Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbretëria e Perëndisë sundimi i ri i tokës

Mbretëria e Perëndisë sundimi i ri i tokës

Mbretëria e Perëndisë sundimi i ri i tokës

«Mbretëria . . . do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pacaktuara.»​—DANIELI 2:44, BR.

1. Çfarë sigurie mund të na japë Bibla?

BIBLA përmban atë që Perëndia u ka zbuluar njerëzve. Apostulli Pavël shkroi: «Kur e morët fjalën e Perëndisë që dëgjuat nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë.» (1 Selanikasve 2:13) Bibla përmban atë që duhet të dimë për Perëndinë: informacione rreth personalitetit, qëllimeve dhe rreth kërkesave të tij për ne. Ka këshillat më të mira për jetën familjare dhe për sjelljen e përditshme. Tregon me hollësi profeci që u përmbushën në të kaluarën, që po përmbushen tani dhe që do të përmbushen në të ardhmen. Po, «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë».​—2 Timoteut 3:16, 17.

2. Si e theksoi Jezui temën e Biblës?

2 Me rëndësi kryesore në Bibël është tema e saj: shfajësimi i sovranitetit të Perëndisë (i të drejtës së tij për të sunduar) me anë të Mbretërisë së tij qiellore. Për Jezuin, kjo ishte pika kryesore e shërbimit të tij. «Jezui nisi të predikonte e të thoshte: ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.’» (Mateu 4:17) Ai tregoi çfarë vendi duhet të ketë ajo në jetën tonë, duke na nxitur: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij.» (Mateu 6:33) Gjithashtu, tregoi sa e rëndësishme është kjo mbretëri, duke i mësuar ithtarët e tij që t’i luten Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.»​—Mateu 6:10.

Sundimi i ri i tokës

3. Përse Mbretëria e Perëndisë ka rëndësi të dorës së parë për ne?

3 Përse Mbretëria e Perëndisë është kaq me rëndësi për njerëzit? Sepse, së shpejti, do të ndërmarrë një veprim që do ta ndryshojë përgjithmonë sundimin e kësaj toke. Profecia e Danielit 2:44 thotë: «Në ditët e atyre mbretërve [që sundojnë tani në tokë], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri [një qeveri në qiell] që nuk do të çohet kurrë në rrënim. Dhe vetë mbretëria nuk do t’i kalohet asnjë populli tjetër. Ajo do t’i thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [qeverive tokësore] dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pacaktuara.» (BR) Kur Mbretëria qiellore e Perëndisë të sundojë plotësisht, njerëzit nuk do ta kontrollojnë kurrë më tokën. Sundimi njerëzor, përçarës e që lë për të dëshiruar, do të jetë përgjithmonë gjë e së kaluarës.

4, 5. (a) Përse Jezui është personi më i kualifikuar për të qenë Mbret i Mbretërisë? (b) Çfarë caktimi do të ketë Jezui në të ardhmen e afërt?

4 Sundimtari Kryesor në Mbretërinë qiellore, nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Jehovait, është personi më i kualifikuar, Krishti Jezu. Para se të vinte në tokë, ai ekzistonte në qiell si ‘kryemjeshtri’ i Perëndisë, duke qenë i pari i gjithë krijimeve të Perëndisë. (Fjalët e urta 8:22-31, BR) «Ai është shëmbëlltyra e Perëndisë të padukshëm, i parëlinduri i gjithë krijimit; sepse me anë të tij u krijua gjithçka tjetër në qiej dhe mbi tokë.» (Kolosianëve 1:15, 16) Gjithashtu, kur Perëndia e dërgoi në tokë, Jezui bëri gjithnjë vullnetin e Perëndisë. Duroi, madje, edhe sprovën më të vështirë dhe vdiq duke i qëndruar besnik Atit të tij.​—Gjoni 4:34; 15:10.

