Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Mblodhën Sinedrin»

«Mblodhën Sinedrin»

«Mblodhën Sinedrin»

KRYEPRIFTI dhe sundimtarët e judenjve ishin të pasigurt. Ç’mund të bënin që të shuanin entuziazmin që ishte ndezur rreth Jezu Krishtit? Ata kishin arritur ta ekzekutonin Jezuin, por tani dishepujt e tij po thoshin në gjithë Jerusalemin se ai ishte ringjallur. Si mund t’i bënin të heshtnin? Që të vendosnin, kryeprifti dhe ndihmësit e tij «mblodhën Sinedrin», gjykatën më të lartë të popullit jude.—Veprat 5:21.

Në shekullin e parë, autoritetin më të lartë në Izrael e kishte guvernatori romak Ponc Pilati. Por, si bashkëvepronte Sinedri me Pilatin? Ç’juridiksion kishte secili prej tyre? Nga cilët përbëhej Sinedri? Dhe, si funksiononte ai?

Historia e Sinedrit

Termi grek i përkthyer «Sinedër» fjalë për fjalë do të thotë «të qenët ulur me». Ky ishte një term i përgjithshëm për një asamble ose mbledhje. Në traditën judaike, ai i referohej zakonisht një trupi gjyqësor fetar ose një gjykate fetare.

Shkrimtarët e Talmudit, që u përpilua gjatë shekujve pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., e përshkruanin Sinedrin si një organ fetar të lashtë. Ata mendonin se gjithnjë ishte përbërë nga dijetarë që mblidheshin e diskutonin për ligjin judaik, dhe besonin se ishte formuar që nga koha kur Moisiu mblodhi 70 burra që ta ndihmonin të udhëhiqte Izraelin. (Numrat 11:16, 17) Historianët e hedhin poshtë këtë ide. Ata thonë se deri nën sundimin pers të Izraelit, nuk ishte formuar më parë asgjë që t’i ngjante Sinedrit të shekullit të parë. Gjithashtu, historianët mendojnë se koncepti që kishin talmudistët për këtë organ si një akademi dijetarësh ngjan më shumë me asambletë rabinike të shekullit të dytë dhe të tretë, sesa me Sinedrin e shekullit të parë. Atëherë, kur u formua Sinedri?

Bibla zbulon se të mërguarit që u kthyen nga Babilonia në Judë në vitin 537 p.e.s, kishin një organizim kombëtar. Nehemia dhe Ezdra përmendin princat, pleqtë, fisnikët dhe mëkëmbësit. Ndoshta këta përbënin fillimin e Sinedrit të ardhshëm.—Ezdra 10:8; Nehemia 5:7.

Periudha nga përfundimi i Shkrimeve Hebraike deri tek Ungjilli i Mateut ishte e trazuar për judenjtë. Në vitin 332 p.e.s, Aleksandri i Madh mori në zotërim Judenë. Pas vdekjes së Aleksandrit, Judea u vu nën sundimin e dy mbretërive greke që kishin qenë nën zotërimin e tij: në fillim nën mbretërinë e Ptolemenjve, kurse më pas nën mbretërinë e Seleukajve. Në dokumentimet e sundimit seleukas, që filloi në vitin 198 p.e.s, gjejmë referimin e parë për senatin e judenjve. Kjo asamble ka të ngjarë të kishte pushtet të kufizuar, por bënte të dukej sikur judenjtë vetëqeveriseshin.

Në vitin 167 p.e.s, mbreti seleukas Antioku IV (Epifan) u përpoq t’u impononte judenjve kulturën greke. Ai përdhosi tempullin e Jerusalemit duke flijuar në altarin e tij një derr për Zeusin. Kjo shkaktoi një revoltë gjatë së cilës makabenjtë hoqën sundimin seleukas dhe themeluan dinastinë hasmoneje. * Në të njëjtën kohë, skribët dhe farisenjtë, udhëheqës të masave që mbështetën revoltën, fituan pushtet në administrimin e shtetit në kurriz të klasës priftërore.

