Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai e do drejtësinë

Jehovai e do drejtësinë

Jehovai e do drejtësinë

«Unë, Jehovai, e dua drejtësinë.»​—ISAIA 61:8.

1, 2. (a) Ç’kuptim kanë fjalët «drejtësi» dhe «padrejtësi»? (b) Çfarë thotë Bibla për Jehovain dhe drejtësinë e tij?

DREJTËSIA përkufizohet si ‘cilësia e atij që është i paanshëm, i drejtë, që vepron në përputhje me atë që është e drejtë dhe e mirë moralisht’. Nga ana tjetër, padrejtësia përfshin të jesh i padrejtë, të paragjykosh, të jesh shpirtlig, t’u bësh keq të tjerëve pa të drejtë.

2 Rreth 3.500 vjet më parë, Moisiu shkroi këto fjalë për Jehovain, Sovranin e Universit: «Të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi.» (Ligji i përtërirë 32:4) Më shumë se shtatë shekuj më vonë, Perëndia e frymëzoi Isainë të shkruante: «Unë, Jehovai, e dua drejtësinë.» (Isaia 61:8) Më pas, në shekullin e parë, apostulli Pavël tha plot forcë: «Mos ka padrejtësi te Perëndia? Kurrë mos qoftë!» (Romakëve 9:14) Në po këtë kohë, Pjetri tha: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35) Po, «Jehovai e do drejtësinë».​—Psalmi 37:28; Malakia 3:6.

Padrejtësia ka marrë dhenë

3. Cila qe zanafilla e padrejtësisë në tokë?

3 Drejtësia është një cilësi që nuk e ndeshim shpesh në kohën tonë. Mund të biem pre e padrejtësive në të gjitha nivelet e shoqërisë, në punë, në shkollë, në marrëdhëniet me zyrtarët e kështu me radhë, madje edhe në çerdhen e ngrohtë familjare. Natyrisht që padrejtësia nuk ka lindur sot. Familja njerëzore vazhdon të përballet me të që nga koha kur prindërit tanë të parë u rebeluan dhe shkelën ligjin e Perëndisë, të nxitur nga ajo krijesë frymore rebele që u bë Satana Djalli. A nuk ishte e padrejtë që Adami, Eva dhe Satanai e dhunuan drejtësinë duke shpërdoruar dhuratën e mrekullueshme të vullnetit të lirë që u kish dhënë Jehovai? Gabimet e tyre i sollën gjithë familjes njerëzore një kalvar me vuajtje dhe vdekjen.​—Zanafilla 3:1-6; Romakëve 5:12; Hebrenjve 2:14.

4. Sa gjatë ka qenë padrejtësia pjesë e historisë njerëzore?

4 Për 6.000 vjet me radhë, që nga rebelimi në Eden, padrejtësia ka qenë pjesë e pandarë e shoqërisë njerëzore. Kjo pa dyshim s’na çudit, pasi perëndia i kësaj bote është Satanai. (2 Korintasve 4:4) Ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës, shpifës dhe kundërshtar i Jehovait. (Gjoni 8:44) Ai ka qenë gjithnjë shkaktari i padrejtësive të rënda. Ja një shembull. Pjesërisht për shkak të ndikimit të keq të Satanait para Përmbytjes në ditët e Noesë, Perëndia vërejti se «e keqja e njeriut ishte e madhe në tokë, dhe çdo prirje e mendimeve të zemrës së tij ishte e keqe gjithë kohën». (Zanafilla 6:5) E njëjta situatë mbizotëronte edhe në kohën e Jezuit. Ai tha: «Secilës ditë i mjafton e keqja e vet», për të thënë se çdo ditë kishte hallet e problemet e veta, si për shembull padrejtësitë. (Mateu 6:34) Prandaj, Bibla thotë me të drejtë: «E gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.»​—Romakëve 8:22.

5. Pse në kohën tonë ka më shumë padrejtësi se kurrë?

5 Pra, gjithë historia njerëzore ka parë të këqija që kanë çuar në padrejtësi të papara. Më keq se kaq s’ka ku të vejë! Pse? Sepse ky sistem i paperëndishëm ka disa dekada që jeton «ditët e fundit» të tij, dhe sa më shumë që i afrohet fundit, përballet me «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». Bibla ka parathënë se gjatë kësaj periudhe të historisë, njerëzit do të ishin «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, . . . mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur». (2 Timoteut 3:1-5) Tipare si këto sjellin padrejtësi të çdo lloji.

