Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë ka vlerë të vërtetë?

Çfarë ka vlerë të vërtetë?

Çfarë ka vlerë të vërtetë?

Të kesh diçka me vlerë të vërtetë mund të jetë ngazëllyese. Por, çfarë mund të jetë kjo? Një sasi e madhe parash? Bizhuteri të kushtueshme ose të veçanta? Famë dhe spikatje? Shumë njerëz i vlerësojnë së tepërmi këto. Ato mund të sigurojnë jetesën, mund ta bëjnë jetën më domethënëse ose mund të plotësojnë një nevojë të brendshme për vëmendje dhe arritje. A po përpiqemi t’i fitojmë këto gjëra, duke shpresuar se ato do të përmbushin synimet dhe dëshirat tona për të ardhmen?

ZAKONISHT, njerëzit e vlerësojnë diçka duke u bazuar në faktin se si i përmbush ajo nevojat e tyre ose si i plotëson dëshirat personale. I kemi shumë për zemër gjërat që na krijojnë një ndjenjë mirëqenieje e që na japin shpresën për një të ardhme të sigurt. I vlerësojmë shumë gjërat që sjellin lehtësim, ngushëllim ose vlerësim të menjëhershëm nga njerëzit e tjerë. Megjithatë, ta përcaktojmë vlerën e gjërave duke u bazuar në dëshirat ose interesat tona që janë gjithnjë në ndryshim është gjë e përciptë dhe dritëshkurtër. Në thelb, vlera e vërtetë përcaktohet nga ajo që e kuptojmë se është nevoja jonë më e madhe.

Cila është nevoja jonë më e madhe? Asgjë nuk ka vlerë pa një përbërës kryesor, domethënë jetën. Pa jetën, nuk ekzistojmë. Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë shkroi: «Të vdekurit nuk dinë asgjë . . . Në Sheol [varri i përbashkët i njerëzimit] ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.» (Predikuesi 9:5, 10) Nëse vdesim, jemi të detyruar të heqim dorë nga çdo gjë që zotërojmë. Pra, nevoja jonë më e madhe është të fitojmë diçka që do të na e ruajë jetën. Çfarë gjëje mund ta bëjë këtë?

Çfarë do të na e ruajë jetën?

‘Paraja është një mbrojtje’,—tha mbreti Solomon. (Predikuesi 7:12) Duke pasur mjaft para, mund të blejmë ushqim dhe një shtëpi të rehatshme. Paraja mund të na japë mundësi të provojmë kënaqësinë e udhëtimit në vende të largëta. Mund të na i plotësojë gjërat e nevojshme atëherë kur nuk jemi më në gjendje të punojmë për shkak të moshës së shkuar ose të sëmundjeve. Përfitimet që na vijnë nga paraja janë të shumta. Gjithsesi, paraja nuk mund të na e ruajë jetën. Apostulli Pavël e këshilloi Timoteun: «Atyre që janë të pasur në sistemin e tanishëm jepu urdhër të mos jenë kryelartë e të mos e varin shpresën në pasurinë e pasigurt, por te Perëndia.» (1 Timoteut 6:17) Edhe gjithë paratë e botës nuk mund të na ndihmojnë ta blejmë jetën.

Shqyrtoni rastin e një njeriu me emrin Hitoshi. Duke qenë se ishte rritur në varfëri, Hitoshi kishte një dëshirë të fortë të bëhej i pasur. Besonte kaq shumë në fuqinë e parasë, saqë mendonte se me të mund të bliheshin edhe njerëzit. Pastaj, një burrë erdhi në derën e Hitoshit dhe e pyeti nëse e dinte që Jezu Krishti kishte vdekur për të. Kjo pyetje i ngjalli kureshtje Hitoshit, sepse mendonte që asnjë nuk do të vdiste për një person si ai. Ndoqi një fjalim publik nga Bibla dhe u habit kur dëgjoi këshillën për ta ‘mbajtur syrin të thjeshtë’. Oratori shpjegoi se një sy «i thjeshtë» është largpamës dhe i përqendruar në gjërat frymore. (Luka 11:34) Në vend që të robtohej për paratë, Hitoshi filloi të vinte në vend të parë në jetën e tij gjërat me vlerë frymore.