Sinedri që përshkruhet në Shkrimet Greke, filloi të merrte formë. Ai do të bëhej një këshill administrativ kombëtar dhe trupi gjykues më i lartë për interpretimin e ligjit judaik.

Drejtpeshimi i pushtetit

Në shekullin e parë Roma kishte në zotërim Judenë. Megjithatë, judenjtë gëzonin një masë lirie. Sipas politikës romake, popujve të nënshtruar u jepej në një masë të konsiderueshme e drejta e vetëvendosjes. Prandaj zyrtarët romakë nuk merreshin me detyra që i kryenin gjykatat lokale dhe shmangnin problemet që mund të dilnin për shkak të ndryshimeve kulturore. Qëllimi ishte të nxitej paqja dhe besnikëria e njerëzve që jetonin në vendet e nënshtruara, duke i lënë të ndiqnin zakonet e veta dhe në thelb të vetëqeveriseshin. Përveç rasteve kur caktonin ose hiqnin kryepriftin, i cili ishte drejtues i Sinedrit, si edhe rasteve për vendosjen e taksave, romakët ndërhynin në çështjet judaike vetëm kur e kërkonin sovraniteti dhe interesat e tyre. Siç ndodhi në rastin e Jezuit, Roma duket se e ruajti pushtetin për të dhënë dënimin me vdekje.—Gjoni 18:31.

Kështu, Sinedri drejtonte pjesën më të madhe të çështjeve judaike me natyrë më të brendshme. Ai kishte roja që bënin arrestime. (Gjoni 7:32) Gjykatat më të ulëta gjykonin krime më të vogla dhe çështje civile pa ndërhyrjen romake. Kur gjykatat më të ulëta nuk mund të merrnin një vendim për një çështje, kjo i dërgohej Sinedrit, vendimet e të cilit ishin vendimtare.

Për të mbajtur privilegjet, Sinedri duhej të ruante paqen dhe të mbështeste sundimin romak. Por, nëse romakët dyshonin për krime politike, ndërhynin dhe vepronin si t’u dukej më e përshtatshme. Një rast i tillë qe arrestimi i apostullit Pavël.—Veprat 21:31-40.

Anëtarët e gjykatës

Sinedri kishte 71 anëtarë: kryepriftin dhe 70 burra të shquar të kombit. Në epokën romake ai përbëhej nga fisnikë priftërorë (kryesisht saducenj), aristokratë laikë dhe skribë dijetarë të partisë së farisenjve. Aristokracia priftërore, që mbështetej nga laikë me pozitë, mbizotëronte gjykatën. * Saducenjtë ishin konservatorë, kurse farisenjtë liberalë dhe kryesisht njerëz të zakonshëm që kishin ndikim të madh në popull. Sipas historianit Jozef, saducenjtë u bindeshin me ngurrim kërkesave të farisenjve. Kur Pavli u mbrojt përpara Sinedrit, përfitoi nga rivaliteti dhe bindjet e ndryshme që kishin këto grupe.—Veprat 23:6-9.

Ngaqë Sinedri përbëhej kryesisht nga aristokratë, kjo krijonte mundësinë që anëtarësia në të të ishte e qëndrueshme dhe vendet e lira që krijoheshin, t’i zinin individët e emëruar nga anëtarët ekzistues. Sipas Mishnës, anëtarët e rinj duhej të ishin «priftërinj, levitë dhe izraelitë, bijave të të cilëve u lejohet të martohen me priftërinj», pra, judenj që mund të paraqitnin dokumentime gjenealogjike që provonin se kishin një prejardhje të pastër. Meqë gjykata e lartë mbikëqyrte sistemin gjyqësor në mbarë vendin, duket logjike që burrat me një emër të mirë në gjykatat më të ulëta, të ngriheshin në pozitë e të zinin një vend në Sinedër.

