Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbretëria e Perëndisë​—Më e lartë në çdo aspekt

Mbretëria e Perëndisë​—Më e lartë në çdo aspekt

JEZU KRISHTI i mësoi ithtarët e tij: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.’» (Mateu 6:9, 10) Kjo lutje e njohur nga të gjithë si lutja model ose si lutja «Ati ynë», shpjegon qëllimin e Mbretërisë së Perëndisë.

Me anë të kësaj Mbretërie do të shenjtërohet emri i Perëndisë. Do të pastrohet nga çdo çnderim që është grumbulluar rreth këtij emri si rezultat i rebelimit të Satanait dhe të njeriut. Kjo është tepër e rëndësishme. Lumturia e të gjithë krijesave inteligjente vjen kur e konsiderojnë të shenjtë emrin e tij dhe kur e pranojnë me dëshirë të drejtën e tij për të sunduar.​—Zbulesa 4:11.

Përveç kësaj, Mbretëria është vendosur që ‘të bëhet vullneti i Perëndisë, si në qiell, edhe në tokë’. Po cili është ky vullnet? Është vullneti për të rivendosur marrëdhënien që humbi Adami, marrëdhënien midis Perëndisë dhe njerëzimit. Gjithashtu, kjo Mbretëri do të realizojë qëllimin që ka Sundimtari Universal, Jehovai, për të vendosur kushte parajsore në tokë ku njerëzit e mirë të mund të gëzojnë jetën e përhershme. Po, Mbretëria e Perëndisë do të zhdukë të gjitha dëmet e mëkatit dhe do të bëjë realitet qëllimin e dashur që ka Perëndia për tokën. (1 Gjonit 3:8) Në fakt, kjo Mbretëri dhe gjithçka do të realizojë, përbëjnë mesazhin kryesor të Biblës.

Më e lartë në cilat aspekte?

Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e vërtetë dhe mjaft e fuqishme. Profeti Daniel na dha një pamje paraprake të fuqisë së saj. Kohë më parë, ai tha: ‘Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që . . . do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha mbretërive [njerëzore].’ Për më tepër, ndryshe nga qeveritë njerëzore, që vijnë e ikin, Mbretëria e Perëndisë «nuk do të shkatërrohet kurrë». (Danieli 2:44) Por jo vetëm kaq. Në çdo aspekt, kjo Mbretëri është shumë më e lartë se çdo qeveri njerëzore.

Mbretëria e Perëndisë ka një Mbret më të lartë.

Për kë është fjala? Në ‘një ëndërr dhe në vegime’, Danieli pa Sundimtarin e Mbretërisë së Perëndisë, «dikë si një bir njeriu» që e kishin sjellë para Perëndisë së Plotfuqishëm dhe iu dha «sundim, lavdi dhe mbretëri» që do të zgjatë përgjithmonë. (Danieli 7:1, 13, 14) Ky Bir njeriu nuk është tjetër veçse Jezu Krishti, Mesia. (Mateu 16:13-17) Perëndia Jehova zgjodhi Birin e tij, Jezuin, si Mbretin e Mbretërisë së Tij. Kur ishte në tokë, Jezui u tha farisenjve të ligj «mbretëria e Perëndisë është mes jush» në kuptimin që Mbreti i ardhshëm i asaj Mbretërie ishte në mes tyre.​—Luka 17:21.

Cili nga njerëzit mund të krahasohet me Jezuin si Sundimtar? Jezui tashmë ka provuar se është një Udhëheqës i drejtë, i besueshëm dhe i dhembshur. Ungjijtë e portretizojnë si njeri të veprimit, por edhe si shumë të butë e të ndjeshëm. (Mateu 4:23; Marku 1:40, 41; 6:31-34; Luka 7:11-17) Përveç këtyre, tani që është ringjallur, Jezui është i përjetshëm dhe nuk ka kufizimet që kanë njerëzit.​—Isaia 9:6, 7.

