Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të marrësh vendime të mençura?

Si të marrësh vendime të mençura?

Si të marrësh vendime të mençura?

«NJERIU i mençur do të dëgjojë e do të marrë më shumë mësim»,—tha Solomoni, mbret i Izraelit të lashtë. Ndonjëherë, shumica prej nesh kemi marrë vendime jo të mençura vetëm sepse nuk i dëgjuam këshillat e të tjerëve.—Proverbat [Fjalët e urta] 1:5, BR.

Këto fjalë të Solomonit më vonë u shkruan në Bibël, bashkë me proverba të tjerë nga ‘tre mijë proverbat’ që thuri ai. (1 Mbretërve 4:32) A mund të nxjerrim dobi në qoftë se i dimë dhe u vëmë veshin thënieve të tij të mençura? Po. Ato na ndihmojnë ‘që të njohim diturinë dhe të mësojmë gjykimet e mençura; që të dimë si të veprojmë me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri’. (Fjalët e urta 1:2, 3) Le të shqyrtojmë pesë udhëzime të bazuara në Bibël që mund të na ndihmojnë të marrim vendime të mençura.

Shqyrto pasojat afatgjata

Disa vendime do të kenë pasoja të rëndësishme. Prandaj, përpiqu të përcaktosh që më parë se cilat do të jenë këto pasoja. Ki kujdes se mos ndoshta nuk dallon disa pasoja afatgjata të padëshirueshme, ngaqë je i tërhequr nga dobitë e përkohshme. «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen»,—na paralajmëron Fjalët e urta 22:3.

Mund të jetë e dobishme të shkruash se cilat do të jenë pasojat e përkohshme dhe cilat afatgjata. Kur zgjedh një punë të caktuar, rezultatet e përkohshme mund të jenë një rrogë e mirë dhe një punë e kënaqshme. Por, a përfshijnë ndoshta pasojat afatgjata të kesh një punë pa perspektivë? A mos pas një farë kohe puna mund të kërkojë që të transferohesh diku tjetër, ndoshta larg nga miqtë ose familja? A mos ndoshta për shkak të punës do të gjendesh në një mjedis të keq ose ajo mund të mos jetë fare interesante e për pasojë të mërzit? Pesho me kujdes dobitë dhe pasojat, dhe pastaj vendos se cilët faktorë duhen parë si më të rëndësishëm.

Mos u nxito

Vendimet e nxituara fare lehtë mund të jenë jo të mençura. Në Fjalët e urta 21:5 na jepet kjo këshillë: «Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.» Për shembull, adoleshentët që po kalojnë një dashuriçkë nuk duhet të nxitohen duke u martuar. Përndryshe mund ta përjetojnë vetë se sa të vërteta janë fjalët e Uilliam Kongrivit, dramaturg në fillim të shekullit të 18-të. Ai tha: «Nëse martohesh me ngut, mund të pendohesh me nge.»

Megjithatë të mos nxitohesh nuk duhet ngatërruar me zvarritjen e gjërave. Disa vendime janë aq të rëndësishme, saqë është gjë e mençur të merren sa më shpejt që të jetë e arsyeshme. Po qe se, pa qenë nevoja, zvarrisim marrjen e vendimeve, kjo mund të na kushtojë edhe neve, edhe të tjerëve. Kur një vendim shtyhet për më vonë, kjo mund të përbëjë në vetvete një vendim, e ka të ngjarë një vendim jo të mençur.

Ji i gatshëm të pranosh këshilla nga të tjerët

Meqë nuk ka kurrë dy rrethana krejtësisht të njëjta, dy njerëz mund të mos marrin të njëjtin vendim kur ndeshin probleme të ngjashme. Megjithatë është e dobishme të dëgjojmë se çfarë vendimesh kanë marrë të tjerët për çështje të ngjashme me tonat. Pyeti se çfarë mendojnë tani për vendimin e tyre. Për shembull, kur duhet të zgjedhësh një zanat, pyet ata që tashmë e kanë këtë zanat që të të thonë anët pozitive dhe negative të zanatit. Cilat dobi ka sjellë zgjedhja e tyre dhe cilat kanë qenë anët negative ose rreziqet e mundshme?

Te Fjalët e urta jepet kjo këshillë: «Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.» (Fjalët e urta 15:22) Natyrisht, kur kërkojmë këshilla dhe mësojmë nga përvoja e të tjerëve, duhet të jemi plotësisht të vetëdijshëm se na takon neve të marrim vendimin përfundimtar dhe se po ashtu e kemi ne përgjegjësinë për të marrë këtë vendim.—Galatasve 6:4, 5.

