Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Dekreti i Jehovait’ nuk mund të dështojë

‘Dekreti i Jehovait’ nuk mund të dështojë

‘Dekreti i Jehovait’ nuk mund të dështojë

«Do të flas për dekretin e Jehovait; ai më ka thënë: ‘Ti je biri im . . . Më kërko dhe unë do të t’i jap kombet si trashëgimi.’»​—PSALMI 2:7, 8, BR.

1. Çfarë ndryshimi ekziston midis qëllimit të Perëndisë dhe qëllimit të kombeve?

PERËNDIA JEHOVA ka një qëllim për njerëzimin dhe tokën. Edhe kombet kanë një qëllim. Por sa të ndryshme janë këto qëllime! Kjo gjë pritet, sepse Perëndia thotë: «Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.» Qëllimi i Perëndisë do të përmbushet me siguri, sepse ai thotë më tej: «Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbijë në mënyrë që ai që do të mbjellë të marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë, kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.»​—Isaia 55:9-11.

2, 3. Çfarë tregohet qartë në psalmin e dytë? Çfarë pyetjesh ngrihen?

2 Që qëllimi i Perëndisë në lidhje me Mbretin e tij Mesianik do të përmbushet, duket qartë në psalmin e dytë. Mbreti David i Izraelit të lashtë që kompozoi këtë psalm, u frymëzua nga Perëndia që të parathoshte se do të vinte një kohë e jashtëzakonshme kur kombet do të zienin ose do të ishin të trazuara. Sundimtarët e tyre do të merrnin qëndrim kundër Perëndisë Jehova dhe të Mirosurit të tij. Megjithatë, psalmisti këndoi gjithashtu: «Do të flas për dekretin e Jehovait; ai më ka thënë: ‘Ti je biri im . . . Më kërko dhe unë do të t’i jap kombet si trashëgimi dhe skajet e tokës si zotërimin tënd.’»​—Psalmi 2:7, 8, BR.

3 Çfarë paralajmëron ‘dekreti i Jehovait’ për kombet? Si ndikon ky dekret te njerëzimi në përgjithësi? Dhe çfarë nënkuptojnë gjithë këto zhvillime për njerëzit me frikë Perëndie kur lexojnë psalmin e dytë?

Kombet ziejnë

4. Si do t’i përmblidhnit pikat kryesore të Psalmit 2:1, 2?

4 Duke iu referuar veprimeve të kombeve dhe të sundimtarëve të tyre, psalmisti e fillon këngën e tij me këto fjalë: «Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota? Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe kundër të vajosurit [të mirosurit, BR] të tij.»​—Psalmi 2:1, 2. *

5, 6. Çfarë ‘gjërash të kota kanë kurdisur’ popujt?

5 Çfarë ‘gjërash të kota kanë kurdisur’ ose murmuritur popujt në ditët tona? Në vend që të pranojnë të Mirosurin e Perëndisë, pra Mesinë ose Krishtin, kombet ‘kanë kurdisur’ ose kanë bluajtur në mendje se si ta ruajnë sundimin e tyre. Këto fjalë të psalmit të dytë u përmbushën edhe në shekullin e parë të e.s., kur autoritetet judaike dhe romake bashkëpunuan për të vrarë Mbretin e emëruar nga Perëndia, Jezu Krishtin. Megjithatë, përmbushja më e madhe filloi në vitin 1914, kur Jezui u vendos si Mbret qiellor. Që nga ajo kohë, as edhe një qeveri në tokë nuk e ka njohur Mbretin e vendosur në fron nga Perëndia.

6 Çfarë donte të thoshte psalmisti kur pyeti «pse popujt kurdisin gjëra të kota»? Gjëja e kotë është qëllimi i tyre, i cili do të dështojë. Ata nuk mund të sjellin paqe dhe harmoni në tokë. Megjithatë, me veprimet e tyre shkojnë deri aty sa i kundërvihen sundimit të Perëndisë. Madje të gjithë bashkë kanë marrë një qëndrim luftarak dhe janë grumbulluar kundër Më të Lartit dhe kundër të Mirosurit të tij. Çfarë marrëzie!