Jehovai ka caktuar Jezu Krishtin si Mbret të Mbretërisë së Tij

Jezui dhe bashkësundimtarët e tjerë sundojnë nga një pozitë më e lartë.

Në një vegim, Danieli pa edhe që «mbretëria, sundimi . . . iu dhanë popullit që janë të shenjtët». (Danieli 7:27) Jezui nuk sundon i vetëm. Ka edhe të tjerë që sundojnë dhe shërbejnë bashkë me të si priftërinj. (Zbulesa 5:9, 10; 20:6) Apostulli Gjon shkroi për ta: «Unë pashë Qengjin që qëndronte në malin e Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë . . . të cilët ishin blerë nga toka.»​—Zbulesa 14:1-3.

Qengji është Jezu Krishti në pozitën e tij si Mbret i Mbretërisë. (Gjoni 1:29; Zbulesa 22:3) Mali Sion i referohet qiellit. * (Hebrenjve 12:22) Jezui dhe 144.000 bashkësundimtarët e tjerë po sundojnë nga qielli. Sa vend i lavdishëm për të sunduar! Duke qenë në qiell ata kanë një kuptueshmëri më të thellë. Meqenëse qielli është froni i saj, ‘mbretëria e Perëndisë’ quhet edhe ‘mbretëria e qiejve’. (Luka 8:10; Mateu 13:11) Asnjë armë, madje asnjë sulm bërthamor nuk mund ta cenojë apo shkatërrojë këtë qeveri qiellore. Është e pamposhtshme, ja pse do ta përmbushë qëllimin që ka Jehovai për të.​—Hebrenjve 12:28.

Mbretëria e Perëndisë ka përfaqësues të besueshëm në tokë.

Nga e dimë këtë? Te Psalmi 45:16 thuhet: ‘Ti do të emërosh . . . princa në mbarë tokën.’ «Ti» në këtë profeci i referohet Birit të Perëndisë. (Psalmi 45:6, 7; Hebrenjve 1:7, 8) Pra, vetë Jezu Krishti do të emërojë ata që do të qeverisin si princa. Mund të jemi të sigurt se ata do t’i binden drejtimit të tij. Edhe sot, burra të kualifikuar që shërbejnë si pleq në kongregacionin e krishterë mësohen që të mos «sillen si zotër» me të bashkëkrishterët, por t’i mbrojnë, t’i përtërijnë dhe t’i ngushëllojnë.​—Mateu 20:25-28; Isaia 32:2.

Nënshtetasit e Mbretërisë janë të drejtë.

Ata janë të paqortueshëm dhe të drejtë në sytë e Perëndisë. (Proverbat 2:21, 22) «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund»,—thotë Bibla. (Psalmi 37:11) Nënshtetasit e kësaj Mbretërie janë zemërbutë, domethënë persona që pranojnë mësim, të përulur, të butë dhe të dhembshur. Interesi i tyre kryesor janë çështjet që kanë të bëjnë me Perëndinë. (Mateu 5:3) Ata duan të bëjnë atë që është e drejtë dhe e mirëpresin drejtimin nga Perëndia.

Mbretëria e Perëndisë drejtohet nga ligje më të larta.

Ligjet dhe parimet në të cilat bazohet kjo Mbretëri vijnë nga vetë Perëndia Jehova. Ato nuk na kufizojnë me pa të drejtë, por na sjellin dobi. (Psalmi 19:7-11) Shumë njerëz tashmë po nxjerrin dobi duke jetuar sipas kërkesave të drejta të Jehovait. Për shembull, jeta jonë familjare bëhet më e mirë, nëse ia vëmë veshin këshillave që jep Bibla për burrat, gratë dhe fëmijët. (Efesianëve 5:33–6:3) Nëse i bindemi urdhrit ‘për t’u veshur me dashuri’, përmirësojmë marrëdhënien tonë me të tjerët. (Kolosianëve 3:13, 14) Kur jetojmë sipas parimeve të Biblës, zhvillojmë edhe zakone të mira pune dhe një pikëpamje të drejtpeshuar për paratë. (Proverbat 13:4; 1 Timoteut 6:9, 10) Mbrojmë shëndetin tonë, nëse nuk e teprojmë në të pirë dhe nëse qëndrojmë larg imoralitetit dhe drogës.​—Proverbat 7:21-23; 23:29, 30; 2 Korintasve 7:1.

Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e vendosur nga Perëndia. Mbreti i saj, që është Mesia, Jezu Krishti, dhe gjithë bashkësundimtarët e tjerë kanë përgjegjësinë para Perëndisë të mbajnë lart ligjet e drejta dhe parimet e Tij të dashura. Nënshtetasit e Mbretërisë, përfshirë edhe përfaqësuesit e saj nga toka, jetojnë me gëzim sipas ligjeve të Perëndisë. Kështu Perëndia është në qendër të jetës së sundimtarëve dhe të nënshtetasve të Mbretërisë. Pra, Mbretëria është vërtet teokratike, domethënë e drejtuar nga Perëndia. Është e sigurt se ajo do të përmbushë me sukses qëllimin për të cilën është vendosur. Por, kur fillon të sundojë Mbretëria e Perëndisë, që ndryshe njihet edhe si Mbretëria Mesianike?

Mbretëria fillon të sundojë

Një faktor kyç për të kuptuar se kur do të fillonte të sundonte kjo Mbretëri e gjejmë te fjalët e Jezuit. Ai tha: «Jerusalemin do ta shkelin kombet, derisa të përmbushen kohët e caktuara të kombeve.» (Luka 21:24) Jerusalemi ishte i vetmi qytet në mbarë tokën që kishte lidhje të drejtpërdrejtë me emrin e Perëndisë. (1 Mbretërve 11:36; Mateu 5:35) Ishte kryeqyteti i një mbretërie tokësore të miratuar nga Perëndia. Ky qytet do të shkelej nga kombet në kuptimin që sundimi i Perëndisë mbi popullin e tij do të ndërpritej nga qeveritë njerëzore. E kur do të fillonte kjo?

Mbretit të fundit që u ul në fronin e Jehovait në Jerusalem iu tha: «Hiqe çallmën, hiqe kurorën. . . . Ajo nuk do t’i jepet askujt, gjersa të vijë ai që ka të drejtën ligjore, dhe atij do t’ia jap.» (Ezekieli 21:25-27) Kurora do t’i hiqej atij mbreti, dhe sundimi i Perëndisë mbi popullin e tij do të ndërpritej. Kjo ndodhi në vitin 607 p.e.s. kur babilonasit shkatërruan Jerusalemin. Gjatë ‘kohëve të caktuara’ që do të vijonin, Perëndia nuk do të kishte një qeveri që do të përfaqësonte sundimin e tij në tokë. Vetëm në fund të atyre kohëve Jehovai do t’ia jepte pushtetin për të sunduar atij «që ka të drejtën ligjore», pra Jezu Krishtit. Po sa do të zgjaste kjo periudhë?

Një profeci në librin biblik të Danielit thotë: «Priteni pemën dhe copëtojeni! Megjithatë, lëreni kërcurin në tokë, por të lidhur me rrathë hekuri dhe bakri . . . derisa të kalojnë shtatë kohë.» (Danieli 4:23) Siç do ta shohim, ‘shtatë kohët’ që përmenden këtu janë baraz me «kohët e caktuara të kombeve».

