Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kërkosh falje​—Një çelës për të bërë paqe

Të kërkosh falje​—Një çelës për të bërë paqe

Të kërkosh falje​—Një çelës për të bërë paqe

«TË KËRKUARIT falje ka shumë fuqi. Kjo i zgjidh konfliktet pa dhunë, ndreq përçarjet midis kombeve, i bën qeveritë të pranojnë se qytetarët e tyre vuajnë dhe rivendos ekuilibrin në marrëdhëniet personale.» Kështu shkroi Debora Tanen, autore e disa librave shumë të shitur dhe sociolinguiste në Universitetin e Xhorxhtaunit në Uashington D.C.

Në Bibël pohohet se të kërkosh falje sinqerisht shpesh është një mënyrë e efektshme për të ndrequr një marrëdhënie të dëmtuar. Për shembull, në shëmbëlltyrën e Jezuit për djalin plëngprishës, kur djali u kthye në shtëpi dhe kërkoi falje me gjithë zemër, i ati ishte më se i gatshëm që ta mirëpriste në shtëpi. (Luka 15:17-24) Po, një individ nuk duhet të jetë kurrë tepër krenar aq sa të mos e gëlltisë krenarinë e tij e të mos kërkojë falje. Natyrisht, individët sinqerisht të përulur nuk e kanë kaq të vështirë të kërkojnë falje.

Fuqia e të kërkuarit falje

Abigaila, një grua e mençur në Izraelin e lashtë, na siguron një shembull që tregon se sa fuqi ka kur kërkojmë falje, ndonëse ajo kërkoi falje për një gabim që e kishte kryer burri i saj. Kur po banonte në shkretëtirë, Davidi, i cili më vonë u bë mbret i Izraelit, bashkë me njerëzit e tij mbrojti kopenë që i përkiste burrit të Abigailës, Nabalit. Megjithatë, kur të rinjtë e Davidit kërkuan bukë e ujë, Nabali i përzuri duke i fyer shumë. I acaruar, Davidi u priu 400 burrave që të ngjiteshin kundër Nabalit dhe atyre të shtëpisë së tij. Sapo mësoi për këtë gjë, Abigaila u nis për të takuar Davidin. Kur e pa, ajo ra me fytyrë përmbys në këmbët e tij. Pastaj tha: «Imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji! Por lejo shërbëtoren tënde të të flasë dhe ti dëgjo fjalët e saj.» Pastaj Abigaila shpjegoi situatën dhe i dha Davidit një dhuratë me ushqime dhe pije. Atëherë, ai i tha: «Kthehu në paqe në shtëpinë tënde; shiko, unë dëgjova zërin tënd dhe pata respekt për personin tënd.»​—1 Samuelit 25:2-35.

Qëndrimi i përulur i Abigailës bashkë me fjalët e saj për të kërkuar falje, për sjelljen e vrazhdë të burrit, u shpëtoi jetën njerëzve të shtëpisë së saj. Madje Davidi e falënderoi që ajo e pengoi të derdhte gjak. Megjithëse nuk ishte Abigaila që i trajtoi keq Davidin dhe njerëzit e tij, ajo e pranoi fajin e familjes dhe bëri paqe me Davidin.

Një shembull tjetër i dikujt që dinte se kur të kërkonte falje është apostulli Pavël. Njëherë, iu desh të mbrohej përpara Sinedrit, gjykatës së lartë judaike. I tërbuar nga fjalët e sinqerta të Pavlit, kryeprifti Anania i urdhëroi ata që qëndronin pranë Pavlit ta goditnin në gojë. Atëherë Pavli i tha: «Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur me gëlqere. Ulesh për të më gjykuar sipas Ligjit e po në të njëjtën kohë, duke e shkelur Ligjin, urdhëron të më godasin?» Kur ata që po shihnin skenën e akuzuan Pavlin se po shante kryepriftin, apostulli e pranoi menjëherë gabimin duke thënë: «Vëllezër, nuk e dija që ishte kryeprift. Sepse është shkruar: ‘Nuk duhet të flasësh keq për një qeveritar të popullit tënd.’ »​—Veprat 23:1-5.

Ajo që tha Pavli​—se dikush i caktuar si gjykatës nuk duhej të përdorte dhunë​—ishte e drejtë. Gjithsesi, ai kërkoi falje që pa e ditur i foli kryepriftit në një mënyrë që mund të dukej si pa respekt. * Kërkesa për falje që bëri Pavli përgatiti terrenin që Sinedri ta dëgjonte se çfarë kishte për të thënë. Pasi ishte i vetëdijshëm për polemikat midis anëtarëve të gjykatës, ai u tha atyre se po gjykohej meqë besonte te ringjallja. Si pasojë, u shkaktua shumë fërkim ndërkohë që farisenjtë ishin nga ana e Pavlit.​—Veprat 23:6-10.

