Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Çfarë do të thotë ta adhurosh Jehovain «me frymë»?

Kur po i jepte dëshmi një gruaje nga Samaria, e cila kishte shkuar për të nxjerrë ujë në pusin e Jakobit, afër qytetit të Siharit, Jezu Krishti tha: «Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:24) Adhurimi i vërtetë duhet bërë ‘me të vërtetë’, në kuptimin që duhet të jetë në harmoni me atë që ka zbuluar Perëndia Jehova në Bibël për veten dhe për qëllimet që ka. Gjithashtu, shërbimi që i bëjmë Perëndisë duhet të jetë i gjallë ose i zellshëm, i motivuar nga një zemër plot dashuri e besim. (Titit 2:14) Megjithatë, konteksti tregon se pohimi i Jezuit që duhet ta ‘adhurojmë Perëndinë me frymë’ përfshin shumë më tepër sesa prirjen mendore me të cilën i shërbejmë Jehovait.

Biseda që pati Jezui me atë grua te pusi, nuk ishte për zellin që ekzistonte apo mungonte në adhurim. Edhe adhurimi i rremë mund të bëhet me zell e devocion. Përkundrazi, pasi tha se Ati nuk do të adhurohej as në një mal në Samari, as në tempullin në Jerusalem—që të dyja këto ishin vende fizike—Jezui tregoi një metodë të re adhurimi, të bazuar në natyrën e vërtetë të Perëndisë. (Gjoni 4:21) Ai tha: «Perëndia është një qenie frymore.» (Gjoni 4:24, Charles B. Williams) Perëndia i vërtetë nuk është fizik dhe nuk mund ta shohim ose ta prekim. Adhurimi i tij nuk përqendrohet në një tempull fizik ose në një mal. Prandaj, Jezui foli për një aspekt të adhurimit që shkon përtej gjërave që shihen.

Përveçse do të ishte bërë me të vërtetë, do të duhej edhe që adhurimi i pranueshëm të udhëhiqej nga fryma e shenjtë, nga forca vepruese e padukshme e Perëndisë. «Fryma [e shenjtë] shqyrton çdo gjë,—shkroi apostulli Pavël,—madje edhe gjërat e thella të Perëndisë.» Ai shtoi: «Ne nuk morëm frymën e botës, por frymën që është prej Perëndisë, që të njohim gjërat që Perëndia na i ka dhënë me dashamirësi.» (1 Korintasve 2:8-12) Për ta adhuruar në mënyrë të pranueshme Perëndinë, duhet të kemi frymën e tij dhe të udhëhiqemi prej saj. Për më tepër, është thelbësore që fryma ose prirja jonë mendore të vihet në harmoni me frymën e Perëndisë, nëpërmjet studimit dhe zbatimit të Fjalës së tij.

[Figura në faqen 28]

Adhurojeni Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë»