Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të tregojmë dashuri dhe respekt duke kontrolluar gjuhën

Të tregojmë dashuri dhe respekt duke kontrolluar gjuhën

Të tregojmë dashuri dhe respekt duke kontrolluar gjuhën

«Secili nga ju ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.»—EFESIANËVE 5:33.

1, 2. Cilën pyetje të rëndësishme duhet t’i bëjnë vetes të gjithë të martuarit dhe pse?

TA ZËMË se të kanë dhënë si dhuratë një pako ku sipër është shkruar: «Mbaje me kujdes!» Si do ta mbaje atë pako? Patjetër që do të bëje gjithçka për të mos e dëmtuar. Po me dhuratën e martesës si po sillesh?

2 Vejusha izraelite Naomi u tha grave të reja Orpës dhe Ruthës: «Jehovai ju bëftë një dhuratë dhe gjetshi një vend prehjeje secila në shtëpinë e burrit të vet!» (Rutha 1:3-9, BR me referime, anglisht) Kur flet për një grua të mirë, Bibla thotë: «Shtëpia dhe pasuria janë trashëgimi nga etërit, por një grua e matur vjen prej Jehovait.» (Proverbat 19:14) Nëse je i martuar ose e martuar, duhet ta shohësh bashkëshorten a bashkëshortin si një dhuratë nga Perëndia. Si po e trajton dhuratën që të ka dhënë Perëndia?

3. Cilës këshillë të Pavlit duhet t’ia vënë veshin burrat dhe gratë?

3 Duke u shkruar të krishterëve të shekullit të parë, apostulli Pavël shkroi: «Secili nga ju ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:33) Të shqyrtojmë se si burrat dhe gratë mund t’ia vënë veshin kësaj këshille në lidhje me të folurit e tyre.

Të ruhemi nga ‘ajo e keqe e pakontrollueshme’

4. Si mund të ndikojë gjuha për mirë ose për keq?

4 Shkrimtari biblik Jakovi thotë se gjuha është «një e keqe e pakontrollueshme, plot helm vdekjeprurës». (Jakovi 3:8) Jakovi ishte i vetëdijshëm për këtë të vërtetë jetësore: një gjuhë e pakontrollueshme është shkatërrimtare. Pa dyshim, ai e njihte mirë proverbin biblik që i krahason fjalët e pamenduara me ‘goditjet e shpatës’. Në kontrast me këtë, i njëjti proverb thotë se «gjuha e të mençurve është shërim». (Proverbat 12:18) Po, fjalët mund të kenë një ndikim të fuqishëm. Ato mund të lëndojnë ose të shërojnë. Çfarë ndikimi kanë fjalët e tua te bashkëshorti yt? Po ta pyesje, si do të të përgjigjej?

5, 6. Cilët faktorë ua bëjnë të vështirë disave që të frenojnë gjuhën?

5 Nëse të folurit lëndues është bërë dalëngadalë pjesë e martesës suaj, mund ta ndryshoni situatën për mirë. Por duhen përpjekje. Pse? Së pari sepse duhet të luftoni kundër papërsosmërisë. Mëkati që kemi trashëguar ushtron ndikim negativ në mënyrën si mendojmë dhe i flasim njëri-tjetrit. Jakovi shkroi: «Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur, i zoti t’i vërë fre edhe gjithë trupit.»—Jakovi 3:2.

6 Përveç papërsosmërisë njerëzore, edhe mjedisi familjar ku jemi rritur luan një rol në përdorimin e keq të gjuhës. Disa njerëz janë rritur në shtëpi ku prindërit ‘nuk ishin të gatshëm për asnjë marrëveshje, pa vetëkontroll dhe të egër’. (2 Timoteut 3:1-3) Shpesh fëmijët që rriten në mjedise të tilla shfaqin karakteristika të ngjashme kur janë në moshë madhore. Patjetër, as papërsosmëria, as mënyra jo e mirë se si jemi rritur nuk është një justifikim për të folurit lëndues. Sidoqoftë, kur jemi të vetëdijshëm për këta faktorë, kjo na ndihmon të kuptojmë pse është veçanërisht e vështirë për disa që ta frenojnë gjuhën e të mos thonë gjëra që lëndojnë.

Flakni tej të folurit fyes

7. Çfarë donte të thoshte Pjetri kur i këshilloi të krishterët që ‘të flaknin tej çdo lloj përgojimi’?

