Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një letër nga Alehandra

Një letër nga Alehandra

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

Një letër nga Alehandra

LETRAT kanë qenë gjithnjë një mjet i efektshëm për të dhënë dëshmi. Edhe pse rezultati ndonjëherë mund të mos duket i sigurt, ata që ngulmojnë duke përdorur këtë mjet janë bekuar shumë. Ata mbajnë mend këshillën e mençur të Biblës: «Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos lër dorën tënde të pushojë, sepse ti nuk e di se cili nga të dy do të dalë më mirë; ky apo ai, apo do të jenë të mirë që të dy.»​—Predikuesi 11:6.

Alehandra, një Dëshmitare në moshë të re, që kishte dhjetë vjet që shërbente në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë, po bënte kimioterapinë sepse ishte me kancer. Gjendja iu keqësua dhe nuk kishte fuqi të vazhdonte me rutinën e saj të përditshme. Por, meqë nuk donte ta linte pas dore shërbimin, Alehandra filloi të shkruante letra. Në to shpjegonte mundësinë për të filluar një studim biblik pa pagesë në shtëpi dhe vinte numrin e telefonit të mamasë së saj. Pastaj letrat ia jepte mamasë që, kur të dilte në shërbim, t’i vendoste nëpër shtëpitë ku nuk gjente njerëz.

Ndërkohë, Djohania, një vajzë e re nga Guatemala, shkoi në Kankun të Meksikës për të punuar si shërbyese në një shtëpi. Kur ishte atje, takoi Dëshmitarët e Jehovait dhe filloi të bënte me ta biseda biblike që i pëlqenin shumë. Pas njëfarë kohe, të zotët e shtëpisë ku ajo shërbente vendosën të shkonin me banim në qytetin e Meksikos dhe i propozuan të shkonte bashkë me ta. Djohania nuk po vendoste dot, sepse mendonte që po të bënte kështu do t’i humbiste lidhjet me Dëshmitarët.

«Mos ki merak,​—e siguruan të zotët e shtëpisë,​—Dëshmitarët janë kudo. Do t’i kërkojmë sapo të mbërrijmë në Meksiko.» Pas këtij propozimi të kënaqshëm, Djohania pranoi të shkonte me ta. Kur mbërritën në Meksiko, çifti që kishte marrë në punë Djohaninë i kërkoi Dëshmitarët, por kushedi pse nuk arriti t’i gjente, megjithëse në këtë qytet kishte më shumë se 41.000 Dëshmitarë dhe 730 kongregacione.

S’kaloi shumë kohë dhe Djohania po shkurajohej, ngaqë nuk po i gjente Dëshmitarët për të vazhduar bisedat biblike me ta. Një ditë, e zonja e shtëpisë ku punonte erdhi tek ajo duke thënë: «Kam një surprizë për ty. Perëndia yt t’i ka dëgjuar lutjet.» Pastaj i dha një letër dhe i tha: «Dëshmitarët kanë lënë këtë letër për ty.» Ishte një letër nga Alehandra.

Djohania u lidh me mamanë dhe me motrën e Alehandrës, Blankën, dhe pranoi një studim biblik. Pas disa javësh u takua me Alehandrën dhe patën një bisedë inkurajuese. Alehandra e nxiti që ta vazhdonte me ngulm studimin e Biblës, me qëllim që të bënte përparim frymor.

Disa muaj më vonë, në korrik të vitit 2003, Alehandra vdiq, por la për bashkëbesimtarët një shembull të shkëlqyer besimi dhe guximi. Në funeral, shumë veta u prekën thellë kur takuan Djohaninë dhe e dëgjuan të thoshte: «Alehandra dhe familja e saj kanë qenë një shembull i shkëlqyer për mua. Jam e vendosur t’i shërbej Jehovait dhe të pagëzohem së shpejti. Sa me padurim pres ta takoj përsëri Alehandrën në Parajsën që do të vijë!»

Po, vërtet, letra ndoshta është një gjë e vogël, por sa shumë rezultate të mira e të përhershme mund të sjellë!