Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ke nevojë gjithnjë për një ligj nga Bibla?

A ke nevojë gjithnjë për një ligj nga Bibla?

A ke nevojë gjithnjë për një ligj nga Bibla?

KUR ishe fëmijë ka të ngjarë që prindërit të të kishin vendosur shumë rregulla. Kur u bëre më i madh, e kuptove se prindërit interesoheshin me gjithë zemër për ty. Tani që je i rritur ndoshta po jeton ende sipas disa parimeve që të ngulitën ata, edhe pse nuk je më nën autoritetin e tyre.

Ati ynë qiellor, Jehovai, na jep shumë ligje të drejtpërdrejta nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. Për shembull, ai e ndalon idhujtarinë, kurvërinë, kurorëshkeljen dhe vjedhjen. (Eksodi 20:1-17; Veprat 15:28, 29) Kur «rritemi në të gjitha gjërat» nga ana frymore, kuptojmë se Jehovai interesohet me gjithë zemër për ne dhe se ligjet e tij nuk janë tepër kufizuese.—Efesianëve 4:15; Isaia 48:17, 18; 54:13.

Megjithatë ka shumë rrethana për të cilat nuk ka një ligj të drejtpërdrejtë. Për rrjedhojë disa mendojnë se meqë nuk ka një ligj të drejtpërdrejtë nga Bibla, janë të lirë të bëjnë ç’të duan. Arsyetojnë që nëse Perëndia do ta kishte parë të nevojshme, do ta kishte shprehur vullnetin e tij duke dhënë një ligj të drejtpërdrejtë.

Ata që mendojnë kështu shpesh marrin vendime jo të mençura, për të cilat pendohen thellë më vonë. Nuk arrijnë të kuptojnë se Bibla nuk përmban vetëm ligje, por edhe gjëra që tregojnë se cila është mënyra e të menduarit të Perëndisë. Kur studiojmë Biblën dhe mësojmë pikëpamjen e Jehovait për gjërat, zhvillojmë një ndërgjegje të stërvitur sipas Biblës, dhe kjo na ndihmon të marrim vendime që pasqyrojnë mënyrën e tij të të menduarit. Duke vepruar kështu, ia gëzojmë zemrën atij dhe korrim bekime që vijnë si pasojë e vendimeve të mençura.—Efesianëve 5:1.

Shembuj të shquar biblikë

Ndërsa shohim tregimet biblike që flasin për shërbëtorë të Perëndisë në kohët e lashta, vërejmë se në disa rrethana ata morën parasysh mënyrën e të menduarit të Jehovait, edhe atëherë kur nuk kishte një ligj të drejtpërdrejtë. Të shqyrtojmë shembullin e Jozefit. Në kohën kur duhej t’u bënte ballë propozimeve imorale të gruas së Potifarit, nuk ishte shkruar asnjë ligj i frymëzuar nga Perëndia që të dënonte kurorëshkeljen. Por megjithëse nuk kishte një ligj të drejtpërdrejtë, Jozefi e kuptoi që kurorëshkelja nuk ishte një mëkat vetëm kundër ndërgjegjes së tij, por edhe «kundër Perëndisë». (Zanafilla 39:9) Me sa duket Jozefi e kuptoi që kurorëshkelja ishte në kundërshtim me mënyrën e të menduarit të Perëndisë dhe me vullnetin që kishte shprehur në Eden.—Zanafilla 2:24.

Të shqyrtojmë një shembull tjetër. Te Veprat 16:3 mësojmë që përpara se ta merrte me vete Timoteun në udhëtimet e tij misionare, Pavli e rrethpreu atë. Megjithatë, në vargun 4, lexojmë se më pas Pavli dhe Timoteu kalonin nëpër qytete duke dhënë «dekretet që ishin vendosur nga apostujt dhe pleqtë që ishin në Jerusalem». Mes këtyre dekreteve ishte vendimi që të krishterët nuk ishin më nën ligjin për t’u rrethprerë. (Veprat 15:5, 6, 28, 29) Pse atëherë Pavli mendoi se Timoteu duhej rrethprerë? «Për shkak të judenjve që ishin në ato vende, sepse që të gjithë e dinin se i ati [i Timoteut] ishte grek.» Pavli nuk donte të shkaktonte lëndime ose pengesa të panevojshme. Ai shqetësohej që të krishterët të vazhdonin ‘t’ia rekomandonin veten çdo ndërgjegjeje njerëzore, në sy të Perëndisë’.—2 Korintasve 4:2; 1 Korintasve 9:19-23.

