Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A gjeni kënaqësi në «ligjin e Jehovait»?

A gjeni kënaqësi në «ligjin e Jehovait»?

A gjeni kënaqësi në «ligjin e Jehovait»?

«Lum njeriu . . . kënaqësia e [të cilit] është në ligjin e Jehovait.»​—PSALMI 1:1, 2, BR.

1. Pse si shërbëtorë të Jehovait jemi të lumtur?

MEQENËSE jemi shërbëtorë të tij besnikë, Jehovai na ndihmon e na bekon. Vërtet që hasim shumë sprova, por edhe gëzojmë lumturi të vërtetë. Kjo nuk na habit, sepse i shërbejmë «Perëndisë së lumtur» dhe fryma e tij e shenjtë prodhon gëzim në zemrën tonë. (1 Timoteut 1:11; Galatasve 5:22) Gëzimi është gjendja e lumturisë së vërtetë që vjen nga pritja ose nga arritja e diçkaje të mirë. E patjetër, Ati ynë qiellor na jep dhurata të mira. (Jakovi 1:17) Ja përse jemi të lumtur.

2. Cilat psalme do të shqyrtojmë?

2 Lumturisë i vihet shumë theksi në librin e Psalmeve. Për shembull, kjo vihet re në Psalmet 1 dhe 2. Ithtarët e hershëm të Jezu Krishtit ia dhanë autorësinë e psalmit të dytë mbretit David të Izraelit. (Veprat 4:25, 26) Ai që kompozoi psalmin e parë e fillon këngën e tij të frymëzuar me këto fjalë: «Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve.» (Psalmi 1:1) Në këtë artikull dhe në artikullin vijues do të shohim se si Psalmet 1 dhe 2 na japin arsye për t’u gëzuar.

Sekreti i lumturisë

3. Cilat janë disa arsye sipas Psalmit 1:1 që i sjellin lumturi njeriut që zbaton ligjet e Perëndisë?

3 Psalmi 1 tregon pse njeriu që zbaton ligjet e Perëndisë është i lumtur. Duke dhënë disa arsye, psalmisti këndon: «Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit.»​—Psalmi 1:1.

4. Çfarë jete shembullore bënin Zakaria dhe Elizabeta?

4 Për të qenë vërtet të lumtur duhet të përputhemi me kërkesat e drejta të Jehovait. Zakaria dhe Elizabeta, të cilët patën privilegjin dhe gëzimin që të bëheshin prindërit e Gjon Pagëzorit, «ishin të drejtë përpara Perëndisë, sepse ecnin në mënyrë të patëmetë, sipas gjithë urdhërimeve dhe kërkesave ligjore të Jehovait». (Luka 1:5, 6) Edhe ne do të jemi të lumtur nëse veprojmë në këtë mënyrë dhe nëse jemi të vendosur ‘të mos ecim sipas këshillës së të pabesëve’ e të mos udhëhiqemi nga këshillat e tyre të paperëndishme.

5. Çfarë mund të na ndihmojë që të shmangim «rrugën e mëkatarëve»?

5 Në qoftë se e hedhim poshtë mënyrën e të menduarit të të pabesëve, nuk ‘do të ndalemi në rrugën e mëkatarëve’. Pra, patjetër që nuk do të shkojmë në vendet ku shkojnë shpesh ata, siç janë vendet për zbavitje imorale ose me një nam të keq. Por, po sikur të tundohemi për t’u sjellë në mënyrë jobiblike ashtu si mëkatarët? Atëherë le t’i lutemi Perëndisë që të na ndihmojë të veprojmë sipas fjalëve të apostullit Pavël: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse, ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën?» (2 Korintasve 6:14) Në rast se mbështetemi te Perëndia dhe kemi një «zemër të kulluar», nuk do ta pranojmë aspak frymën dhe mënyrën e jetesës së mëkatarëve, por do të kemi motive dhe dëshira të pastra, si edhe ‘besim pa hipokrizi’.​—Mateu 5:8; 1 Timoteut 1:5.