Çfarë mund të mësojmë nga këta dy shembuj biblikë? Në të dyja rastet, shprehjet e sinqerta të keqardhjes hapën rrugën për komunikim të mëtejshëm. Pra, fjalët e të kërkuarit falje mund të na ndihmojnë të bëjmë paqe. Po, duke pranuar gabimet dhe duke kërkuar falje për dëmin e shkaktuar mund të na krijohen mundësi për biseda ndërtuese.

‘Por unë s’kam bërë asgjë të gabuar’

Kur marrim vesh se dikush është ofenduar nga ajo që kemi thënë ose kemi bërë, mund të mendojmë se personi është i paarsyeshëm ose tepër i ndjeshëm. Megjithatë, Jezu Krishti i këshilloi dishepujt: «Nëse ti, pra, po sjell dhuratën tënde në altar dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde atje, para altarit, dhe ik; bëj më parë paqe me vëllanë tënd dhe pastaj, kur të jesh kthyer, ofro dhuratën tënde.»​—Mateu 5:23, 24.

Për shembull, një vëlla mund të mendojë se ju keni mëkatuar kundër tij. Në një rrethanë të tillë, Jezui thotë se duhet të shkoni dhe ‘të bëni paqe me vëllanë tuaj’, pavarësisht nëse mendoni se keni bërë ose jo gabim ndaj tij. Sipas shkrimit në greqisht, fjala që përdori këtu Jezui ‘do të thotë lëshim i ndërsjellë pas një konflikti të ndërsjellë’. (Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words) Vërtet, kur dy njerëz kanë mosmarrëveshje, të dy palët mund të kenë një masë faji, sepse që të dy janë të papërsosur dhe të prirur për të gabuar. Kjo gjë kërkon zakonisht të bëhen lëshime të ndërsjella.

Çështja nuk është kaq shumë e rëndësishme se kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim, por kush do të marrë nismën për të bërë paqe. Kur apostulli Pavël vërejti se të krishterët në Korint po i çonin bashkëshërbëtorët e Perëndisë në gjykata për mospajtime kaq personale, si mosmarrëveshjet financiare, ai i qortoi: «Përse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet një padrejtësi? Përse nuk lejoni më mirë që t’ju hanë hakun?» (1 Korintasve 6:7) Ndonëse Pavli e tha këtë gjë, që të bashkëkrishterët të mos i paraqitnin mospajtimet e tyre personale nëpër gjykata, parimi është i qartë: Paqja midis bashkëbesimtarëve është më e rëndësishme sesa të provojmë se kush ka të drejtë e kush e ka gabim. Duke e mbajtur në mendje këtë parim e kemi më të lehtë të kërkojmë falje për ndonjë gabim që dikush mendon se kemi kryer kundër tij.

Nevojitet çiltërsi

Disa njerëz, megjithatë, i shpërdorojnë fjalët që përdorin për të kërkuar falje. Për shembull, në Japoni fjala sumimasen, një shprehje tipike që përdoret për të kërkuar falje, dëgjohet mijëra herë. Madje mund të përdoret për të shprehur mirënjohje, e cila përfshin një ndjenjë të sikletshme ngaqë nuk je në gjendje ta kthesh favorin që të ka bërë dikush. Pasi kjo fjalë është e shumanshme, disa mund të mendojnë se ajo përdoret shumë shpesh dhe mund të dyshojnë nëse ata që e thonë janë në të vërtetë të sinqertë apo jo. Edhe në kultura të tjera mund të duket se përdoren në mënyrë të tepruar forma të ndryshme për të kërkuar falje.

Në çdo gjuhë, është e rëndësishme të jemi të sinqertë kur kërkojmë falje. Mënyra e të shprehurit dhe toni i zërit duhet të tregojnë se na vjen vërtet keq. Jezu Krishti i mësoi dishepujt në Predikimin në Mal: «Por fjala juaj Po, le të jetë Po, Jo-ja juaj, Jo; sepse ajo që është më tepër se këto është nga i ligu.» (Mateu 5:37) Nëse kërkoni falje, tregojeni se e bëni me të vërtetë këtë gjë! Për ta ilustruar: një njeri që rrinte në radhë te pika e kontrollit në aeroport kërkoi falje kur valixhja e tij preku lehtë gruan që po priste afër tij në radhë. Pak minuta më vonë, kur njerëzit filluan të lëvizin, valixhja e preku përsëri gruan. Edhe një herë, burri me mirësjellje kërkoi falje. Kur e njëjta gjë ndodhi përsëri, personi që po udhëtonte bashkë me këtë grua i tha burrit në fjalë që nëse kishte kërkuar vërtet falje, duhej të ishte siguruar që valixhja të mos e prekte përsëri gruan. Po, të kërkuarit falje sinqerisht duhet shoqëruar nga vendosmëria për të mos e përsëritur gabimin.

