Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qëndroni të palëkundur si të shihni Atë që është i padukshëm!

Qëndroni të palëkundur si të shihni Atë që është i padukshëm!

Qëndroni të palëkundur si të shihni Atë që është i padukshëm!

«[Moisiu] qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm.»​—HEBRENJVE 11:27.

1. Cilin pohim të veçantë për Perëndinë bëri Jezui në Predikimin e tij në Mal?

JEHOVAI është Perëndia i padukshëm. Kur Moisiu kërkoi të shihte lavdinë e Jehovait, ai iu përgjigj: «Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë.» (Eksodi [Dalja] 33:20) Gjithashtu, apostulli Gjon shkroi: «Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë.» (Gjoni 1:18) Kur Jezu Krishti ishte njeri në tokë, as ai nuk mund ta shihte Perëndinë. Megjithatë, në Predikimin e tij në Mal, Jezui tha: «Lum ata me zemër të kulluar, pasi ata do ta shohin Perëndinë!» (Mateu 5:8) Çfarë donte të thoshte Jezui?

2. Përse nuk kemi mundësi ta shohim Perëndinë me sytë fizikë?

2 Shkrimet e identifikojnë Jehovain si një Frymë të padukshme. (Gjoni 4:24; Kolosianëve 1:15; 1 Timoteut 1:17) Prandaj, Jezui nuk po thoshte se ne njerëzit mund ta shohim vërtet Jehovain me sytë fizikë. Qartë, të krishterët e mirosur do ta shohin Perëndinë Jehova në qiell, pasi të jenë ringjallur si krijesa frymore. Por, edhe njerëzit që janë «me zemër të kulluar» dhe kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë kanë mundësi ta «shohin» Perëndinë. Si është e mundur kjo?

3. Si mund t’i perceptojnë njerëzit disa nga cilësitë e Perëndisë?

3 Për Jehovain mësojmë diçka duke vërejtur me kujdes gjërat që ka krijuar. Në këtë mënyrë, mund të prekemi thellë nga fuqia e tij dhe të nxitemi ta pranojmë si Perëndinë Krijues. (Hebrenjve 11:3; Zbulesa 4:11) Lidhur me këtë, apostulli Pavël shkroi: «Cilësitë e . . . padukshme [të Perëndisë] shihen qartë qysh prej krijimit të botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij.» (Romakëve 1:20) Pra, ajo që tha Jezui se njerëzit mund ta shohin Perëndinë përfshin aftësinë për të perceptuar disa nga cilësitë e Jehovait. Ky shikim bazohet në njohurinë e saktë dhe perceptohet frymësisht me «sytë e zemrës». (Efesianëve 1:18) Edhe fjalët dhe veprat e Jezuit zbulojnë shumë gjëra për Perëndinë. Prandaj, Jezui tha: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Jezui e pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Jehovait. Kështu, njohuria për jetën dhe mësimet e Jezuit mund të na ndihmojë të shohim ose të perceptojmë disa nga cilësitë e Perëndisë.

Karakteri frymor është jetësor

4. Si e shfaqin shumë veta sot mungesën e karakterit frymor?

4 Sot, besimi dhe karakteri i vërtetë frymor janë vërtet të rrallë. «Besimi nuk zotërohet nga të gjithë»,—tha Pavli. (2 Selanikasve 3:2) Shumë veta janë plotësisht të zhytur në punët e tyre personale dhe nuk besojnë te Perëndia. Sjellja e tyre mëkatare dhe mungesa e karakterit frymor i pengon që ta shohin Perëndinë me sytë e kuptueshmërisë, sepse apostulli Gjon shkroi: «Ai që bën të keqen, nuk e ka parë Perëndinë.» (3 Gjonit 11) Duke qenë se nuk e shohin Perëndinë me sytë fizikë, këta persona veprojnë sikur ai nuk i shikon se çfarë po bëjnë. (Ezekieli 9:9) I përçmojnë gjërat frymore, kështu që nuk mund të fitojnë «vetë njohurinë e Perëndisë». (Proverbat [Fjalët e urta] 2:5, BR) Në mënyrë të përshtatshme, pra, Pavli shkroi: «Një njeri fizik nuk i pranon gjërat e frymës së Perëndisë, sepse për të ato janë marrëzi; dhe ai nuk arrin dot t’i njohë, sepse ato shqyrtohen në mënyrë frymore.»—1 Korintasve 2:14.

