Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Buzët që thonë të vërtetën, do të bëhen të qëndrueshme përjetë’

‘Buzët që thonë të vërtetën, do të bëhen të qëndrueshme përjetë’

‘Buzët që thonë të vërtetën, do të bëhen të qëndrueshme përjetë’

ASHTU si një zjarr i vogël mund t’i vërë flakën e të shkatërrojë një pyll të tërë, ajo është në gjendje t’i përhapë ndikimet shkatërrimtare në krejt jetën e individit. Mund të jetë plot vrer, por mund të jetë edhe «një dru i jetës». (Fjalët e urta [Proverbat] 15:4) Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e saj. (Fjalët e urta 18:21) Këtë fuqi ka ky organ i vogël, gjuha, e cila mund të njollosë gjithë trupin. (Jakovit 3:5-9) Jemi të mençur nëse e kontrollojmë gjuhën.

Në pjesën e dytë të kapitullit të 12-të të librit biblik të Fjalëve të urta, mbreti i lashtë i Izraelit Solomoni jep këshilla të vlefshme që na ndihmojnë të kontrollojmë gjuhën. Nëpërmjet proverbave të shkurtra, por domethënëse, mbreti i mençur tregon se fjalët sjellin pasoja, si dhe zbulojnë shumë rreth cilësive të individit që i thotë. Këshillat e frymëzuara të Solomonit janë të domosdoshme për këdo që dëshiron ‘të vërë një rojë para gojës së tij’.​—Psalmi 141:3.

‘Shkelja që të zë në lak’

Solomoni thotë: «Prej shkeljes së buzëve, njeriu i keq zihet në lak, por i drejti del nga ankthi.» (Proverbat 12:13, BR) Gënjeshtra është shkelje e buzëve që bëhet grackë vdekjeprurëse për atë që e praktikon. (Zbulesa 21:8) Pandershmëria mund të duket si një rrugë e lehtë për t’i shpëtuar ndëshkimit ose për të dalë nga një rrethanë e pakëndshme. Por, a nuk ndodh që shpesh një gënjeshtër të çon në gënjeshtra të tjera? Ashtu si një person, i cili fillon të luajë bixhoz me shuma të vogla, pastaj përfshihet në baste gjithnjë e më të mëdha ndërsa përpiqet të rifitojë paratë e humbura, një gënjeshtar e gjen shpejt veten të ngecur në një rreth vicioz.

Më tej shkelja e buzëve e zë në lak në kuptimin që dikush që i gënjen të tjerët mund përfundojë deri aty sa të gënjejë vetveten. Për shembull, një gënjeshtar mund ta bindë me lehtësi veten se është i shkëlqyer dhe ka shumë njohuri, kur në të vërtetë di shumë pak. Kështu ai fillon të jetojë sipas kësaj gënjeshtre. Në fakt «në sytë e tij ai ka vepruar me shumë butësi ndaj vetes, prandaj nuk mund ta zbulojë dot gabimin që ta urrejë». (Psalmi 36:2, BR) Çfarë laku është gënjeshtra! Nga ana tjetër, i drejti nuk do të përfshihet në një rrethanë të tillë të vështirë. Edhe pse mund të vuajë, nuk do të përdorë gjuhën gënjeshtare.

‘Fryt që të ngop’

Apostulli Pavël paralajmëron: «Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë. Sepse çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7) Patjetër që ky parim zbatohet si për të folurin, edhe për veprimet tona. Solomoni thotë: «Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij dhe secili do të marrë shpërblimin sipas veprës së duarve të tij.»​Fjalët e urta 12:14.

Goja që «shpreh mençuri» prodhon fryt që të ngop. (Psalmi 37:30, BR) Mençuria kërkon njohuri dhe asnjë njeri nuk mund ta zotërojë të gjithë njohurinë. Secili duhet t’i dëgjojë këshillat e shkëlqyera dhe t’u vërë veshin atyre. «Rruga e budallait është e drejtë para syve të tij, por ai që dëgjon këshillat është i urtë [i mençur, BR].»​Fjalët e urta 12:15.