Nëse jemi të sinqertë, kur kërkojmë falje do të pranojmë gabimin dhe do të bëjmë një përpjekje për ta zhbërë dëmtimin në masën që është e mundur. Nga ana tjetër, personi i ofenduar do ta falë me gatishmëri keqbërësin e penduar. (Mateu 18:21, 22; Marku 11:25; Efesianëve 4:32; Kolosianëve 3:13) Meqenëse të dyja palët janë të papërsosura, bërja e paqes nuk mund të kryhet gjithnjë me lehtësi. Sidoqoftë, fjalët që përdorim për të kërkuar falje janë një forcë e fuqishme për të bërë paqe.

Kur është e papërshtatshme të kërkojmë falje

Ndonëse shprehjet e keqardhjes e të pikëllimit kanë ndikim qetësues dhe ndihmojnë për të bërë paqe, një person i mençur shmang përdorimin e këtyre shprehjeve kur nuk është e përshtatshme ta bëjë këtë. Ta zëmë, për shembull, se çështja përfshin besnikërinë ndaj Perëndisë. Kur Jezu Krishti ishte në tokë, «ai e përuli veten dhe u bë i bindur deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture». (Filipianëve 2:8) Gjithsesi, ai nuk kërkoi falje për bindjet e tij në mënyrë që të lehtësonte vuajtjet. Gjithashtu, Jezui nuk kërkoi falje kur kryeprifti i bëri kërkesën: «Po të vë në be për Perëndinë e gjallë, të na thuash nëse je ti Krishti, Biri i Perëndisë!» Në vend që të kërkonte falje me druajtje, Jezui u përgjigj me guxim: «Ti vetë e the. Megjithatë, unë po ju them: Që këtej e tutje do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e fuqisë dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.» (Mateu 26:63, 64) Jezuit kurrë nuk i shkoi ndër mend të ruante paqen me kryepriftin duke e paguar me besnikërinë ndaj Atit të tij, Perëndisë Jehova.

Të krishterët tregojnë respekt dhe nderim ndaj autoriteteve. Megjithatë, ata nuk kanë pse të kërkojnë falje për bindjen ndaj Perëndisë dhe për dashurinë për vëllezërit e tyre.​—Mateu 28:19, 20; Romakëve 13:5-7.

Asnjë pengesë për paqen

Sot, ne bëjmë gabime, sepse kemi trashëguar papërsosmërinë dhe mëkatin nga paraardhësi ynë Adami. (Romakëve 5:12; 1 Gjonit 1:10) Gjendja mëkatare e Adamit ishte pasojë e rebelimit të tij kundër Krijuesit. Megjithatë, në fillim Adami dhe Eva ishin të përsosur e pa mëkat dhe Perëndia ka premtuar t’i rivendosë njerëzit në këtë gjendje përsosmërie. Ai do të fshijë mëkatin dhe të gjithë pasojat e tij.​—1 Korintasve 15:56, 57.

Vetëm mendoni se çfarë do të thotë kjo! Në këshillën e tij për përdorimin e gjuhës, gjysmëvëllai i Jezuit, Jakovi, tha: «Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, ky është njeri i përsosur, në gjendje për t’i vënë fre edhe gjithë trupit të vet.» (Jakovit 3:2) Një njeri i përsosur mund ta mbajë nën kontroll gjuhën në mënyrë që të mos ketë nevojë për të kërkuar falje për keqpërdorimin e saj. Ai është ‘në gjendje për t’i vënë fre gjithë trupit të vet’. Sa e mrekullueshme do të jetë kur të bëhemi të përsosur! Atëherë, nuk do të ketë më pengesa për paqe ndërmjet individëve. Ndërkohë, duke kërkuar falje sinqerisht dhe në mënyrë të përshtatshme për një gabim të kryer, do të ndihmojmë jashtëzakonisht që të bëjmë paqe.

[Shënimi]

^ par. 8 Mund të ketë qenë fare mirë për shkak të shikimit të dobët që Pavli nuk e njohu kryepriftin.

[Figura në faqen 5]

Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Pavlit?

[Figura në faqen 7]

Kur gjithkush të jetë i përsosur, nuk do të ketë më pengesa për paqen