5 Për besnikërinë që tregoi ndaj Perëndisë deri në pikën e vdekjes, Jezui u shpërblye. Perëndia e ringjalli në qiell dhe i dha të drejtën për të qenë Mbret i Mbretërisë qiellore. (Veprat 2:32-36) Si Mbreti i Mbretërisë, Krishti Jezu do të ketë caktimin e mrekullueshëm nga Perëndia për të udhëhequr morinë e krijesave të fuqishme frymore, me qëllim që ta heqin sundimin njerëzor nga toka dhe ta çlirojnë globin tonë nga e gjithë ligësia. (Fjalët e urta 2:21, 22; 2 Selanikasve 1:6-9; Zbulesa 19:11-21; 20:1-3) Atëherë, Mbretëria qiellore e Perëndisë, nën drejtimin e Krishtit, do të jetë autoriteti i ri sundues, e vetmja qeveri në të gjithë tokën.​—Zbulesa 11:15.

6. Çfarë lloj sundimi mund të presim nga Mbreti i Mbretërisë?

6 Në Fjalën e Perëndisë thuhet për Sundimtarin e ri të tokës: «Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t’i shërbenin.» (Danieli 7:14) Duke qenë se Jezui do të imitojë dashurinë e Perëndisë, nën sundimin e tij do të ketë shumë paqe dhe lumturi. (Mateu 5:5; Gjoni 3:16; 1 Gjonit 4:7-10) «Rritja e qeverisë së tij dhe paqja nuk do të kenë fund, . . . për ta mbështetur me drejtësi dhe të drejtë.» (Isaia 9:7, Revised Standard Version) Çfarë bekimi që do të jetë të kemi një Sundimtar që sundon me dashuri, drejtësi dhe të drejtë! Kështu, te 2 Pjetrit 3:13 parathuhet: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj [Mbretërinë qiellore të Perëndisë] e një tokë të re [një shoqëri të re tokësore] dhe në ta ka për të banuar drejtësia.»

7. Si po përmbushet sot Mateu 24:14?

7 Patjetër, Mbretëria e Perëndisë është lajmi më i mirë për të gjithë ata që e duan të drejtën. Ja përse, si pjesë e shenjës se tani jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi të lig, Jezui paratha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (2 Timoteut 3:1-5; Mateu 24:14) Kjo profeci po përmbushet tani, ndërsa afro gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait në 234 vende dedikojnë më shumë se një miliard orë në vit duke u folur të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Në mënyrë të përshtatshme, secili nga vendet e adhurimit për rreth 90 000 kongregacionet anembanë botës quhet Sallë e Mbretërisë. Atje, njerëzit mësojnë për qeverinë e re që do të vijë.

Bashkësundimtarë

8, 9. (a) Nga vijnë bashkësundimtarët e Jezuit? (b) Çfarë sigurie mund të kemi në sundimin e Mbretit dhe të bashkësundimtarëve të tij?

8 Në Mbretërinë qiellore të Perëndisë, së bashku me Krishtin Jezu do të ketë edhe bashkësundimtarë. Zbulesa 14:1-4 paratha se 144 000 persona do të ‘bliheshin nga mesi i njerëzimit’ dhe do të ringjalleshin në jetën qiellore. Ndër ta përfshihen burra dhe gra, të cilët i shërbyen me përulësi Perëndisë dhe njerëzve, në vend që të tjerët t’u shërbenin atyre. «Ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të sundojnë si mbretër me të për një mijë vjetët.» (Zbulesa 20:6) Numri i tyre është shumë më i vogël se ‘shumica e madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’, e cila do të mbijetojë në fundin e këtij sistemi. Edhe këta i bëjnë «shërbim të shenjtë ditë e natë» Perëndisë, por nuk kanë thirrjen qiellore. (Zbulesa 7:9, 15) Ata formojnë bërthamën e tokës së re si nënshtetas të Mbretërisë qiellore të Perëndisë.​—Psalmi 37:29; Gjoni 10:16.

