Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

U çliruam me «gjak të çmuar»

U çliruam me «gjak të çmuar»

«Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve»

U çliruam me «gjak të çmuar»

AKTI më i madh i dashurisë së Jehovait ishte kur dërgoi Birin e tij të vetëmlindur, që të ofronte jetën e tij të përsosur njerëzore si shpërblesë. Si njerëz mëkatarë kemi shumë nevojë për këtë shpërblesë, pasi asnjë njeri i papërsosur «nuk e shpengon dot kurrsesi qoftë edhe të vëllanë, as i jep dot Perëndisë një shpërblesë për të . . . që ai të jetojë përgjithmonë». (Psalmi 49:6-9) Sa mirënjohës jemi që Perëndia «dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme»!—Gjoni 3:16.

Si na çliron shpërblesa? Le të shohim katër mënyra se si fitojmë liri falë këtij akti të jashtëzakonshëm të dashurisë nga ana e Perëndisë Jehova.

Çlirim nëpërmjet shpërblesës

Së pari, flijimi i Jezuit na çliron nga mëkati i trashëguar. Të gjithë, që kur lindim, jemi mëkatarë. Po, jemi mëkatarë, madje para se të thyejmë ligjet e Jehovait. Si ka mundësi? Romakëve 5:12 thotë: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit.» Si fëmijë të Adamit mëkatar, trashëguam një gjendje të papërsosur. Megjithatë, falë shpërblesës që u pagua për ne, është e mundur të çlirohemi nga prangat e mëkatit të trashëguar. (Romakëve 5:16) Jezui ‘shijoi vdekjen për çdo njeri’, duke mbartur pasojat e mëkatit për pasardhësit e Adamit.—Hebrenjve 2:9; 2 Korintasve 5:21; 1 Pjetrit 2:24.

Së dyti, shpërblesa mund të na çlirojë nga pasojat vdekjeprurëse të mëkatit. «Paga që paguan mëkati është vdekja.» (Romakëve 6:23) Dënimi për mëkatin është vdekja. Me anë të vdekjes së tij flijuese, Biri i Perëndisë bëri të mundur jetën e përhershme për njerëzimin e bindur. Vërtet, «ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë».—Gjoni 3:36.

Vini re se mund të çlirohemi nga pasojat e mëkatit, vetëm nëse tregojmë besim te Biri i Perëndisë. Kjo përfshin të bëjmë ndryshime në jetë dhe ta përputhim atë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Duhet të hedhim poshtë çdo drejtim të gabuar që mund të kemi ndjekur më parë, dhe duhet të veprojmë ashtu siç i pëlqen Perëndisë. Apostulli Pjetër tha se kemi nevojë të ‘pendohemi dhe të kthehemi, që të na fshihen mëkatet’.—Veprat 3:19.

Së treti, flijimi i Jezuit na çliron nga një ndërgjegje fajtore. Gjithkush që i kushtohet Jehovait dhe bëhet dishepull i pagëzuar i Birit të tij, provon lehtësim. (Mateu 11:28-30) Pavarësisht nga papërsosmëria jonë, gjejmë gëzim të thellë duke i shërbyer Perëndisë me ndërgjegje të pastër. (1 Timoteut 3:9; 1 Pjetrit 3:21) Duke i rrëfyer mëkatet dhe duke i braktisur ato, na tregohet mëshirë dhe lehtësohemi nga një ndërgjegje e trazuar.—Proverbat 28:13.

Ndihmë dhe shpresë

Së fundi, duke treguar besim te shpërblesa, çlirohemi nga frika lidhur me qëndrimin tonë para Perëndisë. Apostulli Gjon shkroi: «Nëse ndonjëri kryen mëkat, ne kemi një ndihmës pranë Atit, që është i drejtë, Jezu Krishtin.» (1 Gjonit 2:1) Përsa i përket rolit të Jezuit si ndihmës, apostulli Pavël shkroi: «Ai është në gjendje t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse është gjithmonë gjallë për të ndërmjetësuar për ta.» (Hebrenjve 7:25) Për sa kohë të kemi njollën e mëkatit, do të kemi nevojë për shërbimet e Kryepriftit Jezu Krisht, që të na ndihmojë të kemi një qëndrim të drejtë para Perëndisë. Si shërbeu Jezui si kryeprift për të mirën tonë?

Dyzet ditë pas ringjalljes në vitin 33 e.s., Jezui u ngjit në qiell, ku i paraqiti Perëndisë vlerën e ‘gjakut të tij të çmuar’. Si rezultat, së shpejti, Jezui do të çlirojë njerëzimin e bindur nga mëkati dhe vdekja. * (1 Pjetrit 1:18, 19) Prandaj, a nuk jeni dakord se Jezu Krishti e meriton dashurinë dhe bindjen tonë?

Edhe Perëndia Jehova e meriton që ta duam dhe t’i bindemi. Ai me dashuri bëri të mundur ‘çlirimin nëpërmjet shpërblesës’. (1 Korintasve 1:30) I detyrohemi atij jo vetëm për jetën që kemi tani, por edhe për perspektivën që të gëzojmë jetën e përhershme. Prandaj, kemi çdo arsye ‘për t’iu bindur Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve’.—Veprat 5:29.

[Shënimi]

^ par. 12 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2006, mars-prill.

[Kutia dhe figurat në faqen 9]

A E DINI?

• Jezui ishte në malin e Ullinjve kur u ngrit lart në qiell.—Veprat 1:9, 12.

• Vetëm apostujt besnikë e panë Jezuin kur u ngjit në qiell.—Veprat 1:2, 11-13.