Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Adhurimi i vërtetë i bashkon njerëzit

Adhurimi i vërtetë i bashkon njerëzit

Adhurimi i vërtetë i bashkon njerëzit

NDONËSE, në përgjithësi, feja ka prirjen ta përçajë njerëzimin, adhurimi i të vetmit Perëndi të vërtetë ka fuqinë për t’i bashkuar njerëzit. Kur Izraeli ishte kombi i zgjedhur i Perëndisë, shumë johebrenj të çiltër u tërhoqën drejt adhurimit të vërtetë. Për shembull, Rutha i braktisi perënditë e vendlindjes së saj, Moabit, dhe i tha Naomit: «Populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im.» (Rutha 1:16) Në shekullin e parë të erës sonë, një numër i madh johebrenjsh ishin bërë adhurues të Perëndisë së vërtetë. (Veprat 13:48; 17:4) Më vonë, kur apostujt e Jezuit filluan të udhëtonin në vende të largëta për të çuar lajmin e mirë, njerëz të tjerë të çiltër u bashkuan në adhurimin e Perëndisë së vërtetë. «U kthyet nga idhujt tuaj te Perëndia, për të shërbyer si skllevër të një Perëndie të gjallë e të vërtetë»,—shkroi apostulli Pavël. (1 Selanikasve 1:9) A e ka sot adhurimi i Perëndisë së vërtetë këtë fuqi bashkuese?

Skeptikët këmbëngulin se është e gabuar të flasësh për «adhurues të vërtetë» ose për «Perëndinë e vërtetë». Ndoshta mendojnë kështu, sepse nuk dinë ndonjë burim nga i cili mund të mësohet e vërteta. Por, kërkues të së vërtetës nga shumë prejardhje të ndryshme e kanë kuptuar se adhurimi nuk është çështje parapëlqimi. I vetmi që e meriton adhurimin tonë është Krijuesi i të gjitha gjërave: Perëndia Jehova. (Zbulesa 4:11) Ai është Perëndia i vërtetë dhe ka të drejtën të vendosë se si duhet ta adhurojmë.

Që të na ndihmojë të shquajmë kërkesat e tij, Jehovai ka komunikuar me ne nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. Pothuajse çdo njeri në tokë sot e ka në dispozicion tërë Biblën ose disa pjesë të saj. Për më tepër, Biri i Perëndisë tha: «Nëse mbeteni në fjalën time, . . . do ta njihni të vërtetën.» (Gjoni 8:31, 32) Pra, e vërteta mund të njihet. Miliona njerëz me zemër të ndershme, të cilët vijnë nga prejardhje të ndryshme fetare, po e përqafojnë me guxim këtë të vërtetë dhe po bashkohen në adhurimin e vërtetë.—Mateu 28:19, 20; Zbulesa 7:9, 10.

Unitet mbarëbotëror në kohën tonë

Një profeci e shquar në librin biblik të Sofonisë flet për bashkimin e njerëzve me prejardhje të ndryshme. Aty thuhet: «Atëherë, [unë, Perëndia Jehova] do t’u jap popujve një të folur të pastër, me qëllim që të gjithë të përmendin emrin e Zotit, për t’i shërbyer me një marrëveshje të përbashkët [krah për krah, BR].» (Sofonia 3:9) Sa tablo e bukur është kjo: njerëz të ndryshuar që i shërbejnë Perëndisë në unitet!

Kur do të ndodhte kjo? Te Sofonia 3:8 thuhet: «‘Më prit,—thotë Zoti,—kur të ngrihem për të bërë plaçkë, sepse unë kam vendosur të mbledh kombet, të bashkoj mbretëritë, për të hedhur mbi ta indinjatën time, gjithë zjarrin e zemërimit tim; po, gjithë dheu do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë sime.’» Po, gjatë kohës që Jehovai mbledh kombet, por përpara se të hedhë mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, ai u jep zemërbutëve të tokës një gjuhë të pastër. Kjo kohë është tani, sepse mbledhja e tërë kombeve për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm në Harmagedon është tashmë duke u bërë.—Zbulesa 16:14, 16.

Për ta bashkuar popullin e tij, Jehovai u jep një gjuhë të pastër. Kjo gjuhë e re përfshin kuptueshmërinë e duhur të së vërtetës biblike për Perëndinë dhe për qëllimet e tij. Të flasim gjuhën e pastër përfshin ta besojmë të vërtetën, t’ua mësojmë të tjerëve dhe të jetojmë në harmoni me ligjet dhe parimet e Perëndisë. Kërkon të shmangim politikën përçarëse dhe të çrrënjosim nga zemra qëndrimet egoiste, si racizmin dhe nacionalizmin përçarës, të cilat janë karakteristike për këtë botë. (Gjoni 17:14; Veprat 10:34, 35) Të gjithë njerëzit me zemër të ndershme që e duan të vërtetën, mund ta mësojnë këtë gjuhë. Shqyrtoni se si pesë personat e përmendur në artikullin e mëparshëm—një herë e një kohë shumë të ndarë nga ana fetare—tani janë të bashkuar në adhurimin e të vetmit Perëndi të vërtetë, Jehovait.