Juridiksioni dhe autoriteti

Judenjtë e respektonin shumë Sinedrin dhe gjykatësit e gjykatave më të ulëta ishin të detyruar të pranonin vendimet e tij, ndryshe i priste vdekja. Kjo gjykatë merrej sidomos me kualifikimet e priftërinjve dhe me çështjet që lidheshin me Jerusalemin, tempullin dhe adhurimin në të. Në të vërtetë, në juridiksionin civil të Sinedrit përfshihej vetëm Judea. Por, meqë Sinedri konsiderohej autoriteti më i lartë për interpretimin e Ligjit, ai ushtronte ndikim në përcaktimin e normave morale në komunitetet hebraike anembanë botës. Për shembull, kryeprifti dhe këshilli i tij i urdhëroi udhëheqësit e sinagogave në Damask të bashkëpunonin për arrestimin e ithtarëve të Krishtit. (Veprat 9:1, 2; 22:4, 5; 26:12) Po kështu, judenjtë që vizitonin Jerusalemin me rastin e festave, ndoshta, kur ktheheshin në shtëpitë e tyre, sillnin me vete shpalljet e reja të Sinedrit.

Sipas Mishnës, Sinedri kishte juridiksion vetëm në çështjet me rëndësi kombëtare, në ato që lidheshin me gjykatësit që sfidonin vendimet e tij dhe në gjykimin e profetëve të rremë. Jezuin dhe Stefanin i paraqitën para gjykatës me akuzën si blasfemues, Pjetrin dhe Gjonin si përmbysës të kombit dhe Pavlin si përdhosës të tempullit.—Marku 14:64; Veprat 4:15-17; 6:11; 23:1; 24:6.

Gjyqi i Jezuit dhe i dishepujve

Përveçse në sabat dhe në ditët e shenjta, Sinedri ulej në dhomën e gjykimit çdo ditë, që nga flijimi i mëngjesit e deri në blatimin e mbrëmjes. Gjyqet bëheshin vetëm gjatë orëve të ditës. Meqë dënimet me vdekje shpalleshin veçse ditën pas gjyqit, këto raste nuk duheshin trajtuar në prag të sabatit ose të një feste. Dëshmitarët paralajmëroheshin seriozisht që të kuptonin sa e rëndë ishte të derdhnin gjak të pafajshëm. Prandaj, gjyqi i Jezuit që u bë gjatë natës dhe dënimi që iu dha në shtëpinë e Kajafës në prag të një feste, ishin të paligjshëm. Më keq ende, vetë gjykatësit kërkuan dëshmitarë të rremë dhe e bindën Pilatin të urdhëronte ekzekutimin e Jezuit.—Mateu 26:57-59; Gjoni 11:47-53; 19:31.

Në Talmud thuhet se gjykatësit që trajtonin dënimet me vdekje, përpiqeshin ta shpëtonin të akuzuarin gjatë sesioneve jo të përshpejtuara. Por Stefanit, ashtu si Jezuit para tij, nuk iu bë një gjyq i tillë. Mbrojtja e tij para Sinedrit çoi në vrasjen e tij me gurë nga një turmë. Po të mos kishte ndërhyrë qeveria romake, ndoshta apostullin Pavël do ta kishin vrarë në rrethana të ngjashme. Në të vërtetë, gjykatësit e Sinedrit komplotuan ta vritnin.—Veprat 6:12; 7:58; 23:6-15.

Të paktën disa anëtarë të gjykatës duket se kanë qenë njerëz me parime. Një sundimtar i ri jude që foli me Jezuin, mund të ketë qenë anëtar i Sinedrit. Edhe pse pasuria e të riut ishte një pengesë, ai duhet të ketë pasur cilësi të mira, përderisa Jezui e ftoi të bëhej ithtar i tij.—Mateu 19:16-22; Luka 18:18, 22.

