Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i përdorim synimet frymore për t’i sjellë lavdi Krijuesit

T’i përdorim synimet frymore për t’i sjellë lavdi Krijuesit

T’i përdorim synimet frymore për t’i sjellë lavdi Krijuesit

«KUR një njeri nuk e di se në cilin liman po shkon, asnjë erë nuk është era e duhur për të.» Këto fjalë, që mendohet se i ka thënë një filozof romak i shekullit të parë, theksojnë të vërtetën se, për të pasur një drejtim në jetë duhen vënë synime.

Bibla përmban shembuj të individëve që drejtoheshin në jetë nga synimet. Noeja punoi rreth 50 vjet dhe «ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij». Profeti Moisi «e mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit». (Hebrenjve 11:7, 26) Perëndia i vuri si synim Josiut, pasuesit të Moisiut, që të pushtonte vendin e Kanaanit.​—Ligji i përtërirë 3:21, 22, 28; Jozueu (Josiu) 12:7-24.

Në shekullin e parë të e.s., pa dyshim ajo që ndikoi shumë te synimet frymore që kishte apostulli Pavël ishin fjalët e Jezuit, «ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar». (Mateu 24:14) I nxitur nga mesazhet dhe vegimet që iu dhanë nga Zotëria Jezu, duke përfshirë edhe caktimin që iu dha «për t’ua çuar emrin [e Jezuit] kombeve», Pavli luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e një sërë kongregacioneve të krishtere në Azinë e Vogël dhe në Evropë.​—Veprat 9:15; Kolosianëve 1:23.

Po, gjatë gjithë historisë, shërbëtorët e Jehovait kanë vënë synime të larta frymore dhe i kanë arritur, duke i sjellë lavdi Perëndisë. Si mund të vëmë ne sot synime frymore? Cilat synime duhet të përpiqemi të arrijmë dhe çfarë hapash praktikë mund të bëjmë për t’i arritur?

Motivet e drejta janë thelbësore

Synime mund të vendosen pothuajse në çdo fushë të jetës dhe në botë ka njerëz që drejtohen në jetë nga synimet. Megjithatë synimet teokratike nuk janë si ambiciet e botës. Motivet kryesore që fshihen pas shumë synimeve të botës janë dëshira e sëmurë për pasuri dhe lakmia e pangopur për pozitë dhe pushtet. Ç’gabim do të ishte të ndiqnim synimin për të fituar pushtet dhe famë! Synimet që i sjellin lavdi Perëndisë Jehova lidhen drejtpërdrejt me adhurimin që i bëjmë dhe me interesat e Mbretërisë. (Mateu 6:33) Këto synime burojnë nga dashuria për Perëndinë e për të afërmin dhe kanë si synimin përfundimtar përkushtimin hyjnor.​—Mateu 22:37-39; 1 Timoteut 4:7.

Le të jenë motivet tona të pastra, ndërsa vëmë dhe ndjekim synime frymore, qofshin këto synime për privilegje të mëtejshme shërbimi ose për të bërë përparim frymor! Gjithsesi, ndonjëherë edhe synimet që janë vënë të shtyrë nga motive të drejta nuk arrihen. Si mund të vëmë synime dhe ta bëjmë më të mundur arritjen e tyre?

Duhet të kemi një dëshirë të fortë

Të shqyrtojmë se si Jehovai arriti të krijonte universin. Me fjalët «kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi», Jehovai përcaktoi periudhat e njëpasnjëshme të krijimit. (Zanafilla 1:5, 8, 13, 19, 23, 31) Në fillim të çdo periudhe krijimi, ai e kishte të qartë synimin ose qëllimin për atë periudhë. Dhe Perëndia e përmbushi qëllimin e tij për të krijuar gjërat. (Zbulesa 4:11) «Atë që do, [Jehovai] e bën»,​—tha patriarku Job. (Jobi 23:13) Sa i kënaqur duhet të jetë ndier Jehovai teksa shihte «të gjitha ato që kishte bërë» dhe shpallte se ishin «shumë mirë»!​—Zanafilla 1:31.

