Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova!»

«Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova!»

Madhështia e krijimit të Jehovait

«Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova!»

PAVARËSISHT se ku jetojmë, në qytet apo në fshat, në mal apo në bregdet, jemi të rrethuar nga madhështia mahnitëse e krijimit. Në mënyrë të përshtatshme, Kalendari i Dëshmitarëve të Jehovait 2004 na paraqet një pamje mahnitëse të mjeshtërisë krijuese të Perëndisë Jehova.

Ata që i vlerësojnë veprat e Perëndisë, u kanë kushtuar gjithmonë vëmendje atyre. Për shembull, mendoni për Solomonin, mençuria e të cilit «ia kaloi diturisë të të gjithë bijve të Lindjes». Bibla thotë: «Foli edhe për drurët, nga kedri i Libanit deri në isopin që mbin nga muri; foli gjithashtu për kafshët, për zogjtë, për rrëshqanorët dhe për peshqit.» (1 Mbretërve 4:30, 33) I ati i Solomonit, mbreti David, shpesh meditonte për kryeveprat e Perëndisë. Këto e shtynë t’i drejtohej i mahnitur Krijuesit të tij: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.»​—Psalmi 104:24, BR. *

Edhe ne bëjmë mirë të vëzhgojmë krijimin dhe të meditojmë për të. Për shembull, mund t’i ‘ngremë sytë tanë përpjetë’ dhe të pyesim: «Kush i krijoi këto gjëra?» Sigurisht që ishte Perëndia Jehova, me «madhështinë e fuqisë së tij» dhe me «forcën e tij».​—Isaia 40:26.

Si duhet të ndikojë te ne meditimi për veprat krijuese të Jehovait? Të paktën në tri mënyra: (1) të na kujtojë se duhet ta çmojmë shumë jetën, (2) të na nxitë t’i ndihmojmë të tjerët që të mësojnë nga krijimi dhe (3) të na inkurajojë ta njohim dhe ta vlerësojmë më shumë Krijuesin.

Jeta jonë njerëzore, një formë jete shumë më e lartë se ajo e ‘kafshëve që nuk arsyetojnë’, na jep mundësinë t’i vëzhgojmë dhe t’i vlerësojmë mrekullitë e krijimit. (2 Pjetrit 2:12) Me sytë tanë mund të shohim peizazhin e bukur. Me veshë mund të dëgjojmë këngët melodioze të zogjve. Dhe koncepti i kohës e i vendit na ndihmon të fiksojmë në mendje pika referimi, që kthehen në kujtime të paharrueshme. Edhe pse jeta që bëjmë nuk është e përsosur, patjetër, ia vlen ta jetojmë.

Prindërit kënaqen me fëmijët që natyrshëm mahniten nga veprat e krijimit. Sa shumë që u pëlqen fëmijëve të gjejnë guaska në breg të detit, të përkëdhelin një kafshë ose të ngjiten në pemë! Prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të kuptojnë lidhjen që ekziston midis krijimit dhe Krijuesit. Nderimi dhe respekti që fëmijët krijojnë ndaj veprave të Jehovait, u mbeten në mendje gjatë gjithë jetës.​—Psalmi 111:2, 10.

Do të ishim shumë dritëshkurtër nëse do ta admironim krijimin, por nuk do të vlerësonim Krijuesin. Profecia e Isaisë na ndihmon të meditojmë pikërisht për këtë pikë kur thotë: «Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarsia e tij është e panjohshme.»​—Isaia 40:28.

Po, veprat e Jehovait janë provë e mençurisë së tij të pahulumtueshme, fuqisë së tij të pashoqe dhe dashurisë së thellë që ka për ne. Kur shohim bukurinë që na rrethon dhe dallojmë cilësitë e Atij që krijoi gjithçka, le të përsëritim fjalët e Davidit: «Nuk ka asnjë të barabartë me ty . . . , o Zot, as ka vepra të njëllojta me të tuat.»​—Psalmi 86:8.

Mund të jemi të sigurt se njerëzit e bindur do të vazhdojnë të mahniten nga krijimi i Jehovait. Gjatë gjithë përjetësisë do të kemi mundësi të pafundme për të mësuar më shumë për të. (Predikuesi 3:11) E sa më shumë të mësojmë për Krijuesin, aq më shumë do ta duam atë.

[Shënimi]

^ par. 4 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2004, nëntor/dhjetor.

[Kutia në faqen 9]

Lëvdime për Krijuesin

Shumë shkencëtarë që e vlerësojnë krijimin, shohin dorën e Perëndisë në të. Më poshtë janë disa shembuj:

«Shkenca ime merr kuptim dhe bëhet shkak gëzimi, për mua, në ato momente kur zbuloj diçka të re dhe them me vete: ‘Atëherë, kështu e paska bërë Perëndia!’ Qëllimi im është të kuptoj një pjesë sado të vogël të planit të Perëndisë.»​—Henri Shafer, profesor kimie.

«Për sa i përket shkakut të zgjerimit të Universit, lexuesi duhet të arrijë vetë në përfundim, por tabloja që ne kemi krijuar nuk është e plotë pa të [Perëndinë].»​—Eduard Miln, astronom britanik.

«E dimë se natyra është krijuar mbi bazën e ligjeve matematikore më të sakta që ekzistojnë, sepse e ka krijuar Perëndia.»​—Aleksandër Poljakov, matematikan rus.

«Në studimin e objekteve të natyrës, po shqyrtojmë mendimet e Krijuesit, po njohim konceptet e tij dhe po shpjegojmë një sistem që është i Tij dhe jo yni.»​—Luis Agasiz, biolog amerikan.

[Figura në faqet 8, 9]

Pinguinë gento, Gadishulli Antarktik

[Figura në faqen 9]

Parku Kombëtar Grand Teton, Uajoming, SHBA

[Burimi]

Jack Hoehn/Index Stock Photography