Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i parë i Psalmeve

Pika kryesore nga libri i parë i Psalmeve

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i parë i Psalmeve

CILI titull do të ishte i përshtatshëm për një libër biblik që kryesisht përbëhet nga lavde për Krijuesin tonë, Perëndinë Jehova? S’ka më të përshtatshëm se titulli «Psalme» ose «Lavde». Ky libër, më i gjati nga librat e Biblës, përmban këngë të thurura me mjeshtëri, ku flitet për cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë e për veprat e tij madhështore, si edhe tregohen profeci të shumta. Shumë nga këngët shprehin ndjenjat që patën shkrimtarët e tyre ndërsa kalonin vështirësi. Këto këngë përfshijnë një periudhë prej rreth një mijë vjetësh, që nga ditët e profetit Moisi e deri në kohët pas mërgimit. Shkrimtarët ishin Moisiu, mbreti David e të tjerë. Me sa duket, prifti Ezdra e organizoi librin në formën përfundimtare.

Që nga kohët e lashta, libri i Psalmeve është ndarë në pesë përmbledhje këngësh: (1) Psalmet 1-41; (2) Psalmet 42-72; (3) Psalmet 73-89; (4) Psalmet 90-106 dhe (5) Psalmet 107-150. Në këtë artikull do të shqyrtohet përmbledhja e parë. Në këtë përmbledhje, përveç tri psalmeve, të tjerat i ka kompozuar Davidi, mbret në Izraelin e lashtë. Nuk dihet cilët ishin autorët e Psalmit 1, 10 dhe 33.

«PERËNDIA ËSHTË SHKËMBI IM»

(Psalmi 1:1–24:10)

Në psalmin e parë shpallet i lumtur njeriu që gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, kurse në psalmin e dytë hyjmë drejtpërdrejt në temën e Mbretërisë. * Në këtë grup psalmesh spikatin përgjërimet që i bëhen Perëndisë. Për shembull, Psalmet 3-5, 7, 12, 13 dhe 17, janë kërkesa për çlirim nga armiqtë. Psalmi 8 thekson sa madhështor është Jehovai, në krahasim me njerëzit e vegjël e të papërfillshëm.

Duke e përshkruar Jehovain si Ai që mbron popullin e vet, Davidi këndon: «Perëndia është shkëmbi im. Tek ai do të strehohem.» (Psalmi 18:2) Jehovait i thuret lavdi në Psalmin 19 si Krijuesi dhe Ligjvënësi, në Psalmin 20 si Shpëtimtari dhe në Psalmin 21 si Shpëtimtari i Mbretit të tij të mirosur. Psalmi 23 e përshkruan Jehovain si Bariun e Madh, kurse Psalmi 24 e paraqet si Mbretin e lavdishëm.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:1, 2—Cilën ‘gjë të kotë’ murmuritin kombet? ‘Gjëja e kotë’ është meraku i vazhdueshëm i qeverive njerëzore për të ruajtur pushtetin e tyre. Ky merak është i kotë, sepse qëllimi i tyre do të dështojë me siguri. A mund të shpresojnë t’ia dalin mbanë popujt, kur vihen «kundër Jehovait dhe të mirosurit të tij»?!

2:7—Çfarë është ‘dekreti i Jehovait’? Ky dekret është besëlidhja për një Mbretëri që ka bërë Jehovai me Birin e tij të dashur, Jezu Krishtin.—Luka 22:28, 29.

2:12—Si mund ‘ta puthin birin’ sundimtarët e kombeve? Në kohët biblike, puthja ishte shprehje e miqësisë dhe e besës. Ishte një mënyrë për t’u uruar mirëseardhjen mysafirëve. Mbretërve të tokës u jepet urdhër të puthin Birin, domethënë ta mirëpresin si Mbretin Mesianik.

3:mbishkrimi—Për ç’qëllim shërben mbishkrimi që vihet te disa psalme? Nganjëherë mbishkrimi identifikon shkrimtarin dhe (ose) jep të dhëna për rrethanat në të cilat u kompozua psalmi, si në rastin e Psalmit 3. Gjithashtu, mbishkrimi mund të shpjegojë qëllimin e këngës ose si përdoret (Psalmi 4 dhe 5), si dhe jep udhëzime për sa i përket muzikës (Psalmi 6).