Edhe Pavli, edhe Timoteu kishin këtë mënyrë karakteristike të menduari. Lexo këto pjesë, si për shembull Romakëve 14:15, 20, 21 dhe 1 Korintasve 8:9-13; 10:23-33 dhe shih se sa shumë shqetësohej Pavli për mirëqenien frymore të të tjerëve. Ai shqetësohej sidomos për ata që mund të pengoheshin nga diçka që, në kuptimin e ngushtë të fjalës, nuk ishte e gabuar. Gjithashtu, Pavli shkroi për Timoteun: «Nuk kam askënd tjetër me një natyrë si të tijën, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja. Pasi gjithë të tjerët po kërkojnë interesat e veta, jo ato të Krishtit Jezu. Por ju e dini provën që dha ai për veten, se si u skllavërua bashkë me mua, si një fëmijë me atin e tij, për të çuar përpara lajmin e mirë.» (Filipianëve 2:20-22) Çfarë shembulli të shkëlqyer që lanë për ne sot këta dy burra të krishterë! Kur nuk kishin të bënin me një ligj të veçantë të Perëndisë nuk vendosnin të vepronin sipas asaj që u leverdiste ose u pëlqente. Përkundrazi imitonin dashurinë e Jehovait dhe të Birit të tij duke marrë parasysh se si vendimet e tyre mund të ndikonin nga ana frymore te të tjerët.

Mendo për Jezu Krishtin, shembullin tonë kryesor. Në Predikimin e tij në Mal shpjegoi qartë se ai që kap frymën e ligjeve të Perëndisë, do t’u bindet atyre edhe përtej asaj që është urdhëruar ose ndaluar në mënyrë specifike. (Mateu 5:21, 22, 27, 28) As Jezui, as Pavli, as Timoteu dhe as Jozefi nuk përdorën arsyetimin se kur nuk ka një ligj hyjnor specifik, një njeri mund të bëjë ç’të dojë. Për t’u përputhur me mënyrën e të menduarit të Perëndisë, këta burra jetuan sipas atyre që Jezui i quajti dy urdhërimet më të mëdha: të duash Perëndinë dhe të duash të afërmin.—Mateu 22:36-40.

Ç’të themi për të krishterët sot?

Është e qartë se nuk duhet ta shohim Biblën siç bëhet me një dokument ligjor, pra të presim që në të të thuhet pikë për pikë çdo detyrim që kemi. Përkundrazi ia gëzojmë shumë zemrën Jehovait kur bëjmë gjëra që pasqyrojnë mënyrën e tij të të menduarit, edhe atëherë kur nuk ka një ligj specifik që të na diktojë si të veprojmë. Me fjalë të tjera, në vend që të kërkojmë gjithnjë një ligj të drejtpërdrejtë nga Bibla, është mirë ‘të dallojmë se cili është vullneti i Jehovait’. (Efesianëve 5:17; Romakëve 12:2) Pse kjo gjë e bën të lumtur Jehovain? Sepse tregon se ne shqetësohemi më tepër që t’i pëlqejmë atij, sesa për gjërat që na pëlqejnë neve ose për të drejtat që kemi. Tregon edhe se e çmojmë kaq shumë dashurinë e tij, saqë duam ta imitojmë këtë dashuri, duke e bërë forcën që na motivon të veprojmë. (Fjalët e urta 23:15; 27:11) Përveç kësaj veprimet që bazohen në gjërat që tregohen në Shkrime ndihmojnë për të pasur një shëndet të mirë frymor e shpesh edhe fizik.