Mbreti ngadhënjimtar i Jehovait

7. Si i zbatuan për Jezuin fjalët e Psalmit 2:1, 2, ithtarët e tij gjatë një lutjeje?

7 Ithtarët e Jezuit i zbatuan për të fjalët e Psalmit 2:1, 2. Kur ishin të përndjekur për shkak të besimit, ata u lutën: «O Zotëri Sovran [Jehova], ti je Ai që bëre qiellin, tokën, detin e të gjitha gjërat në to dhe që nëpërmjet frymës së shenjtë the me anë të gojës së paraardhësit tonë David, shërbëtorit tënd: ‘Përse kombet turfullojnë e popujt meditojnë për gjëra të kota? Mbretërit e tokës morën qëndrim dhe qeveritarët u grumbulluan si një i vetëm kundër Jehovait dhe kundër të mirosurit të tij.’ Madje, Herodi [Antipa] dhe Ponc Pilati bashkë me njerëz të kombeve dhe njerëz të Izraelit u mblodhën faktikisht së bashku në këtë qytet kundër shërbëtorit tënd të shenjtë Jezu, të cilin ti e mirose.» (Veprat 4:24-27; Luka 23:1-12) * Po, në shekullin e parë u kurdis një komplot kundër Jezuit, shërbëtorit të mirosur të Perëndisë. Por ky psalm do të kishte edhe një përmbushje tjetër shekuj më vonë.

8. Si zbatohet Psalmi 2:3 për kombet e sotme?

8 Kur Izraeli i lashtë kishte mbret njerëzor, si për shembull Davidin, kombet dhe sundimtarët paganë mblidheshin kundër Perëndisë dhe të mirosurit të tij të vendosur në fron. Por, ç’të themi për kohën tonë? Kombet e sotme nuk duan të përputhen me kërkesat e Jehovait dhe të Mesisë. Prandaj ato përshkruhen sikur thonë: «Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre!» (Psalmi 2:3) Sundimtarët dhe kombet do të kundërshtonin çdo kufizim të vendosur nga Perëndia dhe nga i Mirosuri i tij. Natyrisht, çdo përpjekje për t’i këputur këto pranga dhe për t’i hequr këta litarë do të jetë e kotë.

Jehovai tallet me ta

9, 10. Pse tallet Jehovai me kombet?

9 Jehovai nuk shqetësohet nga asnjë përpjekje e sundimtarëve të kombeve për të sunduar të pavarur prej tij. Psalmi i dytë vazhdon: «Ai që ulet në qiejtë do të qeshë; vetë Jehovai do të tallet me ta.» (Psalmi 2:4, BR) Perëndia vazhdon përpara me plotësimin e qëllimit të tij sikur këta sundimtarë të mos ishin asgjë prej gjëje. Ai qesh me kryeneçësinë e tyre dhe tallet me ta. I lë të mburren me gjërat që duan të bëjnë. Për Jehovain ata janë diçka qesharake. Ai qesh me kundërshtimin e tyre të kotë.

10 Në një vend tjetër te psalmet e tij, Davidi flet për armiqtë e kombet armike dhe këndon: «O Zot, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit, zgjohu, për të ndëshkuar tërë kombet; mos fal asnjë prej atyre që veprojnë në mënyrë të pabesë. Ata kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet. Ja, ata nxjerrin fyerje nga goja e tyre; kanë shpata mbi buzët e tyre dhe thonë: ‘Kush na dëgjon?’ Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet.» (Psalmi 59:5-8) Jehovai qesh me mburrjen e kombeve dhe me pështjellimin e tyre në rrugën e pamend që kanë marrë kundër tij.

11. Çfarë ndodh kur kombet përpiqen të veprojnë kundër qëllimit të Perëndisë?