6. Pse duhet të ruhemi nga tallësit?

6 Sigurisht, për t’i pëlqyer Jehovait ‘nuk duhet të ulemi bashkë me tallësit’. Disa tallen me mënyrën e jetesës sipas ligjeve të Perëndisë, por në këto ‘ditë të fundit’ shpesh janë ish-të krishterët që janë bërë apostatë që tallen me përbuzje. Apostulli Pjetër i paralajmëroi bashkëbesimtarët: «Të dashur, . . . dini së pari këtë, se në ditët e fundit do të vijnë tallës me talljet e tyre, që vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta, duke thënë: ‘Ku është kjo prania e tij e premtuar? Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.’» (2 Pjetrit 3:1-4) Nëse ‘nuk do të ulemi kurrë bashkë me tallësit’, nuk do të pësojmë katastrofën që do të vijë patjetër mbi ta.​—Fjalët e urta (Proverbat) 1:22-27.

7. Pse duhet t’i marrim për zemër fjalët e Psalmit 1:1?

7 Po të mos i marrim për zemër fjalët hyrëse të Psalmit 1, mund të humbasim gjendjen frymore që kemi fituar me anë të studimit të Shkrimeve. Pastaj do të shkojmë keq e më keq. Po të ecim sipas këshillës së të ligjve, gjendja jonë frymore do të marrë të tatëpjetën. Mund të fillojmë të shoqërohemi rregullisht me ta. Me kalimin e kohës ndoshta bëhemi edhe tallës apostatë e të pabesë. Patjetër, miqësia me të ligjtë mund të ushqejë brenda nesh një frymë të paperëndishme dhe të shkatërrojë marrëdhënien tonë me Perëndinë Jehova. (1 Korintasve 15:33; Jakovi 4:4) Të mos lejojmë kurrë që të na ndodhë kjo!

8. Çfarë do të na ndihmojë ta mbajmë mendjen të përqendruar në gjërat frymore?

8 Lutja do të na ndihmojë që ta mbajmë mendjen të përqendruar në gjërat frymore dhe që të shmangim shoqërinë me të ligjtë. Pavli shkroi: «Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» Apostulli i nxiti të krishterët që të mendojnë për gjëra që janë të vërteta, që konsiderohen serioze, që janë të drejta, të dëlira, të dashura, për të cilat flitet mirë, që janë të virtytshme dhe të denja për lëvdim. (Filipianëve 4:6-8) Le të veprojmë sipas këshillës së Pavlit dhe të mos biem kurrë në nivelin e të ligjve.

9. Si përpiqemi të ndihmojmë çdo lloj njeriu, ndonëse i shmangim praktikat e liga?

9 Ndonëse i shmangim praktikat e liga, me takt u japim dëshmi të tjerëve, ashtu si apostulli Pavël i foli guvernatorit romak Feliksit «për drejtësinë, vetëkontrollin dhe gjykimin që kishte për të ardhur». (Veprat 24:24, 25; Kolosianëve 4:6) Predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë te çdo lloj njeriu dhe sillemi me dashamirësi me ta. Jemi të sigurt se ata që janë «të prirur drejt jetës së përhershme» do të bëhen besimtarë dhe do të gjejnë kënaqësi në ligjin e Perëndisë.​—Veprat 13:48.

Ai gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait

10. Çfarë do të na ndihmojë që gjërat që mësojmë gjatë studimit personal të na nguliten për një kohë të gjatë në mendje dhe në zemër?

10 Për njeriun e lumtur psalmisti thotë më tej: «Kënaqësia e tij është në ligjin e Jehovait dhe në ligjin e tij ai lexon nën zë ditë e natë.» (Psalmi 1:2, BR) Si shërbëtorë të Perëndisë gjejmë ‘kënaqësi në ligjin e Jehovait’. Kur është e mundur, gjatë studimit personal dhe meditimit mund të lexojmë «nën zë», duke i shqiptuar fjalët. Nëse e bëjmë këtë kur lexojmë ndonjë pjesë nga Shkrimet, kjo do të na ndihmojë që gjërat të na nguliten për një kohë të gjatë në mendje dhe në zemër.