Edhe zotërimet materiale mund të na sjellin një masë qëndrueshmërie e sigurie. Duke pasur gjëra me bollëk, mund të ndihemi të lehtësuar nga ankthi për nevojat e përditshme. Një shtëpi e mirë në një lagje të dëshirueshme mund të na japë ndjenjën e arritjes në shoqëri. Rrobat në modë dhe një makinë e mirë mund të na sjellë admirimin e të tjerëve.

‘Të gëzojmë mirëqenie në gjithë mundin tonë’ është një bekim. (Predikuesi 3:13) Gjithashtu, duke pasur ndonjë tepricë, familjarët tanë mund të ‘çlodhen, të hanë, të pinë e të gëzojnë’. Megjithatë, gjërat materiale kanë vetëm vlerë të përkohshme. Në një paralajmërim kundër lakmisë, Jezu Krishti tha: «Edhe kur dikush ka bollëk, jeta e tij nuk vjen nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15-21) Zotërimet, pavarësisht nga sasia ose vlera e tyre, nuk mund të na sigurojnë jetën.

Për shembull, Lizi ishte martuar me një burrë të suksesshëm nga ana financiare. Ajo tregon: «Kishim një shtëpi të bukur dhe dy makina. Gjithashtu, gjendja financiare na jepte liri për të provuar gjithçka që bota kishte për të na vënë përpara, për sa u përket gjërave materiale . . . Por, çuditërisht, unë ende isha në merak për paratë.» Ajo shpjegon: «Kishim shumë gjëra që mund t’i humbitnim. Duket se, sa më shumë ke, aq më pak i sigurt ndihesh.»

Edhe fama e spikatja vlerësohen shumë nga mjaft njerëz, sepse mund të sjellin lavdërim e nderim. Në botën e sotme, një karrierë e suksesshme është një arritje që shihet me zili. Kultivimi i talenteve ose i aftësive të veçanta mund të na ndihmojë që t’i bëjmë një emër vetes. Të tjerët ndoshta na lavdërojnë, i vlerësojnë shumë mendimet tona dhe ndoshta dëshirojnë shumë që të shihen me sy të mirë nga ne. E gjithë kjo mund të jetë ngazëllyese dhe e kënaqshme. Mirëpo, përfundimisht, gjithçka venitet. Solomoni kishte gjithë lavdinë dhe fuqinë që mund të ketë një mbret, e megjithatë u ankua: «Nuk mbetet në fakt asnjë kujtim jetëgjatë si i njeriut të urtë ashtu edhe i njeriut budalla, . . . gjithçka do të harrohet.» (Predikuesi 2:16) Jeta nuk është shpërblimi për famën ose spikatjen.

Një skulptor me emrin Celo arriti të çmonte diçka që është shumë më e vlefshme se fama. Duke pasur talent, ai arriti të hynte në një shkollë ku i përmirësoi edhe më shumë aftësitë që kishte. Shumë shpejt, puna e tij u lavdërua nga shtypi dhe nga kritikët e artit. Shumë nga skulpturat e tij u vendosën në ekspozita në qytetet kryesore të Evropës. Celoja tregon: «Duhet ta pranoj se për njëfarë kohe, arti ishte gjëja më e rëndësishme në jetën time. Megjithatë, arrita ta kuptoja se për mua, të vazhdoja të ndiqja karrierën do të krahasohej me përpjekjen për t’u shërbyer dy zotërinjve. (Mateu 6:24) Isha i bindur se gjëja më e rëndësishme që mund të bëja ishte të predikoja lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Prandaj, mora një vendim personal, që ta lë punën si skulptor.»

Çfarë ka vlerën më të madhe?

Meqë pa jetën asgjë nuk ka domethënie ose vlerë, çfarë mund të fitojmë që do të na sigurojë se do të vazhdojmë të jetojmë? E gjithë jeta vjen nga Perëndia Jehova. (Psalmi 36:9) Në të vërtetë, «prej tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë». (Veprat 17:28) Ai ua jep si dhuratë jetën e përhershme atyre që i do. (Romakëve 6:23) Çfarë duhet të bëjmë që të kualifikohemi për këtë dhuratë?