6, 7. Cilat padrejtësi të pashembullta ka përjetuar familja njerëzore në kohët tona?

6 Njëqind vitet e fundit kanë parë padrejtësi si kurrë më parë. Një nga arsyet është se këto vite kanë përjetuar shumicën e luftërave. Për shembull, disa historianë përllogaritin se vetëm në Luftën II Botërore numri i të vdekurve ishte rreth 50 milionë deri në 60 milionë, pjesa dërrmuese civilë, burra, gra e fëmijë, të gjithë të pafajshëm. Pas asaj lufte, miliona të tjerë kanë humbur jetën në konflikte të ndryshme, ku përsëri pjesa dërrmuese ishin civilë. Satanai i nxit këto padrejtësi, se është i tërbuar, ngaqë e di se së shpejti Jehovai do ta thyejë plotësisht. Një profeci në Bibël e shpreh këtë me fjalët: «Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!»​—Zbulesa 12:12.

7 Shpenzimet globale ushtarake për çdo vit kanë arritur rreth 1.000 miliardë dollarë. Mendoni sa vuajtje do të kursenin gjithë ato para, po të përdoreshin për qëllime paqësore, po të mos harrojmë se qindra milionë njerëz nuk sigurojnë dot nevojat bazë për të jetuar. Rreth një miliard njerëz nuk ngopen me bukë, ndërkohë që të tjerë rrojnë mes gjithë të mirave. Sipas një burimi të Kombeve të Bashkuara, rreth 5 milionë fëmijë vdesin çdo vit nga pasojat e urisë. Ka gjë më të padrejtë? Por s’mbaron me kaq. Të mos harrojmë shumë e shumë foshnja të pafajshme që vriten nga abortet. Shifrat vjetore arrijnë nga 40 milionë deri në 60 milionë aborte në të gjithë botën. Kjo s’është vetëm e padrejtë, është e tmerrshme!

8. Cila është mënyra e vetme për t’i sjellë drejtësinë e vërtetë njerëzimit?

8 Qeveritarët s’po u gjejnë dot zgjidhje problemeve pa fund që kanë plagosur njerëzimin sot. Sado të përpiqen, s’kanë për të arritur gjë. Fjala e Perëndisë ka thënë prej kohësh se në ditët tona «njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke mashtruar e duke u mashtruar edhe vetë». (2 Timoteut 3:13) Padrejtësia është kthyer në bashkudhëtaren tonë të jetës, e njerëzit s’e çrrënjosin dot. Vetëm Perëndia i drejtësisë mund ta bëjë. Vetëm ai mund ta heqë Satanain, demonët dhe njerëzit e ligj.​—Jeremia 10:23, 24.

Shqetësim i drejtë

9, 10. Pse u shkurajua Asafi?

9 Edhe disa shkrimtarë të Biblës në të kaluarën kanë vrarë mendjen pse Perëndia nuk ka ndërhyrë në çështjet njerëzore për të sjellë drejtësi të vërtetë. Për shembull, të ndalemi te një burrë në kohët biblike. Në mbishkrimin e Psalmit 73 gjejmë emrin e Asafit, që mund t’i referohet një muzikanti të njohur levit gjatë kohës kur mbretëronte Davidi ose muzikantëve të shtëpisë së patriarkut Asaf. Asafi dhe pasardhësit e tij kompozuan shumë pjesë muzikore që përdoreshin për adhurimin në publik. Megjithatë, në një periudhë të jetës, shkrimtari i këtij psalmi u shkurajua frymësisht. Ai kishte vënë re se të ligjtë gëzonin mirëqenie, se shpesh dukeshin të kënaqur nga jeta dhe s’u hynte gjemb në këmbë.

10 Ja si u shpreh ai: «E kisha zili mburravecin, e kisha zili të ligun kur shihja paqen e tij; sepse ai nuk ka dhembje vdekjeje, e barku i ka vënë dhjamë. Nuk ka as telashet e vdekatarit e nuk plagoset në shpirt si njerëzit e tjerë.» (Psalmi 73:2-8) Sidoqoftë, me kalimin e kohës, ky shkrimtar i Biblës e kuptoi se kjo pikëpamje negative ishte e gabuar. (Psalmi 73:15, 16) Ai u mundua të ndreqte mënyrën si mendonte, por prapëseprapë s’e kuptonte dot plotësisht pse i ligu ia hidhte paq kur gabonte, kurse i drejti shpesh vuante.