Jehovai na jep këshilla të shëndosha nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së tij, duke përdorur botimet e siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45; 2 Timoteut 3:16) Sa e marrë do të ishte të mos i pranonim këshillat e mira dhe të ngulnim këmbë për t’i bërë gjërat sipas mënyrës sonë! Kur Jehovai, «Ai që u jep njerëzve njohuri», na këshillon nëpërmjet kanalit të tij të komunikimit, duhet të jemi ‘të shpejtë për të dëgjuar’.​—Jakovit 1:19; Psalmi 94:10, BR.

Si reagon i mençuri dhe i marri ndaj fyerjeve dhe kritikave të padrejta? Solomoni përgjigjet: «Njeri i marrë është kush e bën të njohur brenda ditës acarimin e tij, por mendjeholli mbulon një çnderim.»​Proverbat 12:16, BR.

Kur trajtohet me mospërfillje, i marri jep shpejt një përgjigje të zemëruar​—«brenda ditës». Por një individ i matur lutet për frymën e Perëndisë që të ushtrojë vetëkontroll. Ai merr kohë për të medituar rreth këshillave të Fjalës së Perëndisë dhe mediton me çmueshmëri rreth fjalëve të Jezuit: «Atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.» (Mateu 5:39) Duke mos dashur ‘t’ia kthejë askujt të keqen me të keqe’, njeriu mendjehollë e frenon gjuhën për të mos folur pa menduar. (Romakëve 12:17) Po ashtu, kur mbulojmë çfarëdo çnderimi që mund të hasim, shmangim grindje të mëtejshme.

‘Gjuha që shëron’

Shkelja e buzëve mund të shkaktojë shumë dëm në një mjedis gjyqësor. Mbreti i Izraelit thotë: «Kush shpreh besueshmëri, do të tregojë atë që është e drejtë, kurse dëshmitari i rremë, mashtrimin.» (Proverbat 12:17, BR) Dëshmitari i vërtetë shpreh besueshmëri, sepse dëshmia e tij është e sigurt dhe e besueshme. Fjalët e tij ndihmojnë që të vendoset drejtësia. Dëshmitari i rremë, nga ana tjetër, është plot mashtrim dhe nxit dështimin e drejtësisë.

Solomoni vazhdon: «Kush flet pa mend [pa u menduar, BR] është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve [të mençurve, BR] sjell shërim.» (Fjalët e urta 12:18) Fjalët mund të shpojnë si shpatë, duke prishur miqësitë dhe duke shkaktuar probleme. Por ato mund të jenë edhe të këndshme dhe të hijshme, duke i ruajtur miqësitë. A nuk janë nofkat ofenduese, të bërtiturat, kritikat e vazhdueshme dhe fyerjet poshtëruese, sëmbime që shkaktojnë plagë të thella emocionale? Sa mirë është që të ndreqim çdo gabim që mund të bëjmë në këtë drejtim, duke kërkuar falje të sinqertë me anë të fjalëve shëruese!

Në kohët e vështira në të cilat po jetojmë, nuk çuditemi që shumë veta e kanë «zemrën të thyer» dhe «frymën të dërrmuar». (Psalmi 34:18) A nuk po e vëmë në veprim fuqinë shëruese të fjalëve ‘kur u flasim në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të ligështuar’ dhe ‘kur mbështetim të dobëtit’? (1 Selanikasve 5:14) Po, fjalët me empati mund t’u japin zemër adoleshentëve që po luftojnë kundër presioneve të dëmshme të bashkëmoshatarëve. Të folurit e matur mund t’i sigurojë të moshuarit se kemi nevojë për ta dhe i duam. Fjalët mirëdashëse sigurisht që mund t’ua bëjnë më të lumtur ditën atyre që janë të sëmurë. Edhe qortimi është më i lehtë për t’u pranuar kur jepet «me një frymë butësie». (Galatasve 6:1) Dhe sa fuqi shëruese që ka gjuha kur e përdorim për të ndarë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë me ata që dëgjojnë!