Që synimet tona të realizohen, edhe ne duhet të kemi një dëshirë të fortë për t’i arritur. Çfarë do të na ndihmojë të zhvillojmë një dëshirë të tillë të fortë? Edhe kur toka ishte ende pa formë dhe e shkretë, Jehovai mundi të shihte që më përpara rezultatin përfundimtar: një xhevahir i bukur në univers që i sillte Atij lavdi dhe nder. Në të njëjtën mënyrë, dëshira për të arritur një synim që kemi vendosur, mund të zhvillohet duke medituar për rezultatet dhe dobitë që do të kemi po ta arrijmë atë synim. Këtë përvojë pati Toni, një 19-vjeçar. Ai nuk e harroi më përshtypjen e parë që pati kur vizitoi një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait në Evropën Perëndimore. Që nga ajo kohë, pyetja që bluante në mendje Toni ishte: ‘Si do të ndihesha po të jetoja dhe të shërbeja në një vend të tillë?’ Toni nuk reshti kurrë së menduari për këtë mundësi dhe vazhdoi të ndiqte këtë synim. Sa i lumtur ishte kur disa vjet më vonë kërkesa e tij për të shërbyer në zyrën e degës u miratua!

Edhe shoqëria me individë të tjerë që e kanë arritur tashmë një synim të caktuar mund të krijojë te ne një dëshirë për ta arritur atë. Xhejsënit, një 30-vjeçar, nuk i pëlqente të dilte në shërbim kur ishte në vitet e para të adoleshencës. Por pasi mbaroi shkollën e mesme, filloi me zell shërbimin e pionierit, duke u bërë kështu një lajmëtar i Mbretërisë në kohë të plotë. Çfarë e ndihmoi Xhejsënin që të zhvillonte dëshirën për të shërbyer si pionier? Ai përgjigjet: «Ajo që ndikoi shumë tek unë ishin bisedat me ata që kishin shërbyer si pionierë dhe të dilja me ta në shërbim.»

Mund të jetë e dobishme t’i shkruajmë synimet

Një ide e vagët qartësohet e merr formë kur e shprehim atë me fjalë. Solomoni tha se fjalët e duhura, ashtu si hostenët, mund të jenë mjete të fuqishme për t’i dhënë drejtim jetës. (Predikuesi 12:11) Kur këto fjalë hidhen në letër, nguliten thellë në mendje e në zemër. Përndryshe, pse do t’i kishte urdhëruar Jehovai mbretërit e Izraelit që të shkruanin një kopje personale të Ligjit? (Ligji i përtërirë 17:18) Prandaj mund t’i shkruajmë në letër synimet tona dhe mënyrën si t’i arrijmë, duke renditur edhe pengesat që mund të presim, si edhe mënyrat për t’i kapërcyer ato. Mund të jetë e dobishme edhe të përcaktojmë gjërat që duhet të njohim mirë në lidhje me synimet, aftësitë që duhet të fitojmë për t’i arritur synimet dhe individët që mund të na ndihmojnë e të na mbështetin.

Te Xhefri, një pionier special prej një kohe të gjatë, i cili shërben në një territor të veçuar në një vend aziatik, synimet frymore patën një ndikim stabilizues. Atij i ndodhi një tragjedi, i vdiq papritur gruaja. Pas një periudhe rimëkëmbjeje, Xhefri vendosi t’i kushtohej plotësisht shërbimit si pionier duke vënë synime. Pasi i shkroi planet e tij, me ndihmën e lutjeve vuri si synim të fillonte tri studime biblike brenda fundit të muajit. Çdo ditë shqyrtonte aktivitetin e tij dhe çdo dhjetë ditë shihte se ç’përparim kishte bërë. A e arriti synimin? Xhefri përgjigjet me gëzim se e arriti synimin dhe në fakt filloi katër studime biblike.

Të vendosim synime afatshkurtra si pika referimi

Disa synime në fillim mund të duken tepër të vështira për t’u arritur. Tonit, të cilin e përmendëm më sipër, i dukej ëndërr të shërbente në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo sepse kishte pasur një mënyrë jetese rebele, e madje ende nuk i ishte kushtuar Perëndisë. Por Toni vendosi ta përputhte jetën e tij me udhët e Jehovait dhe vuri si synim që të pagëzohej. Pasi e arriti këtë synim, vendosi të shërbente si pionier ndihmës e pastaj si pionier i rregullt, duke shënuar në kalendar datat se kur do ta fillonte këtë lloj shërbimi. Pasi kishte shërbyer për disa kohë si pionier, nuk iu duk më synim i paarritshëm të shërbente në zyrën e degës.