Janë të bashkuar në adhurimin e vërtetë

Kur Fidelia, katolikja e devotshme, bleu një Bibël, pasi i duhej së bijës për shkollën, i kërkoi priftit që t’i shpjegonte nga Bibla se çfarë u kishte ndodhur pesë fëmijëve që i kishin vdekur. «Çfarë zhgënjimi!»—thotë ajo. Për këtë arsye, kur Dëshmitarët e Jehovait i bënë vizitë, ajo u bëri atyre një pyetje të ngjashme. Kur lexoi në Biblën e saj të vërtetën për gjendjen e të vdekurve, e kuptoi se si e kishte mashtruar kisha. Mësoi se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë dhe, prandaj, nuk janë duke vuajtur në limbo ose në ndonjë vend tjetër. (Psalmi 146:4; Predikuesi 9:5) Fidelia i hodhi të gjitha shëmbëlltyrat fetare, e la kishën dhe filloi të studionte Biblën. (1 Gjonit 5:21) Për dhjetë vjetët e fundit, ajo ka pasur kënaqësinë t’u mësojë të vërtetën biblike të tjerëve.

Tara, nga Katmanduja, u transferua në një vend ku ka pak tempuj hinduistë. Kështu, vizitoi një kishë metodiste, me shpresë se do t’i plotësoheshin nevojat e saj frymore. Por, nuk gjeti përgjigje për pyetjen lidhur me vuajtjet njerëzore. Pastaj, Dëshmitarët e Jehovait u takuan me të dhe i propozuan të studionin Biblën së bashku. Tara thotë: «Arrita të kuptoj se një Perëndi i dashurisë nuk mund të ishte përgjegjës për tërë këto vuajtje në botë . . . Isha e kënaqur me shpresën e një bote të re me paqe dhe harmoni.» (Zbulesa 21:3, 4) Tara u çlirua nga shëmbëlltyrat e saj hinduiste, pushoi së ndjekuri zakonet fetare të vendlindjes së saj dhe gjeti lumturi të vërtetë si Dëshmitare e Jehovait, duke i ndihmuar të tjerët që të plotësonin nevojat e tyre frymore.

Panja, budisti, ishte fallxhor kur Dëshmitarët e Jehovait e takuan fillimisht në Bangkok, prandaj, profecitë e Biblës e tërhoqën shumë. Panja tregon: «Kur mësova përse kushtet e sotme janë ndryshe nga ato që kishte pasur si qëllim Krijuesi në fillim dhe se si ai ka marrë masa për të zhbërë dëmin e shkaktuar nga ata që e hedhin poshtë atë dhe sovranitetin e tij, ishte sikur të më kishin hequr një perde nga sytë. Çdo gjë në mesazhin e Biblës ishte shumë e harmonishme. Arrita ta dua Jehovain si person dhe kjo më dha shtysën për ta vënë në praktikë atë që e dija se ishte e drejtë. Isha i zellshëm për t’i ndihmuar të tjerët që të shihnin ndryshimin ndërmjet mençurisë njerëzore dhe mençurisë hyjnore. Mençuria e vërtetë e ka ndryshuar me siguri jetën time.»

Me kalimin e kohës, Virgjili filloi të kishte dyshime të mëdha për bindjet e tij fetare. Në vend që t’i lutej Perëndisë për një mënyrë që të ndihmonte zezakët dhe për atë që e shihte si një organizatë raciste, e cila dukej se prodhonte urrejtje për të bardhët, ai u lut për të vërtetën, çfarëdo që të ishte ajo e kudo që të ishte. «Kur u zgjova ditën tjetër pasi i isha lutur me zjarr Perëndisë,—kujton Virgjili,—në shtëpi gjeta një revistë Kulla e Rojës. . . . Duhej ta kishin futur poshtë derës.» Shumë shpejt, ai po e studionte me zell Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ai vazhdon: «Për herë të parë në jetën time, u ndjeva i kënaqur. . . . Një rreze shprese filloi të më ndriçonte brenda.» Shpejt, Virgjili u bashkua me ata që u japin njerëzve shpresën e vetme të vërtetë që gjendet në Fjalën e Perëndisë, në Bibël.

Çarosë nga Amerika Latine, i bëri përshtypje kur një Dëshmitare me emrin Gledis e pa se kishte vështirësi me fëmijët e saj të vegjël dhe filloi ta ndihmonte duke e çuar në treg. Me kalimin e kohës, Çaroja e pranoi ftesën që i bëri Gledisi për një studim biblik pa pagesë në shtëpi. Kur mësoi nga Bibla e vet se jo të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell, por që Jehovai do t’i bekojë edhe njerëzit në tokë me jetën e përhershme, Çaroja u mahnit. (Psalmi 37:11, 29) Për 15 vjetët e fundit, vetë ajo e ka ndarë këtë shpresë me të tjerët.

Përfytyrojeni tërë tokën të populluar me njerëz të çiltër që janë të bashkuar në adhurimin e Jehovait, të vetmit Perëndi të vërtetë! Kjo nuk është një fantazi. Është ajo që ka premtuar Jehovai. Nëpërmjet profetit të tij, Sofonisë, Perëndia shpalli: «Do të bëj të mbetet midis teje një popull i përulur dhe i varfër, që do të ketë besim te emri i Zotit. . . . Nuk do të kryejë paudhësi dhe nuk do të thotë më gënjeshtra, as do të gjendet në gojën e tyre një gjuhë gënjeshtare; . . . askush nuk do t’i trembë.» (Sofonia 3:12, 13) Nëse ju tërheq ky premtim, merreni seriozisht nxitjen e Biblës: «Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut, që zbatoni ligjin e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndofta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit.»—Sofonia 2:3.