11. Pse duhet ta lexojmë Biblën «ditë e natë»?

11 «Skllavi i besueshëm dhe i matur» na ka nxitur që ta lexojmë Biblën çdo ditë. (Mateu 24:45) Dëshira e madhe për ta njohur më mirë mesazhin e Jehovait për njerëzimin duhet të na nxitë ta lexojmë Biblën «ditë e natë», po, edhe atëherë kur për ndonjë arsye nuk na zë gjumi. Pjetri na nxit: «Si foshnja të sapolindura, ushqeni një dëshirë të zjarrtë për qumështin e papërzier që i përket fjalës, që me anë të tij të rriteni drejt shpëtimit.» (1 Pjetrit 2:1, 2) A gjeni kënaqësi duke lexuar Biblën çdo ditë dhe duke medituar natën për Fjalën dhe qëllimet e Perëndisë? Psalmisti gjente kënaqësi.​—Psalmi 63:6

12. Çfarë do të bëjmë nëse gjejmë kënaqësi në ligjin e Jehovait?

12 Lumturia e përhershme vjen vetëm nëse gjejmë kënaqësi në ligjin e Perëndisë. Ky ligj është i përsosur e i drejtë dhe do të kemi një shpërblim të madh duke e zbatuar atë. (Psalmi 19:7-11) Dishepulli Jakov shkroi: «Ai që ndalet e shikon në ligjin e përsosur që i përket lirisë dhe ngulmon në të, ky njeri, meqenëse është bërë jo dëgjues harraq, por bërës i veprës, duke e bërë atë do të jetë i lumtur.» (Jakovi 1:25) Në qoftë se vërtet gjejmë kënaqësi në ligjin e Jehovait, nuk do të kalojmë asnjë ditë pa u kushtuar vëmendje gjërave frymore. Po, do të nxitemi ‘të shqyrtojmë gjërat e thella të Perëndisë’ dhe t’i mbajmë në vend të parë në jetën tonë interesat e Mbretërisë.​—1 Korintasve 2:10-13; Mateu 6:33.

Ai do të jetë si një pemë

13-15. Në cilin kuptim mund të jemi si një pemë e mbjellë pranë një burimi të bollshëm uji?

13 Duke përshkruar më tej njeriun e drejtë, psalmisti thotë: «Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.» (Psalmi 1:3) Ashtu si të gjithë njerëzit e papërsosur, edhe ne që i shërbejmë Jehovait përjetojmë vështirësi në jetë. (Jobi 14:1) Mund të hasim përndjekje dhe sprova të tjera që kanë të bëjnë me besimin. (Mateu 5:10-12) Megjithatë, me ndihmën e Perëndisë arrijmë t’u qëndrojmë me sukses këtyre sprovave, pikërisht si një pemë e shëndetshme u qëndron erërave më të forta.

14 Një pemë e mbjellë pranë një burimi të pashtershëm uji nuk thahet kur moti është i nxehtë ose gjatë një thatësire. Nëse jemi individë me frikë Perëndie, fuqia jonë vjen nga një burim i pashtershëm, Perëndia Jehova. Pavli iu drejtua Perëndisë për ndihmë dhe mundi të thoshte: «Për çdo gjë kam forcë në saje të atij [Jehovait] që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13) Kur udhëhiqemi dhe mbështetemi nga fryma e shenjtë e Jehovait, ne nuk e humbasim gjallërinë, duke u bërë të pafrytshëm ose të vdekur frymësisht. Përkundrazi jemi të frytshëm në shërbimin e Perëndisë dhe gjithashtu shfaqim frytin e frymës së tij.​—Jeremia 17:7, 8; Galatasve 5:22, 23.

