Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kujtohen ‘viktimat e harruara’

Kujtohen ‘viktimat e harruara’

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

Kujtohen ‘viktimat e harruara’

NË FILLIM të vitit 2001, Hajgazi, një djalë 15-vjeçar që është Dëshmitar i Jehovait, vizitoi ekspozitën «Viktima të harruara», që ishte hapur në Bernë të Zvicrës. Ekspozita tregonte përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait nga nazistët. Në përfundim të vizitës Hajgazi tha: «Kisha dëgjuar më parë për trajtimin çnjerëzor dhe për vuajtjet që hoqën Dëshmitarët e Jehovait nën regjimin nazist, por kjo ishte hera e parë që shihja me sytë e mi dokumente dhe fotografi të vërteta të asaj kohe. Stendat, dëshmitë e dëshmitarëve okularë dhe komentet e historianëve në atë ekspozitë, më lanë një mbresë të thellë në mendje e në zemër.»

Disa kohë më vonë, kur e caktuan të bënte një referat për klasën, ai zgjodhi temën «Dëshmitarët e Jehovait: Viktimat e harruara të nazizmit». Mësuesi e pranoi temën, por i tha Hajgazit se duhej të përfshinte material edhe nga literatura jofetare. Hajgazi pranoi me kënaqësi. «Bëra një përmbledhje të disa librave që ishin shkruar për Dëshmitarët e Jehovait gjatë epokës së nazizmit,​—tha ai.​—Gjithashtu, shpreha përshtypjet e mia për ekspozitën ‘Viktima të harruara’. Referati prej 43 faqesh përfshinte edhe ilustrime e fotografi.»

Në nëntor të vitit 2002, Hajgazi e paraqiti referatin para shokëve të shkollës, mësuesve, familjes dhe miqve. Më pas vijoi një seancë me pyetje-përgjigje, ku ai pati mundësi të shpjegonte bindjet e tij të bazuara në Bibël. Kur një vajzë në auditor e pyeti pse kishte zgjedhur këtë temë, Hajgazi u përgjigj se shumë libra historie nuk i përmendin Dëshmitarët e Jehovait, prandaj donte që njerëzit ta dinin me sa guxim e kishin mbrojtur Dëshmitarët besimin e tyre. Cilat qenë rezultatet e këtij referati?

«Shokët e shkollës mbetën të çuditur,​—tha Hajgazi.​—Nuk e dinin se Dëshmitarët e Jehovait si grup ishin përndjekur mizorisht. Po ashtu, shumë prej tyre nuk e dinin se Dëshmitarët që ishin në kampet naziste të përqendrimit mbanin në rroba një shenjë të veçantë identifikimi, trekëndëshin ngjyrë vjollcë.»

Pas këtij referati, Hajgazi pati edhe mundësi të tjera për të folur me shokët e klasës, dhe për të diskutuar qëndrimin biblik që mbajnë Dëshmitarët për transfuzionet e gjakut, për alkoolin dhe për moralin. «Asnjë nga shokët e shkollës nuk më talli»,​—tha Hajgazi. Për më tepër, referati i tij tani mbahet në bibliotekën e shkollës. Kjo do të ndihmojë për të mos u harruar qëndrimi i guximshëm që mbajtën Dëshmitarët e Jehovait.