Frika nga ajo që mund të mendonin gjykatësit e tjerë mund të ketë qenë shkaku që Nikodemi, «një nga krerët e judenjve», e vizitoi Jezuin kur ishte errur. Megjithatë, Nikodemi e mbrojti Jezuin para Sinedrit kur pyeti: «A e gjykon vallë ligji ynë një njeri, po të mos e ketë dëgjuar atë vetë e po të mos ketë marrë vesh më parë se çfarë po bën?» Më pas, Nikodemi «solli një rrotullame mirre e aloe» që të përgatitnin trupin e Jezuit për varrimin.—Gjoni 3:1, 2; 7:51, 52; 19:39.

Jozefi nga Arimatea, një anëtar tjetër i Sinedrit, me guxim i kërkoi Pilatit trupin e Jezuit dhe e vuri në varrin e vet të ri. Jozefi «po priste mbretërinë e Perëndisë», por frika nga judenjtë e pengoi të identifikohej si një nga dishepujt e Jezuit. Sidoqoftë, Jozefi ishte për t’u lavdëruar, sepse nuk votoi pro Sinedrit në komplotin e tyre për të vrarë Jezuin.—Marku 15:43-46; Mateu 27:57-60; Luka 23:50-53; Gjoni 19:38.

Gamalieli, një anëtar i Sinedrit, me mençuri i këshilloi gjykatësit e tjerë t’i linin rehat dishepujt e Jezuit. «Përndryshe,—tha ai,—ka të ngjarë të gjendeni duke luftuar vërtet kundër Perëndisë.» (Veprat 5:34-39) Çfarë e pengoi gjykatën e lartë që nuk e kuptoi se Jezui dhe dishepujt e tij kishin përkrahjen e Perëndisë? Në vend që të pranonte mrekullitë e Jezuit, Sinedri arsyetoi: «Ç’të bëjmë? Se ky njeri po kryen shumë shenja. Po ta lëmë kështu, të gjithë do të tregojnë besim tek ai. Atëherë romakët do të vijnë e do të na heqin vendin tonë të adhurimit dhe kombin tonë.» (Gjoni 11:47, 48) Etja për pushtet e shtrembëroi drejtësinë e gjykatës së lartë judaike. Po kështu, në vend që të gëzoheshin kur dishepujt e Jezuit shëruan njerëz, udhëheqësit fetarë ‘i pushtoi xhelozia’. (Veprat 5:17) Si gjykatës, ata duhej t’i frikësoheshin Perëndisë dhe të ishin të drejtë, por shumica e tyre ishin të korruptuar e të pandershëm.—Dalja 18:21; Ligji i përtërirë 16:18-20.

Gjykimi i Perëndisë

Ngaqë Izraeli nuk iu bind Ligjit të Perëndisë dhe hodhi poshtë Mesinë, përfundimisht Jehovai e hodhi poshtë atë komb dhe popullin e tij të zgjedhur. Në vitin 70 të e.s., romakët shkatërruan qytetin e Jerusalemit bashkë me tempullin e tij dhe i dhanë fund tërë sistemit judaik e së fundi edhe Sinedrit.

Gjykatësi i caktuar nga Perëndia, Jezu Krishti, do të vendosë nëse ndonjë anëtar i Sinedrit të shekullit të parë meriton të ringjallet dhe se cili prej tyre mëkatoi kundër frymës së shenjtë. (Marku 3:29; Gjoni 5:22) Mund të jemi të sigurt se, kur të marrë këto vendime, Jezui do të veprojë me drejtësi të përsosur.—Isaia 11:3-5.

[Shënimet]

^ par. 9 Për makabenjtë dhe hasmonenjtë, shih Kullën e Rojës, 15 nëntor 1998, faqet 21-24 dhe 15 qershor 2001, faqet 27-30.

^ par. 16 Kur Bibla flet për «kryepriftërinjtë», kjo fjalë i referohet kryepriftërinjve ekzistues dhe të së kaluarës, si edhe pjesëtarëve të familjeve që ishin të kualifikuara të zinin pozita priftërore në të ardhmen.—Mateu 21:23.