9 Kur zgjodhi ata që do të sundonin me Krishtin në qiell, Jehovai zgjodhi njerëz besimplotë që i kishin provuar të gjitha problemet e jetës. Nuk ka pothuajse asgjë që të kenë kaluar njerëzit, e që këta mbretër-priftërinj të mos e kenë përjetuar gjithashtu. Prandaj, jeta që kanë kaluar në tokë do t’ua shtojë edhe më shumë aftësinë për të sunduar mbi njerëzit. Edhe vetë Jezui «mësoi bindjen nga ato që vuajti». (Hebrenjve 5:8) Apostulli Pavël tha për të: «Ne kemi si kryeprift, jo një njeri që nuk bashkohet dot me ndjenjat tona në dobësitë që kemi, por dikë që është sprovuar në çdo aspekt si ne, por pa mëkat.» (Hebrenjve 4:15) Sa ngushëlluese është të dimë se në botën e re të drejtë të Perëndisë, njerëzit do të sundohen nga mbretër dhe priftërinj të dashur e që bashkohen me ndjenjat e tyre!

A ishte Mbretëria në qëllimin e Perëndisë?

10. Përse Mbretëria qiellore nuk ishte pjesë e qëllimit fillestar të Perëndisë?

10 A ishte Mbretëria qiellore pjesë e qëllimit fillestar të Perëndisë, kur krijoi Adamin dhe Evën? Në tregimin e krijimit, që e gjejmë te Zanafilla, nuk përmendet ndonjë Mbretëri që do të sundonte mbi njerëzimin. Vetë Jehovai ishte Sundimtari i tyre dhe, për sa kohë që do t’i bindeshin, nuk do të kishte nevojë për ndonjë sundim tjetër. Kapitulli 1 i Zanafillës tregon se ishte Jehovai, ndoshta nëpërmjet Birit të tij të parëlindur qiellor, ai që komunikonte me Adamin dhe Evën. Tregimi përdor shprehje të tilla, si «Perëndia u tha atyre» dhe «Perëndia vazhdoi t’u thoshte».​—Zanafilla 1:28, 29, BR; Gjoni 1:1

11. Çfarë fillimi të përsosur pati njerëzimi?

11 Bibla thotë: «Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.» (Zanafilla 1:31) Çdo gjë në kopshtin e Edenit ishte krejtësisht e përsosur. Adami dhe Eva jetonin në një parajsë. Kishin mendje të përsosur dhe trupa të përsosur. Mund të komunikonin me Bërësin e tyre dhe ai me ta. Gjithashtu, duke qëndruar besnikë, ata do të kishin fëmijë të përsosur. Nuk do të kishte pasur nevojë për një qeveri të re qiellore.

12, 13. Ndërsa njerëzimi i përsosur shtohej, përse Perëndia do të kishte qenë ende në gjendje të komunikonte me ta?

12 Si do të komunikonte Perëndia me të gjithë njerëzit, ndërsa familja njerëzore do të shtohej? Vini re yjet e qiellit. Ato janë të grupuara së bashku në universe-ishuj të quajtura galaktika. Disa galaktika përmbajnë një miliard yje. Të tjera përmbajnë rreth një trilion yje. Gjithashtu, shkencëtarët përllogaritin se në universin e vrojtueshëm ekzistojnë rreth 100 miliardë galaktika! Gjithsesi, Krijuesi thotë: «Ngrini sytë tuaj përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon.»​—Isaia 40:26.

13 Meqë Perëndia mund të ketë nën mbikëqyrje tërë këta trupa qiellorë, patjetër që për të nuk do të kishte asnjë problem të kishte nën mbikëqyrje një numër shumë më të vogël njerëzish. Edhe tani, miliona shërbëtorë i luten çdo ditë Atij. Këto lutje mbërrijnë menjëherë te Perëndia. Prandaj, komunikimi me të gjithë njerëzit e përsosur nuk do të kishte paraqitur asnjë problem për të. Nuk do t’i ishte dashur një Mbretëri qiellore që t’i kishte nën mbikëqyrje ata. Çfarë rregullimi i mrekullueshëm: të kesh Jehovain si Sundimtar, të kesh mundësi t’i drejtohesh drejtpërdrejt atij dhe të kesh perspektivën për të mos vdekur kurrë, për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore!