11 Fjalët e Psalmit 2 na forcojnë besimin se Perëndia mund të zgjidhë çdo problem. Mund të jemi plotësisht të bindur se ai gjithmonë e kryen vullnetin e tij dhe kurrë nuk i harron shërbëtorët e tij besnikë. (Psalmi 94:14) Atëherë, çfarë ndodh kur kombet përpiqen të veprojnë kundër qëllimit të Jehovait? Sipas këtij psalmi, Perëndia «do t’u flasë në zemërimin e tij», si me gjëmimin e një bubullime të frikshme. Po ashtu, «do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe» e të zjarrtë, si me një goditje të fuqishme rrufeje.​—Psalmi 2:5.

Vendoset Mbreti i Perëndisë

12. Për cilin e ka fjalën Psalmi 2:6 që u vendos në fron?

12 Ajo që thotë më pas Jehovai nëpërmjet psalmistit, pa dyshim i shqetëson kombet. Perëndia shpall: «Unë e kam vendosur mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.» (Psalmi 2:6, BR) Mali Sion ishte një mal në Jerusalem, ku Davidi u bë mbret mbi gjithë Izraelin. Por Mbreti Mesianik nuk do të ulet mbi fron as në këtë qytet, as në ndonjë vend tjetër të tokës. Në të vërtetë Jehovai tashmë e ka vendosur Jezu Krishtin si Mbretin e tij të zgjedhur Mesianik, mbi malin qiellor të Sionit.​Zbulesa 14:1.

13. Çfarë besëlidhjeje bëri Jehovai me Birin e tij?

13 Tani flet Mbreti Mesianik. Ai thotë: «Do të flas për dekretin e Jehovait [i cili ka bërë një besëlidhje për Mbretërinë me Birin e tij]; ai [Perëndia Jehova] më ka thënë: ‘Ti je biri im; sot jam bërë Ati yt.’» (Psalmi 2:7, BR) Krishti e kishte fjalën për besëlidhjen e Mbretërisë kur u tha apostujve: «Ju jeni ata që keni qëndruar bashkë me mua në sprovat e mia; dhe unë bëj me ju një besëlidhje, ashtu si Ati im ka bërë një besëlidhje me mua, për një mbretëri.»​—Luka 22:28, 29.

14. Pse mund të thuhet se Jezui ka të drejtën e pamohueshme për të qenë mbret?

14 Siç parathuhej te Psalmi 2:7, Jehovai e identifikoi Jezuin si Birin e Tij kur ky u pagëzua dhe kur e ringjalli në jetën frymore. (Marku 1:9-11; Romakëve 1:4; Hebrenjve 1:5; 5:5) Po, Mbreti i Mbretërisë qiellore është Biri i vetëmlindur i Perëndisë. (Gjoni 3:16) Meqë është pasardhësi mbretëror i mbretit David, Jezui ka të drejtën e pamohueshme për të qenë mbret. (2 Samuelit 7:4-17; Mateu 1:6, 16) Sipas këtij psalmi, Perëndia i thotë Birit të tij: «Më kërko dhe unë do të t’i jap kombet si trashëgimi dhe skajet e tokës si zotërimin tënd.»​—Psalmi 2:8, BR.

15. Pse Jezui kërkon kombet si trashëgimi për të?

15 Mbreti, pra Biri i Perëndisë, ka një pozitë të lartë, i dyti pas Jehovait. Për Jehovain, Jezui është i sprovuar, besnik dhe i besueshëm. Për më tepër, ai ka trashëgiminë si Bir i Parëlindur i Perëndisë. Po, Jezu Krishti «është shëmbëlltyra e Perëndisë të padukshëm, i parëlinduri i gjithë krijimit». (Kolosianëve 1:15) Ai vetëm sa duhet të kërkojë dhe Perëndia ‘do t’i japë kombet si trashëgimi dhe skajet e tokës si zotërim të tijin’. Jezui e bën këtë kërkesë si ai ‘që gjen ëndje me bijtë e njerëzve’ dhe sepse dëshiron me zjarr të kryejë vullnetin e Atit të tij qiellor në lidhje me tokën dhe njerëzimin.​—Fjalët e urta (Proverbat) 8:30, 31.

Dekreti i Jehovait kundër kombeve

16, 17. Çfarë i pret kombet sipas Psalmit 2:9?