5. Për cilin fakt janë të vetëdijshëm njerëzit me mendje frymore?

5 Por, nëse jemi me mendje frymore, do të jemi gjithnjë të vetëdijshëm se, ndonëse Jehovai nuk është një Perëndi që gjen të meta, ai e di kur veprojmë të nisur nga mendime dhe dëshira të gabuara. Në të vërtetë, «rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij». (Fjalët e urta 5:21) Nëse biem në mëkat, jemi të nxitur të pendohemi dhe t’i kërkojmë falje Jehovait, sepse e duam dhe nuk dëshirojmë t’i shkaktojmë dhembje.—Psalmi 78:41; 130:3.

Çfarë na bën të palëkundur?

6. Çfarë do të thotë të jemi të palëkundur?

6 Sado që Jehovai është i padukshëm për sytë tanë, duhet të mbajmë gjithnjë në mend se ai na sheh. Duke qenë të vetëdijshëm për ekzistencën e tij dhe të bindur se ai është afër gjithë atyre që e thërrasin, do të ndihmohemi të qëndrojmë të palëkundur, domethënë të patundur e të paepur në besnikërinë ndaj tij. (Psalmi 145:18) Mund të jemi si Moisiu, për të cilin Pavli shkroi: «Me anë të besimit ai la Egjiptin, por pa iu frikësuar zemërimit të mbretit, sepse qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm.»—Hebrenjve 11:27.

7, 8. Çfarë e bëri Moisiun të ishte i guximshëm para faraonit?

7 Për të plotësuar detyrën që i kishte dhënë Perëndia për t’i nxjerrë izraelitët nga skllavëria egjiptase, Moisiu u paraqit shpesh para faraonit tiran në një oborr mbretëror që gëlonte nga krerë fetarë dhe ushtarakë. Ndoshta, muret e pallatit ishin mbushur me idhuj. Por Jehovai, ndonëse i padukshëm, ishte real për Moisiun, ndryshe nga të gjithë idhujt që përfaqësonin perënditë e pajetë të Egjiptit. Nuk habitemi që Moisiu nuk frikësohej nga faraoni!

8 Çfarë i dha Moisiut guximin për t’u paraqitur disa herë me radhë para faraonit? Shkrimet na thonë se «Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut». (Numrat 12:3) Qartë, karakteri i fortë frymor, si edhe bindja se Perëndia ishte me të, i dha Moisiut forcën e nevojshme për ta përfaqësuar «Atë që është i padukshëm» para mbretit mizor të Egjiptit. Në cilat mënyra, ata që e ‘shohin’ Perëndinë e padukshëm, e shfaqin sot besimin tek ai?

9. Cila është një mënyrë për të qëndruar të palëkundur?

9 Një mënyrë për ta shfaqur besimin dhe për të qëndruar të palëkundur si të shohim Atë që është i padukshëm është duke predikuar me guxim, me gjithë përndjekjen. Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij: «Do të jeni objekt urrejtjeje për të gjithë, për shkak të emrit tim.» (Luka 21:17) Gjithashtu, u tha: «Skllavi nuk është më i madh se Zotëria i tij. Nëse më kanë persekutuar mua, do t’ju persekutojnë edhe ju.» (Gjoni 15:20) Në vërtetim të fjalëve të Jezuit, pak kohë pas vdekjes së tij, ithtarët e tij i përndoqën duke i kërcënuar, arrestuar dhe rrahur. (Veprat 4:1-3, 18-21; 5:17, 18, 40) Megjithëse pati një valë përndjekjeje, apostujt e Jezuit dhe dishepujt e tjerë vazhduan ta predikonin lajmin e mirë me guxim.—Veprat 4:29-31.

