnë.»

  • Çfarë do t’i thoshe dikujt që ndihet kështu?

PËRMBLEDHJE

Nëse bëjmë një mëkat të rëndë, por ndiejmë keqardhje të thellë dhe jemi të vendosur të mos e përsëritim, Jehovai do të na falë.

Si do të përgjigjeshe?

  • Pse është mirë t’ia rrëfejmë mëkatet Jehovait?

  • Ç’duhet të bëjmë që Jehovai të na i falë mëkatet?

  • Pse duhet të kërkojmë ndihmën e pleqve nëse bëjmë një mëkat të rëndë?

Provo këtë

EKSPLORO

Shiko si një burrë provoi mëshirën e Jehovait, e cila përshkruhet tek Isaia 1:18.

Kurrë mos dysho për mëshirën e Jehovait (5:02)

Si nxjerrin dobi të gjithë nga masa e përjashtimit?

«Pse përjashtimi është një masë e dashur» (Kulla e Rojës, 15 prill 2015)

Mëso si t’ia shpjegosh masën e përjashtimit dikujt që nuk është Dëshmitar.

«A i shmangin Dëshmitarët e Jehovait ata që dikur ishin Dëshmitarë?» (Artikull në jw.org)

Në historinë me titull «Duhej të kthehesha te Jehovai», mëso se si një burrë që ishte larguar nga e vërteta, kuptoi që Jehovai e kishte tërhequr sërish.

«Bibla të ndryshon jetën» (Kulla e Rojës, 1 prill 2012)