16 Meqenëse psalmi i dytë po përmbushet tani, gjatë pranisë së padukshme të Jezu Krishtit, çfarë i pret kombet? Mbreti do të përmbushë së shpejti atë që shpalli Perëndia: «Ti do t’i copëtosh [kombet] me një skeptër hekuri, do t’i bësh copë-copë, si të ishin ena e një poçari.»​—Psalmi 2:9, BR.

17 Skeptrat e mbretërve të kohëve të lashta ishin simbole të autoritetit mbretëror. Disa skeptra ishin prej hekuri, si ai për të cilin flitet në këtë psalm. Gjuha e figurshme e përdorur këtu tregon se me sa lehtësi Krishti Mbret do t’i shkatërrojë kombet. Një goditje e fuqishme me një skeptër hekuri do ta copëtonte një enë argjile, duke e shkatërruar plotësisht.

18, 19. Çfarë duhet të bëjnë mbretërit e tokës që të fitojnë miratimin e Perëndisë?

18 A duhet ta shohin patjetër një shkatërrim të tillë sundimtarët e kombeve? Jo, sepse psalmisti u drejtohet atyre me këto fjalë: «Tani, pra, o mbretër, tregoni gjykim; pranoni ndreqjen, o gjykatës të tokës.» (Psalmi 2:10, BR) Mbretërve u bëhet thirrje që të kushtojnë vëmendje, të tregojnë gjykim. Ata duhet të kenë parasysh se sa të kota janë planet e tyre, krejt ndryshe nga ajo që do të bëjë Mbretëria e Perëndisë për dobinë e njerëzimit.

19 Që të fitojnë miratimin e Perëndisë mbretërit e tokës duhet të ndryshojnë sjellje. Ata këshillohen që ‘t’i shërbejnë me frikë Zotit dhe të gëzohen me drithma’. (Psalmi 2:11) Cili do të jetë rezultati po të veprojnë kështu? Në vend që të ziejnë ose të jenë të trazuar mendërisht, mund të gëzojnë duke ditur të ardhmen që shpalos përpara tyre Mbreti Mesianik. Sundimtarët tokësorë duhet të heqin dorë nga krenaria dhe fodullëku që shfaqin gjatë sundimit të tyre. Përveç kësaj duhet të ndryshojnë pa vonesë dhe të fitojnë kuptueshmëri ndaj sundimit të Jehovait, i cili është më i larti dhe i pashoq, si edhe ndaj fuqisë së pakundërshtueshme të Perëndisë dhe të Mbretit Mesianik.

«Putheni birin»

20, 21. Çfarë do të thotë shprehja «putheni birin»?

20 Më tej në psalmin e dytë u bëhet me mëshirë një ftesë sundimtarëve të kombeve. Në vend që të mblidhen bashkë për t’iu kundërvënë Birit, ata marrin këtë këshillë: «Putheni birin, që Ai [Perëndia Jehova] të mos zemërohet dhe të mos humbni nga rruga, sepse zemërimi i tij ndizet lehtësisht.» (Psalmi 2:12a, BR) Zotërisë Sovran Jehova duhet t’i kushtohet vëmendje kur nxjerr një dekret. Kur Perëndia vendosi në fron Birin e tij, sundimtarët e tokës duhet të kishin hequr dorë ‘së murmurituri gjëra të kota’. Duhej të kishin pranuar menjëherë Mbretin dhe t’i ishin bindur plotësisht atij.

21 Por, pse duhet ‘ta puthin birin’? Kur u kompozua ky psalm, puthja ishte një shprehje miqësie dhe bëhej për të mirëpritur mysafirët në shtëpinë ku do të strehoheshin. Puthja mund të ishte edhe një gjest besnikërie. (1 Samuelit 10:1) Në këtë varg të psalmit të dytë, Perëndia po i urdhëron kombet që ta puthin ose ta mirëpresin Birin e tij si Mbret të mirosur.