15 Me anë të fjalës hebraike të përkthyer «si», psalmisti po përdor një krahasim. Po krahason dy gjëra që janë të ndryshme, e megjithatë kanë të përbashkët një cilësi të veçantë. Njerëzit ndryshojnë nga pemët, por, me sa duket, një pemë e harlisur e mbjellë pranë një burimi të bollshëm uji i solli ndër mend psalmistit begatinë frymore të atyre njerëzve ‘kënaqësia e të cilëve është në ligjin e Jehovait’. Në rast se gjejmë kënaqësi në ligjin e Perëndisë, ditët tona mund të bëhen aq të shumta sa ditët e një peme. Në të vërtetë mund të jetojmë përgjithmonë.​—Gjoni 17:3.

16. Pse dhe në ç’kuptim ‘gjithçka që bëjmë ka mbarësi’?

16 Teksa ndjekim një udhë të drejtë, Jehovai na ndihmon t’u qëndrojmë presioneve që na i shkaktojnë sprovat dhe vështirësitë. Po ashtu jemi të gëzuar dhe të frytshëm në shërbimin ndaj Perëndisë. (Mateu 13:23; Luka 8:15) Meqë synimi ynë kryesor është të bëjmë vullnetin e Jehovait, ‘gjithçka që bëjmë ka mbarësi’. Kjo sepse qëllimet e tij përmbushen gjithnjë dhe, ndërsa gjejmë kënaqësi në urdhërimet e tij, kemi mbarësi në kuptimin frymor. (Zanafilla 39:23; Jozueu 1:7, 8; Isaia 55:11) Kjo është e vërtetë edhe kur hasim mundime.​—Psalmi 112:1-3; 3 Gjonit 2.

Duket sikur të ligjve u shkon mbarë

17, 18. (a) Me çfarë i krahason psalmisti të ligjtë? (b) Pse nuk kanë siguri të përhershme të ligjtë, edhe sikur t’u shkojë mbarë nga ana materiale?

17 Sa ndryshon jeta e të ligjve nga jeta e të drejtëve! Mund të duket sikur të ligjve u shkon mbarë nga ana materiale për një farë kohe, por ata nuk kanë mbarësi nga ana frymore. Kjo kuptohet nga fjalët e mëtejshme të psalmistit: «Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan. Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.» (Psalmi 1:4, 5) Vini re se psalmisti thotë që «të tillë nuk janë të pabesët» ose të ligjtë. Ai dëshiron të tregojë se ata nuk janë si njerëzit e perëndishëm të cilët sapo i ka krahasuar me pemë të frytshme e jetëgjata.

18 Edhe sikur të ligjve t’u shkojë mbarë nga ana materiale, ata nuk kanë siguri të përhershme. (Psalmi 37:16; 73:3, 12) Janë si i pasuri i paarsyeshëm që përmendi Jezui në një ilustrim kur i kërkuan që të vendoste për një çështje që kishte të bënte me një trashëgimi. Jezui u tha të pranishmëve: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka bollëk, jeta e tij nuk vjen nga gjërat që zotëron.» Ai e ilustroi këtë pikë duke thënë se toka e një njeriu të pasur dha kaq shumë prodhime, saqë bëri plane për të shembur depot e tij dhe për të ndërtuar depo më të mëdha që të mbanin të gjitha gjërat e tij të mira. Pastaj ai njeri kishte ndër mend të hante, të pinte dhe të gëzonte. Por Perëndia i tha: «I paarsyeshëm, këtë natë do të kërkojnë prej teje shpirtin tënd. Kush, pra, ka për t’i pasur gjërat që grumbullove?» Për ta theksuar pikën e tij, Jezui shtoi: «Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesar për vete, por nuk është i pasur kundrejt Perëndisë.»​—Luka 12:13-21.

19, 20. (a) Përshkruani se si bëhej shirja dhe pastrimi i grurit në kohët e lashta. (b) Pse të ligjtë krahasohen me bykun?