«Nuk i përket njeriut»

14. Përse njerëzit do të kenë nevojë përgjithmonë për sundimin e Jehovait?

14 Megjithatë, njerëzit, qoftë edhe të përsosur, do të kishin nevojë përgjithmonë për sundimin e Jehovait. Përse? Sepse Jehovai nuk i krijoi me aftësinë për t’ia dalë mbanë me sukses duke qenë të pavarur nga sundimi i tij. Ky është një ligj i njerëzimit, siç e pranoi profeti Jeremia: «Mirë e di unë, o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket udha e tij. Nuk i përket njeriut që ecën as të drejtojë hapin e tij. Më korrigjo, o Jehova.» (Jeremia 10:23, 24, BR) Do të ishte e pamend që njerëzit të mendonin se mund ta rregullonin me sukses shoqërinë njerëzore pa u sunduar nga Jehovai. Do të ishte në kundërshtim me mënyrën si ishin bërë. Pa dyshim, pavarësia nga sundimi i Jehovait do të sillte si përfundim egoizëm, urrejtje, mizori, dhunë, luftëra dhe vdekje. ‘Njeriu do të sundonte mbi një tjetër për ta dëmtuar.’​—Predikuesi 8:9.

15. Çfarë pasojash erdhën nga zgjedhja e gabuar që bënë prindërit tanë të parë?

15 Mjerisht, prindërit tanë të parë nxorën përfundimin se nuk kishin nevojë për Perëndinë si Sundimtarin e tyre dhe zgjodhën të jetonin të pavarur nga ai. Rrjedhimisht, Perëndia nuk i ruajti më në përsosmëri. Tani ata ishin si një pajisje elektrike e shkëputur nga burimi i energjisë. Prandaj, me kalimin e kohës, energjia do t’u pakësohej dhe do të pushonin: do të vdisnin. Ata u bënë si një kallëp me defekt dhe kjo gjendje ishte gjithçka që mund t’u kalonin pasardhësve të tyre. (Romakëve 5:12) «Shkëmbi [Jehovai], vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. . . . Ata janë korruptuar; nuk janë bij të tij, për shkak të fajit të tyre.» (Ligji i përtërirë 32:4, 5) Është e vërtetë se Adami dhe Eva u ndikuan nga krijesa frymore rebele që u bë Satana, por ata kishin mendje të përsosur dhe mund t’i kishin hedhur poshtë sugjerimet e tij të gabuara.​—Zanafilla 3:1-19; Jakovit 4:7.

16. Si dëshmon historia për pasojat e pavarësisë nga Perëndia?

16 Historia përmban dëshmi të bollshme për pasojat që solli pavarësia nga Perëndia. Për mijëra vjet, njerëzit kanë provuar çdo formë qeverie njerëzore, çdo sistem ekonomik dhe shoqëror. E megjithatë, ligësia vazhdon të ‘shkojë keq e më keq’. (2 Timoteut 3:13) Shekulli i 20-të e provoi këtë. Ai ishte i mbushur me urrejtje mizore dhe me dhunën, luftërat, urinë, varfërinë dhe me vuajtjet më të mëdha se çdo periudhë tjetër në histori. Gjithashtu, pavarësisht nga përparimet mjekësore që janë bërë, herët a vonë të gjithë vdesin. (Predikuesi 9:5, 10) Duke u përpjekur t’i drejtojnë vetë hapat e tyre, njerëzit kanë lejuar që të bëhen pre e Satanait dhe e demonëve të tij, deri aty sa Bibla e quan Satanain «perëndia i këtij sistemi».​—2 Korintasve 4:4.

Dhurata e vullnetit të lirë

17. Si duhej përdorur dhurata e vullnetit të lirë që dha Perëndia?

17 Përse i lejoi Jehovai njerëzit që të ishin të pavarur? Sepse i krijoi me dhuratën e mrekullueshme të vullnetit të lirë, që është aftësia e lirisë së zgjedhjes. «Atje ku është fryma e Jehovait, atje është liria»,​—tha apostulli Pavël. (2 Korintasve 3:17) Askush nuk dëshiron të jetë si robot, duke pasur dikë tjetër që të vendosë çdo sekondë të ditës çfarë duhet të thotë e të bëjë. Por, Jehovai u kërkoi njerëzve që ta përdornin me përgjegjësi atë dhuratë të vullnetit të lirë, të kuptonin sa e mençur ishte të bënin vullnetin e tij dhe të mbeteshin të nënshtruar ndaj tij. (Galatasve 5:13) Prandaj, liria nuk do të ishte absolute, sepse kjo do të sillte si përfundim anarkinë. Ajo duhej të rregullohej brenda kufijve të ligjeve mirëdashëse të Perëndisë.