10. Si na ndihmon në shërbim siguria që kemi për kujdesin mbrojtës të Jehovait?

10 Ashtu si Moisiu, ithtarët e hershëm të Jezuit nuk frikësoheshin nga armiqtë e tyre të shumtë e të dukshëm. Dishepujt e Jezuit kishin besim te Perëndia dhe, prandaj, ishin në gjendje të duronin përndjekjen e ashpër që patën. Po, ata qëndruan të palëkundur si të shihnin Atë që është i padukshëm. Sot, fakti që jemi vazhdimisht të vetëdijshëm për kujdesin mbrojtës të Jehovait na trimëron, duke na dhënë guxim e duke na bërë të patrembur në veprën e predikimit të Mbretërisë. Në Fjalën e Perëndisë thuhet se «frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar». (Fjalët e urta 29:25) Për pasojë, nuk sprapsemi nga frika e përndjekjes, as nuk na vjen turp për shërbimin tonë. Besimi na nxit t’u dëshmojmë me guxim fqinjëve, shokëve të punës, shokëve të shkollës dhe të tjerëve.—Romakëve 1:14-16.

Ai që është i padukshëm e drejton popullin e tij

11. Sipas Pjetrit dhe Judës, si treguan mungesë karakteri frymor disa që shoqëroheshin me kongregacionin e krishterë?

11 Besimi na ndihmon ta shohim Jehovain si ai që drejton organizatën e tij tokësore. Në këtë mënyrë, shmangim qëndrimin kritik ndaj atyre që kanë marrë përsipër përgjegjësi në kongregacion. Edhe apostulli Pjetër, edhe gjysmëvëllai i Jezuit, Juda, paralajmëruan për disa të cilëve u mungonte kaq shumë karakteri frymor, saqë shanin ata që merrnin drejtimin ndër të krishterët. (2 Pjetrit 2:9-12; Judës 8) A do të kishin folur në atë mënyrë këta kritikues në prani të Jehovait, sikur ai të kishte qenë i dukshëm fizikisht? Vështirë se po! Por, ngaqë Perëndia është i padukshëm, ata njerëz mishorë nuk mbajtën në mend se do të jepnin llogari para tij.

12. Çfarë qëndrimi duhet të shfaqim ndaj atyre që marrin drejtimin në kongregacion?

12 Vërtet, kongregacioni i krishterë përbëhet nga njerëz të papërsosur. Ata që shërbejnë si pleq bëjnë gabime që disa herë mund të na prekin personalisht. Megjithatë, Jehovai po i përdor këta njerëz si barinj të kopesë së tij. (1 Pjetrit 5:1, 2) Burrat dhe gratë me mendje frymore e kuptojnë se ky është një mjet me anë të të cilit Jehovai drejton popullin e tij. Prandaj, si të krishterë, ne shmangim frymën kritike e ankuese dhe tregojmë nderim për rregullimet teokratike të Perëndisë. Duke iu bindur atyre që marrin drejtimin mes nesh, tregojmë se e shohim Atë që është i padukshëm.—Hebrenjve 13:17.

Ta shohim Perëndinë si Mësuesin tonë të Madh

13, 14. Çfarë do të thotë për ju ta shihni Jehovain si Mësuesin e Madh?

13 Ka një fushë tjetër që kërkon perceptim frymor. Isaia profetizoi: «Sytë e tu duhet të bëhen sy që shohin Mësuesin tënd të Madh.» (Isaia 30:20, BR) Duhet besim për ta pranuar se është Jehovai ai që po na mëson nëpërmjet organizatës së tij tokësore. (Mateu 24:45-47) Ta shohim Perëndinë si Mësuesin tonë të Madh do të thotë më tepër sesa të mbajmë shprehi të mira në studimin e Biblës dhe të ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere. Do të thotë të përfitojmë plotësisht nga masat frymore të Perëndisë. Për shembull, duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht udhëheqjes që siguron Jehovai nëpërmjet Jezuit, në mënyrë që të mos na marrë rryma në kuptimin frymor.—Hebrenjve 2:1.

14 Nganjëherë, duhen përpjekje të veçanta për të nxjerrë plotësisht dobi nga ushqimi frymor. Për shembull, mund të kemi prirjen t’i kalojmë shpejt e shpejt disa tregime biblike që e kemi të vështirë t’i kuptojmë. Kur lexojmë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, ndoshta edhe i anashkalojmë fare disa artikuj, sepse argumenti për të cilin flitet aty nuk na intereson në mënyrë të veçantë. Ose mund ta lëmë mendjen që të shpërqendrohet gjatë mbledhjeve të krishtere. Megjithatë, mund të qëndrojmë syhapur nëse arsyetojmë me kujdes rreth pikave që po shqyrtohen. Çmueshmëria e thellë për mësimin frymor që marrim, tregon se e pranojmë Jehovain si Mësuesin tonë të Madh.