7 Pavarësisht nga shkaku, përdorimi i të folurit lëndues në martesë mund të tregojë mungesë dashurie dhe respekti për bashkëshortin. Pjetri kishte arsye të vlefshme kur i këshilloi të krishterët që ‘të flaknin tej çdo lloj përgojimi’. (1 Pjetrit 2:1) Fjala greke e përkthyer «përgojim» do të thotë «të folur fyes». Përçon idenë e ‘goditjes së njerëzve me fjalë’. Sa mirë i përshkruan ajo pasojat e një gjuhe të pakontrollueshme!

8, 9. Çfarë mund të sjellë të folurit fyes dhe pse bashkëshortët duhet ta shmangin atë?

8 Të folurit fyes mund të mos duket kaq i rëndë, por le të shqyrtojmë se çfarë ndodh kur një burrë ose një grua përdor një të folur të tillë. Ta quash bashkëshortin budalla, dembel ose egoist do të thotë që karakteri i tij ose i saj mund të përmblidhet me një fjalë të vetme, dhe kjo fjalë është veçse poshtëruese. Kjo patjetër nuk është një gjë e dashur. Ç’të themi edhe për komentet e tepruara që e vënë theksin te një e metë e bashkëshortit? A nuk janë vërtet të tepruara shprehje të tilla si «ti vjen gjithmonë vonë» ose «ti nuk më dëgjon kurrë»? Ka shumë të ngjarë që këto shprehje ta bëjnë bashkëshortin të vihet në mbrojtje. Kjo si pasojë mund të ndezë një debat të nxehtë.—Jakovi 3:5.

9 Bisedat që përmbajnë një të folur fyes sjellin acarim në martesë, prandaj edhe kjo mund të ketë pasoja të rënda. Te Proverbat 25:24 thuhet: «Më mirë të banosh në qoshe të tarracës, se në të njëjtën shtëpi me një grua që ndez grindje.» Natyrisht, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për një burrë grindavec. Me kalimin e kohës fjalët therëse të secilit bashkëshort do ta gërryejnë marrëdhënien, duke sjellë ndoshta si pasojë ndjenja të tilla sikur bashkëshorti nuk e do, e madje sikur nuk janë të denjë që t’i duan. Qartë pra, është e rëndësishme të frenojmë gjuhën. Por, si mund ta bëjmë këtë?

‘T’i vëmë fre gjuhës’

10. Pse është e rëndësishme të kontrollojmë gjuhën?

10 Te Jakovi 3:8 thuhet: «Gjuhën, askush nuk mund ta zbutë.» Megjithatë, ashtu si një kalorës vë fre për të kontrolluar lëvizjet e kalit, po kështu edhe ne duhet të bëjmë çmos që t’i vëmë fre gjuhës. «Nëse dikush pandeh se e adhuron Perëndinë siç duhet, por nuk i vë fre gjuhës, përkundrazi, vazhdon ta mashtrojë zemrën e vet, adhurimi i tij është i kotë.» (Jakovi 1:26; 3:2, 3) Këto fjalë tregojnë se mënyra si e përdor gjuhën është një çështje serioze. Ajo nuk ndikon vetëm në marrëdhënien tënde me bashkëshortin, por edhe në marrëdhënien tënde me Perëndinë Jehova.—1 Pjetrit 3:7.

11. Si mund të parandalohet që një mosmarrëveshje të mos arrijë në një debat të nxehtë?

11 Është gjë e mençur që të vëresh se si i flet bashkëshortit. Nëse krijohet një situatë stresuese, përpiqu të ftohësh gjakrat. Të shqyrtojmë një situatë që u krijua në jetën e Isakut e të gruas së tij, Rebekës, që tregohet te Zanafilla 27:46–28:4. «Rebeka i thoshte Isakut: ‘Më është neveritur jeta nga bijat e Hethit. Sikur Jakobi të marrë për grua ndonjë nga bijat e Hethit, një nga këto bijat e vendit, ç’ta dua jetën?’» Nuk tregohet askund që Isaku të jetë përgjigjur ashpër. Përkundrazi, ai e dërgoi larg të birin, Jakobin, që të gjente një grua e cila i frikësohej Perëndisë dhe që nuk do të bëhej shkak vuajtjesh për Rebekën. Ta zëmë se mes një burri dhe një gruaje lind një mosmarrëveshje. Duke përdorur me mjeshtëri fjalën «unë» dhe jo «ti», mund të parandalosh që një mosmarrëveshje e vogël të arrijë deri në një debat të nxehtë. Për shembull, në vend që të thuash «ti nuk rri kurrë me mua», pse të mos thuash «dua që të kalojmë më shumë kohë bashkë»? Përqendrohu te problemi dhe jo vetëm te njeriu. Mos u përpiq të analizosh se kush ka të drejtë e kush e ka gabim. Te Romakëve 14:19 thuhet: «Le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë njëri-tjetrin.»