11. Çfarë kuptoi psalmisti Asaf?

11 Përfundimisht, ky besnik i kohëve të lashta e kuptoi se ç’i priste të ligjtë, po, e kuptoi se në fund Jehovai do t’i vinte gjërat në vend. (Psalmi 73:17-19) Davidi shkroi: «Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij, e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën. Ti do të shohësh kur të shfarosen të ligjtë.»​—Psalmi 37:9, 11, 34.

12. (a) Cili është qëllimi i Jehovait për ligësinë dhe padrejtësinë? (b) Si të duket kjo zgjidhje e problemit të padrejtësisë?

12 Të jemi të sigurt se Jehovai ka për qëllim që në kohën që ka caktuar vetë, të zhdukë nga toka ligësinë dhe padrejtësitë që e shoqërojnë. Këtë duhet t’ia kujtojnë vetes gjithmonë edhe të krishterët besnikë. Jehovai do t’i shfarosë ata që i kundërvihen vullnetit të tij, kurse ata që jetojnë në harmoni me të do t’i shpërblejë. «Syri i tij sheh bijtë e njerëzve, me sytë e tij rrezatues i heton. Jehovai heton edhe të drejtin, edhe të ligun. Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren. Si rrebesh do të derdhë mbi të ligjtë gracka, zjarr e squfur . . . Se Jehovai është i drejtë dhe i do veprat e drejta.»​—Psalmi 11:4-7.

Një botë e re ku do të spikatë drejtësia

13, 14. Pse në botën e re do të spikatë drejtësia?

13 Si të shkatërrojë këtë sistem të padrejtë që drejtohet nga Satanai, Jehovai do të na prijë drejt një bote të re të lavdishme. Drejt një bote që do të drejtohet nga Mbretëria qiellore e Perëndisë, për të cilën Jezui i mësoi dishepujt e tij të luteshin. Ligësisë dhe padrejtësisë do t’ia zërë vendin drejtësia, sepse atëherë do të marrë përgjigje në kuptimin më të plotë lutja: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»​—Mateu 6:10.

14 Bibla na tregon si do të jetë ai sundim, të cilin të gjithë njerëzit me zemër të drejtë e presin me padurim. Në atë kohë do të përmbushet në kuptimin e plotë Psalmi 145:16 që thotë: «Ti [Perëndia Jehova] hap dorën dhe plotëson dëshirën e çdo krijese.» Veç kësaj, Isaia 32:1 thotë: «Ja, një mbret [Krishti Jezu në qiell] do të mbretërojë për të siguruar të drejtën, kurse princat [përfaqësuesit e Krishtit në tokë] do të qeverisin për të siguruar drejtësinë.» Në lidhje me mbretin Jezu Krisht Isaia 9:7 parathotë: «Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund në fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, që ajo të vendoset patundshmërisht dhe të qëndrojë me anë të drejtësisë dhe veprave të drejta që tani e në përjetësi. Këtë do ta bëjë zelli i Jehovait të ushtrive.» A e shihni veten pjesë e atij grupi që do të jetojë nën sundimin e tij të drejtë?

15. Çfarë do të bëjë Jehovai për njerëzimin në botën e re?

15 Në botën e re të Perëndisë, nuk kemi pse të themi më fjalët e Eklisiastiut 4:1: «Solla përsëri ndër mend të gjitha shtypjet që po bëhen nën diell. Pashë lotët e të shtypurve, por që s’kishin asnjë ngushëllues. Fuqia ishte në anën e shtypësve të tyre, kështu që s’kishte kush t’i ngushëllonte.» Është e vërtetë se me mendjen tonë të papërsosur është e vështirë të përfytyrojmë sa e mrekullueshme do të jetë ajo botë e re ku do të mbretërojë drejtësia. S’do të ketë më ligësi, përkundrazi, çdo ditë do të shijojmë veç gjëra të mira. Po, Jehovai do të ndreqë çdo gjë të padrejtë dhe do ta bëjë në një mënyrë që ne as që e marrim dot me mend. Sa me vend janë Fjalët e Perëndisë Jehova të shkruara nga apostulli Pjetër: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.»​—2 Pjetrit 3:13.

