Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shtojca

Shtojca
  1.  Të identifikojmë Babiloninë e Madhe

  2.  Kur do të shfaqej Mesia?

  3.  Procedura mjekësore që përfshijnë gjakun

  4.  Ndarja

  5.  Festat

  6.  Sëmundjet ngjitëse

  7.  Marrëveshjet e biznesit dhe çështjet ligjore

 1. Të identifikojmë Babiloninë e Madhe

Nga e dimë se «Babilonia e Madhe» përfaqëson të gjitha fetë e rreme? (Zbulesa 17:5) Shqyrto këta faktorë:

  • Vepron në të gjithë botën. Bibla thotë se Babilonia e Madhe rri ulur mbi ‘turma dhe kombe’. Ajo «mbretëron mbi mbretërit e tokës».​—Zbulesa 17:15, 18.

  • Nuk mund të jetë një fuqi politike ose tregtare. «Mbretërit e tokës» dhe «tregtarët» nuk do të shkatërrohen bashkë me të.​—Zbulesa 18:9, 15.

  • Ka hedhur baltë mbi reputacionin e Perëndisë. Bibla e quan prostitutë, ngaqë ka lidhur aleancë me qeveritë për përfitime financiare dhe për interesa të tjera. (Zbulesa 17:1, 2) Ajo mashtron njerëzit e të gjitha kombeve dhe është fajtore për vdekjen e shumë vetave.​—Zbulesa 18:23, 24.

Kthehu në mësimin 13, pika 6

 2. Kur do të shfaqej Mesia?

Bibla paratha se do të kalonin 69 javë derisa të vinte Mesia.​—Lexo Danielin 9:25.

  • Kur filluan 69 javët? Në vitin 455 p.e.s. Në atë vit, guvernatori Nehemia mbërriti në Jerusalem ‘për të restauruar dhe rindërtuar’ qytetin.​—Danieli 9:25; Nehemia 2:1, 5-8.

  • Sa zgjatën 69 javët? Në disa profeci të Biblës, një ditë përfaqëson një vit. (Numrat 14:34; Ezekieli 4:6) Prandaj, një javë përfaqëson shtatë vjet. Kështu që në këtë profeci, 69 javët janë të barabarta me 483 vjet (69 javë x 7 ditë).

  • Kur përfunduan 69 javët? Nëse llogaritim 483 vjet nga viti 455 p.e.s., arrijmë në vitin 29 të e.s. a Ky është pikërisht viti kur Jezui u pagëzua dhe u bë Mesia!​—Luka 3:1, 2, 21, 22.

Kthehu në mësimin 15, pika 5

 3. Procedura mjekësore që përfshijnë gjakun

Disa procedura mjekësore kërkojnë përdorimin e gjakut të vetë pacientit. Një pjesë e tyre, si dhurimi i gjakut ose depozitimi për ta përdorur pas disa javësh gjatë një operacioni, nuk janë të pranueshme për të krishterët.​—Ligji i përtërirë 15:23.

Megjithatë, disa procedura mund të jenë të pranueshme, si për shembull, analizat e gjakut, hemodializa, hollimi i gjakut, përdorimi i makinerisë zemër-mushkëri ose i makinerisë për riaftësimin e gjakut. Çdo i krishterë duhet të vendosë vetë se si do të përdoret gjaku i tij gjatë një analize a procedure mjekësore ose në momentin që po bën ndonjë terapi. Secili mjek mund të ketë mënyrën e vet se si i kryen këto procedura. Prandaj, para se të pranojë një procedurë kirurgjikale, analizë mjekësore a terapi, një i krishterë duhet të dijë me saktësi se si do të përdoret gjaku i tij. Mendo për pyetjet e mëposhtme:

  • Nëse një pjesë e gjakut tim devijohet jashtë trupit, dhe ndodh që qarkullimi të ndërpritet për njëfarë kohe, a ma lejon ndërgjegjja që ta shoh këtë gjak ende si pjesë timen dhe kështu të mos jetë e nevojshme ‘të derdhet përtokë’?​—Ligji i përtërirë 12:23, 24.