Nëse do ta marrim apo jo dhuratën e jetës së përhershme, kjo varet nga pasja e një marrëdhënieje të ngushtë me Jehovain. Prandaj, miratimi i tij ka vlerë më të madhe se çdo gjë tjetër që mund të arrijmë të zotërojmë. Kur kemi këtë miratim, kemi shpresën për të pasur lumturi të vërtetë e të përhershme. Kurse pa miratimin e Perëndisë, na pret zhdukja e përjetshme. Është e qartë, pra, se çdo gjë që do të na ndihmojë të arrijmë një marrëdhënie të mirë me Jehovain ka vlerë shumë të madhe.

Çfarë duhet të bëjmë?

Suksesi ynë varet nga marrja e njohurisë. Burimi i njohurisë së saktë është Fjala e Jehovait, Bibla. Vetëm ajo na thotë çfarë duhet të bëjmë për t’i pëlqyer Perëndisë. Prandaj, duhet t’i studiojmë me kujdes Shkrimet. Përpjekjet e zellshme për të mësuar gjithçka që mundemi rreth Perëndisë Jehova dhe rreth Jezu Krishtit, sjellin si rrjedhojë ‘njohurinë që do të thotë jetë të përhershme’. (Gjoni 17:3) Kjo njohuri është një thesar që duhet ta çmojmë shumë!—Fjalët e urta 2:1-5.

Njohuria që marrim nga Fjala e Perëndisë na pajis për të bërë hapin tjetër, për të ushtruar besim te Jezu Krishti. Jehovai ka dekretuar që të gjithë ata të cilët vijnë tek ai duhet ta bëjnë këtë nëpërmjet Jezuit. (Gjoni 14:6) Në të vërtetë, «në asnjë tjetër nuk ka shpëtim». (Veprat 4:12) Shpëtimi ynë përfundimtar varet, jo nga ‘argjendi ose ari, por nga gjaku i çmuar i Krishtit’. (1 Pjetrit 1:18, 19) Duhet ta shfaqim besimin duke besuar mësimet e Jezuit dhe duke ndjekur shembullin e tij. (Hebrenjve 12:1-3; 1 Pjetrit 2:21) Sa shumë vlerë ka flijimi i tij! Zbatimi i dobive që sjell ky flijim përcakton të ardhmen e përhershme të të gjithë njerëzimit. Kur ky flijim të zbatohet plotësisht për ne, do të na jepet dhurata vërtet e çmueshme e jetës së përhershme.—Gjoni 3:16.

Jezui tha: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) Të duam Jehovain do të thotë «të zbatojmë urdhërimet e tij». (1 Gjonit 5:3) Urdhërimet e tij kërkojnë që të mbahemi të ndarë nga bota, të kemi vazhdimisht një sjellje të ndershme dhe ta mbështetim me besnikëri Mbretërinë e tij. Kjo është mënyra në të cilën ‘zgjedhim jetën’ në vend të vdekjes. (Ligji i përtërirë 30:19) Nëse ‘i afrohemi Perëndisë, ai do të afrohet te ne’.—Jakovit 4:8.

Siguria se kemi miratimin e Perëndisë vlen shumë më tepër se gjithë thesaret e botës. Ata që e kanë këtë miratim janë njerëzit më të pasur në botë. Atëherë, le të përpiqemi fort për të fituar thesarin që ka vlerë të vërtetë, domethënë miratimin e Jehovait! Me çdo kusht, le të marrim për zemër këshillën e apostullit Pavël: «Ndiq . . . drejtësinë, devocionin hyjnor, besimin, dashurinë, qëndrueshmërinë dhe butësinë e karakterit. Lufto luftën e shkëlqyer të besimit, rrok jetën e përhershme.»—1 Timoteut 6:11, 12.

[Figurat në faqen 21]

Çfarë vlerësoni më shumë? Paratë, zotërimet materiale, famën apo diçka tjetër?

[Figura në faqen 23]

Duhet t’i studiojmë me kujdes Shkrimet