16. Çfarë janë ‘qiejt e rinj’ që janë vendosur dhe në ç’kuptim ‘toka e re’ po përgatitet sot?

16 ‘Qiejt e rinj’, domethënë qeveria qiellore e Perëndisë e drejtuar nga Krishti, tashmë janë vendosur. Ata që do të formojnë bërthamën e ‘tokës së re’, pra shoqërisë së re tokësore me njerëz që e duan drejtësinë, po mblidhen gjatë këtyre ditëve të fundit. Tashmë numri i tyre ka arritur në rreth shtatë milionë veta, në të paktën 235 vende, të cilët janë grupuar në rreth 100.000 kongregacione. Këta miliona njerëz kanë mësuar udhët e drejta të Jehovait, ndaj edhe gëzojnë në të gjithë botën një unitet të çelikosur nga dashuria e krishterë. Uniteti i tyre është më i spikaturi dhe më jetëgjati në historinë e botës, një unitet që ia kalon çdo gjëje që provojnë nënshtetasit e Satanait. Një dashuri dhe unitet i tillë janë një shenjë e gjallë që tregon se ç’kohë e mrekullueshme do të vijë në botën e re të Perëndisë, e cila do të qeveriset me drejtësi.​—Isaia 2:2-4; Gjoni 13:34, 35; Kolosianëve 3:14.

Dështimi i sulmit të Satanait

17. Pse është e sigurt që sulmi i fundit i Satanait mbi popullin e Jehovait do të dështojë?

17 Satanai dhe ata që i shkojnë pas së shpejti do të sulen kundër adhuruesve të Jehovait për t’i shkatërruar. (Ezekieli 38:14-23) Kjo do të jetë pjesë e asaj që Jezui e quajti «shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri». (Mateu 24:21) A do t’ia arrijë qëllimit Satanai me këtë sulm? Aspak. Fjala e Perëndisë na siguron me këto fjalë: «Jehovai e do drejtësinë dhe nuk do t’i braktisë besnikët e vet. Ata do të jenë gjithmonë të mbrojtur, kurse pasardhësit e të ligjve do të shfarosen. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»​—Psalmi 37:28, 29.

18. (a) Si do t’i kundërpërgjigjet Perëndia sulmit të ardhshëm të Satanait mbi popullin e Tij? (b) Pse ka qenë i dobishëm për secilin prej nesh rishikimi i këtij informacioni të bazuar në Bibël lidhur me triumfin e drejtësisë?

18 Satanai dhe ndjekësit e tij do të sulmojnë shërbëtorët e Jehovait, dhe kjo do të jetë poshtërsia e tij e fundit. Nëpërmjet Zakarisë Jehovai paratha: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.» (Zakaria 2:8) Është sikur dikush t’i futë gishtin Jehovait në bebëzën e syrit. Ai do të kundërpërgjigjet menjëherë e do t’i zhdukë nga faqja e dheut. Shërbëtorët e Jehovait janë njerëzit më të dashur, më të bashkuar, më paqësorë e më të bindur në tokë. Ndaj ky sulm kundër tyre do të jetë krejtësisht i pamerituar dhe i padrejtë. Jehovai që shquhet si ai që «e do drejtësinë», nuk do ta lejojë një gjë të tillë. Patjetër që ai do të dalë në mbrojtje të popullit të tij, dhe kjo do të çojë në shkatërrimin një herë e përgjithmonë të armiqve të tij, në triumfin e drejtësisë dhe në shpëtimin e atyre që adhurojnë të vetmin Perëndi të vërtetë. Po, na presin ngjarje vërtet të mrekullueshme e rrëqethëse!​—Proverbat 2:21, 22.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse është kaq e përhapur padrejtësia?

• Si do ta zgjidhë Jehovai problemin e padrejtësisë në tokë?

• Çfarë ju ka prekur më shumë gjatë këtij studimi në lidhje me triumfin e drejtësisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Para Përmbytjes ligësia kishte marrë dhenë, dhe e tillë është edhe në «ditët e fundit»

[Figura në faqet 24, 25]

Në botën e re të Perëndisë, ligësisë do t’ia zërë vendin drejtësia