Le të shohim se si mund të zbatohet ky parim në çështjet personale.

Zgjedhja e zbavitjes

Të shqyrtojmë rastin e një të riu që dëshiron të blejë një album muzikor. Atë e tërheq shumë melodia, por është në mëdyshje sepse kapaku i albumit tregon që tekstet e këngëve janë të ndyra dhe me përmbajtje të hapur seksuale. Po ashtu e di se një pjesë e madhe e këngëve të atij artisti kanë një frymë zemërimi dhe agresive. Meqë e do Jehovain, këtij të riu i intereson të dijë se çfarë mendon dhe ndien Ai për këtë. Si mund ta dallojë se cili është vullneti i Perëndisë në këtë rast?

Në letrën drejtuar Galatasve apostulli Pavël rendit veprat e mishit dhe pastaj frytin e frymës së Perëndisë. Ndoshta ti e di se çfarë përfshihet në frytin e frymës së Perëndisë: dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli. Por, cilat veprime janë vepra të mishit? Pavli shkruan: «Tani, veprat e mishit duken qartë dhe ato janë kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur, idhujtaria, praktika e spiritizmit, armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet, sektet, smirat, dehjet, ahengjet e shfrenuara dhe gjëra si këto. Sa për këto gjëra, po ju paralajmëroj, po ashtu siç ju paralajmërova, se ata që praktikojnë gjëra të tilla nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.»—Galatasve 5:19-23.

Vër re shprehjen e fundit në këtë listë: «gjëra si këto». Pavli nuk dha një listë të plotë të çdo gjëje që do të quhej vepër e mishit. Kjo nuk do të thotë që dikush ka të drejtë të arsyetojë kështu: ‘Sipas Shkrimeve më lejohet të marr pjesë në çdo veprimtari që nuk bën pjesë në listën e veprave të mishit që rendit Pavli.’ Përkundrazi, lexuesit duhet të përdorin aftësitë e tyre dalluese për të parë gjëra që ndoshta nuk janë në listë, por ama janë «gjëra si këto». Ata që përfshihen pa u penduar në praktika që nuk përmenden, por që janë «gjëra si këto», nuk do të trashëgojnë bekimet e Mbretërisë së Perëndisë.

Prandaj, kemi nevojë që të dallojmë se çfarë gjërash nuk i pëlqejnë Jehovait. A është e vështirë kjo? Ta zëmë se mjeku do të të këshillonte të haje më shumë fruta e perime, por të mos haje torta, akullore dhe gjëra si këto. A do ta kishe të vështirë të përcaktoje se në cilën listë bën pjesë keku? Tani shih përsëri frytin e frymës së Perëndisë dhe veprat e mishit. Në cilën listë bën pjesë albumi muzikor që përmendëm më lart? Patjetër ai nuk pasqyron cilësi të tilla, si dashuri, mirësi, vetëkontroll ose cilësi të tjera që lidhen me frytin e frymës së Perëndisë. Një njeri nuk ka nevojë për një ligj të drejtpërdrejtë për të kuptuar se kjo lloj muzike nuk përputhet me mënyrën e të menduarit të Perëndisë. Të njëjtat parime zbatohen edhe për materialet e shtypura, filmat, programet televizive, lojërat në kompjuter, faqet e Internetit e kështu me radhë.

Paraqitje e pranueshme

Bibla përmban edhe parime që lidhen me mënyrën se si vishet e rregullohet një njeri. Kjo i jep mundësi një të krishteri që të dijë se si të mbajë një paraqitje të përshtatshme dhe të këndshme. Mirëpo, edhe në këtë rast një njeri që e do Jehovain e sheh këtë si një mundësi për të bërë jo atë që i pëlqen atij vetë, por atë që e gëzon Atin qiellor. Siç e kemi parë tashmë, fakti që Jehovai nuk ka dhënë rregulla specifike për një çështje, nuk do të thotë se nuk do t’ia dijë se çfarë bëjnë shërbëtorët e tij. Stilet ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, e madje edhe në të njëjtin vend ato ndryshojnë herë pas here. Megjithatë Perëndia siguron parime bazë që duhet ta udhëheqin popullin e tij në çdo kohë e në çdo vend.

