Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hasmonenjtë dhe trashëgimia e tyre

Hasmonenjtë dhe trashëgimia e tyre

Hasmonenjtë dhe trashëgimia e tyre

KUR ishte Jezui në tokë, judaizmi ishte i ndarë në grupe që konkurronin me njëra-tjetrën për të pasur pushtet mbi njerëzit. E tillë është gjendja e paraqitur në tregimet e Ungjijve, si edhe në shkrimet e historianit jude të shekullit të parë, Jozefit.

Farisenjtë dhe saducenjtë shfaqen si fuqi të rëndësishme, të afta për t’i mashtruar njerëzit deri aty sa të hidhnin poshtë Jezuin si Mesia. (Mateu 15:1, 2; 16:1; Gjoni 11:47, 48; 12:42, 43) Megjithatë, në Shkrimet Hebraike këto dy grupe të fuqishme nuk përmenden asgjëkundi.

Jozefi i përmend në fillim saducenjtë dhe farisenjtë kur flet për shekullin e dytë p.e.s. Gjatë asaj periudhe, shumë judenj po binin pre e tërheqjes ndaj helenizmit, domethënë, ndaj kulturës dhe filozofisë greke. Tensioni ndërmjet helenizmit dhe judaizmit arriti kulmin kur sundimtarët seleucidë ndotën tempullin në Jerusalem, duke ia kushtuar atë Zeusit. Një udhëheqës energjik judaik, Juda Makabeu, nga një familje që njihej si hasmonenjtë, udhëhoqi një ushtri kryengritësish që e çliroi tempullin nga grekët. *

Vitet që pasuan kryengritjen dhe fitoren e makabenjve i karakterizoi një prirje për të formuar sekte të bazuara në ideologji konkurruese. Secili prej këtyre sekteve konkurronte me të tjerët për të fituar pushtet mbi popullsinë e madhe judaike. Por, përse u zhvillua kjo prirje? Përse judaizmi u përça kaq shumë? Për të marrë një përgjigje, le të shqyrtojmë historinë e hasmonenjve.

Pavarësi dhe përçarje më e madhe

Pasi arriti synimin fetar, rivendosjen e adhurimit në tempullin e Jehovait, Juda Makabeu kaloi në politikë. Për pasojë, shumë judenj nuk e ndoqën më. Gjithsesi, ai vazhdoi të luftonte kundër sundimtarëve seleucidë, bëri një marrëveshje me Romën dhe u përpoq të themelonte një shtet të pavarur judaik. Pas vdekjes së Judës në betejë, luftën e vazhduan vëllezërit e tij, Jonatani dhe Simoni. Në fillim, sundimtarët seleucidë iu kundërvunë me forcë makabenjve. Por, me kalimin e kohës, sundimtarët pranuan të bënin kompromis politik, duke u lejuar vëllezërve hasmonenj njëfarë autonomie.

Ndonëse kishin prejardhje priftërore, asnjë nga fisi i hasmonenjve nuk kishte shërbyer ndonjëherë në detyrën e kryepriftit. Shumë judenj mendonin se këtë detyrë duhej ta mbanin priftërinjtë e linjës së Sadokut, të cilin Solomoni e kishte emëruar kryeprift. (1 Mbretërve 2:35; Ezekieli 43:19) Jonatani përdori luftën dhe diplomacinë për t’i bindur seleucidët që ta emëronin si kryeprift. Por, pas vdekjes së Jonatanit, vëllai i tij Simoni arriti edhe më tepër. Në shtator të vitit 140 p.e.s., në Jerusalem doli një dekret i rëndësishëm, i përjetësuar në pllaka bronzi me shkrim grek: «Mbreti Demetër [sundimtari seleucid grek] ia dha [Simonit] kryepriftërinë, e bëri mikun e vet dhe e nderoi me nder të madh. . . . Hebrenjtë e priftërinjtë kishin pranuar t’u jetë Simoni udhëheqës e kryeprift përgjithnjë, deri të dalë ndonjë profet besnik.»​—1 Makabenjve 14:38-41 (një libër historik që gjendet në shkrimet apokrife).