3:2—Çfarë është «Selah»? Në përgjithësi, mendohet se ky term tregon një pauzë për të medituar në heshtje, kur këndohej ose gjatë këngës e muzikës instrumentale. Pauza përdorej për ta theksuar më shumë mendimin ose ndjenjën që sapo ishte shprehur. Nuk ka pse të shqiptohet gjatë leximit publik të Psalmeve.

11:3—Cilat themele shkatërrohen? Janë themelet mbi të cilat është ndërtuar shoqëria njerëzore, domethënë ligji, rendi dhe drejtësia. Kur këto themele tronditen, ka trazira shoqërore dhe nuk ka drejtësi. Në kushte të tilla, «i drejti» duhet të ketë besim të plotë te Perëndia.—Psalmi 11:4-7.

21:3—Çfarë ka të veçantë ‘kurora prej ari të kulluar’? Nuk thuhet nëse kurora ishte e mirëfilltë ose ishte simbol i lavdisë së mëtejshme që pati Davidi për shkak të fitoreve të shumta. Megjithatë, ky varg i referohet në mënyrë profetike kurorës mbretërore që Jehovai i dha Jezuit në vitin 1914. Fakti që kurora është prej ari tregon se mbretëria e tij është e cilësisë më të lartë.

22:1, 2—Pse Davidi mund të jetë ndier sikur Perëndia e kishte braktisur? Davidi ishte nën një presion kaq të madh nga armiqtë, saqë ‘zemra i ishte bërë si dylli dhe ishte shkrirë brenda tij’. (Psalmi 22:14) Atij mund t’i jetë dukur sikur Jehovai e kishte braktisur. Edhe Jezui u ndie kështu, kur e vunë në shtyllë. (Mateu 27:46) Fjalët e Davidit tregojnë reagimin e natyrshëm njerëzor për situatën e dëshpëruar në të cilën ndodhej. Gjithsesi, nga lutja e tij, që është dokumentuar te Psalmi 22:16-21, del qartë se Davidi nuk e kishte humbur besimin te Perëndia.

Mësime për ne:

1:1. Duhet ta shmangim shoqërinë me ata që nuk e duan Jehovain.—1 Korintasve 15:33.

1:2. Nuk duhet të lëmë të kalojë as edhe një ditë pa shqyrtuar gjëra frymore.—Mateu 4:4.

4:4. Kur jemi të zemëruar ose të inatosur, është e mençur ta mbajmë gjuhën nën fre, që të mos themi diçka për të cilën më vonë do të pendohemi.—Efesianëve 4:26.

4:5. Flijimet tona frymore janë ‘flijime drejtësie’ vetëm nëse vijnë nga motive të duhura dhe nëse sjellja jonë është në përputhje me kërkesat e Jehovait.

6:5. A mund të ketë arsye më të mirë se kjo, për të pasur dëshirë që të jetojmë?—Psalmi 115:17.

9:12. Jehovai i kërkon ata që derdhin gjak për t’i ndëshkuar, por nuk i harron ‘klithmat e të munduarve’.

15:2, 3; 24:3-5. Adhuruesit e vërtetë duhet të thonë të vërtetën dhe të shmangin betimet e rreme dhe shpifjet.

15:4. Përveç rastit kur kuptojmë se kemi bërë një premtim që është në kundërshtim me Shkrimet, duhet të bëjmë gjithë sa kemi në dorë për të mbajtur fjalën, edhe sikur kjo të jetë shumë e vështirë.

15:5. Si adhurues të Jehovait, duhet të ruhemi që të mos i përdorim paratë në mënyrë të gabuar.

17:14, 15. «Njerëzit e kësaj bote» bëjnë çmos për të pasur një nivel të lartë jetese, të ngrenë familje dhe t’u lënë fëmijëve një trashëgimi. Kurse për Davidin meraku kryesor në jetë ishte që të bënte një emër të mirë para Perëndisë, me qëllim që ‘të shihte fytyrën’ e Jehovait ose të kishte miratimin e tij. Kur të ‘zgjohej’ ose të bëhej i vetëdijshëm për premtimet dhe gjithçka që i kishte garantuar Jehovai, Davidi do të ndihej ‘i kënaqur duke e parë’ ose do të gëzohej që Jehovai ishte me të. A nuk duhet që edhe ne, ashtu si Davidi, ta kemi zemrën te thesaret frymore?

