Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai është më i madh se zemra jonë

Jehovai është më i madh se zemra jonë

Jehovai është më i madh se zemra jonë

«JEHOVAI gjen kënaqësi tek ata që i druhen»,​—shkroi psalmisti. Në fakt, Krijuesi gëzohet kur vëren secilin nga shërbëtorët e tij njerëzorë që përpiqet të mbajë lart normat e tij të drejta. Perëndia i bekon ata që i qëndrojnë besnikë, i inkurajon dhe i ngushëllon në kohë dëshpërimi. Ai e di se adhuruesit e tij janë të papërsosur, prandaj është realist në atë që pret prej tyre.​—Psalmi 147:11, BR.

Ndoshta nuk e kemi të vështirë të besojmë se Jehovai ka shumë dashuri për shërbëtorët e tij në përgjithësi. Megjithatë, duket se disa janë kaq shumë të shqetësuar për të metat e tyre, saqë janë të bindur se Jehovai nuk mund t’i dojë kurrë. «Jam tepër i papërsosur, që Jehovai të më dojë»,​—mund të nxjerrin ata si përfundim. Sigurisht, që të gjithë kemi ndjenja negative herë pas here. Por, disa duket se bëjnë vazhdimisht luftë kundër ndjenjave të pavlefshmërisë.

Ndjenja brengosjeje

Në kohët biblike, disa individë besimplotë vuajtën nga ndjenjat e brengosjes së rëndë. Jobi e urreu jetën dhe mendoi se Perëndia e kishte braktisur. Ana, e cila u bë nëna e Samuelit, për njëfarë kohe ishte shumë e shqetësuar ngaqë ishte shterpë, ndaj edhe qante me lot të hidhur. Davidi u ndie «i kërrusur dhe i dëshpëruar» dhe Epafroditi ishte i shqetësuar sepse lajmi për sëmundjen e tij i kishte pikëlluar vëllezërit.​—Psalmi 38:6; 1. Samuelit 1:7, 10; Jobi 29:2, 4, 5; Filipianëve 2:25, 26.

Ç’të themi për të krishterët sot? Ndoshta sëmundjet, mosha e thyer ose rrethana të tjera personale i pengojnë disa që të bëjnë aq sa do të dëshironin në shërbimin e shenjtë. Kjo mund t’i bëjë ata të nxjerrin përfundimin se po zhgënjejnë Jehovain dhe bashkëbesimtarët e tyre. Ose, disa mund t’ia vënë vazhdimisht fajin vetes për gabimet e së kaluarës, duke vënë në dyshim se Jehovai i ka falur. Ndoshta të tjerë, që kanë pasur rrethana të vështira familjare, janë të bindur se nuk janë të denjë që dikush t’i dojë. Si është e mundur kjo?

Disa rriten në familje ku fryma mbizotëruese nuk është dashuria, por egoizmi, sarkazma dhe frika. Ata mund të mos arrijnë kurrë të njohin një baba që i do thellësisht; që kërkon mundësi për t’i lavdëruar dhe për t’i inkurajuar; që i kalon pa vënë re gabimet e vogla dhe është gati të falë gabimet edhe më të mëdha e që përzemërsia e të cilit e bën gjithë familjen të ndihet e sigurt. Meqë nuk kanë pasur kurrë një baba të dashur njerëzor, ata mund ta kenë të vështirë të kuptojnë çfarë do të thotë të kenë një Atë të dashur qiellor.

Për shembull, Fritsi shkruan: «Fëmijëria dhe rinia ime u ndikuan shumë nga mënyra jo e dashur se si sillej babai im. * Nuk na jepte kurrë ndonjë lavdërim dhe nuk jam ndier kurrë i afërt me të. Në fakt, për pjesën më të madhe të kohës e kisha frikë.» Si rezultat, Fritsi, i cili tani është në të pesëdhjetat, ka akoma ndjenja pavlefshmërie. Po ashtu, Margaret shpjegon: «Prindërit e mi ishin të ftohtë e jo të dashur. Kur fillova të studioja Biblën, e kisha të vështirë të imagjinoja se si është një atë i dashur.»

Ndjenja të tilla, për çfarëdolloj arsyeje, mund të nënkuptojnë se shërbimi që i bëjmë Perëndisë disa herë motivohet jo kryesisht nga dashuria, por në një masë të madhe nga ndjenja e fajit ose e frikës. Edhe pse mund të bëjmë më të mirën tonë, ajo nuk na duket asnjëherë mjaft e mirë. Dëshira për t’i pëlqyer Jehovait dhe bashkëbesimtarëve mund të na bëjë të ndihemi të stresuar përtej kufijve. Për pasojë, mund të mos i arrijmë dot synimet që kemi, t’ia vëmë fajin vetes dhe të ndihemi të shkurajuar.

Çfarë mund të bëhet? Ndoshta kemi nevojë t’i kujtojmë vetes sa zemërgjerë është Jehovai. Një person që e kuptoi këtë aspekt të dashur të personalitetit të Perëndisë ishte apostulli Gjon.