18. Çfarë ka treguar Perëndia duke e lejuar njeriun që të ushtrojë zgjedhjen e lirë?

18 Duke e lënë familjen njerëzore që të jetë e pavarur, Perëndia ka treguar, një herë e përgjithmonë, se ne kemi nevojë për sundimin e tij. Mënyra e tij e sundimit, sovraniteti i tij, është e vetmja mënyrë e drejtë. Kjo sjell si rezultat lumturinë, kënaqësinë dhe begatinë më të madhe. Ndodh kështu sepse Jehovai e projektoi mendjen dhe trupin tonë që të funksiononin më së miri kur të ishin në harmoni me ligjet e tij. «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.» (Isaia 48:17) Zgjedhja e lirë brenda kufijve të ligjeve të Perëndisë nuk do të ishte e rëndë, por do të sillte si rezultat një shumëllojshmëri të kënaqshme ushqimi, shtëpish, arti dhe muzike. Po të ushtrohej në mënyrën e duhur, vullneti i lirë do të kishte sjellë si rezultat një jetë të mrekullueshme, gjithnjë mahnitëse, në një tokë parajsore.

19. Cilin mjet përdor Perëndia për t’i pajtuar njerëzit me veten?

19 Por, për shkak të zgjedhjes së tyre të gabuar, njerëzit u larguan nga Jehovai, duke u bërë të papërsosur, duke degjeneruar e duke vdekur. Prandaj, do të duhej që ata të shpengoheshin nga ajo gjendje e trishtueshme dhe të silleshin përsëri në një marrëdhënie të duhur me Perëndinë, si bij e bija të tij. Mjeti që zgjodhi Perëndia për ta kryer këtë është Mbretëria dhe Shpenguesi është Jezu Krishti. (Gjoni 3:16) Nëpërmjet këtij rregullimi, personat që janë vërtet të penduar​—ashtu si biri plëngprishës i ilustrimit të Jezuit​—do të pajtohen me Perëndinë dhe ai do t’i pranojë përsëri si fëmijët e tij.​—Luka 15:11-24; Romakëve 8:21; 2 Korintasve 6:18.

20 Pa dyshim, vullneti i Jehovait do të kryhet në tokë. (Isaia 14:24, 27; 55:11) Me anë të Mbretërisë së tij nën Krishtin, Perëndia do të shfajësojë (të përligjë ose të provojë) plotësisht të drejtën e tij për të qenë Sovrani ynë. Mbretëria do t’i japë fund sundimit njerëzor e demonik mbi këtë tokë dhe vetëm ajo do të sundojë nga qielli për një mijë vjet. (Romakëve 16:20; Zbulesa 20:1-6) Por, gjatë asaj kohe, si do të shfaqet epërsia e mënyrës së sundimit të Jehovait? Veç kësaj, pas një mijë vjetëve, çfarë roli do të ketë Mbretëria? Artikulli vijues do të marrë në shqyrtim këto pyetje.

Pika për rishikim

• Cila është tema e Biblës?

• Kush e përbën sundimin e ri të tokës?

• Përse sundimi njerëzor i pavarur nga Perëndia nuk mund të jetë kurrë i suksesshëm?

• Si duhet ushtruar vullneti i lirë?

[Pyetjet]

20. Si do të përmbushet qëllimi i Perëndisë me anë të Mbretërisë?

[Figura në faqen 10]

Mësimi i Jezuit vuri theksin në sundimin e Perëndisë nëpërmjet Mbretërisë

[Figurat në faqen 12]

Në çdo vend, Dëshmitarët e Jehovait e bëjnë Mbretërinë mësimin e tyre kryesor

[Figurat në faqen 14]

Historia dëshmon për pasojat e këqija të pavarësisë nga Perëndia

[Burimet]

Ushtarë në Luf. I Bot.: Fotografi e Arkivave Kombëtare të SHBA-së; kamp përqendrimi: Oświęcim Museum; fëmijë: FOTO e OKB-së 186156/J. Isaac