Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Cila është përgjegjësia e kongregacionit nëse një i krishterë që drejton një automjet bën një aksident që sjell vdekjen e të tjerëve?

Kongregacioni duhet të shqyrtojë nëse drejtuesi i automjetit ka faj gjaku, sepse kongregacioni duhet të shmangë përgjegjësinë e përbashkët për faj gjaku. (Ligji i përtërirë 21:1-9; 22:8) Një drejtues automjeti që është përgjegjës për një aksident vdekjeprurës mund të bëhet fajtor gjaku nëse ishte i pakujdesshëm ose me dashje shkeli një nga masat e sigurisë ose ligjet e trafikut të vendosura nga Cezari. (Marku 12:14) Por ka edhe faktorë të tjerë për t’u shqyrtuar.

Vrasësi i një njeriu që ikte në një nga qytetet e strehimit në Izrael, duhej t’i nënshtrohej një gjyqi. Nëse vërtetohej që vrasja nuk ishte bërë me dashje, atij do t’i lejohej të qëndronte në qytet, i mbrojtur nga gjakmarrësi. (Numrat 35:6-25) Prandaj nëse një i krishterë është përgjegjës për vdekjen e një individi në një aksident, pleqtë duhet të hetojnë gjërat për të përcaktuar nëse ka në njëfarë mase faj gjaku. Pikëpamja e autoriteteve ose vendimi i një gjykate nuk përcakton medoemos se si do të veprojë kongregacioni.

Për shembull, një gjykatë mund ta shpallë fajtor personin për ndonjë shkelje teknike të ligjit, por pleqtë që hetojnë çështjen mund të përcaktojnë se nuk ekziston asnjë faj gjaku, sepse drejtuesi kishte pak ose aspak kontroll mbi rrethanat që sollën vdekjen. Anasjelltas, edhe sikur gjykata ta mbyllë çështjen, pleqtë mund të arrijnë në përfundimin se ai është vërtet fajtor gjaku.

Vendimi i pleqve që shqyrtojnë çështjen duhet të bazohet në Shkrime dhe në fakte të përcaktuara qartë, si pranimi i fajit nga drejtuesi i automjetit dhe/ose dëshmia e dy a tre dëshmitarëve okularë të besueshëm. (Ligji i përtërirë 17:6; Mateu 18:15, 16) Në qoftë se përcaktohet se ekziston faji i gjakut, duhet formuar një komitet gjyqësor. Në rast se komiteti vendos që individi fajtor është penduar, atij do t’i jepet qortim i përshtatshëm nga Shkrimet dhe do të kufizohet për sa u përket privilegjeve në kongregacion. Ai nuk do të vazhdojë të shërbejë si plak ose shërbëtor ndihmës. Do t’i vihen edhe kufizime të tjera. Gjithashtu ai ka përgjegjësi para Perëndisë për pakujdesinë ose shkujdesjen që sollën aksidentin dhe vdekjen.—Galatasve 6:5, 7.

Ta ilustrojmë me një shembull: Nëse kushtet atmosferike ishin të këqija në kohën e aksidentit, drejtuesi i automjetit duhej të kishte treguar më shumë kujdes. Në qoftë se ishte i përgjumur, duhej të ishte ndalur e të kishte pushuar derisa të mos ishte më i përgjumur ose duhej të kishte lënë dikë tjetër të drejtonte automjetin.

Ta zëmë se drejtuesi po ecte më shpejt sesa lejohej. Nëse një i krishterë kalon kufirin e shpejtësisë, kjo do të thotë se nuk i ka dhënë «Cezarit gjërat e Cezarit». Gjithashtu kjo zbulon një shpërfillje për shenjtërinë e jetës, sepse ekziston mundësia e pasojave vdekjeprurëse. (Mateu 22:21) Në këtë drejtim të shqyrtojmë diçka më tej. Ç’lloj shembulli do të linte një plak për kopenë në qoftë se do të ishte i pakujdesshëm ndaj rregullave të Cezarit për trafikun ose me dashje nuk i respektoi ato?—1 Pjetrit 5:3

Të krishterët nuk duhet t’u kërkojnë të tjerëve që të arrijnë në një vend të caktuar në një kohë që do të ishte e pamundur për ta pa kaluar kufirin e shpejtësisë. Sidoqoftë, për të pasur kohë të mjaftueshme për udhëtimin, në shumicën e rasteve mjafton të nisemi herët ose që të rregullojmë programin. Nëse vepron kështu, një i krishterë nuk do të tundohet të ecë më shpejt sesa duhet, por do të mund të ecë në përputhje me ligjet e trafikut që kanë vendosur ‘autoritetet më të larta’ qeveritare. (Romakëve 13:1, 5) Kjo do ta ndihmojë drejtuesin të ruhet nga aksidentet vdekjeprurëse që mund të sjellin fajin e gjakut. Gjithashtu do t’i japë atij mundësi të lërë shembullin e duhur dhe të mbajë një ndërgjegje të mirë.—1 Pjetrit 3:16.