Pra, pozita e Simonit si sundimtar dhe kryeprift​—për vete dhe për pasardhësit e tij—​u pranua jo vetëm nga autoriteti i huaj seleucid, por edhe nga «Asambleja e Madhe» e popullit të tij. Kjo shënoi një pikë kthese të rëndësishme. Historian Emil Shuereri shkroi se pasi hasmonenjtë themeluan një dinasti politike, «interesi i tyre kryesor nuk ishte më përmbushja e Torës [Ligjit hebre], por ruajtja dhe zgjerimi i pushtetit të tyre politik». Gjithsesi, duke bërë kujdes që të mos i prekte në sedër judenjtë, Simoni përdori titullin «udhëheqës i popullit» në vend të titullit «mbret».

Jo të gjithë ishin të kënaqur që hasmonenjtë morën me forcë edhe kontrollin fetar, edhe atë politik. Sipas shumë studiuesve, pikërisht gjatë kësaj periudhe u formua komuniteti i Kumranit. Një prift nga linja e Sadokut, që besohet se ishte ai për të cilin në shkrimet e Kumranit flitet si «Mësuesi i Drejtësisë», iku nga Jerusalemi dhe udhëhoqi një grup kundërshtarësh në shkretëtirën e Judesë, afër Detit të Vdekur. Një nga Rrotullat e Detit të Vdekur, shpjegues i librit të Habakukut, dënon «Priftin e Lig, i cili në fillim thirrej me emrin e së vërtetës, por kur sundoi mbi Izraelin, zemra e tij u bë krenare». Shumë studiues mendojnë se përshkrimin që i bën sekti «Priftit të Lig» mund ta përmbushte ose Jonatani, ose Simoni.

Simoni i vazhdoi fushatat ushtarake për të zgjeruar territorin që kishte nën kontroll. Sidoqoftë, sundimi i tij u ndërpre papritur kur dhëndri i tij, Ptolemeu, e vrau atë dhe dy nga bijtë e tij, ndërsa ishin duke bërë gosti afër Jerikosë. Kjo përpjekje e Ptolemeut për të marrë pushtetin dështoi. Gjon Irkanin, djali që i kishte mbetur Simonit, e kishin paralajmëruar për orvatjet për ta vrarë. Ai i kapi ata që donin ta vritnin dhe mori mbi vete udhëheqjen dhe priftërinë në vend të të atit.

Zgjerim dhe shtypje e mëtejshme

Në fillim, Gjon Irkani hasi kërcënime të rënda nga forcat siriane, por pastaj, në vitin 129 p.e.s., dinastia seleucide humbi një betejë kyçe me partët. Lidhur me pasojat e kësaj lufte te seleucidët, studiuesi judaik Menahem Sterni shkroi: «E gjithë struktura e mbretërisë pothuajse u shemb.» Në këtë mënyrë, Irkani pati «mundësi të rifitonte plotësisht pavarësinë politike të Judesë dhe të fillonte të zgjerohej në drejtime të ndryshme». Dhe ia arriti vërtet të zgjerohej!

I papenguar më nga ndonjë kërcënim prej sirianëve, Irkani filloi të pushtonte territore jashtë Judesë, duke i nënshtruar ato. Banorët i detyronin të ktheheshin në judaizëm ose, përndryshe, do t’u shkatërronin qytetet. Një fushatë e tillë u bë kundër idumenjve (edomitëve). Për këtë fushatë Sterni komentoi: «Kthimi në fe i idumenjve ishte i pari i këtij lloji, siç ishte e para herë që kthehej në fe një racë e tërë dhe jo disa individë.» Midis zonave të tjera që u pushtuan ishte Samaria, ku Irkani shkretoi tempullin samaritan që gjendej në malin Gerizim. Duke folur për ironinë e kësaj politike të kthimit të detyruar në fe, që e përdori dinastia e hasmonenjve, historian Solomon Grejzeli shkroi: «Ja ku ishte një nip i Matatisë [babait të Juda Makabeut] që dhunonte po atë parim, lirinë fetare, që brezi i mëparshëm e kishte mbrojtur me aq fisnikëri.»