19 Të ligjtë nuk janë ‘të pasur kundrejt Perëndisë’. Prandaj nuk kanë më shumë siguri dhe qëndrueshmëri sesa byku, cipa e hollë që mbështjell kokrrën e grurit. Në kohët e lashta, pasi e korrnin grurin, e çonin në lëmë, një sipërfaqe e sheshtë që zakonisht ndodhej në një vend të ngritur. Në lëmë përdoreshin vegla shirëse që kishin dhëmbë të mprehtë prej guri ose hekuri, të cilat tërhiqeshin nga kafshët duke kaluar sipër drithit. Në këtë mënyrë copëtonin kërcejtë dhe ndanin kokrrat nga byku. Më pas përdorej një lopatë për të hedhur në erë masën e përzier. (Isaia 30:24) Kokrrat binin në lëmë, kurse era e hidhte mënjanë kashtën dhe e merrte tutje me vete bykun. (Rutha 3:2) Pasi gruri kalohej në një shoshë për të hequr guralecët ose mbeturina të tjera, ishte gati për ta ruajtur në depo ose për ta bluar. (Luka 22:31) Por byku nuk ishte më.

20 Ashtu si kokrrat e grurit binin në tokë dhe mbeteshin, kurse bykun e merrte era, po kështu të drejtët do të mbeten, kurse të ligjtë do të zhduken. Sigurisht që jemi të lumtur që së shpejti keqbërësit do të zhduken njëherë e përgjithmonë. Kur ata të jenë zhdukur, njerëzit që gjejnë kënaqësi në ligjin e Jehovait do të bekohen me bollëk. Po, në fund njerëzit e bindur do të marrin jetën e përhershme, këtë dhuratë nga Perëndia.​—Mateu 25:34-46; Romakëve 6:23.

‘Rruga e bekuar e të drejtëve’

21. Në ç’kuptim Perëndia i «njeh rrugët e të drejtëve»?

21 Psalmi i parë përfundon me këto fjalë: «Zoti njeh rrugët e të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.» (Psalmi 1:6) Në ç’kuptim Perëndia i «njeh rrugët e të drejtëve»? Po ja, nëse ndjekim një udhë të drejtë mund të jemi të sigurt se Ati ynë qiellor e vëren se si i zbatojmë ligjet e tij në jetën tonë dhe na konsideron shërbëtorë të tij të miratuar. Ne nga ana jonë mund të hedhim gjithë ankthin tonë mbi të dhe duhet të veprojmë kështu, të bindur se ai interesohet vërtet për ne.​—Ezekieli 34:11; 1 Pjetrit 5:6, 7.

22, 23. Çfarë do të ndodhë me të ligjtë dhe me të drejtët?

22 «Rrugët e të drejtëve» do të mbeten përgjithmonë, por të ligjtë që nuk pranojnë të ndreqen do të shkatërrohen për shkak të gjykimit të pafavorshëm nga ana e Jehovait. Gjithashtu edhe «rruga» ose mënyra e tyre e jetesës do të marrë fund bashkë me ta. Mund të jemi të sigurt për përmbushjen e fjalëve të Davidit: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»​—Psalmi 37:10, 11, 29.

23 Ç’lumturi që do të provojmë nëse do të kemi privilegjin për të jetuar në një tokë parajsore kur të ligjtë të mos jenë më! Atëherë zemërbutët dhe të drejtët do të gëzojnë paqe të vërtetë, sepse do të gjejnë gjithnjë kënaqësi në «ligjin e Jehovait». Megjithatë, përpara se të ndodhë kjo, duhet të zbatohet ‘dekreti’ i Jehovait. (Psalmi 2:7a) Artikulli vijues do të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë është ky dekret dhe çfarë do të nënkuptojë për ne dhe për tërë familjen njerëzore.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse është i lumtur njeriu që zbaton ligjet e Perëndisë?

• Ç’gjë tregon se gjejmë kënaqësi në ligjin e Jehovait?

• Si mund të jetë një njeri si një pemë e ujitur mirë?

• Si ndryshon rruga e të drejtëve nga ajo e të ligjve?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 11]

Lutja do të na ndihmojë të shmangim shoqërinë me të ligjtë

[Figura në faqen 12]

Pse i drejti është si një pemë?