Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lindja e Jezuit: Si dhe pse ndodhi?

Lindja e Jezuit: Si dhe pse ndodhi?

Lindja e Jezuit: Si dhe pse ndodhi?

«E PAMUNDUR!» Kështu do të reagonin shumë veta që s’janë të krishterë kur të dëgjonin historinë e lindjes së Jezuit. Ata mendojnë se nuk është shkencore të besosh se një e virgjër mund të ngjizet dhe të lindë një djalë pa pasur marrëdhënie me një burrë. Po ju, çfarë mendoni?

Në vitin 1984, gazeta The Times në Londër botoi një letër në të cilën arsyetohej për këtë çështje e ku pohohej: «Nuk është e vlefshme nga ana logjike të përdorësh shkencën si argument kundër mrekullive. Të besosh se mrekullitë nuk mund të ndodhin është një akt besimi njësoj si të besosh se ato mund të ndodhin.» Letra ishte firmosur nga 14 profesorë të shkencave në universitetet britanike. Ata thoshin: «Me gëzim i pranojmë si ngjarje historike lindjen nga virgjëresha, mrekullitë e Ungjillit dhe ringjalljen e Krishtit.»

Sidoqoftë, është e kuptueshme nëse një personi i vjen çudi kur dëgjon për herë të parë historinë e lindjes së Jezuit nga një virgjëreshë. Vetë nënës së virgjër të Jezuit i erdhi çudi kur engjëlli i Perëndisë tha: «Ja, ti do të ngjizesh në barkun tënd e do të lindësh një bir dhe ke për t’ia vënë emrin Jezu.» Maria pyeti: «Si ka për të ndodhur kjo, kur unë s’kam marrëdhënie me një burrë?» Atëherë engjëlli i shpjegoi se këtë mrekulli do ta bënte Perëndia me anë të frymës së Tij të shenjtë dhe pastaj shtoi: «Te Perëndia asnjë deklaratë nuk do të jetë gjë e pamundur.» (Luka 1:31, 34-37) Patjetër, Ai që krijoi procesin mahnitës të riprodhimit njerëzor mund të shkaktonte edhe ngjizjen dhe lindjen e Jezuit nga një virgjëreshë e dëlirë. Në rast se Perëndia krijoi universin dhe ligjet e tij të sinkronizuara në mënyrë të saktë, po ashtu mund të përdorte një qelizë vezë nga vezorja e Marisë për të krijuar një Bir njerëzor të përsosur.

Pse ishte e nevojshme kjo?

Njeriu i perëndishëm, Jozefi, ishte i fejuar me Marinë në kohën kur ajo u ngjiz. Në një ëndërr, engjëlli i Perëndisë i shpjegoi Jozefit arsyen e mrekullueshme përse e fejuara e tij e virgjër ishte shtatzënë. Engjëlli tha: «Mos ki frikë ta marrësh në shtëpi Marinë, gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të, është prej frymës së shenjtë. Ajo do të lindë një bir dhe ti duhet t’ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij prej mëkateve të tyre.» (Mateu 1:20, 21) Në gjuhën hebraike emri Jezu do të thotë «Jehovai është shpëtim». Ky emër na kujton nevojën për të shpëtuar nga mëkati e nga vdekja dhe për masën e Perëndisë Jehova për këtë shpëtim nëpërmjet Jezuit.

Duke qenë se njeriu i parë, Adami, mëkatoi, të gjithë pasardhësit e tij lindën të papërsosur, me prirjen për të shkelur ligjet e Perëndisë. (Romakëve 5:12) Në ç’mënyrë pasardhësit e Adamit mund të shpëtonin nga mëkati e të fitonin përsosmërinë? Për të barazuar peshoren e drejtësisë, duhej paguar një jetë tjetër e përsosur njerëzore, e cila për nga vlera duhej të përkonte me jetën e Adamit. Ja përse Perëndia shkaktoi lindjen e mrekullueshme të njeriut të përsosur Jezu dhe ja përse Jezui lejoi që ta vritnin armiqtë. (Gjoni 10:17, 18; 1 Timoteut 2:5, 6) Pas ringjalljes dhe ngritjes në jetën qiellore, Jezui mundi të thoshte me siguri: «Isha i vdekur, por ja, jetoj në jetë të jetëve dhe kam çelësat e vdekjes dhe të Hadesit [varri i përbashkët i njerëzimit].»​—Zbulesa 1:18.