«Perëndia është më i madh se zemra jonë»

Në fund të shekullit të parë të e.s., Gjoni u shkroi bashkëbesimtarëve të tij: «Nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t’i bindim [t’i sigurojmë, BR] zemrat tona para atij; sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë.» Përse i shkroi Gjoni këto fjalë?​—1. Gjonit 3:19, 20.

Gjoni e kishte të qartë se ndoshta një shërbëtor i Jehovait mund të ndiente që zemra e tij e dënonte. Ndoshta vetë Gjoni kishte përjetuar ndjenja të tilla. Disa herë Jezu Krishti e kishte korrigjuar Gjonin, kur ky ishte një i ri me temperament të zjarrtë, sepse ishte tepër i ashpër në marrëdhëniet me të tjerët. Në fakt, Jezui i dha Gjonit dhe Jakovit, vëllait të tij, «emrin Boanerges, që do të thotë: ‘Bij të bubullimës’».​—Marku 3:17; Luka 9:49-56.

Gjatë 60 vjetëve që pasuan, Gjoni u zbut dhe u bë një i krishterë i ekuilibruar, i dashur dhe i mëshirshëm. Në kohën kur shkroi letrën e tij të parë të frymëzuar (ishte apostulli i fundit që kishte mbetur), ai e dinte se Jehovai nuk u kërkon shërbëtorëve të tij, një më një, të japin llogari për çdo gabim të vogël. Përkundrazi, është një Atë i përzemërt, zemërgjerë, bujar e i dhembshur, i cili ka dashuri të thellë për të gjithë ata që e duan dhe që e adhurojnë në të vërtetën. Gjoni shkroi: «Perëndia është dashuri.»​—1. Gjonit 4:8.

Jehovain e gëzon shërbimi që i bëjmë

Perëndia i di dobësitë dhe të metat tona të trashëguara dhe i merr parasysh ato. «Ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron se jemi pluhur»,​—shkroi Davidi. Jehovai e kupton ndikimin që ka ambienti ku jemi rritur në formimin tonë. Në fakt, ai na njeh shumë më mirë sesa e njohim ne veten.​—Psalmi 103:14.

Ai e di se shumë nga ne do të donin të ishin ndryshe nga ç’janë, por nuk janë në gjendje të kapërcejnë papërsosmëritë. Situata jonë mund të krahasohet me atë të apostullit Pavël, i cili shkroi: «Të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj.» Të gjithë ne bëjmë të njëjtën luftë. Në disa raste, kjo mund të sjellë si pasojë që zemra jonë të na dënojë.​—Romakëve 7:19.

Gjithmonë kujtoni këtë: më e rëndësishme nuk është si e konsiderojmë ne veten tonë, por si na konsideron Jehovai. Sa herë që na sheh se po përpiqemi t’i pëlqejmë, ai reagon jo thjesht me një ndjenjë të zbehtë kënaqësie, por duke u gëzuar. (Fjalët e urta [Proverbat] 27:11) Edhe pse ajo që arrijmë ne mund të duket relativisht e vogël në sytë tanë, gatishmëria dhe motivi i mirë që kemi e kënaqin atë. Ai sheh përtej asaj që arrijmë të bëjmë, dallon atë që dëshirojmë të bëjmë dhe është i vetëdijshëm për dëshirat e synimet tona. Jehovai mund të na e lexojë zemrën.​—Jeremia 12:3; 17:10.

Për shembull, shumë Dëshmitarë të Jehovait janë nga natyra njerëz të ndrojtur e të rezervuar, që parapëlqejnë të mos tërheqin vëmendjen e të tjerëve. Për këta persona, të predikojnë lajmin e mirë nga shtëpia në shtëpi mund të jetë një sfidë shkurajuese. Megjithatë, të nxitur nga dëshira për t’i shërbyer Perëndisë dhe për të ndihmuar të afërmin, edhe personat e ndrojtur mësojnë t’u afrohen njerëzve të tjerë dhe t’u flasin për Biblën. Ata mund të mendojnë se bëjnë pak gjë dhe kjo mund t’ua heqë gëzimin. Zemra e tyre mund t’u thotë se shërbimi publik që bëjnë nuk vlen fare. Por Jehovai patjetër gëzohet për përpjekjet e mëdha që bëjnë këta persona në shërbim. Për më tepër, ata nuk mund të jenë të sigurt se kur dhe ku do të mbijnë, do të rriten dhe do të japin fryt farat e së vërtetës që kanë mbjellë.​—Predikuesi (Eklisiastiu) 11:6; Marku 12:41-44; 2. Korintasve 8:12.

Dëshmitarë të tjerë vuajnë nga shëndeti i dobët i vazhdueshëm ose janë duke u plakur. Për ta, prania rregullisht në mbledhje në Sallën e Mbretërisë mund të jetë e shoqëruar me dhimbje dhe ankth. Duke dëgjuar një fjalim për veprën e predikimit, atyre mund t’u vijë ndër mend ajo që bënin më përpara dhe që dëshirojnë akoma ta bëjnë, edhe pse dobësitë i pengojnë. Këta persona mund të kenë ndjenja faji sepse nuk kanë mundësi të ndjekin këshillat, siç do të kishin dashur. Megjithatë, Jehovai patjetër e çmon besnikërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre. Për sa kohë që mbeten besnikë, ai nuk e harron kurrë atë që kanë bërë me besim të plotë.​—Psalmi 18:25; 37:28.

