Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një dhuratë e përjetshme nga Krijuesi

Një dhuratë e përjetshme nga Krijuesi

Një dhuratë e përjetshme nga Krijuesi

A NUK ju duket mahnitëse se si ata faktorë që shkencëtarët thonë se janë thelbësorë për jetën në çdo planet, përmenden ose kuptohen vetiu në kapitullin e parë të Biblës? Cilët janë ata?

Që të lulëzojë jeta, duhet të ketë një sasi të madhe uji, siç përmendet te Zanafilla 1:2. Nevojitet temperatura e duhur që uji në planet të mbetet në trajtë të lëngshme. Kjo kërkon që planeti të jetë në largësinë e duhur nga dielli i tij. Në tregimin e Zanafillës drejtohet vazhdimisht vëmendja te Dielli dhe te ndikimi i tij në Tokë.

Që të banohet nga njerëzit, një planet ka nevojë për një atmosferë me një përzierje të veçantë gazesh. Kjo veçori jetësore përmendet te Zanafilla 1:6-8. Rritja e bimësisë, që përshkruhet te Zanafilla 1:11, 12, kontribuon në sasinë e bollshme të oksigjenit që gjendet në Tokë. Që në një planet të gëlojë një larmi jete shtazore, kërkohen kontinente me tokë pjellore e të pambuluar nga uji, siç përshkruhet te Zanafilla 1:9-12. Së fundi, që të ketë një klimë të butë, një planet duhet të jetë i prirur në këndin e duhur dhe të mos luhatet—në rastin e Tokës, këtë funksion e kryen pjesërisht tërheqja gravitacionale e Hënës. Ekzistenca e këtij sateliti dhe disa dobi të tij theksohen te Zanafilla 1:14, 16.

Si mundi shkrimtari i lashtë, Moisiu, të theksonte faktorët e mësipërm pa ndihmën e shkencës moderne? Mos vallë Moisiu thjesht kishte aftësinë e pazakontë për të kuptuar rëndësinë e tyre ndryshe nga bashkëkohësit e tij? Shpjegimi është se ai u frymëzua nga Krijuesi i qiejve dhe i tokës. Kjo vlen për t’u përmendur, po të kemi parasysh saktësinë shkencore të tregimit të Zanafillës.

Në Bibël thuhet se ka një qëllim pse u krijuan mrekullitë që shohim në universin përreth nesh. Te Psalmi 115:16 thuhet: «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.» Në një psalm tjetër thuhet: «Ti e vendose tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës.» (Psalmi 104:5) Në rast se universin dhe planetin tonë të bukur i projektoi dhe i bëri një Krijues, pa dyshim që nuk e teprojmë po të besojmë se ai ka gjithashtu aftësinë që t’i mbajë ato në ekzistencë. Kjo do të thotë se ju mund të pritni të sigurt përmbushjen e këtij premtimi të mrekullueshëm: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) Në fakt, Perëndia «nuk e krijoi më kot [tokën], por e formoi që të banohej» përgjithmonë nga njerëz mirënjohës që i vlerësojnë veprat e tij.​—Isaia 45:18.

Sipas Shkrimeve, Jezui erdhi në tokë që të na mësonte për Perëndinë dhe për qëllimin e Tij që t’i japë njerëzimit të bindur jetën e përhershme. (Gjoni 3:16) Jemi të sigurt se së shpejti Perëndia ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’, kurse njerëzit paqedashës nga të gjitha kombet, të cilët pranojnë masën e tij për shpëtim, do të mbijetojnë. (Zbulesa 7:9, 14; 11:18) Sa e mrekullueshme do të jetë jeta ndërsa njerëzit do të vazhdojnë të zbulojnë dhe të kënaqen përgjithmonë me mrekullitë e krijimit të Perëndisë!​—Eklisiastiu 3:11; Romakëve 8:21.

[Burimi i figurës në faqen 8]

Foto e NASA-s