  • Nëse një procedurë mjekësore kërkon që të merret pak nga gjaku im, të modifikohet dhe të futet prapë në trup ose të vihet mbi një plagë kirurgjikale, a do ta pranoja këtë procedurë apo do të ma trazonte ndërgjegjen e stërvitur nga Bibla?

Kthehu në mësimin 39, pika 3

 4. Ndarja

Fjala e Perëndisë i këshillon çiftet e martuara të mos ndahen dhe e bën të qartë se, nëse ndahen kur nuk ka tradhti bashkëshortore, asnjëri prej bashkëshortëve nuk ka të drejtë të rimartohet. (1 Korintasve 7:​10, 11) Megjithatë, mund të ketë situata, në të cilat një i krishterë mendon se është mirë të ndahet.

  • Kur burri nuk siguron qëllimisht gjërat e nevojshme për familjen. Burri nuk pranon ta mbështetë familjen nga ana materiale, deri në atë pikë sa familjes i mungojnë edhe gjërat bazë për të jetuar.​—1 Timoteut 5:8.

  • Kur ka keqtrajtim të rëndë fizik. Keqtrajtimi mund të arrijë deri aty, sa të rrezikohet shëndeti ose jeta e njërit prej bashkëshortëve.​—Galatasve 5:​19-​21.

  • Kur vihet në rrezik tejet të madh miqësia me Jeho­vain. Njëri nga bashkëshortët ia bën të pamundur tjetrit që t’i shërbejë Jehovait.​—Veprat 5:​29.

Kthehu në mësimin 42, pika 3

 5. Festat

Të krishterët nuk marrin pjesë në festa që s’i pëlqejnë Jehovait. Megjithatë, secili duhet të vendosë në bazë të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla se si t’i përballojë disa situata gjatë festave. Le të shohim disa shembuj.

  • Dikush të thotë: «Gëzuar festën!» Thjesht mund të thuash «faleminderit». Nëse ai kërkon më shumë informacion, mund t’i shpjegosh pse nuk e feston atë festë.

  • Bashkëshorti, që nuk është Dëshmitar i Jehovait, të kërkon të shkoni për drekë ose darkë te të afërmit gjatë një feste. Nëse ndërgjegjja të lejon të shkosh, mund t’i shpjegosh përpara se nuk do të marrësh pjesë në zakonet pagane që mund të përfshihen gjatë vaktit. b

  • Me rastin e festave, punëdhënësi të ofron një shpërblim. A duhet ta refuzosh? Jo medoemos. A e sheh punëdhënësi yt shpërblimin si pjesë të festës apo thjesht si një mënyrë për të shprehur vlerësimin për punën tënde të mirë?

  • Dikush të jep një dhuratë në periudhë festash. Mund të të thotë: «E di që ti nuk e feston këtë festë, por kam qejf që të ta jap këtë dhuratë.» Mbase personi e bën nga zemra. Por a ke dyshime se po të ngre një grackë, duke të vënë në provë besimin ose duke të përfshirë në kremtimin e festës? Pasi ta kesh menduar mirë, të takon ty të vendosësh nëse do ta pranosh apo jo dhuratën. Çfarëdo vendimi të marrim, dëshirojmë të kemi një ndërgjegje të pastër dhe t’i qëndrojmë besnikë Jehovait.​—Veprat 23:1.

Kthehu në mësimin 44, pika 1

 6. Sëmundjet ngjitëse

Ngaqë i duam njerëzit, tregohemi shumë të kujdesshëm që të mos u transmetojmë sëmundje ngjitëse. Kjo vlen qoftë kur e dimë se kemi një sëmundje ngjitëse, qoftë kur dyshojmë se mund të jemi mbartës të saj. Veprojmë kështu sepse Bibla na urdhëron: «Duaje të afërmin tënd si veten.»​—Romakëve 13:8-10.