Shfaqen farisenjtë dhe saducenjtë

Pikërisht kur shkruan për sundimin e Irkanit, Jozefi flet për herë të parë për ndikimin gjithnjë e më të madh të farisenjve dhe të saducenjve. (Jozefi kishte përmendur farisenjtë që jetonin gjatë sundimit të Jonatanit.) Ai nuk tregon për fillimet e tyre. Disa studiues i shohin farisenjtë si një grup që doli nga hasidimët. Ky i fundit ishte një sekt i përshpirtshëm që e mbështeti Juda Makabeun në synimet e tij fetare, por e braktisi kur ai shfaqi ambicie politike.

Emri farisenj lidhet, në përgjithësi, me rrënjën hebraike që do të thotë «të ndarë», ndonëse disa mendojnë që ky emër lidhet me fjalën «interpretues». Farisenjtë ishin studiues që vinin nga shtresa e popullit, pa ndonjë linjë të veçantë paraardhësish. Ata u veçuan nga papastërtia e riteve, duke përdorur një filozofi për përshpirtshmëri të veçantë, duke i zbatuar ligjet e tempullit për shenjtërinë e priftërinjve në rrethanat e zakonshme të jetës së përditshme. Farisenjtë zhvilluan një formë të re interpretimi të Shkrimeve dhe një koncept që më vonë u bë i njohur si ligji gojor. Gjatë sundimit të Simonit, ata fituan ndikim më të madh kur disa prej tyre u caktuan në Gerusia (këshilli i pleqve), i cili më vonë u bë i njohur si Sinedri.

Jozefi tregon se Gjon Irkani në fillim ishte nxënës dhe përkrahës i farisenjve. Mirëpo, në njëfarë pike, farisenjtë e qortuan që nuk hiqte dorë nga detyra e kryepriftit. Kjo çoi në një ndarje dramatike. Irkani i nxori jashtë ligjit urdhëresat fetare të farisenjve. Si ndëshkim të mëtejshëm, ai mori anën e saducenjve, që ishin kundërshtarët fetarë të farisenjve.

Ka të ngjarë që emri saducenj të jetë i lidhur me kryepriftin Sadok, pasardhësit e të cilit kishin qenë në pozita priftërore që në kohën e Solomonit. Por jo të gjithë saducenjtë ishin nga kjo prejardhje. Sipas Jozefit, saducenjtë ishin aristokratët dhe njerëzit e pasur të kombit dhe nuk kishin përkrahjen e masave. Profesor Shifmani komenton: «Shumica prej tyre . . . me sa duket ishin priftërinj ose kishin bërë lidhje martesore me familjet e kryepriftërinjve.» Pra, këta kishin shumë kohë që kishin lidhje me personat në pushtet. Prandaj, roli gjithnjë në rritje i farisenjve në jetën publike dhe koncepti i tyre për ta shtrirë shenjtërinë priftërore tek i gjithë populli u kuptua si një kërcënim që do të minonte autoritetin që kishin pasur gjithnjë saducenjtë. Tashmë, në vitet e fundit të sundimit të Irkanit, saducenjtë fituan përsëri kontrollin.

Më shumë politikë, më pak përshpirtshmëri

Djali i madh i Irkanit, Aristobuli, vdiq shumë shpejt dhe sundoi vetëm një vit. Ai e vazhdoi politikën e kthimit të detyruar në fe me itureasit dhe e vuri Galilenë e Sipërme nën kontrollin e hasmonenjve. Por, vetëm nën sundimin e vëllait të tij, Aleksandër Janaut, i cili sundoi nga viti 103 deri në vitin 76 p.e.s., dinastia e hasmonenjve arriti kulmin e pushtetit të vet.