Në Bibël njerëzit, sunduesit dhe mbretëritë ndonjëherë simbolizohen nga pemë. (Psalmi 1:3; Jeremia 17:7, 8; Ezekieli, kapitulli 31) Kjo pemë simbolike «shihej deri në skajet e tokës mbarë». (Danieli 4:11) Kështu, sundimi, i paraqitur nga pema që do të pritej dhe do të lidhej, do të arrinte «skajet e tokës», pra tërë mbretërinë e njerëzimit. (Danieli 4:17, 20, 22) Pema përfaqëson sundimin suprem të Perëndisë, në veçanti në lidhje me tokën. Për ca kohë, Perëndia e ushtroi sundimin e tij mbi tokë nëpërmjet mbretërisë që vendosi në kombin e Izraelit. Kjo pemë simbolike u pre dhe kërcuri u lidh me rrathë hekuri e bakri që të mos rritej më. Kjo tregonte se mbretëria që Perëndia po përdorte për të sunduar mbi tokë, nuk do të sundonte më, siç ndodhi që nga viti 607 p.e.s. Por nuk do të ishte përgjithmonë kështu. Pema do të qëndronte e lidhur derisa të kalonin «shtatë kohë». Në fund të kësaj periudhe, Jehovai do t’ia jepte të drejtën e sundimit trashëgimtarit të ligjshëm, Jezu Krishtit. Është e qartë se ‘shtatë kohët’ dhe «kohët e caktuara të kombeve» i referohen së njëjtës periudhë kohore.

Bibla na ndihmon të përcaktojmë se sa e gjatë do të ishte periudha prej ‘shtatë kohësh’. Ajo barazon 1.260 ditë me «një kohë, dy kohë dhe një gjysmë kohe», pra gjithsej me tri «kohë» e gjysmë. (Zbulesa 12:6, 14) Kjo do të thotë se dyfishi i këtij numri, ose shtatë kohë, janë të barabarta me 2.520 ditë.

Nëse llogaritim 2.520 ditë të mirëfillta pas vitit 607 p.e.s., arrijmë në vitin 600 p.e.s. Por shtatë kohët zgjatën më shumë se kaq. Ato vazhdonin edhe kur Jezui foli për «kohët e caktuara të kombeve». Kjo do të thotë se shtatë kohët ishin kohë profetike. Prandaj, duhet t’i bëjmë llogaritë sipas rregullit biblik: «Një ditë për një vit.» (Numrat 14:34; Ezekieli 4:6) Kështu, shtatë kohët gjatë së cilave Perëndia do të lejonte sundimin e fuqive botërore mbi tokë pa ndërhyrë, do të zgjatnin 2.520 vjet. Nëse llogaritim 2.520 vjet, duke filluar nga viti 607 p.e.s., arrijmë në vitin 1914 e.s. Ky është viti kur mbaruan «kohët e caktuara të kombeve» ose shtatë kohët. Kjo do të thotë se Jezu Krishti filloi të sundojë si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë në vitin 1914.

«Ardhtë Mbretëria jote»

Meqenëse Mbretëria Mesianike tashmë është vendosur në qiell, a duhet të vazhdojmë të lutemi që të vijë, ashtu siç na mësoi edhe Jezui në lutjen model? (Mateu 6:9, 10) Po. Është më se e përshtatshme të lutemi për këtë gjë, dhe kjo kërkesë vlen edhe sot e kësaj dite, pasi Mbretëria e Perëndisë akoma nuk e ka vendosur plotësisht sundimin e saj mbi tokë.

Çfarë bekimesh do të marrin njerëzit besnikë kur kjo të përmbushet! Bibla thotë: «Vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 21:3, 4) Në atë kohë, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) Ata që kanë miratimin e Perëndisë do të gëzojnë jetën e përhershme. (Gjoni 17:3) Ndërsa presim përmbushjen e këtyre dhe profecive të tjera të mrekullueshme biblike, le ‘të vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’.​—Mateu 6:33.

Nënshtetasit tokësorë të Mbretërisë së Perëndisë do të gëzojnë shumë bekime

^ par. 10 Mbreti David i Izraelit të lashtë ua mori jebusitëve kalanë në Malin Sion dhe e bëri kryeqytetin e tij. (2 Samuelit 5:6, 7, 9) Atje çoi edhe Arkën e shenjtë. (2 Samuelit 6:17) Meqë Arka lidhej me praninë e Jehovait, Sioni u quajt vendbanimi i Perëndisë, duke u kthyer kështu në një simbol të përshtatshëm për qiellin.​—Dalja 25:22; Levitiku 16:2; Psalmi 9:11; Zbulesa 11:19.