Me çelësat figurativë të vdekjes e të Hadesit, Jezui ua hapi rrugën njerëzve mëkatarë për të fituar përsëri atë që humbi Adami. Jezui shpjegoi: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që ushtron besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të vijë në jetë; dhe kushdo që jeton dhe ushtron besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës.» (Gjoni 11:25, 26) Sa premtim i mrekullueshëm! Por ka edhe një arsye më të madhe pse lindi Jezui.

Arsyeja më e rëndësishme

Ngjizja e Jezuit në mitrën e Marisë nuk ishte fillimi i jetës së tij. «Kam zbritur nga qielli»,​—pohoi qartësisht ai. (Gjoni 6:38) Jezui kishte jetuar në sferën qiellore bashkë me Atin e tij qiellor që nga fillimi i krijimit. Në fakt, Bibla e përshkruan atë si «fillimi i krijimit të Perëndisë». (Zbulesa 3:14) Nga qielli Jezui ishte dëshmitar i rebelimit të një engjëlli të lig, i cili i ktheu njerëzit e parë kundër sundimit të Perëndisë. Kjo i dha Jezuit arsyen më të rëndësishme që të donte të lindte si Bir njerëzor i përsosur i Perëndisë. Cila ishte ajo?

Ajo ishte që të provonte se Ati i tij qiellor kishte të drejtën për të sunduar në univers. Duke qëndruar besnik në tokë, që nga lindja e deri në vdekje, Jezui shfaqi gatishmërinë për t’iu nënshtruar mënyrës si sundon Jehovai mbi krijesat e Tij. Para se të vdiste nga duart e armiqve të Perëndisë, Jezui pohoi qartë arsyen pse ishte i gatshëm ta jepte jetën si një flijim. Ai tha se arsyeja ishte që bota ta dinte se ai e donte Atin. (Gjoni 14:31) Sikur dy njerëzit e parë, Adami dhe Eva, të kishin zhvilluar një dashuri të tillë, do të kishin qëndruar besnikë nën sprovën shumë më të lehtë që patën.​—Zanafilla 2:15-17.

Gjithashtu, besnikëria e Jezuit e demaskoi engjëllin e lig, Satanain, si një gënjeshtar. Satanai kishte shpifur kundër Perëndisë dhe kundër njerëzve duke thënë përpara engjëjve në qiell: «Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij.» (Jobi 2:1, 4) Satanai në mënyrë të gabuar hodhi akuzën se të gjithë njerëzit për të shpëtuar jetën e tyre nuk do t’i bindeshin Perëndisë.

Çështjet e mësipërme sfiduan të drejtën që ka Perëndia për të sunduar. Për t’i zgjidhur ato, Jezui ishte i gatshëm të lindte si një njeri dhe të tregonte besnikërinë e tij deri në vdekje.

Pra, arsyeja kryesore përse lindi Jezui në tokë, siç tha ai vetë, ishte që ‘të jepte dëshmi për të vërtetën’. (Gjoni 18:37) E bëri këtë duke treguar me fjalë e me vepra se sundimi i Perëndisë është plotësisht i drejtë dhe se nënshtrimi ndaj tij sjell lumturi të qëndrueshme. Po ashtu, Jezui shpjegoi se erdhi në botë për të dhënë jetën e tij njerëzore si «shpërblesë në këmbim të shumë vetave», duke u hapur rrugën njerëzve mëkatarë të fitonin përsosmërinë dhe jetën e përhershme. (Marku 10:45) Që njerëzimi t’i kuptonte këto gjëra jetësore, ishte i nevojshëm një dokumentim i lindjes së Jezuit. Veç kësaj, ngjarjet që lidhen me lindjen e Jezuit përmbajnë mësime të tjera të rëndësishme, siç do të tregohet në artikullin vijues.

[Figurat në faqen 4]

Si mund të shpëtonin nga mëkati pasardhësit e Adamit?