19:1-6. Nëse krijimi, që as flet e as arsyeton, i jep lavdi Jehovait, sa më tepër duhet ta bëjmë këtë ne që mund të mendojmë, të flasim dhe të adhurojmë!—Zbulesa 4:11.

19:7-11. Sa të dobishme janë për ne kërkesat e Jehovait!

19:12, 13. Gabimet dhe veprimet arrogante janë mëkate ndaj të cilave duhet të ruhemi.

19:14. Duhet të kemi kujdes jo vetëm për atë që bëjmë, por edhe për atë që themi e që mendojmë.

«TI MË KE PËRKRAHUR PËR SHKAK TË INTEGRITETIT TIM»

(Psalmi 25:1–41:13)

Sa dëshirë të fortë dhe vendosmëri të madhe për të mbajtur integritetin shpreh Davidi në dy psalmet e para të këtij grupi! «Unë do të eci me integritet»,—këndon ai. (Psalmi 26:11) Në lutjen që bën për faljen e mëkateve, ai pranon: «Meqë unë heshtja, kockat më treteshin nga rënkimi gjithë ditën e ditës.» (Psalmi 32:3) Shërbëtorëve besnikë të Jehovait, Davidi u jep këtë siguri: «Jehovai i kthen sytë nga të drejtët, dhe veshët nga thirrja e tyre për ndihmë.»—Psalmi 34:15.

Këshillat që përmban Psalmi 37 ishin shumë të vlefshme për izraelitët, por edhe për ne që jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi. (2 Timoteut 3:1-5) Te Psalmi 40:7, 8, në mënyrë profetike për Jezu Krishtin thuhet: «Ja, unë kam ardhur, përderisa në rrotullën e librit është shkruar për mua. O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje.» Psalmi i fundit i kësaj përmbledhjeje, është kërkesa për ndihmë që i bëri Davidi Jehovait gjatë viteve të turbullta pas mëkatit me Betshebën. Ai këndon: «Ti më ke përkrahur për shkak të integritetit tim.»—Psalmi 41:12.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

26:6—Në kuptimin e figurshëm, si ecim ne përqark altarit të Jehovait, ashtu si Davidi? Altari paraqet vullnetin e Jehovait për të pranuar flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit për shpengimin e njerëzimit. (Hebrenjve 8:5; 10:5-10) Ne ecim përqark altarit të Jehovait duke treguar besim tek ai flijim.

29:3-9—Çfarë portretizon krahasimi i zërit të Jehovait me gjëmimin e një stuhie që ngjall frikë ndërsa kalon? Portretizon fuqinë mahnitëse të Jehovait!

31:23—Si shpaguhet fodulli ashtu siç e meriton? Shpagimi në këtë rast është ndëshkimi. Shpagimin për gabimet e paqëllimshme që bën, një njeri i drejtë e merr në formën e disiplinës nga Jehovai. Kurse njeriu fodull nuk kthehet nga rruga e tij e gabuar, prandaj shpagimi që meriton ai, është ndëshkimi i rëndë.—Proverbat 11:31; 1 Pjetrit 4:18.

33:6—Çfarë është «fryma» e gojës së Jehovait? Kjo frymë është forca vepruese e Perëndisë ose fryma e shenjtë, të cilën e përdori kur krijoi qiejt fizikë. (Zanafilla 1:1, 2) Quhet fryma e gojës së tij sepse, ashtu si ajrin që nxirret fuqishëm nga goja, Jehovai mund ta dërgojë që nga larg për të bërë diçka.

35:19—Ç’kuptim ka kërkesa e Davidit për të mos i lënë ata që e urrejnë t’i shkelin syrin njëri-tjetrit? Shkelja e syrit do të tregonte se armiqtë e Davidit po kënaqeshin me suksesin e planeve të tyre të liga kundër tij. Davidi kërkoi që të mos ndodhte kjo.