22. Cilit paralajmërim duhet t’i kushtojnë vëmendje sundimtarët e kombeve?

22 Ata që nuk duan ta pranojnë autoritetin e Mbretit të zgjedhur nga Perëndia, fyejnë Jehovain. Ata mohojnë sovranitetin universal të Perëndisë Jehova dhe autoritetin e aftësinë e tij për të zgjedhur Mbretin më të mirë për njerëzimin. Sundimtarët e kombeve do të shohin se furia e Perëndisë do të bjerë mbi ta papritur, ndërsa përpiqen të realizojnë planet e tyre. «Zemërimi i tij ndizet lehtësisht» ose menjëherë dhe pa u ndalur. Sundimtarët e kombeve duhet ta pranojnë me mirënjohje këtë paralajmërim dhe të veprojnë sipas tij. Të veprojnë kështu do të thotë jetë për ta.

23. Për çfarë është ende në kohë çdo njeri?

23 Ky psalm mbresëlënës përfundon me këto fjalë: «Lum ata që gjejnë strehë tek ai [Jehovai].» (Psalmi 2:12b) Ka ende kohë për çdo njeri që të gjejë siguri. Kjo vlen edhe për sundimtarët si individë, të cilët po mbështetin planet e kombeve. Ata mund të ikin te Jehovai i cili siguron strehë nën sundimin e Mbretërisë. Por duhet ta bëjnë këtë përpara se Mbretëria Mesianike të copëtojë kombet që e kundërshtojnë.

24. Si mund të kemi një jetë më të kënaqshme edhe në këtë botë të trazuar?

24 Nëse i studiojmë me zell Shkrimet dhe i zbatojmë këshillat e tyre në jetë, mund të kemi një jetë më të kënaqshme, madje edhe tani në këtë botë të trazuar. Zbatimi i këshillave biblike çon në marrëdhënie më të lumtura familjare dhe na çliron nga shqetësimet dhe nga frikat e shumta që pllakosin këtë botë. Ndjekja e këshillave biblike na jep sigurinë se po i pëlqejmë Krijuesit. Vetëm Sovrani Universal mund të na japë garancinë për ‘jetën e tashme dhe të asaj që do të vijë’ pasi të pastrojë tokën nga ata që i kundërvihen asaj që është e drejtë, duke mos pranuar sundimin e Mbretërisë.​—1 Timoteut 4:8.

25. Çfarë presim të ndodhë në kohën tonë, meqë ‘dekreti i Jehovait’ nuk mund të dështojë?

25 ‘Dekreti i Jehovait’ nuk mund të dështojë. Duke qenë Krijuesi, Perëndia e di se çfarë është më e mirë për njerëzimin dhe do ta përmbushë qëllimin e tij për t’i bekuar njerëzit e bindur me paqe, kënaqësi dhe siguri të përhershme nën Mbretërinë e Birit të tij të shtrenjtë. Profeti Daniel shkroi për kohën tonë: «Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; . . . [Ajo] do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.» (Danieli 2:44) Prandaj, tani është urgjente që ‘ta puthim birin’ dhe t’i shërbejmë Zotërisë Sovran, Jehovait!

[Shënimet]

^ par. 4 Fillimisht ‘i mirosuri’ ishte mbreti David, kurse «mbretërit e dheut» ishin sundimtarët filistinë që i grumbulluan ushtritë e tyre kundër tij.

^ par. 7 Edhe vargje të tjera në Shkrimet e Krishtere Greke tregojnë se Jezui është i Mirosuri i Perëndisë për të cilin flitet te psalmi i dytë. Kjo duket qartë nga një krahasim i Psalmit 2:7 me Veprat 13:32, 33 dhe Hebrenjve 1:5; 5:5. Shih edhe Psalmin 2:9 dhe Zbulesën 2:27.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë ‘gjërash të kota kanë kurdisur popujt’?

• Pse tallet Jehovai me kombet?

• Cili është dekreti i Perëndisë kundër kombeve?

• Çfarë do të thotë shprehja «putheni birin»?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 16]

Davidi këndoi për Mbretin Mesianik ngadhënjimtar

[Figura në faqen 17]

Sundimtarët dhe populli i Izraelit kurdisën një komplot kundër Jezu Krishtit

[Figura në faqen 18]

Krishti është vendosur si Mbret mbi malin qiellor të Sionit