Dëgjoje ndërgjegjen e stërvitur mirë

Ndërgjegjja na ndihmon të marrim vendime në harmoni me ato parime bazë sipas të cilave zgjedhim të jetojmë. Për një të krishterë kjo do të thotë që ta stërvitë ndërgjegjen, me qëllim që të pasqyrojë mendimet e Perëndisë. (Romakëve 2:14, 15) Fjala e Perëndisë na thotë: «Pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» (Fjalët e urta 3:6) Patjetër që në disa fusha dy individë, secili me një ndërgjegje të stërvitur mirë, mund të arrijnë në përfundime të ndryshme e kështu të marrin vendime të ndryshme.

Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për veprime që dënohen drejtpërdrejt nga Fjala e Perëndisë, një ndërgjegje e stërvitur mirë nuk do të luhatet mes dy vendimesh të ndryshme, por do të marrë menjëherë vetëm një vendim. Për shembull, një burri dhe një gruaje mund t’ua lejojë ndërgjegjja, e cila nuk është stërvitur në bazë të parimeve biblike, që të provojnë nëse përputhen me njëri-tjetrin thjesht duke bashkëjetuar përpara se të martohen. Ata mund të mendojnë se kanë marrë një vendim të mençur duke arsyetuar se kështu nuk do të nxitohen për t’u martuar me njeriun e gabuar. Ndoshta ndërgjegjja e tyre nuk i dënon. Por, kushdo që ka pikëpamjen e Perëndisë për seksin dhe martesën do të vendosë kundër një mase të tillë të përkohshme dhe imorale.—1 Korintasve 6:18; 7:1, 2; Hebrenjve 13:4.

Si ndikojnë te të tjerët vendimet e tua

Shpesh vendimet e tua mund të ndikojnë te të tjerët. Prandaj kurrë mos merr qëllimisht një vendim jo të mençur, madje të marrë, që mund të vërë në rrezik marrëdhëniet e çmuara me miqtë e me të afërmit dhe më kryesorja me Perëndinë. Te Fjalët e urta 10:1 thuhet: «Një fëmijë i urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënës së vet.»

Nga ana tjetër, ji i vetëdijshëm se ndonjëherë është e nevojshme të vendosësh se kë miqësi do të ruash. Për shembull, ndoshta vendos të hedhësh poshtë pikëpamjet e tua fetare të mëparshme që e di se janë në kundërshtim me Shkrimet. Ose mund të vendosësh të bësh ndryshime të mëdha në personalitet, sepse dëshiron të jetosh sipas udhëzimeve hyjnore që ke pranuar tani. Vendimi yt mund të mos u pëlqejë disa shokëve ose të afërmve, por çdo vendim që i pëlqen Perëndisë është vendim i mençur.

Me mençuri merr vendimin më të madh

Edhe pse njerëzit në përgjithësi nuk e dinë, cilido sot gjendet përballë një vendimi për jetë a vdekje. Në një rrethanë të ngjashme u ndodhën izraelitët e lashtë që kishin ngritur kampin në kufijtë e Tokës së Premtuar në vitin 1473 p.e.s. Duke vepruar si zëdhënësi i Perëndisë, Moisiu u tha atyre: «Unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu, dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t’i bindesh zërit të tij dhe të qëndrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua, kështu që ti të mund të jetosh në vendin që Zoti u betua t’u japë etërve të tu: Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.»—Ligji i përtërirë 30:19, 20.

Profecia dhe kronologjia biblike tregojnë se po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» dhe se «skena e kësaj bote po ndryshon». (2 Timoteut 3:1; 1 Korintasve 7:31) Ndryshimi i parathënë do të arrijë kulmin me shkatërrimin e sistemit njerëzor të falimentuar, i cili do të zëvendësohet me botën e re dhe të drejtë të Perëndisë.

Gjendemi në prag të kësaj bote të re. A do të hysh që të gëzosh jetë të përhershme në tokë nën Mbretërinë e Perëndisë? Apo do të hiqesh nga toka kur të zhduket sistemi i Satanait? (Psalmi 37:9-11; Fjalët e urta 2:21, 22) Duhet të marrësh një vendim se çfarë udhe do të ndjekësh tani dhe ky është vërtet një vendim për jetë a vdekje. A do të pranoje ndihmë që të marrësh vendimin e duhur, pra vendimin e mençur?

Vendimi për të zgjedhur jetën përfshin së pari të mësosh kërkesat e Perëndisë. Kishat në tërësi nuk ua kanë mësuar saktë njerëzve këto kërkesa. Udhëheqësit e tyre shpesh i kanë mashtruar njerëzit që të besojnë gënjeshtra dhe të bëjnë gjëra që nuk i pëlqejnë Perëndisë. Nuk kanë treguar fare kujdes që t’u shpjegojnë njerëzve se është e nevojshme të marrin një vendim personal për ta adhuruar Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24) Për këtë arsye shumë njerëz nuk e adhurojnë Perëndinë në këtë mënyrë. Por vëre se çfarë tha Jezui: «Ai që nuk është me mua, është kundër meje dhe ai që nuk mbledh me mua, shpërndan.»—Mateu 12:30.