Por, si mund t’i bindemi këtij urdhri në mënyrë praktike? Një person me sëmundje ngjitëse duhet të shmangë kontaktet fizike me të tjerët dhe shprehje të tilla përzemërsie, si përqafime ose puthje. Ai nuk duhet të mërzitet nëse dikush nuk e fton në shtëpinë e vet, ngaqë ka merak për familjen. Para se të pagëzohet, duhet të vërë në dijeni koordinatorin e trupit të pleqve për sëmundjen e tij në mënyrë që të merren masa për të mbrojtur edhe të tjerët që do të pagëzohen. Para se të nisë një lidhje, dikush që mund të jetë ekspozuar ndaj një sëmundjeje ngjitëse, duhet të marrë iniciativën për të bërë analizat e gjakut. Kur veprojmë kështu, tregojmë se kemi merak për të tjerët, ‘duke mos kërkuar vetëm interesat tona, por edhe të të tjerëve’.​—Filipianëve 2:4.

Kthehu në mësimin 56, pika 2

 7. Marrëveshjet e biznesit dhe çështjet ligjore

Kur hedhim me shkrim çfarëdo marrëveshjeje financiare që bëjmë me të tjerët​—madje edhe me bashkëbesimtarët tanë—​mund të shmangim shumë probleme. (Jeremia 32:9-12) Prapëseprapë, me raste mund të lindin mosmarrëveshje të vogla mes vëllezërve e motrave për paratë ose për çështje të tjera. Nga ata pritet që t’i zgjidhin këto mosmarrëveshje privatisht, sa më shpejt dhe në mënyrë paqësore.

Po kur kemi të bëjmë me çështje më serioze, siç janë mashtrimi dhe shpifja? (Lexo Mateun 18:15-17.) Jezui na tha të ndiqnim këta tre hapa:

  1. Përpiqu ta zgjidhësh problemin vetëm për vetëm me personin tjetër.​—Shih vargun 15.

  2. Nëse kjo nuk e zgjidh problemin, merr me vete një ose dy persona të pjekur nga kongregacioni.​—Shih vargun 16.

  3. Nëse situata nuk është zgjidhur ende, vetëm atëherë mund të kërkosh ndërhyrjen e pleqve.​—Shih vargun 17.

Në shumicën e rasteve nuk duhet t’i çojmë vëllezërit në gjyq, sepse kjo mund të hedhë baltë mbi reputacionin e Jehovait dhe të kongregacionit. (1 Korintasve 6:1-8) Megjithatë, mund të jetë e nevojshme që disa situata të zgjidhen në rrugë ligjore, si për shembull: divorci, kujdestaria e fëmijëve, mbështetja financiare në rast divorci, kërkesat për mbulim nga sigurimet, falimentimet ose njohja e testamenteve. Një i krishterë që i zgjidh çështje të tilla në gjyq në mënyrë sa më paqësore, nuk po shkel këshillat e Biblës.

Nëse bëhet fjalë për krime të rënda​—të tilla si përdhunimi, abuzimi me fëmijët, dhuna fizike, vjedhjet e mëdha ose vrasjet—​një i krishterë që i denoncon te organet shtetërore, nuk po shkel këshillat e Biblës.

Kthehu në mësimin 56, pika 3

a Nga viti 455 p.e.s. deri në vitin 1 p.e.s. janë 454 vjet. Nga viti 1 p.e.s. në vitin 1 të e.s. është një vit (nuk ka vit zero). Dhe, nga viti 1 i e.s. deri në vitin 29 të e.s. janë 28 vjet. Nëse i mbledhim, shuma e tyre del 483 vjet.

b Ky parim zbatohet njëlloj për të dy bashkëshortët.