‘Buza që qëndron’

Solomoni përdor fjalën «buzë» si sinonim të fjalës «gjuhë» dhe thotë: «Buza që thotë të vërtetën, do të bëhet e qëndrueshme përjetë, por gjuha që gënjen zgjat vetëm një çast.» (Fjalët e urta 12:19) Shprehja «buza që thotë të vërtetën» në gjuhën hebraike është në numrin njëjës dhe ka një kuptim më të thellë sesa thjesht të folurit e vërtetë. Një vepër referimi thotë: «Ajo përfshin cilësi të tilla, si: vazhdimësinë, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë. Të folurit që ka këtë cilësi do të qëndrojë . . . përgjithmonë, sepse është i besueshëm në kontrast me gjuhën gënjeshtare . . . , e cila mund të mashtrojë për një çast, por nuk mund të ngadhënjejë kur vihet në sprovë.»

Mbreti i mençur thotë: «Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen ka gëzim.» Ai shton: «Asnjë e keqe nuk do t’i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe.»​Fjalët e urta 12:20, 21.

Ata që komplotojnë të keqen mund të shkaktojnë vetëm dhembje dhe vuajtje. Kurse këshilluesit e paqes kënaqen sepse bëjnë atë që është e drejtë. Ata kanë edhe gëzimin që të shohin rezultatet e mira. Ç’është më e rëndësishmja, gëzojnë miratimin e Perëndisë, sepse «buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi [besueshmëri, BR] i pëlqejnë atij».​—Fjalët e urta 12:22.

‘Të folurit që mbulon njohurinë’

Mbreti i Izraelit përshkruan gjithashtu një ndryshim tjetër midis atij që i përdor me kujdes fjalët dhe atij që nuk e bën këtë, dhe thotë: «Njeriu mendjehollë e mbulon njohurinë, kurse zemra e budallenjve e shpall marrëzinë.»​Proverbat 12:23, BR.

Njeriu mendjehollë ose i matur e di se kur duhet të flasë e kur nuk duhet. Ai e mbulon njohurinë, duke e frenuar veten që të mos kapardiset për atë që di. Kjo nuk do të thotë se e fsheh gjithmonë njohurinë që ka. Përkundrazi e shfaq me maturi. Në të kundërt, budallai është i shpejtë në të folur dhe e bën të njohur marrëzinë e tij. Le të jenë, pra, fjalët tona të pakta dhe gjuha jonë të mos mbahet me të madhe.

Solomoni, duke vazhduar të nxjerrë në pah ndryshime të tjera, thekson një pikë dramatike në lidhje me të qenët ngulmues dhe të qenët i ngathët. Ai thotë: «Dora e ngulmuesve është ajo që do të sundojë, kurse dora e ngathët do të jetë për punë të detyrueshme.» (Proverbat 12:24, BR) Puna e palodhur mund të sjellë si rezultat përparim dhe pavarësi financiare, kurse përtacia, punë të detyrueshme dhe skllavëri. Siç thotë një studiues, «me kalimin e kohës përtaci do të bëhet skllav i njeriut ngulmues».

‘Fjalët që shkaktojnë gëzim’

Mbreti Solomon i kthehet përsëri të folurit, duke bërë një vërejtje me vend rreth natyrës njerëzore. Ai thotë: «Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.»​Fjalët e urta 12:25.

Ka shumë ankthe dhe shqetësime që mund ta bëjnë zemrën të rëndohet me trishtim. Ajo që nevojitet për ta lehtësuar barrën dhe për ta bërë zemrën të gëzojë është një fjalë e mirë inkurajimi nga një person që të kupton. Por, si mund ta dinë të tjerët se sa shumë shqetësim kemi në zemër po qe se nuk hapemi dhe nuk flasim për të? Po, kur jemi të shqetësuar ose të dëshpëruar duhet t’i hapemi dikujt që ka empati, i cili mund të na ndihmojë. Për më tepër, kur i shprehim ndjenjat me fjalë, lehtësojmë disi angështinë e zemrës. Prandaj është mirë t’i hapemi bashkëshortit, prindit ose një miku të dhembshur e që ka kualifikime frymore.