Dëshmitarët e Jehovait me gëzim i ndihmojnë njerëzit që të fitojnë një njohuri më të mirë për Fjalën e Perëndisë. Ata bëjnë rregullisht biseda biblike me një ose shumë individë në një orar dhe në një vend që janë të përshtatshme për këta individë. Ata që duan të përfitojnë nga kjo masë duhet të lidhen me Dëshmitarët në zonën e tyre ose t’u shkruajnë botuesve të Kullës së Rojës.

Sigurisht disa mund të kenë tashmë një njohuri bazë se çfarë kërkon Perëndia. Madje mund të jenë të bindur për vërtetësinë dhe besueshmërinë e Biblës. Megjithatë disa prej tyre e kanë shtyrë vendimin për t’iu kushtuar Perëndisë. Pse? Mund të jenë shumë arsye.

Mos vallë nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj gjëje? Jezui tha qartë: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.» (Mateu 7:21) Vetëm njohuria për Biblën nuk mjafton; kërkohen vepra. Kongregacioni i krishterë i hershëm la shembullin. Në lidhje me disa individë në shekullin e parë lexojmë: «Kur i besuan Filipit, i cili po shpallte lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë dhe të emrit të Jezu Krishtit, burra e gra bashkë pagëzoheshin.» (Veprat 2:41; 8:12) Prandaj, në qoftë se një individ e përqafon me zemër Fjalën e Perëndisë, e beson atë dhe e përputh jetën me normat e Perëndisë, çfarë e pengon që të pagëzohet në simbol të kushtimit të tij? (Veprat 8:34-38) Patjetër, që të pranohet nga Perëndia, ai duhet ta bëjë këtë hap vullnetarisht dhe me një zemër të gëzuar.—2 Korintasve 9:7.

Disa mund të mendojnë se nuk kanë aq njohuri sa t’ia kushtojnë jetën Perëndisë. Por kushdo që nis një udhë të re në jetë ka pak njohuri për atë udhë. Kush profesionist do të thoshte se në fillim të karrierës së tij dinte po kaq sa di edhe sot? Të vendosin t’i shërbejnë Perëndisë, thjesht kërkon që të kenë një njohuri të mësimeve dhe të parimeve bazë të Biblës, si edhe një dëshirë të sinqertë për të jetuar në përputhje me to.

A e shtyjnë disa vendimin e tyre nga frika se mos nuk arrijnë të jetojnë në përputhje me atë vendim? Në shumë angazhime që njerëzit marrin, me të drejtë shqetësohen se mos dështojnë. Një njeri që vendos të martohet dhe të krijojë familje mund të ndihet disi i pakualifikuar, por kur merr një angazhim, kjo shërben si një nxitje që të bëjë më të mirën që mundet. Po kështu, një i ri që sapo ka marrë patentën e makinës mund të ketë paksa frikë se mos pëson një aksident. Dhe kjo sidomos nëse e di që sipas statistikave shoferët e rinj janë më të prirur të bëjnë aksidente, sesa shoferët më me përvojë. Megjithatë, kjo dijeni mund të jetë e dobishme dhe mund ta nxitë atë që ta ngasë më me kujdes makinën. Patjetër, që zgjidhja nuk është që të mos e marrë fare patentën.

Vendos të zgjedhësh jetën!

Bibla tregon se sistemi botëror politik, ekonomik dhe fetar i tanishëm, bashkë me ata që e mbështetin, shpejt nuk do të jenë më. Por, njerëzit që me mençuri kanë vendosur të zgjedhin jetën dhe kanë vepruar në përputhje me këtë vendim, do të mbeten. Si bërthama e një shoqërie të re mbarëbotërore ata do të marrin pjesë në veprën që do të kryhet për ta bërë tokën parajsë, siç e kishte si qëllim që në fillim Perëndia. A do të të pëlqente që, nën drejtimin e Perëndisë, të merrje pjesë në këtë vepër të gëzueshme?

Në rast se po, vendos të studiosh Fjalën e Perëndisë. Vendos që të mësosh kërkesat hyjnore për t’i pëlqyer Perëndisë. Vendos t’i plotësosh ato. Dhe ç’është më kryesorja vendos ta çosh deri në fund vendimin tënd. E thënë shkurt, vendos të zgjedhësh jetën!

[Figurat në faqen 4]

Mos u nxito kur ke të bësh me vendime serioze

[Figura në faqen 5]

Ji i gatshëm të pranosh këshilla nga të tjerët kur duhet të zgjedhësh një profesion

[Figurat në faqen 7]

Ata që vendosin t’i shërbejnë Perëndisë tani, do të marrin pjesë në veprën që do të kryhet për ta bërë tokën parajsë