Mësime për ne:

26:4. Duhet të tregohemi të mençur e të mos shoqërohemi me ata që e fshehin identitetin e tyre në çat-rum në Internet, me ata në shkollë ose në punë që hiqen sikur janë shokët tanë, por kanë qëllime dinake, me apostatët që vënë një maskë sinqeriteti dhe me ata që bëjnë një jetë të dyfishtë.

26:7, 12; 35:18; 40:9. Duhet t’i thurim lavde Jehovait publikisht, në grumbullimet e krishtere.

26:8; 27:4. A dëshirojmë me zjarr të ndjekim mbledhjet e krishtere?

26:11. Davidi shprehu vendosmërinë për të mbajtur integritetin, por bëri edhe një kërkesë për shpengim. Po, ne mund ta mbajmë integritetin, pavarësisht nga papërsosmëria jonë.

29:10. Duke e vënë fronin mbi «përmbytjen», Jehovai tregon se e ka plotësisht nën kontroll fuqinë e tij.

30:5. Cilësia mbizotëruese e Jehovait është dashuria, jo zemërimi.

32:9. Jehovai nuk do që ne të jemi si mushka ose si gomari që bindet vetëm për shkak të frerëve ose kamxhikut. Jo, ai dëshiron që ne të vendosim t’i bindemi sepse e kuptojmë vullnetin e tij.

33:17-19. Asnjë sistem njerëzor, sado i fuqishëm të jetë, nuk mund të sjellë shpëtim. Duhet të kemi besim te Jehovai dhe te Mbretëria që ka vendosur ai.

34:10. Sa shumë siguri u jep kjo atyre që i vënë interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetë!

39:1, 2. Kur të ligjtë kërkojnë informacione për të dëmtuar bashkëbesimtarët tanë, me mençuri ne ‘e ruajmë gojën me gojëz’ dhe nuk flasim.

40:1, 2. Kur shpresojmë te Jehovai, kemi një ndihmë për të përballuar depresionin, për të dalë ‘nga gropa ku buçasin ujërat, nga lluca e batakut’.

40:5, 12. As të këqijat që na rrethojnë dhe as gabimet tona, sado të shumta të jenë, nuk do të na mbytin, nëse nuk harrojmë se bekimet që kemi ‘janë ku e ku më tepër nga sa mund t’i numërojmë’.

«Bekuar qoftë Jehovai»

Sa ngushëllues dhe inkurajues janë 41 psalmet e përmbledhjes së parë! Nëse po hasim sprova ose po na bren ndërgjegjja fajtore, mund të marrim forcë dhe zemër nga kjo pjesë e Fjalës së fuqishme të Perëndisë. (Hebrenjve 4:12) Këto psalme përmbajnë informacione që na japin udhëheqje të shëndoshë për jetën. Vazhdimisht na jepet siguria se, pavarësisht nga vështirësia në të cilën mund të gjendemi, Jehovai nuk do të na braktisë.

Pjesa e parë e psalmeve mbaron me fjalët: «Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, jetë e mot! Amin, po, amin!» (Psalmi 41:13) Pasi i kemi shqyrtuar këto psalme, a nuk ndihemi të shtyrë të bekojmë ose të lëvdojmë Jehovain?

[Shënimi]

^ par. 7 Psalmi 2 e ka përmbushjen fillestare në kohën e Davidit.

[Diçitura në faqen 19]

Nëse krijimi pa jetë i jep lavdi Jehovait, sa më shumë duhet t’i japim lavdi ne!

[Figura në faqen 17]

Davidi ishte autor i pjesës më të madhe të 41 psalmeve të para

[Figura në faqen 18]

A e dini cili psalm e paraqet Jehovain si Bariun e Madh?

[Figura në faqen 20]

Mos lini të kalojë as edhe një ditë pa shqyrtuar gjëra frymore

[Burimi i figurës në faqen 17]

Yjet: Me mirësjellje nga United States Naval Observatory

[Burimi i figurës në faqen 19]

Yjet, faqet 18 dhe 19: Me mirësjellje nga United States Naval Observatory

[Burimi i figurës në faqen 20]

Yjet: Me mirësjellje nga United States Naval Observatory