Duhet të japim llogari

15. Në ç’mënyrë disa kanë vepruar sikur Jehovai nuk i shihte?

15 Sidomos ngaqë ligësia në këtë ‘kohë të mbarimit’ është kaq e madhe, besimi tek Ai që është i padukshëm është jetësor. (Danieli 12:4) Pandershmëria dhe imoraliteti seksual janë shumë të përhapur. Sigurisht, është e mençur të mbajmë mend se Jehovai i vëren veprimet tona, edhe kur njerëzit nuk na shohin dot. Disa e kanë harruar këtë fakt. Kur të tjerët nuk i shohin, ata mund të kenë një sjellje jobiblike. Për shembull, disa nuk i kanë bërë dot ballë tundimit për të parë zbavitje të dëmshme dhe pornografi në Internet, në televizor e në forma të tjera të teknologjisë moderne. Meqë përfshirja në këto gjëra mund të ndodhë kur jemi vetëm, disa kanë vepruar sikur Jehovai nuk arrinte ta shihte sjelljen e tyre.

16. Çfarë duhet të na ndihmojë që të vihemi në harmoni me normat e larta të Jehovait?

16 Është mirë të mbajmë në mend fjalët e apostullit Pavël: «Secili prej nesh do t’i japë llogari Perëndisë për veten.» (Romakëve 14:12) Duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo herë që mëkatojmë, po mëkatojmë kundër Jehovait. Fakti që e dimë këtë duhet të na ndihmojë për t’u vënë në harmoni me normat e tij të larta dhe për të shmangur sjelljen e papastër. Bibla na kujton: «Nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara tij, por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit kemi për t’i dhënë llogari.» (Hebrenjve 4:13) Është e vërtetë që duhet t’i japim llogari Perëndisë, por, patjetër, është dashuria e thellë që kemi për Jehovain arsyeja kryesore përse bëjmë vullnetin e tij dhe përse u përmbahemi normave të tij të drejta. Pra, le të veprojmë me maturi në çështje të tilla, si zgjedhja e zbavitjes dhe sjellja me seksin e kundërt.

17. Me çfarë lloj interesi na vëzhgon Jehovai?

17 Jehovai interesohet shumë për ne, por kjo nuk do të thotë se ai pret që të bëjmë gabime, në mënyrë që të na ndëshkojë. Përkundrazi, ai na vëzhgon me interes të dashur si interesi i një babai që dëshiron t’i shpërblejë fëmijët e tij të bindur. Sa ngushëlluese është të dimë se Ati ynë qiellor kënaqet me besimin tonë dhe është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm»! (Hebrenjve 11:6) Le të ushtrojmë besim të plotë te Jehovai dhe ‘t’i shërbejmë me gjithë zemër’!—1 Kronikave 28:9.

18. Duke qenë se Jehovai na vëren dhe e shikon besnikërinë tonë, çfarë sigurie marrim nga Shkrimet?

18 Te Proverbat 15:3 thuhet: «Sytë e Jehovait janë në çdo vend, duke vigjiluar mbi të këqijtë dhe të mirët.» Po, Perëndia vigjilon mbi njerëzit e këqij dhe i trajton sipas sjelljes së tyre. Megjithatë, nëse jemi mes ‘të mirëve’, mund të jemi të sigurt se Jehovai i vëren veprimet tona besnike. Sa na forcohet besimi duke ditur se ‘mundi ynë s’është i kotë në lidhje me Zotërinë’ dhe se Ai që është i padukshëm nuk do ta ‘harrojë veprën tonë dhe dashurinë që kemi treguar për emrin e tij’!—1 Korintasve 15:58; Hebrenjve 6:10.