Edhe për ne mund të jetë mirë që synimet afatgjata t’i ndajmë në disa synime afatshkurtra. Synimet e ndërmjetme mund të shërbejnë si pika të arritshme përgjatë udhës për të arritur një synim afatgjatë. Nëse shqyrtojmë rregullisht se sa kemi ecur drejt synimit, duke pasur parasysh këto pika referimi, kjo mund të na ndihmojë ta mbajmë mendjen të përqendruar te synimi. Edhe po t’i lutemi vazhdimisht Jehovait për planet që kemi bërë, do të marrim ndihmën e nevojshme për të vazhduar drejt synimit. Apostulli Pavël nxiti: «Lutuni pa pushim.»​—1 Selanikasve 5:17.

Nevojitet vendosmëri dhe këmbëngulje

Pavarësisht nëse kemi plane të menduara mirë dhe një dëshirë të fortë për t’i realizuar ato, disa synime mbeten të paarritshme. Sa i zhgënjyer duhet të ketë mbetur dishepulli Gjon Mark kur apostulli Pavël nuk deshi ta merrte me vete në udhëtimin e dytë misionar! (Veprat 15:37-40) Markut iu desh të nxirrte mësim nga ky zhgënjim dhe të bënte përshtatje në synimin e tij për të shërbyer më shumë. E patjetër kështu bëri. Më vonë Marku mori lavdërime nga Pavli dhe pati shoqëri të ngushtë me apostullin Pjetër në Babiloni. (2 Timoteut 4:11; 1 Pjetrit 5:13) Ndoshta privilegji i tij më i madh ishte që shkroi një tregim të frymëzuar të jetës dhe të shërbimit të Jezuit.

Edhe ne mund të kalojmë situata që na pengojnë t’i arrijmë synimet frymore. Në vend që të dorëzohemi, duhet të shqyrtojmë përparimin që kemi bërë drejt synimit, të shohim nëse synimi është ende i arritshëm dhe të ndryshojmë synim nëse nevojitet. Kur dalin pengesa duhet të përpiqemi që të vazhdojmë përpara me vendosmëri dhe këmbëngulje. Mbreti i mençur Solomon na siguron: «Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.»​—Fjalët e urta 16:3.

Prapëseprapë, ndonjëherë për shkak të rrethanave është e pamundur të ndjekim disa synime. Për shembull, për shkak të shëndetit të dobët ose të detyrimeve familjare që kemi, disa synime mund të jenë të paarritshme. Le të mos harrojmë kurrë se çmimi përfundimtar për ne është jeta e përhershme: në qiell ose në parajsën në tokë. (Luka 23:43; Filipianëve 3:13, 14) Si mund ta arrijmë këtë? Apostulli Gjon shkroi: «Ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:17) Ndonëse për shkak të situatës sonë mund të mos e arrijmë një synim të caktuar, prapëseprapë ‘mund të kemi frikë nga Perëndia dhe të respektojmë urdhërimet e tij’. (Predikuesi 12:13) Synimet frymore na ndihmojnë të jemi të përqendruar në bërjen e vullnetit të Perëndisë. Prandaj, le t’i përdorim synimet frymore për t’i sjellë lavdi Krijuesit tonë.

[Kutia në faqen 22]

Disa synime frymore që mund të vëmë:

○ Të lexojmë Biblën çdo ditë

○ Të lexojmë çdo numër të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!

○ Të përmirësojmë cilësinë e lutjeve

○ Të shfaqim frytin e frymës

○ Të marrim pjesë më shumë në shërbim

○ Të bëhemi më të efektshëm në predikim dhe në mësimdhënie

○ Të aftësohemi në forma të ndryshme dëshmie, si dëshmia me anë të telefonit, dëshmia joformale dhe dëshmia në territorin tregtar