Për shembull, te 1 Timoteut 2:9, 10 thuhet: «Po ashtu, dëshiroj që gratë të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, jo me modele gërshetash dhe me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta, por si u ka hije grave që pohojnë se nderojnë thellësisht Perëndinë, domethënë, me anë të veprave të mira.» Prandaj gratë e krishtere, si edhe burrat e krishterë, duhet të mendojnë me kujdes se ç’lloj paraqitjeje presin njerëzit e zonës së tyre të kenë ata «që pohojnë se nderojnë thellësisht Perëndinë». Është sidomos e përshtatshme që një i krishterë të mendojë me kujdes se çfarë do të mendojnë të tjerët për mesazhin e Biblës për shkak të paraqitjes së tij të jashtme. (2 Korintasve 6:3) Një i krishterë shembullor nuk do të shqetësohet së tepërmi për gjërat që i pëlqejnë ose për të drejtat që mendon se i takojnë. Përkundrazi do të shqetësohet që të mos i shpërqendrojë të tjerët ose të mos bëhet gur pengese për ta.—Mateu 18:6; Filipianëve 1:10.

Kur një i krishterë sheh se një lloj stili në paraqitjen e tij i turbullon ose i pengon të tjerët, ai mund të imitojë apostullin Pavël duke u shqetësuar së pari për mirëqenien frymore të të tjerëve, dhe jo për parapëlqimet e tij. Pavli tha: «Bëhuni imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit.» (1 Korintasve 11:1) E për Jezuin Pavli shkroi: «Edhe Krishti nuk kënaqi veten.» Mësimi i Pavlit për të gjithë të krishterët është i qartë: «Ne, pra, që jemi të fortë duhet të mbajmë dobësitë e atyre që s’janë të fortë e jo të kënaqim veten. Secili prej nesh le të kënaqë të afërmin me atë që është e mirë për ndërtimin e tij.»—Romakëve 15:1-3.

T’i mprehim aftësitë dalluese

Si mund t’i zhvillojmë aftësitë dalluese që të dimë se si t’i pëlqejmë Jehovait edhe atëherë kur ai nuk ka dhënë një drejtim specifik për një çështje të caktuar? Në qoftë se lexojmë përditë Fjalën e tij, e studiojmë atë rregullisht dhe mendojmë thellë për atë që lexojmë, do të rritemi në aftësinë dalluese. Kjo rritje nuk ndodh me të shpejtë. Ashtu si rritja fizike e një fëmije, edhe rritja frymore është graduale dhe nuk dallohet menjëherë. Prandaj duhet të kemi durim dhe nuk duhet të dëshpërohemi në rast se nuk vërejmë përmirësim të menjëhershëm. Nga ana tjetër, vetëm fakti që kalon shumë kohë nuk do të thotë se aftësitë dalluese janë mprehur vetvetiu. Kjo kohë duhet mbushur duke shqyrtuar rregullisht Fjalën e Perëndisë, siç u tha më sipër. Por duhet edhe ta zbatojmë atë në jetën tonë sa më mirë që të mundemi.—Hebrenjve 5:14.

Mund të themi që ndërsa ligjet e Perëndisë vënë në provë bindjen tonë, parimet e tij vënë në provë se sa e fortë është gjendja jonë frymore dhe sa e thellë është dëshira që kemi për t’i pëlqyer atij. Teksa rritemi frymësisht do të ngulmojmë edhe më shumë për ta imituar Jehovain dhe Birin e tij. Do të jemi gati për t’i bazuar vendimet në mënyrën e të menduarit që ka Perëndia për gjërat, ashtu siç tregohet në Shkrime. Ndërsa e bëjmë të lumtur Atin tonë qiellor në gjithçka që bëjmë, do të shohim se edhe gëzimi ynë do të rritet.

[Figurat në faqen 23]

Stilet e të veshurit ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, por kur zgjedhim veshjen tonë duhet të drejtohemi nga parimet biblike