Ta ftojmë Jehovain që të na shqyrtojë

19. Cilat janë disa dobi që vijnë nga besimi i fortë te Jehovai?

19 Si shërbëtorë besimplotë të Jehovait, ne jemi të çmuar për të. (Mateu 10:29-31) Edhe pse është i padukshëm, ai mund të jetë real për ne dhe mund ta ruajmë marrëdhënien e çmuar që kemi me të. Të kemi këtë qëndrim ndaj Atit tonë qiellor na sjell shumë dobi. Besimi i fortë na ndihmon të kemi një zemër të pastër dhe një ndërgjegje të mirë para Jehovait. Besimi pa hipokrizi na parandalon edhe që të mos bëjmë një jetë të dyfishtë. (1 Timoteut 1:5, 18, 19) Besimi ynë i palëkundur te Perëndia jep një shembull të mirë dhe mund të ketë ndikim pozitiv tek ata që na rrethojnë. (1 Timoteut 4:12) Për më tepër, një besim i tillë nxit sjelljen e perëndishme, duke e bërë zemrën e Jehovait të gëzohet.—Fjalët e urta 27:11.

20, 21. (a) Përse duhet të dëshirojmë që syri vigjilent i Jehovait të jetë mbi ne? (b) Si mund ta zbatojmë për veten tonë Psalmin 139:23, 24?

20 Po të jemi vërtet të mençur, do të jemi të kënaqur që Jehovai të vigjilojë mbi ne. Duam jo vetëm që të na shohë, por dëshirojmë edhe të bëjë një shqyrtim tërësor të mendimeve dhe të veprimeve tona. Në lutje, bëjmë mirë ta ftojmë Jehovain që të na hetojë dhe të dallojë nëse kemi ndonjë prirje të papërshtatshme. Ai mund të na ndihmojë me siguri që të përballojmë problemet dhe të bëjmë rregullimet e nevojshme. Në mënyrë të përshtatshme, psalmisti David këndoi: «Më heto, o Perëndi dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia, dhe shiko nëse ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.»—Psalmi 139:23, 24.

21 Davidi u lut që Jehovai ta hetonte, për të parë nëse kishte tek ai ndonjë «rrugë të keqe». Ashtu si psalmisti, a nuk dëshirojmë edhe ne me zjarr që Perëndia të na e hetojë zemrën dhe të shohë nëse kemi ndonjë motiv të papërshtatshëm? Pra, me besim, le t’i kërkojmë Jehovait të na shqyrtojë. Po nëse na trazon ankthi për ndonjë gabim ose nëse te ne ka ndonjë gjë të dëmshme? Atëherë, le të vazhdojmë t’i lutemi me ngulm Perëndisë tonë të dashur, Jehovait, dhe t’i nënshtrohemi me përulësi drejtimit të frymës së tij të shenjtë dhe këshillave të Fjalës së tij. Mund të jemi të sigurt se ai do të na vijë në ndihmë, duke na ndihmuar të ndjekim një drejtim që do të çojë në jetën e përhershme.—Psalmi 40:11-13.

22. Cila do të jetë vendosmëria jonë lidhur me Atë që është i padukshëm?

22 Po, Jehovai do të na bekojë me jetën e përjetshme nëse i plotësojmë kërkesat e tij. Sigurisht, duhet të pranojmë fuqinë dhe autoritetin e tij, siç bëri edhe apostulli Pavël, kur shkroi: «Mbretit të përjetësisë, që është i paprishshëm e i padukshëm, Perëndisë të vetëm, i qoftë nderimi dhe lavdia në jetë të jetëve! Amin.» (1 Timoteut 1:17) Le të shfaqim gjithnjë një nderim të tillë të thellë për Jehovain. Dhe, çfarëdo që të ndodhë, le të kemi gjithnjë vendosmërinë për të qëndruar të palëkundur si të shohim Atë që është i padukshëm!

Si do të përgjigjeshit?

• Si është e mundur që njerëzit të shohin Perëndinë?

• Nëse Jehovai është real për ne, si do të veprojmë kur na përndjekin?

• Çfarë do të thotë ta shohim Jehovain si Mësuesin tonë të Madh?

• Përse duhet të dëshirojmë që Jehovai të na shqyrtojë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Moisiu, pa u frikësuar nga faraoni, veproi si ta shihte Jehovain, Perëndinë e padukshëm

[Figura në faqen 21]

Të mos veprojmë kurrë sikur Jehovai nuk arrin ta shikojë atë që bëjmë

[Figura në faqen 23]

E kërkojmë me ngulm njohurinë e Perëndisë, sepse e shohim atë si Mësuesin tonë të Madh