A ka fjalë më të mira inkurajimi sesa ato që gjenden në Bibël? Prandaj duhet t’i afrohemi Perëndisë duke medituar me çmueshmëri rreth Fjalës së tij të frymëzuar. Patjetër që një meditim i tillë mund t’i sjellë gëzim zemrës së trazuar dhe mund t’i ndriçojë sytë e trishtuar. Psalmisti e pohon këtë të vërtetë me fjalët: «Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë. Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë të pastra dhe ndriçojnë sytë.»​—Psalmi 19:7, 8.

Shtegu që është shpërblyes

Mbreti i Izraelit vë në kontrast udhën e të drejtit me atë të të ligut dhe thotë: «I drejti e vëzhgon kullotën e vet, por vetë udha e të ligjve i bën ata të shkojnë sa andej-këtej.» (Proverbat 12:26, BR) I drejti është i kujdesshëm ndaj kullotës së tij, pra ndaj shokëve dhe miqve që zgjedh. Ai i zgjedh me mençuri, duke u përpjekur të shmangë lidhje të rrezikshme. Nuk është kështu me të ligjtë, të cilët nuk i pranojnë këshillat dhe ngulmojnë në udhën e tyre. Ata janë në udhë të gabuar dhe enden sa andej-këtej.

Më tej, mbreti Solomon paraqet nga një këndvështrim tjetër ndryshimin midis njeriut të ngathët dhe atij ngulmues. «Përtaci (njeriu i ngathët, BR) nuk do ta pjekë gjahun e vet, pasuri të çmueshme do të ketë njeriu i kujdesshëm (kush ngulmon, BR)(Fjalët e urta 12:27, DSF) Njeriu i ngathët ose «përtaci» nuk «e nxjerr» ose nuk «e pjek» gjahun e tij. Për këtë arsye nuk mund ta mbarojë atë që ka nisur. Kurse ngulmimi është sinonim i pasurive.

Kaq e dëmshme është përtacia, saqë apostulli Pavël e pa të nevojshme t’u shkruante të bashkëkrishterëve në Selanik dhe të ndreqte disa individë atje, të cilët ‘po ecnin në mënyrë të çrregullt’. Ata nuk punonin aspak, por përziheshin në gjëra që nuk i takonin. Këta individë bëheshin një barrë e rëndë për të tjerët. Prandaj Pavli i këshilloi hapur, duke u bërë thirrje që ‘të hanin bukën që fitonin vetë, duke punuar shtruar’. Në qoftë se nuk do të reagonin ndaj kësaj këshille të prerë, Pavli i këshilloi të tjerët në kongregacion që ‘të largoheshin’ nga ata, pra t’i shmangnin, natyrisht në rrethanat shoqërore.​—2 Selanikasve 3:6-12.

Duhet të marrim për zemër jo vetëm këshillën e Solomonit për të qenë të palodhur, por edhe këshillat për ta përdorur siç duhet gjuhën. Le ta përdorim këtë organ të vogël për të sjellë shërim dhe gëzim, ndërkohë që shmangim shkeljen e buzëve dhe ndjekim një udhë të drejtë. Solomoni na siguron: «Në shtegun e drejtësisë ka jetë dhe të ecësh në udhën e saj do të thotë të mos ketë vdekje.»​Proverbat 12:28, BR.

[Figurat në faqen 27]

‘Ai që dëgjon këshillat është i mençur’

[Figurat në faqen 28]

‘Gjuha e të mençurve sjell shërim’

[Figura në faqen 29]

Kur i hapemi një miku të besueshëm mund të marrim ngushëllim

[Figura në faqen 30]

Meditimi me çmueshmëri rreth Fjalës së Perëndisë e bën zemrën të gëzojë