Të heqim ‘vrerin shpirtlig, zemërimin dhe furinë’

12. Për çfarë duhet të lutemi që të kontrollojmë gjuhën dhe pse?

12 Të frenojmë gjuhën përfshin më shumë se vetëm të kemi kujdes se çfarë themi. Në fakt fjalët tona nuk vijnë nga goja, por nga zemra. Jezui tha: «Njeriu i mirë nxjerr atë që është e mirë nga thesari i mirë i zemrës së vet, por i ligu nxjerr atë që është e ligë nga thesari i vet i lig. Sepse goja e tij flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Prandaj, që të kontrollosh gjuhën mund të kesh nevojë të lutesh si Davidi: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur!»—Psalmi 51:10.

13. Në ç’mënyrë vreri shpirtlig, zemërimi dhe furia mund të çojnë në sharje?

13 Pavli u bëri thirrje efesianëve që të shmangnin jo vetëm fjalët lënduese, por edhe ndjenjat që qëndronin pas tyre. Ai shkroi: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe.» (Efesianëve 4:31) Siç e shikon, para se të përmendte fjalët «të bërtitur dhe sharje», Pavli përmendi ‘vrerin shpirtlig, zemërimin dhe furinë’. Zemërimi që zien përbrenda rrezikon të shpërthejë në një të folur lëndues. Prandaj pyet veten: ‘A mbaj vrer dhe furi në zemër? A «nxehem kollaj»’? (Proverbat 29:22) Nëse është kështu në rastin tënd, lutju Perëndisë për ndihmë që t’i mposhtësh këto prirje dhe të shfaqësh vetëkontroll, në mënyrë që të mos e lësh zemërimin të shpërthejë. Te Psalmi 4:4 thuhet: «Kur të jeni të trazuar, mos mëkatoni. Flitini zemrës në shtratin tuaj dhe heshtni.» Në qoftë se zemërimi yt është gati të të ndizet dhe ke frikë se mos humbet vetëkontrollin, atëherë ndiq këshillën e Proverbave 17:14: «Largohu . . . përpara se të plasë sherri.» Përkohësisht largohu nga ajo gjendje derisa të kalojë rreziku.

14. Si mund të ndikojë në martesë mbajtja e mërisë?

14 Nuk është e lehtë të kontrollosh furinë dhe zemërimin, sidomos kur burojnë nga ‘vreri shpirtlig’, siç e quajti Pavli. Fjala greke që përdori Pavli është përkufizuar si term që karakterizon «një frymë inati e cila nuk pranon të pajtohet» dhe ‘një dashaligësi që mban llogari gabimet’. Disa herë, armiqësia mes një burri e gruas së tij qëndron si një mjegull e dendur dhe kjo gjendje mund të zgjatë për një kohë të gjatë. Kur një ankesë nuk është zgjidhur plotësisht, mund të vijë si pasojë një përbuzje me ftohtësi. Por të mbash mëri për gabime të shkuara është gjë e kotë. Ajo që ka ndodhur nuk mund të kthehet mbrapsht. Një gabim që është falur duhet harruar. Dashuria «nuk e mban llogari të keqen».—1 Korintasve 13:4, 5.

15. Çfarë do t’i ndihmojë ata që e kanë zakon të përdorin fjalë të ashpra, që të ndryshojnë mënyrën e të folurit?

15 Po sikur në familjen ku je rritur të ishte e zakonshme të flisnin ashpër dhe kjo të është bërë edhe ty zakon? Mund të bësh ndryshime në këtë drejtim. Tashmë ti ke vendosur kufij në shumë fusha të jetës në të cilat nuk do t’ia lejosh më vetes të veprosh në një mënyrë të caktuar. Ç’kufij do të vendosësh në lidhje me të folurit? A do të ndalesh para se të thuash sharje? Duhet të vendosësh kufirin që përshkruhet tek Efesianëve 4:29: «Nga goja juaj të mos dalë asnjë thënie e kalbur.» Kjo kërkon që ‘të zhveshësh personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe të veshësh personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi’.—Kolosianëve 3:9, 10.