Aleksandër Janau nuk e vazhdoi politikën e mëparshme dhe e shpalli veten haptazi kryeprift dhe mbret. Konfliktet ndërmjet hasmonenjve dhe farisenjve u shtuan, madje duke çuar në një luftë civile, në të cilën humbën jetën 50.000 judenj. Pasi u shtyp kryengritja, Janau vuri në shtyllë 800 kryengritës, një veprim që të kujton mbretërit paganë. Në çastet kur këta ishin duke vdekur, para syve të tyre iu vranë gratë dhe fëmijët, kurse Janau bënte gosti në shesh të hapur me konkubinat e tij. *

Sado që kishte armiqësi me farisenjtë, Janau ishte një politikan praktik. Ai e pa se farisenjtë kishin gjithnjë e më shumë përkrahje nga populli. Kur ishte në shtratin e vdekjes, udhëzimi që i dha të shoqes, Salome Aleksandrës, ishte që ajo ta ndante pushtetin me ta. Janau kishte zgjedhur atë, e jo bijtë e tij, si pasues në mbretërinë e tij. Ajo tregoi se ishte vërtet një sundimtare e aftë dhe i siguroi kombit një nga periudhat më paqësore nën sundimin e hasmonenjve (76-67 p.e.s.). Farisenjtë u rivendosën në pozita autoriteti dhe ligjet kundër urdhëresave të tyre fetare u anuluan.

Me vdekjen e Salomesë, bijtë e saj, Irkani II, i cili kishte shërbyer si kryeprift, dhe Aristobuli II hynë në një luftë për pushtet. Që të dyve u mungonte gjykimi i thellë politik e ushtarak i etërve të tyre dhe, me sa duket, asnjëri nuk e kuptoi domethënien e vërtetë të pranisë gjithnjë e më të madhe romake në atë zonë, pas rënies së plotë të mbretërisë seleucide. Në vitin 63 p.e.s., të dy vëllezërit iu drejtuan sundimtarit romak Pompeit, kur ky ishte në Damask, dhe kërkuan ndërhyrjen e tij për të zgjidhur çështjen. Po atë vit, Pompei dhe trupat e tij ushtarake marshuan në Jerusalem dhe morën në dorë kontrollin. Ishte fillimi i fundit të mbretërisë së hasmonenjve. Në vitin 37 p.e.s., Jerusalemi u pushtua nga mbreti idumeas Herodi i Madh, të cilin Senati Romak e kishte miratuar si «Mbretin e Judesë», «aleat dhe mik të popullit romak». Mbretëria e hasmonenjve pushoi së ekzistuari.

Trashëgimia e hasmonenjve

Periudha e hasmonenjve, që nga Juda Makabeu deri te Aristobuli II, vuri themelin për ndarjen fetare që ekzistonte kur ishte Jezui në tokë. Hasmonenjtë e filluan me zellin për adhurimin e Perëndisë, por kjo më pas u keqësua derisa arriti në një egoizëm të egër. Priftërinjtë e tyre, të cilët kishin rastin për ta bashkuar popullin që të ndiqte Ligjin e Perëndisë, e udhëhoqën kombin në humnerën e rivalitetit politik. Në këtë mjedis, lulëzuan pikëpamjet përçarëse fetare. Hasmonenjtë pushuan së ekzistuari, por lufta për kontroll fetar ndërmjet saducenjve, farisenjve dhe të tjerëve do ta karakterizonte kombin që tani ishte nën Herodin dhe Romën.

[Shënimet]

^ par. 4 Shih artikullin «Cilët ishin makabenjtë?» në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1998.

^ par. 22 Rrotulla e Detit të Vdekur «Shpjegues i librit të Naumit» përmend «Luanin e zemërimit», i cili «i varte njerëzit të gjallë», dhe kjo mund të jetë ndodhia e përmendur më sipër.

[Tabela në faqen 30]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Dinastia e Hasmonenjve

Juda Makabeu

Jonatan Makabeu

Simon Makabeu

Gjon Irkani

↓ ↓

Aristobuli

Salome Aleksandra — martuar me — Aleksandër Janaun

↓ ↓

Irkani II

Aristobuli II

[Figura në faqen 27]

Juda Makabeu kërkonte pavarësinë e judenjve

[Burimi]

The Doré Bible Illustrations/Dover Publications, Inc.

[Figura në faqen 29]

Hasmonenjtë luftuan për të shtrirë kontrollin e tyre në qytetet jojudeje

[Burimi]

The Doré Bible Illustrations/Dover Publications, Inc.