«T’i sigurojmë zemrat tona»

Në kohën kur Gjoni arriti moshën e pleqërisë, duhet të ketë kuptuar shumë gjëra lidhur me zemërgjerësinë e Perëndisë. Kujtoni se ai shkroi: «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë.» Më tej, Gjoni na inkurajoi «t’i sigurojmë zemrat tona». Çfarë donte të thoshte ai me këto fjalë?

Sipas një fjalori, Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words, folja greke e përkthyer «siguroj» do të thotë «të përdorësh artin e bindjes, t’i mbushësh mendjen ose të fitosh dikë, të bindësh». Me fjalë të tjera, për ta siguruar zemrën tonë, duhet ta fitojmë atë, ta bindim që të besojë se Jehovai na do. Si mund ta bëjmë këtë?

Fritsi, i përmendur më parë në këtë artikull, ka shërbyer si plak në një nga kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait për më shumë se 25 vjet dhe ka parë se me anë të studimit personal, zemra e tij mund të sigurohet për dashurinë e Jehovait. «Biblën dhe botimet tona i studioj rregullisht e me kujdes. Kjo më ndihmon që të mos jetoj me të kaluarën, por të mbaj një pamje të qartë të së ardhmes sonë të mrekullueshme. Disa herë, e kaluara më pushton dhe filloj të mendoj se Perëndia nuk mund të më dojë kurrë. Por, në përgjithësi, kam parë se studimi i rregullt ma forcon zemrën, ma shton besimin dhe më ndihmon të mbaj gëzimin dhe ekuilibrin.»

Vërtet, leximi i Biblës dhe meditimi rreth saj mund të mos e ndryshojë gjendjen tonë aktuale. Gjithsesi, mund të ndryshojë mënyrën se si e shohim ne gjendjen ku jemi. Nëse i çojmë në zemër mendimet nga Fjala e Perëndisë, kjo do të na ndihmojë të mendojmë si mendon ai. Për më tepër, studimi na jep mundësi të rritim kuptueshmërinë për zemërgjerësinë e Perëndisë. Gradualisht, mund të arrijmë të pranojmë se Jehovai nuk na e vë fajin neve për ambientin e fëmijërisë sonë dhe nuk na e vë fajin për dobësitë tona fizike. Ai e di se barrët që mbajnë shumë prej nesh​—qofshin këto emocionale ose fizike​—shpesh nuk i kemi krijuar ne vetë, dhe me dashuri e merr parasysh këtë.

Po Margaret, e cila u përmend më sipër? Kur arriti të njohë Jehovain, studimi i Biblës i solli mjaft dobi edhe asaj. Ashtu si Fritsi, asaj iu desh të rishikonte imazhin që kishte në mend për një baba. Lutja e ndihmoi Margaretën që të lidhte me njëra-tjetrën gjërat që kishte mësuar nëpërmjet studimit. «Sa për fillim, e konsideroja Jehovain si një mik të ngushtë, meqë kisha më shumë përvojë me miq të dashur, sesa me një atë të dashur. Gradualisht, mësova t’ia zbrazja ndjenjat, dyshimet, ankthet dhe shqetësimet e mia Jehovait. Bisedoja vazhdimisht me të në lutje e në të njëjtën kohë bashkoja me njëra-tjetrën të gjitha gjërat e reja që po mësoja për të, si të ishin pjesë të një mozaiku. Pas disa kohësh, ndjenjat për Jehovain u rritën në masë të tillë që tani rrallëherë e kam të vështirë ta konsideroj atë si Ati im i dashur»,​—thotë Margaret.

Na çliron nga çdo ankth

Për sa kohë të zgjatë ky sistem i lig e i vjetër, askush nuk mund të shpresojë të jetë i lirë nga ankthet. Për disa të krishterë, kjo do të thotë se ndjenjat e ankthit ose të dyshimit për veten mund të përsëriten dhe t’u shkaktojnë dëshpërim. Por mund të jemi të sigurt se Jehovai i njeh motivet e mira që kemi dhe mundin që bëjmë në shërbim të tij. Ai nuk do ta harrojë kurrë dashurinë që tregojmë për emrin e tij.​—Hebrenjve 6:10.

Në tokën e re që po afrohet, nën Mbretërinë Mesianike, të gjithë njerëzit besimplotë mund të presin të çlirohen nga barrët e sistemit të Satanait. Çfarë lehtësimi që do të jetë! Atëherë do të shohim akoma më shumë dëshmi se sa zemërgjerë është Jehovai. Deri atëherë, le të jemi të gjithë të sigurt se «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë»!​—1. Gjonit 3:20.

[Shënimi]

^ par. 8 Emrat janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 30]

Jehovai nuk është një tiran i ashpër, por një Atë i përzemërt, zemërgjerë dhe i dhembshur

[Figura në faqen 31]

Studimi i Fjalës së Perëndisë na ndihmon të mendojmë si mendon ai