Është e domosdoshme ‘të flitet në mirëbesim’

16. Pse kur bashkëshortët shmangin me dashje komunikimin, kjo mund t’u sjellë dëm në martesë?

16 Kur një burrë dhe një grua shmangin me dashje komunikimin, nuk ndreqin asgjë, madje kjo mund t’u sjellë dëm. Arsyeja pse mund të mos flasin nuk është gjithnjë për të ndëshkuar njëri-tjetrin, pasi mund të vijë nga mërzitja ose shkurajimi. Megjithatë, po të mos flasin me njëri-tjetrin vetëm sa shtohen tensionet mes tyre dhe problemi nuk zgjidhet. Siç thotë një grua, «kur së fundi fillojmë të flasim sërish, nuk e diskutojmë kurrë problemin».

17. Çfarë duhet të bëjnë të krishterët që kalojnë situata stresuese në martesë?

17 Kur acarimet mes bashkëshortëve vazhdojnë, nuk ka një rrugë të shkurtër. Te Proverbat 15:22 thuhet: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim, por përmbushen aty ku ka shumë këshilltarë.» Duhet të ulesh me bashkëshortin dhe ta diskutosh çështjen. Dëgjoje bashkëshortin me mendjen dhe zemrën të hapur. Nëse kjo të duket e pamundur, pse nuk përfiton nga masa e pleqve që është në kongregacionin e krishterë? Ata kanë njohuri nga Shkrimet dhe kanë përvojë në zbatimin e parimeve biblike. Këta burra janë «si një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata».—Isaia 32:2.

Mund ta fitosh betejën

18. Ç’përpjekje përshkruhet te Romakëve 7:18-23?

18 T’i vësh fre gjuhës kërkon përpjekje. E po kështu kërkohen përpjekje për të kontrolluar veprimet. Duke përshkruar sfidën që po përballonte, apostulli Pavël shkroi: «E di që tek unë, domethënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë. Aftësia për të dashur është brenda meje, kurse aftësia për të bërë atë që është e shkëlqyer, nuk është. Sepse të mirën që dua, nuk e bëj, por të keqen që nuk dua, e praktikoj. Nëse bëj atë që nuk dua, ai që e bën, nuk jam më unë, por mëkati që banon tek unë.» Për shkak të «ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët» tona, kemi prirjen që ta përdorim keq gjuhën. (Romakëve 7:18-23) Por duhet ta fitojmë këtë betejë dhe mund ta fitojmë me ndihmën e Perëndisë.

19, 20. Si mund t’i ndihmojë shembulli i Jezuit burrat dhe gratë që t’i vënë fre gjuhës?

19 Në një marrëdhënie që karakterizohet nga dashuria dhe respekti, nuk ka vend për fjalë të pamenduara dhe të ashpra. Të mendojmë për shembullin që la Jezu Krishti në këtë drejtim. Jezui nuk përdori kurrë fjalë fyese ndaj dishepujve. Madje edhe natën e fundit të jetës së tij në tokë kur apostujt po debatonin se kush nga ata ishte më i madhi, Biri i Perëndisë nuk i qortoi me fjalë të ashpra. (Luka 22:24-27) «Burra,—këshillon Bibla,—vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.»—Efesianëve 5:25.

20 Por, ç’të themi për gruan? Ajo «duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj». (Efesianëve 5:33) A do t’i bërtiste me sharje një grua burrit të saj që e respekton? Pavli shkroi: «Dua të dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1 Korintasve 11:3) Gratë duhet t’i nënshtrohen kreut të tyre, ashtu si Krishti i nënshtrohet Kreut të tij. (Kolosianëve 3:18) Edhe pse asnjë njeri i papërsosur nuk mund të imitojë në mënyrë të përsosur Jezuin, nëse burrat dhe gratë përpiqen ‘të ndjekin me kujdes gjurmët e tij’, kjo do t’i ndihmojë të fitojnë betejën kundër keqpërdorimit të gjuhës.—1 Pjetrit 2:21.

Çfarë ke mësuar?

• Si mund ta dëmtojë martesën një gjuhë e pakontrollueshme?

• Pse është e vështirë t’i vësh fre gjuhës?

• Çfarë na ndihmon të kontrollojmë të folurit tonë?

• Çfarë duhet të bësh kur ke situata stresuese në martesë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 24]

Pleqtë japin ndihmë të bazuar në Bibël